A KE ndonjë gjë të përbashkët me profetët e lashtësisë? Në botimin e 2013-s të Përkthimit Bota e Re në anglisht, te «Fjalorthi i termave biblikë» jepet ky përkufizim për fjalën profet: «Dikush nëpërmjet të cilit bëhen të njohura qëllimet e Perëndisë. Profetët shërbenin si zëdhënës të Perëndisë, që transmetonin jo vetëm profecitë e Jehovait, por edhe mësimet, urdhrat dhe gjykimet e tij.» Edhe pse ti nuk bën profeci, flet në emër të Perëndisë, duke shpallur atë që gjendet në Fjalën e Tij.Mat. 24:14.

Çfarë privilegji i bukur t’u tregojmë të tjerëve për Perëndinë tonë, Jehovain, dhe t’u mësojmë cili është vullneti i tij për njerëzimin! Ne marrim pjesë në këtë vepër bashkë me ‘engjëllin që fluturon në mes të qiellit’. (Zbul. 14:6) Megjithatë, për shkak të vështirësive që hasim, mund të harrojmë sa privilegj të mrekullueshëm kemi. Cilat janë disa nga vështirësitë? Mund të ndodhë të ndihemi të rraskapitur, të shkurajuar ose të pavlerë. Profetët besnikë të lashtësisë ishin njësoj si ne. Ama nuk u dorëzuan, dhe Jehovai i ndihmoi ta kryenin caktimin e tyre. Të ndalemi te disa shembuj dhe të shohim si mund t’i imitojmë.

SHËRBYEN ME MISH E ME SHPIRT

Hera-herës mund të jemi të lodhur nga aktivitetet e përditshme dhe ndoshta nuk ndihemi të dalim në shërbim. Natyrisht, kemi nevojë të pushojmë; edhe Jezui e apostujt pushuan. (Mar. 6:31) Por mendo pak për Ezekielin në Babiloni dhe për misionin që kishte mes izraelitëve të marrë robër nga Jerusalemi. Një herë Perëndia i tha Ezekielit të merrte një tullë dhe të skaliste në të qytetin e Jerusalemit. Pastaj Ezekieli duhej të ngrinte një rrethim simbolik përqark qytetit në miniaturë, duke u shtrirë në krahun e majtë për 390 ditë e më pas në të djathtin për 40 ditë. Jehovai i tha Ezekielit:  «Unë do të të lidh me litarë, që të mos kthehesh nga njëri krah në tjetrin, gjersa të kesh plotësuar ditët e rrethimit tënd.» (Ezek. 4:1-8) Patjetër që kjo do t’u ketë tërhequr vëmendjen izraelitëve të mërguar. Ezekieli duhej të ndiqte këtë rutinë rraskapitëse për më shumë se një vit. Si mund ta përmbushte profeti caktimin e tij?

Ezekieli kuptoi arsyen pse u dërgua si profet. Kur e dërgoi, Perëndia i tha: «Dëgjojnë apo s’dëgjojnë, . . . [izraelitët] do ta marrin vesh se mes tyre ka qenë një profet.» (Ezek. 2:5) Ezekieli mbajti parasysh qëllimin e detyrës që iu ngarkua. Prandaj e realizoi pa ngurruar skenën e rrethimit të figurshëm të Jerusalemit dhe doli se ishte profet i vërtetë. Ezekielit dhe mërgimtarëve të tjerë u vajti ky lajm: «Qyteti ra.» E pra, izraelitët e morën vesh se mes tyre kishte qenë një profet.Ezek. 33:21, 33.

Sot ne i paralajmërojmë njerëzit për shkatërrimin që e pret krejt sistemin e Satanait. Ndonëse mund të jemi të lodhur fizikisht, i përdorim energjitë që të predikojmë Fjalën e Perëndisë, të bëjmë rivizita dhe të drejtojmë studime biblike. Dora-dorës që plotësohen profecitë për fundin e këtij sistemi, kënaqemi që ‘nëpërmjet nesh bëhen të njohura qëllimet e Perëndisë’.

I BËNË BALLË SHKURAJIMIT

Me ndihmën e frymës së Jehovait, shërbejmë me mish e me shpirt; por nganjëherë mund të na shkurajojë reagimi i njerëzve ndaj mesazhit tonë. Bëjmë mirë të kujtojmë shembullin e profetit Jeremia. Atë e përbuznin, e fyenin dhe e tallnin ngaqë u shpallte izraelitëve mesazhin e Perëndisë. Madje arriti një pikë kur Jeremia tha: «Nuk do ta përmend më dhe nuk do të flas më në emër të tij.» Ai ishte njeri me ndjenja si tonat. Prapëseprapë vazhdoi të shpallte mesazhin e Perëndisë. Pse? Vetë profeti shtoi: «Por fjala e tij ishte në zemrën time si një zjarr përvëlues i mbyllur në kockat e mia. U lodha duke ndenjur në heshtje dhe nuk durova dot më.»Jer. 20:7-9.

Po njësoj edhe ne, nëse na shkurajon reagimi i njerëzve ndaj mesazhit tonë, mund ta përzëmë këtë ndjenjë duke medituar për mesazhin që shpallim. Ai mund të jetë si ‘një zjarr përvëlues i mbyllur në kockat tona’. Ky zjarr mund të vazhdojë të digjet brenda nesh nëse e bëjmë shprehi ta lexojmë Biblën përditë.

MPOSHTËN NDJENJAT NEGATIVE

Disa të krishterë janë ndier krejt të pasigurt kur kanë marrë një caktim që nuk arrinin ta kuptonin. Kështu mund të jetë ndier edhe profeti Hozea. Jehovai e urdhëroi: «Shko, merr për vete një grua që do të kryejë kurvëri [ose do të bëjë prostitucion], dhe do të të lindin fëmijë kurvërie.» (Hoz. 1:2) Imagjino si do të ishe ndier sikur Perëndia të të thoshte se do të martoheshe me një grua që do të bënte prostitucion! Hozea e pranoi caktimin. Ai e mori për grua Gomerën, dhe ajo i lindi një djalë. Pastaj lindi një vajzë e më vonë një djalë tjetër. Me sa duket këta dy fëmijë të fundit erdhën nga kurorëshkeljet e saj. Jehovai i kishte thënë Hozesë se gruaja që do të merrte ‘do të shkonte pas dashnorëve të saj të zjarrtë’. Vër re se fjala është në shumës—‘dashnorë’. Pastaj ajo do të donte të kthehej te Hozea. Sikur të ishe në vend të profetit, a do ta merrje prapë në shtëpi atë grua? Jehovai i tha Hozesë të bënte tamam kështu. Madje profeti pagoi një shumë goxha të madhe për ta blerë.Hoz. 2:7; 3:1-5.

Ndoshta Hozea vriste mendjen se ç’e mirë do të vinte duke kryer këtë caktim. Por, ngaqë e realizoi me besnikëri atë dramë simbolike në jetën e tij, Hozea na ndihmon të kuptojmë dhimbjen që duhet të ketë ndier i Plotfuqishmi kur Izraeli e tradhtonte. E në realitet, disa izraelitë me zemër të sinqertë u kthyen vërtet te Perëndia.

Sot Perëndia nuk i kërkon askujt që të martohet me «një grua që do të kryejë kurvëri». Sidoqoftë, a mund të mësojmë diçka nga gatishmëria e Hozesë për të pranuar një caktim të tillë? Një mësim është, të jemi të gatshëm ta shpallim lajmin e mirë për Mbretërinë «publikisht dhe shtëpi  më shtëpi», edhe nëse kjo na duket e vështirë. (Vep. 20:20) Ndoshta disa aspekte të veprës së predikimit për Mbretërinë nuk janë të lehta për ty. Mjaft nga ata që studiojnë me Dëshmitarët e Jehovait kanë thënë se u pëlqen të studiojnë Biblën, por nuk do të shkonin kurrë shtëpi më shtëpi që të përhapnin mesazhin. Më vonë shumë prej tyre filluan të bënin atë që më parë u dukej e pamundur. A të mëson diçka kjo?

Mund të nxjerrim edhe një mësim tjetër nga fakti që Hozea pranoi një caktim të vështirë. Ai mund t’i kishte bërë bisht caktimit për të luajtur një rol në dramën simbolike që përfshinte të shoqen. Fundja asnjeri nuk do të merrte vesh gjë për këtë detyrë nëse Hozea s’do të kishte shkruar tregimin. Edhe ne mund të gjendemi në një situatë ku kemi rastin t’i tregojmë dikujt për Jehovain, dhe askush tjetër nuk do të dijë gjë për këtë mundësi. Kështu ndodhi me Anën, nxënëse në një gjimnaz në Shtetet e Bashkuara. Mësuesja u kërkoi nxënësve të shkruanin një ese rreth një teme a çështjeje për të cilën kishin bindje të forta dhe të përpiqeshin t’i mbushnin mendjen klasës. Ana mund ta kishte shmangur këtë mundësi për të dhënë dëshmi. Por ajo e pa si një mundësi nga Perëndia. E mori me mend çfarë reagimi mund të haste, ndaj iu lut Jehovait dhe pastaj ndjeu t’i vlonte në zemër dëshira që ta shfrytëzonte këtë rast. Ajo shkroi një ese me titull «Evolucioni: Shqyrtoni provat».

Të rinjtë tanë imitojnë qëndrimin e profetëve—flasin me guxim në mbrojtje të Jehovait si Krijuesi

Kur Ana e paraqiti esenë para klasës, një vajzë që njihej për besimin e fortë tek evolucioni e bombardoi me pyetje. Ana e mbrojti më së miri pikëpamjen e vet. Mësueses i bëri kaq shumë përshtypje, sa i dha çmimin për esenë më bindëse. Që atëherë Ana ka bërë biseda të tjera për krijimin me vajzën që e sfidoi. Cili është rezultati ngaqë e pranoi këtë «caktim» nga Jehovai? Ana thotë: «Tani e predikoj plot siguri lajmin e mirë, pa pikë frike.»

Vërtet, ne s’jemi profetë në kuptim të mirëfilltë. Por duke imituar qëndrimin vetëmohues të profetëve, si Ezekieli, Jeremia dhe Hozea, edhe ne mund t’ia dalim të bëjmë atë që na kërkon Jehovai sot. Gjatë adhurimit familjar ose si një projekt studimi personal, pse të mos lexosh për profetë të tjerë të lashtësisë dhe të meditosh si ta imitosh shembullin e tyre?