«Këto gjëra . . . u shkruan si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve.»​—1 KOR. 10:11.

KËNGËT: 49, 127

1, 2. Pse do t’i shqyrtojmë shembujt e katër mbretërve të Judës?

SIKUR të shihje dikë që rrëshqet dhe bie në një rrugë, a s’do të bëje kujdes kur të ecje në po atë rrugë? Kur mbajmë parasysh gabimet e të tjerëve, kjo mund të na ndihmojë të mos biem në të njëjtat gabime. Njësoj është edhe me rrugën që ndjekim ndërsa adhurojmë Jehovain. Mund të nxjerrim mësime me vlerë nga gabimet e të tjerëve​—edhe nga gabimet e personazheve të Biblës.

2 Katër mbretërit e Judës që shqyrtuam në artikullin e kaluar i shërbyen Jehovait me gjithë zemër. E megjithatë, ata bënë disa gabime serioze. Ç’mund të mësojmë nga përvoja e tyre, dhe si të bëjmë kujdes që të mos veprojmë në mënyrë të ngjashme? Meditimi për këta shembuj mund të na ndihmojë të nxjerrim dobi nga gjërat që u shkruan kohë më parë për mësimin tonë.​—Lexo Romakëve 15:4.

MBËSHTETJA TE MENÇURIA NJERËZORE ÇON NË RRËNIM

3-5. (a) Çfarë problemi pati Asa, ndonëse i ishte përkushtuar me gjithë zemër Jehovait? (b) Për ç’arsye mund të jetë mbështetur te njerëzit Asa kur Baasha doli kundër Judës?

3 Le të ndalemi në fillim te shembulli i Asës dhe të shohim si  mund të ndikojë në jetën tonë Fjala e Perëndisë. Asa u mbështet te Jehovai kur një milion etiopas dolën kundër Judës. Ama, nuk e bëri këtë kur mbreti i Izraelit, Baasha, nisi të fortifikonte Ramahun, një qytet në kufi të mbretërisë së Asës. (2 Kron. 16:1-3) Kësaj here, Asa u mbështet te mençuria e vet e i dha ryshfet mbretit të Sirisë, Ben-Hadadit, që të sulmonte Baashën. A pati sukses taktika e Asës? Bibla thotë: «Sapo e mori vesh, Baasha e ndërpreu fortifikimin e Ramahut dhe i ndali punimet.» (2 Kron. 16:5) Pra, në pamje të parë, strategjia e Asës bëri punë.

4 Por, si e pa Jehovai rrugën që ndoqi Asa? Perëndia dërgoi zëdhënësin e tij, Hananin, për ta qortuar Asën që nuk u mbështet tek Ai. (Lexo 2 Kronikave 16:7-9.) Hanani i tha: «Që tani e tutje kundër teje do të ketë luftëra.» Vërtet, Baasha ishte zmbrapsur; megjithatë, Asa dhe populli i tij patën luftëra gjatë gjithë pjesës tjetër të mbretërimit të tij.

5 Siç e vërejtëm në artikullin e kaluar, Perëndia shqyrtoi zemrën e Asës dhe nxori përfundimin se ai i ishte përkushtuar me gjithë zemër. (1 Mbret. 15:14) Në thelb, përkushtimi i Asës ishte i plotë në sytë e Perëndisë, në përputhje me kërkesat hyjnore. Prapëseprapë, ai duhej të korrte pasojat e rrugës së pamend që ndoqi. Kur u përball me Baashën, çfarë e shtyu Asën të mbështetej te njerëzit​—te Ben-Hadadi dhe te vetja—​në vend që të mbështetej te Jehovai? Mos ndoshta mendoi se diplomacia ose manovrat ushtarake do të sillnin një rezultat më të favorshëm sesa po t’i drejtohej Perëndisë për ndihmë? Apo mos vallë arsyetoi ashtu si pasojë e ndonjë këshille të keqe?

6. Ç’mund të mësojmë nga gabimi i Asës? Ilustrojeni.

6 A do të na nxitë tregimi i Asës të shqyrtojmë mënyrën si veprojmë ne vetë? Kur ndeshim probleme që duken si një mal i pakapërcyeshëm, mund ta dallojmë lehtë se kemi nevojë të mbështetemi te Jehovai. Por, si veprojmë kur hasim probleme më të vogla në jetën e përditshme? A mbështetemi tek arsyetimet njerëzore duke u përpjekur t’i zgjidhim problemet sipas mënyrës sonë? Apo kërkojmë parimet e Biblës dhe përpiqemi t’i zbatojmë, duke treguar kështu se mbështetemi te mënyra e Jehovait për t’i zgjidhur problemet? Për shembull, mbase hera-herës ti has kundërshtime nga familja për të ndjekur mbledhjet ose një asamble. A do t’i kërkosh Jehovait të të drejtojë e të të ndihmojë të dallosh mënyrën më të mirë për të përballuar situatën? Ose ç’të themi nëse humb punën dhe nuk ia del të gjesh një tjetër? Kur të flasësh me një punëdhënës të mundshëm, a do ta informosh prapëseprapë se do të ndjekësh rregullisht mbledhjet gjatë javës? Cilido qoftë problemi, bëjmë mirë t’u vëmë veshin fjalëve të psalmistit që tha: «Lëre udhën tënde në dorë të Jehovait e mbështetu tek ai, dhe ai do të veprojë.»​—Psal. 37:5.

SI MUND TË NDIKOJË TE TI SHOQËRIA E KEQE?

7, 8. Çfarë gabimesh bëri Jehozafati, dhe cilat qenë pasojat? (Shih figurën hapëse.)

7 Ç’të themi për birin e Asës, Jehozafatin? Ai kishte shumë cilësi të vyera. Duke u mbështetur te Perëndia, Jehozafati bëri goxha gjëra të mira. Gjithsesi, ai mori edhe vendime të pamenda. Për shembull, lidhi krushqi me Akabin, mbretin e lig të mbretërisë veriore. E pavarësisht nga paralajmërimi që i dha profeti Mikajah, Jehozafati u bashkua me Akabin për të luftuar kundër sirianëve. Në betejë, Jehozafati i shpëtoi për një fije vdekjes. Pas kësaj, ai u kthye në Jerusalem. (2 Kron. 18:1-32) Atëherë, profeti Jehu e  pyeti: «A i duhet dhënë ndihmë të ligut dhe a duhet t’i duash ata që urrejnë Jehovain?»​—Lexo 2 Kronikave 19:1-3.

8 A nxori mësim Jehozafati nga ajo përvojë? Edhe pse vazhdoi të tregonte zell për t’i pëlqyer Perëndisë, duket se ai nuk mësoi nga përvoja me Akabin dhe nga fjalët paralajmëruese të Jehut. Jehozafati lidhi një aleancë tjetër të pamend. Kësaj here me birin e Akabit, mbretin e lig Ahaziah, një armik i Perëndisë. Jehozafati dhe Ahaziahu ndërtuan së bashku anije, që si përfundim u shkatërruan dhe nuk e arritën qëllimin për të cilin ishin ndërtuar.​—2 Kron. 20:35-37.

9. Si mund të ndikojë në krejt jetën tonë shoqëria e keqe?

9 Leximi i tregimeve për Jehozafatin duhet të na nxitë të shqyrtojmë jetën tonë. Në ç’mënyrë? Po ja, në përgjithësi Jehozafati ishte një mbret i mirë. Ai bëri atë që ishte e drejtë dhe «e kërkoi Jehovain me gjithë zemër». (2 Kron. 22:9) Prapëseprapë, nuk ishte i imunizuar ndaj ndikimit të shoqërisë së keqe. Të mos harrojmë këtë proverb të frymëzuar: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» (Prov. 13:20) Ndoshta ne po mundohemi t’i ndihmojmë të interesuarit të përqafojnë të vërtetën. Ama, Jehozafati gati i pagoi me jetën e vet lidhjet e panevojshme me Akabin. Njësoj edhe për ne sot, shoqërimi i panevojshëm me ata që nuk i shërbejnë Jehovait sjell me vete rreziqe.

10. (a) Ç’mësim mund të nxjerrim nga Jehozafati kur bëhet fjalë për t’u martuar? (b) Ç’duhet të mbajmë ndër mend kur hasim problemin e shoqërive të këqija?

10 Ç’mësim praktik mund të nxjerrim nga përvoja e Jehozafatit? Një shërbëtor i Jehovait mund të fillojë të ketë ndjenja romantike për dikë që nuk e do Jehovain, duke shkuar me mendimin se mes të krishterëve të vërtetë nuk gjen dot një bashkëshort të përshtatshëm. Ose dikujt tjetër mund t’i bëjnë presion të afërmit jobesimtarë që të martohet ‘para se t’i ikë mosha’. Veç kësaj, disa mund të ndihen si një motër që tha: «Ne jemi të programuar të duam shoqëri dhe dashuri.» Ç’duhet të bëjë një shërbëtor i Perëndisë? Një gjë që mund të  ndihmojë është meditimi për atë që i ndodhi Jehozafatit. Zakonisht ai i kërkonte drejtim Perëndisë. (2 Kron. 18:4-6) Por ç’ndodhi kur Jehozafati u shoqërua me Akabin, që s’kishte fare dashuri për Jehovain? Jehozafati duhej të kishte mbajtur ndër mend se sytë e Jehovait kërkojnë ata që i janë përkushtuar me gjithë zemër. Edhe sot, sytë e Perëndisë «enden nëpër gjithë tokën», dhe ai është i gatshëm «për të treguar forcën e tij» në dobinë tonë. (2 Kron. 16:9) Ai e kupton situatën ku ndodhemi dhe na do. A ke edhe ti besim se Perëndia do ta plotësojë nevojën tënde për dashuri dhe shoqëri në një mënyrë të kënaqshme? Mos ki pikë dyshimi se në një moment ai do ta bëjë këtë!

Kujdes nga rreziku se mos futesh «nën të njëjtën zgjedhë» me një jobesimtar (Shih paragrafin 10.)

MOS LEJO QË ZEMRA JOTE TË BËHET FODULLE

11, 12. (a) Si u zbulua se çfarë kishte në zemër Hezekia? (b) Pse u kursye nga indinjata e Perëndisë Hezekia?

11 Nga Hezekia mund të nxjerrim një mësim që lidhet me zemrën. Në një rast, Ai që shqyrton zemrat e nxori në shesh çfarë kishte në zemër Hezekia. (Lexo 2 Kronikave 32:31.) Kur Hezekia u sëmur rëndë, Perëndia i dha një shenjë që tregonte se do të shërohej​—një hije që sprapsej. Me sa duket, princat e Babilonisë dërguan përfaqësues që të pyetnin për atë shenjë. (2 Mbret. 20:8-13; 2 Kron. 32:24) Kur Perëndia «e braktisi», ose «e la vetëm», Hezekia zbuloi çfarë kishte në zemër duke u treguar atyre babilonasve «gjithë shtëpinë e tij të thesarit». Ai veprim i marrë nxori në shesh «çdo gjë që kishte në zemër» Hezekia.

12 Bibla nuk na thotë për ç’arsye u bë fodulle zemra e Hezekisë. Mos ndoshta ngaqë korri fitore kundër asirianëve ose ngaqë Perëndia e shëroi me një mrekulli? Apo mos ishte prej ‘pasurive dhe lavdisë së shumtë’? Sido të ketë qenë, për shkak të fodullëkut, Hezekia «nuk iu përgjigj [me mirënjohje] së mirës që i ishte bërë». Sa e trishtueshme! Ndonëse i tha me të drejtë në lutje Jehovait se i kishte shërbyer me gjithë zemër, për njëfarë kohe Hezekia i shkaktoi pakënaqësi Atij. Por më vonë Hezekia «u përul», e kështu ai bashkë me popullin e tij u kursye nga indinjata e Perëndisë.​—2 Kron. 32:25-27; Psal. 138:6.

13, 14. (a) Kur mund të na lërë vetëm Jehovai ‘me qëllim që të na vërë në provë’? (b) Si mund të reagojmë ndaj lavdërimeve për diçka që kemi arritur?

13 Si mund të nxjerrim dobi nga leximi i tregimit për Hezekinë dhe nga meditimi rreth tij? Të kujtojmë se fodullëku i Hezekisë nxori kokë pak pasi Jehovai mposhti Senakeribin dhe e shëroi Hezekinë nga sëmundja vdekjeprurëse. Në rastin tonë, nëse kemi arritur diçka me vlerë, mos ndoshta Jehovai po na lë vetëm ‘me qëllim që të na vërë në provë’, duke lejuar të dalë në pah ajo që kemi në zemër? Për shembull, një vëlla mund të ketë punuar fort që të përgatitë e të mbajë një fjalim para një auditori të madh. Shumë veta e lavdërojnë për atë që ka bërë. Si do të reagojë ai ndaj lavdërimeve?

14 Kur na lavdërojnë, bëjmë mirë të zbatojmë këto fjalë të Jezuit: «Pasi të keni bërë gjithçka që ju ishte caktuar, thoni: ‘Jemi skllevër që s’vlejnë për asgjë. Bëmë vetëm atë që duhej të bënim.’» (Luka 17:10) Edhe këtu mund të nxjerrim mësim nga përvoja e Hezekisë. Qëndrimi i tij fodull doli në pah kur «nuk iu përgjigj [me mirënjohje] së mirës që i ishte bërë». Meditimi për tërë ato të mira që ka bërë për ne Jehovai do të na ndihmojë të shmangim një qëndrim që ai e urren. Mund të flasim me mirënjohje për Jehovain. Ai ka siguruar edhe Shkrimet e Shenjta edhe frymën e shenjtë, e cila mbështet shërbëtorët e tij.

 BËJ KUJDES KUR MERR VENDIME

15, 16. Pse e humbi mbrojtjen e Perëndisë dhe jetën Josia?

15 Në fund, çfarë paralajmërimi gjejmë te përvoja e mbretit të mirë Josia? Le të shohim për ç’arsye pësoi disfatë dhe vdiq ai. (Lexo 2 Kronikave 35:20-22.) Josia «doli të përleshej» me Nekon, mbretin e Egjiptit, edhe pse ai mbret i tha se nuk kishte ndonjë problem me të. Bibla thotë se fjalët e Nekos vinin «nga goja e Perëndisë». Pse, pra, doli të luftonte Josia? Bibla nuk e thotë arsyen.

16 Por si ta dinte Josia se fjalët e Nekos vinin nga Jehovai? Ai mund të kishte pyetur Jereminë, një nga profetët besnikë. (2 Kron. 35:23, 25) Mirëpo askund nuk lexojmë se veproi kështu. Veç kësaj, Nekoja po shkonte në Karkemish që të luftonte «kundër një shtëpie tjetër», jo kundër Jerusalemit. Për më tepër, emri i Perëndisë nuk ishte i përfshirë në këtë rast, pasi Nekoja nuk po sfidonte as Jehovain, as popullin e tij. Pra, Josia tregoi gjykim të dobët kur doli të luftonte kundër Nekos. A dallojmë në këtë ngjarje një mësim që mund të vlejë për ne? Kur hasim një problem, bëjmë mirë të shqyrtojmë cili mund të jetë vullneti i Jehovait në këtë çështje.

17. Ç’mund të bëjmë që të mos përsëritim gabimin e Josisë kur hasim një problem?

17 Nëse lind një problem, duhet të shqyrtojmë cilat parime biblike përfshihen dhe t’i zbatojmë në mënyrë të ekuilibruar. Në disa raste, mund të jetë mirë të këshillohemi me pleqtë. Mbase kemi bluar në mend gjithë sa dimë për atë çështje, e madje mund të kemi bërë kërkime në botimet tona. Por, mund të ketë edhe parime të tjera biblike që duhen marrë parasysh, e që një plak mund të na ndihmojë t’i analizojmë. Për shembull, një motër e di se ka përgjegjësinë të predikojë lajmin e mirë. (Vep. 4:20) Mirëpo ta zëmë se motra ka planifikuar të dalë në shërbim një ditë të caktuar, ndërsa i shoqi jobesimtar do që ajo të rrijë në shtëpi. Ai i thotë se kohët e fundit nuk kanë ndenjur shumë bashkë dhe se ka qejf të bëjnë diçka si çift. Motra ndoshta shqyrton shkrime që lidhen me situatën, si për shembull ato që lidhen me bindjen ndaj Perëndisë dhe me urdhrin për të bërë dishepuj. (Mat. 28:19, 20; Vep. 5:29) Por, duhet të mendojë edhe për nënshtrimin si bashkëshorte dhe si të tregohet e arsyeshme. (Efes. 5:22-24; Filip. 4:5) A është krejtësisht kundër i shoqi që ajo të dalë në shërbim apo thjesht po i kërkon të bëjnë diçka tjetër sa për atë ditë? Na duhet ekuilibër ndërsa përpiqemi të bëjmë vullnetin e Perëndisë e të mbajmë një ndërgjegje të mirë.

MBAJ NJË ZEMËR PLOTËSISHT TË PËRKUSHTUAR DHE GËZO

18. Si mund të nxjerrësh dobi nga meditimi për historitë e katër mbretërve që shqyrtuam në këtë artikull?

18 Si të papërsosur, edhe ne hera-herës mund të kemi prirjen të biem në ndonjë nga gabimet që bënë katër mbretërit e shqyrtuar më sipër. Ne mund (1) të mbështetemi pa e kuptuar te mençuria njerëzore, (2) të fillojmë të rrimë me shoqëri të këqija, (3) të bëhemi fodullë ose (4) të marrim vendime pa shqyrtuar më parë cili është vullneti i Perëndisë. Sa zemërmirë është Jehovai që sheh gjëra të mira te ne, ashtu siç pa të mira tek ata katër mbretër! Jehovai sheh edhe sa fort e duam dhe sa fort dëshirojmë që t’i shërbejmë plotësisht. Prandaj na ka siguruar shembuj paralajmërues që të na ndihmojë të shmangim gabimet serioze. Le të meditojmë për këto tregime biblike dhe t’i jemi mirënjohës Jehovait që i ka siguruar për të mirën tonë!