Nga ai, i gjithë trupi është i lidhur së bashku në mënyrë të harmonishme dhe i bërë për të bashkëvepruar.’​—EFES. 4:16.

KËNGËT: 53, 107

1. Nga çfarë janë karakterizuar veprat e Perëndisë qysh nga fillimi?

DIÇKA që u pa qartë qysh nga fillimi i krijimit ishte bashkëpunimi për një qëllim të vetëm. Si mençuria e personifikuar, krijesa e parë e Perëndisë tha: «Unë isha përkrah [Jehovait] si një kryemjeshtër dhe ai më kishte veçanërisht për zemër ditë për ditë.» (Prov. 8:30) Atë e Bir punuan krah për krah dhe bënë tërë këtë larmi jete që shohim sot. Bashkëpunimi vazhdoi të ishte shenjë dalluese e veprave të Perëndisë. E shohim këtë cilësi te ndërtimi i arkës në ditët e Noesë; te ngritja, çmontimi dhe transportimi i tabernakullit ndërsa populli i Perëndisë udhëtonte nëpër shkretëtirë. Madje bie në sy edhe në rastet kur luhej muzikë e bashkoheshin zërat në këngë për ta lëvduar në harmoni Jehovain në tempullin e tij. Të gjitha këto vareshin nga bashkëpunimi.​—Zan. 6:14-16, 22; Num. 4:4-32; 1 Kron. 25:1-8.

2. (a) Çfarë spikaste te kongregacioni i hershëm i krishterë? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

2 Edhe kongregacionin e hershëm të krishterë me Jezu Krishtin në krye e karakterizonte një bashkëpunim i tillë. Apostulli Pavël shpjegoi se, ndonëse të mirosurit si individë kishin  «shumëllojshmëri dhuratash» dhe kryenin «shumëllojshmëri shërbimesh» e «shumëllojshmëri veprimesh», që të gjithë ishin pjesë e ‘një trupi të vetëm’. (Lexo 1 Korintasve 12:4-6, 12.) Po sot? Si mund të qëndrojmë të bashkuar në harmoni teksa predikojmë lajmin e mirë? Si mund të bashkëpunojmë edhe në kongregacion, edhe në familje?

TË BASHKËPUNOJMË NË PREDIKIM

3. Çfarë vegimi mori apostulli Gjon?

3 Aty nga fundi i shekullit të parë të e.s., apostulli Gjon mori një vegim për shtatë engjëj që u binin shtatë trumbetave. Kur engjëlli i pestë i ra trumbetës, Gjoni pa të binte nga qielli në tokë «një yll». Ai «yll» kishte në dorë një çelës me të cilin hapi një humnerë. Prej saj doli tym i dendur, dhe nga tymi vërshoi një mizëri karkalecash. Në vend që të bënin kërdinë te bimësia, karkalecat simbolikë u turrën kundër ‘atyre që nuk e kanë vulën e Perëndisë në ballë’. (Zbul. 9:1-4) Pa dyshim që Gjoni e dinte sa shkretuese mund të ishte një re karkalecash. Fundja, karkalecat kishin qenë një nga plagët që goditi Egjiptin e lashtë në ditët e Moisiut. (Dal. 10:12-15) Karkalecat e figurshëm që pa Gjoni paraqesin më së miri të krishterët e mirosur që shpallin mesazhet e fuqishme të gjykimit nga Jehovai. Tani me ta janë bashkuar miliona shokë të tyre me shpresë tokësore. S’është çudi që predikimi ynë sup më sup e lëkund autoritetin që ushtron Satanai nëpërmjet perandorisë së tij botërore të fesë së rreme.

4. Cilën vepër ka për të bërë populli i Perëndisë? Cila është e vetmja mënyrë si mund t’ia dalim mbanë ta kryejmë këtë vepër?

4 Populli i Jehovait ka detyrën kolosale që të predikojë ‘lajmin e mirë’ anembanë botës para se të marrë fund ky sistem. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Kjo përfshin të ftojë këdo që «ka etje» të pijë «falas ujin e jetës». (Zbul. 22:17) Si mund t’ia dalim ta kryejmë këtë detyrë si pjesëtarë të kongregacionit? Vetëm duke qenë ‘të lidhur së bashku në mënyrë të harmonishme dhe duke bashkëvepruar’.​—Efes. 4:16.

5, 6. Si jemi të bashkuar ndërsa predikojmë lajmin e mirë?

5 Që t’ua japim lajmin e mirë për Mbretërinë sa më shumë njerëzve, duhet ta bëjmë veprën e predikimit në mënyrë të organizuar. Ja pse marrim udhëzime. Drejtimi që marrim nëpër kongregacione, si për shembull në mbledhjet për shërbim, na ndihmon ta kryejmë këtë vepër. Ne shpallim mesazhin për Mbretërinë anekënd botës, duke shpërndarë miliona botime të bazuara në Bibël. A bën çmos të ndjekësh drejtimin për të marrë pjesë në fushatat speciale të predikimit? Kur e bën këtë, bashkohesh me miliona të tjerë që përhapin njëzëri mesazhin e ‘engjëllit që fluturon në mes të qiellit’, i cili përmendet te Zbulesa 14:6.

6 Sa emocionohemi kur lexojmë në Librin vjetor për frytet e përbashkëta të punës sonë! Mendo edhe sa të bashkuar jemi ndërsa shpërndajmë ftesat për kongreset rajonale, speciale dhe ndërkombëtare. Në këto grumbullime dëgjojmë fjalime biblike motivuese dhe ndjekim tërë sy e veshë drama e demonstrime. Shpesh këto pjesë theksojnë thirrjen e ngrohtë të Perëndisë që t’i shërbejmë me gjithë shpirt. Edhe Përkujtimi i vdekjes së Jezuit na bashkon. Ne tregojmë mirënjohje për dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë dhe i bindemi urdhrit të Jezuit, duke u mbledhur çdo vit për këtë ngjarje më 14 nisan pas perëndimit  të diellit. (1 Kor. 11:23-26) Dyert nuk janë të hapura vetëm për Dëshmitarët e pagëzuar. Në javët para Përkujtimit, mbulojmë sa më shumë nga territori i kongregacionit, që t’i ftojmë të tjerët të bashkohen me ne për këtë rast të rëndësishëm.

7. Çfarë arrijmë të bëjmë duke punuar së bashku?

7 Një karkalec i vetëm nuk bën ndonjë gjë kushedi. Po njësoj, përpjekjet që bëjmë si individë mund të duken të papërfillshme. Ama kur punojmë së bashku, arrijmë t’ua drejtojmë vëmendjen miliona njerëzve tek ai që meriton gjithë lavdet e nderimin, Jehovai. Por kjo nuk është e vetmja mënyrë se si bashkëpunimi forcon unitetin mes popullit të Perëndisë.

TË BASHKËPUNOJMË NË KONGREGACION

8, 9. (a) Çfarë ilustrimi përdori Pavli për të na mësuar se duhet të qëndrojmë të bashkuar? (b) Si mund të bashkëpunojmë në kongregacion?

8 Në letrën që u shkroi efesianëve, Pavli e vuri theksin edhe tek organizimi i kongregacionit, edhe te nevoja që ‘të rritemi në të gjitha gjërat’. (Lexo Efesianëve 4:15, 16.) Ç’do ta ndihmojë secilin nga ne që të përparojë drejt këtij synimi? Duke marrë si shembull trupin e njeriut, Pavli u përqendrua tek uniteti që gëzojmë kur ndjekim kreun e kongregacionit, Jezu Krishtin. Apostulli foli për bashkëpunimin «me anë të të gjitha nyjave që japin atë që është e nevojshme». Si mund të sigurohet secili nga ne​—i vogël a i madh, i fortë a i brishtë—​që të bëjë pjesën e vet që kongregacioni të jetë i bashkuar e i lidhur fort me Jehovain?

9 Një mënyrë e rëndësishme është të respektojmë dhe t’u nënshtrohemi atyre që ka caktuar Jezui për të dhënë drejtimin në kongregacion, pra pleqve. (Hebr. 13:7, 17) Ndoshta s’e kemi gjithnjë kollaj ta bëjmë këtë. Sidoqoftë, mund të kërkojmë ndihmën e Perëndisë, të sigurt se ai na dëgjon. Forca e tij vepruese mund të na ndihmojë t’i përkrahim me gjithë zemër masat që merren në kongregacion. Prandaj, nëse hera-herës nuk kemi edhe aq dëshirë ta ndjekim drejtimin që jepet, duhet të meditojmë se si do të ndikojë bashkëpunimi ynë me përulësi tek uniteti në kongregacion. Veç kësaj, ka shumë të ngjarë që një bashkëpunim i tillë të na ndihmojë të gjithëve të rritemi në dashuri.

10. Si ndihmojnë shërbëtorët ndihmës që kongregacioni të jetë në unitet? (Shih figurën hapëse.)

10 Edhe shërbëtorët ndihmës kanë ndikim të çmuar tek uniteti i kongregacionit. Pavarësisht nga mosha, këta vëllezër bëjnë me vetëmohim punë që na sjellin dobi të gjithëve. Për shembull, ndihmojnë pleqtë duke u siguruar që të kemi mjaft botime për shërbim. Po ashtu, shpesh kujdesen për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rregullt të Sallës së Mbretërisë, si edhe mirëpresin ata që vijnë në mbledhje. Ndërsa bashkëpunojmë me këta vëllezër, ndihmojmë që kongregacioni të funksionojë mbarë.​—Krahaso Veprat 6:3-6.

11. Si mund të ndihmojnë më të rinjtë që kongregacioni i tyre të jetë i bashkuar?

11 Shumë vëllezër të pjekur kanë mbajtur mbi supe përgjegjësitë në kongregacion për vite të tëra. Por ndoshta tani mosha e thyer i kufizon në atë që mund të bëjnë, prandaj nevojiten rregullime. Vëllezërit më të rinj mund të jenë një ndihmë e madhe. Ndonëse ende nuk kanë shumë përvojë, stërvitja mund t’i ndihmojë të marrin përsipër më tepër  përgjegjësi. Sa bukur është kur shërbëtorët ndihmës synojnë të kualifikohen si pleq! (1 Tim. 3:1, 10) Disa pleq më të rinj në moshë kanë përparuar aq sa të kualifikohen për veprën qarkore dhe u shërbejnë vëllezërve e motrave në mjaft kongregacione. A nuk jemi mirënjohës për mbështetjen që japin me gatishmëri më të rinjtë?​—Lexo Psalmin 110:3; Eklisiastiun 12:1.

TË BASHKËPUNOJMË NË FAMILJE

12, 13. Ç’mund t’i ndihmojë gjithë pjesëtarët e familjes të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin?

12 Le të shohim një aspekt tjetër të bashkëpunimit: si të ndihmojmë që të gjithë në familje të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Shumë veta kanë parë se Adhurimi Familjar i frytshëm çdo javë ndihmon të krijohen lidhje të pathyeshme mes më të rriturve e të rinjve. Gjatë këtyre momenteve të bukura përqendrohemi te gjërat që na afrojnë me Jehovain, e si pasojë familja lidhet më fort. Pjesëtarët e familjes mund të praktikohen për shërbimin, e kështu janë më të përgatitur që të predikojnë me efektshmëri. E ta merr mendja se kur familjarët dëgjojnë komentet e njëri-tjetrit rreth Fjalës së Perëndisë, lidhen më fort, ngaqë të gjithë duan të njëjtin Perëndi dhe dëshirojnë të bëjnë vullnetin e tij.

Adhurimi familjar forcon lidhjen mes të rinjve dhe të rriturve (Shih paragrafët 12, 15.)

13 Ç’mund të bëjnë çiftet e martuara që të bashkëpunojnë për lavdi të Jehovait? Kur burri e gruaja e duan Jehovain dhe i shërbejnë tok, janë të lumtur e të bashkuar si çift. Abrahami dhe Sara, Isaku dhe Rebeka, Elkanahu dhe Hana shprehën që të gjithë dashuri për shokun a shoqen e jetës. Pse të mos përpiqemi t’i imitojmë? (Zan. 26:8; 1 Sam. 1:5, 8; 1 Pjet. 3:5, 6) Kështu do të lidhemi më fort me bashkëshortin dhe do të afrohemi më shumë me Atin tonë qiellor.​—Lexo Eklisiastiun 4:12.

14. Ç’mund të bësh që ta mbash të fortë martesën, nëse burri a gruaja jote nuk i shërben Jehovait?

14 Si të krishterë nuk duhet të futemi nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. (2 Kor. 6:14) Po ç’të themi për motrat a vëllezërit tanë që jetojnë në familje të ndara nga ana fetare? Disa që i shërbejnë tani Perëndisë e përqafuan të vërtetën kur ishin të martuar dhe nuk e kanë Dëshmitar burrin a gruan. Prapëseprapë, zbatimi i parimeve biblike mund të ndihmojë që në familje të ketë harmoni. Kjo përfshin të bashkëpunosh sa më shumë të jetë e mundur pa bërë kompromis. Ndoshta kjo është e vështirë, por ia vlen të mendosh për shpërblimet që mund të vijnë. Gjithashtu, mund të bëhet një sfidë të zbatohen parimet e Biblës në rastet kur bashkëshorti largohet nga kongregacioni. Kështu i ndodhi një motre që quhet Meri. Ajo dhe i shoqi, Davidi, i shërbenin Jehovait së bashku. Por afro 25 vjet më parë, ai filloi të mos shkonte më në mbledhjet e kongregacionit. Meri i ndiqte besnikërisht mbledhjet e kongreset dhe bënte çmos t’i zbatonte parimet biblike në familje. Kjo përfshinte edhe t’u mësonte gjashtë fëmijëve për Jehovain. Kur fëmijët u rritën dhe ikën nga shtëpia, Meri ndihej tepër e vetmuar. Por më pas Davidi nisi të lexonte revistat që linte ajo nëpër shtëpi. Me kalimin e kohës, ai u kthye në Sallën e Mbretërisë, ku nipçja 6-vjeçar i ruante gjithmonë një vend. Nëse Davidi nuk shkonte, djali i thoshte: «Gjyshi, sot në mbledhje ta ndjeva mungesën.» Tani Davidi i shërben i lumtur Jehovait, dhe Meri fluturon nga gëzimi që janë prapë krah për krah në shërbim.

15. Si mund t’i ndihmojnë ata që janë martuar nga më shumë vjet çiftet më të reja?

 15 Sot Satanai po sulmon familjen, prandaj është jetësore që të gjithë shërbëtorët e Perëndisë të ruajnë bashkëpunimin në martesë. Pavarësisht se sa vjet keni të martuar, mendo ç’mund të thuash ose të bësh personalisht që ta forcosh martesën. Madje ju që jeni të martuar nga më shumë vjet mund të ndihmoni çiftet më të reja në kongregacion. Hera-herës mund të ftoni në shtëpi një çift më të ri që të marrë pjesë në adhurimin tuaj familjar. Kështu mund të shohë se ngrohtësia dhe harmonia janë të rëndësishme, pavarësisht nga sa vjet janë të martuar dy veta.​—Tit. 2:3-7.

«LE TË NGJITEMI NË MALIN E JEHOVAIT»

16, 17. Çfarë presin me padurim shërbëtorët e bashkuar të Perëndisë?

16 Përfytyro izraelitët në kohët biblike tek lëvdonin Jehovain gjatë një feste në tempullin e tij në Jerusalem. Ata bënin përgatitje për udhëtimin, kujdeseshin rrugës për nevojat e njëri-tjetrit, e pastaj bashkoheshin për ta adhuruar Jehovain në tempull. E gjithë kjo kërkonte bashkëpunim. (Luka 2:41-44) Ndërsa vazhdojmë udhëtimin drejt botës së re, edhe ne duhet të jemi të bashkuar në harmoni dhe të bashkëpunojmë. Kjo kërkon përpjekje të vazhdueshme e me gjithë shpirt. A ke nevojë të punosh më shumë në këtë pikë?

17 Mendo për bekimet që na presin. I kemi lënë pas përçarjen dhe pështjellimin e këtij sistemi. Tani shohim plotësimin e asaj që paratha edhe Isaia, edhe Mikea: populli i Perëndisë po ngjitet si një i vetëm në «malin e Jehovait». (Isa. 2:2-4; lexo Mikenë 4:2-4.) Po, adhurimi ynë «në ditët e fundit» qëndron vërtet lart. Por sa do të na gufojë zemra nga lumturia e gëzimi kur njerëzimi mbarë të jetë i bashkuar në harmoni dhe të bashkëpunojë!