Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 ARTIKULLI I STUDIMIT 22

Përmirëso zakonet e studimit!

Përmirëso zakonet e studimit!

‘Sigurohu për gjërat më të rëndësishme.’—FILIP. 1:10.

KËNGA 35 ‘Të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’

PËRMBLEDHJE *

1. Pse disa mund të mos kenë dëshirë të studiojnë?

SOT duhet shumë mund e djersë për të siguruar jetesën. Mjaft nga vëllezërit tanë punojnë orë të tëra në ditë vetëm për t’i siguruar familjes gjërat e nevojshme. Sa e sa të tjerë harxhojnë përditë disa orë që të venë e të kthehen nga puna. Shumë bëjnë punë krahu të rëndë për të mbajtur familjen. Në fund të ditës, këta vëllezër e motra të palodhur janë të rraskapitur. Ndoshta gjëja e fundit që duan të bëjnë është të studiojnë.

2. Kur gjen kohë për të studiuar?

2 Megjithatë, ne duhet të gjejmë kohë ta studiojmë—dhe ta studiojmë vërtet—Fjalën e Perëndisë dhe botimet tona. Nga kjo varet marrëdhënia jonë me Jehovain dhe jeta e përhershme! (1 Tim. 4:15, 16) Disa ngrihen herët çdo ditë e studiojnë kur në shtëpi është qetësi dhe e kanë mendjen të freskët nga gjumi i natës. Të tjerë programojnë ca minuta të qeta në fund të ditës që të studiojnë e të meditojnë për Biblën dhe botimet tona.

3-4. Çfarë ndryshimesh janë bërë në sasinë e materialeve që dalin, dhe pse?

3 Pa dyshim që je dakord se është e rëndësishme të gjejmë kohë për të studiuar. Por çfarë duhet të studiojmë? Mbase thua: «Ka një mal me gjëra për të lexuar. Nuk arrij të lexoj çdo gjë që del.» Disa ia dalin të përfitojnë plotësisht nga çdo botim ose video e re, por shumë nga vëllezërit tanë e kanë të vështirë të gjejnë kohë. Trupi Udhëheqës është i vetëdijshëm për këtë. Ja pse kohët e fundit u dha drejtimi që të pakësohej sasia e materialeve që dalin, si të shtypura, edhe elektronike.

 4 Për shembull, nuk botohet më Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait, pasi shumë ngjarje e përvoja inkurajuese i gjejmë në sitin jw.org® dhe në programet mujore të JW Broadcasting®. Botimi për publikun i Kullës së Rojës dhe revista Zgjohuni!, tani dalin vetëm tri herë në vit. Këto ndryshime nuk janë bërë me qëllim që të kemi më shumë kohë për aktivitete të tjera. Janë bërë që të na japin mundësi të përqendrohemi te «gjërat më të rëndësishme». (Filip. 1:10) Le të shohim si t’i vendosësh përparësitë dhe si të nxjerrësh dobi plotësisht nga studimi personal i Biblës.

VENDOS PËRPARËSITË

5-6. Cilat botime duhet të sigurohemi që t’i studiojmë me kujdes?

5 Çfarë duhet të përfshijmë te përparësitë tona? Pa dyshim që duhet t’i kushtojmë kohë çdo ditë studimit të Fjalës së Perëndisë. Tani sasia e materialit të programuar për leximin javor të Biblës në kongregacion është pakësuar, që të kemi më tepër kohë të meditojmë rreth tij e të bëjmë më shumë kërkime. Synimi ynë nuk duhet të jetë thjesht t’u japim një të lexuar vargjeve të caktuara, por të lejojmë që mesazhi i Biblës të na prekë zemrën, e kështu të na afrojë më shumë me Jehovain.—Psal. 19:14.

6 Çfarë tjetër duhet të studiojmë me kujdes? Sigurisht, duam të përgatitim materialin për Studimin e Kullës së Rojës dhe për Studimin e Biblës në Kongregacion, si edhe materialet e tjera për mbledhjen e mesjavës. Gjithashtu, duhet të lexojmë çdo numër të ri të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni!

7. Pse s’duhet të shkurajohemi nëse nuk arrijmë të shohim çdo material që del në sitin tonë dhe në JW Broadcasting?

7 «Po mirë,—mund të thuash,—po gjithë ato materiale që dalin në sitin tonë jw.org dhe në JW Broadcasting? Janë pa fund!» Mendo pak për këtë ilustrim: gjatë një bufeje në një restorant serviren me bollëk lloj-lloj ushqimesh të shijshme. Klientët e restorantit e kanë të pamundur të provojnë çdo gjë që është servirur, prandaj zgjedhin vetëm disa gatime. Po njësoj, nëse nuk arrin të shohësh a të lexosh çdo material elektronik që del, mos u shkurajo. Lexo ose shih aq sa mundesh. Le të shqyrtojmë tani ç’do të thotë të studiosh dhe si të përfitosh në maksimum nga studimi.

STUDIMI ËSHTË PUNË

8. Cilët hapa mund të bësh kur studion Kullën e Rojës, dhe si do të nxjerrësh dobi nga kjo?

8 Të studiosh do të thotë të lexosh plotësisht i përqendruar dhe me një synim. Nuk do të thotë thjesht ta kalosh shpejt e shpejt materialin e të nënvizosh përgjigjet. Për shembull, kur përgatitesh për Studimin e Kullës së Rojës, së pari ndalu te përmbledhja në fillim të artikullit. Pastaj, mendo për titullin, nëntitujt dhe pyetjet për rishikim. Më pas, lexoje artikullin ngadalë dhe me kujdes. Kushtoji vëmendje fjalisë që përmbledh thelbin e paragrafit dhe që zakonisht është fjalia e parë e çdo paragrafi. Shpesh ajo të sinjalizon për çfarë do të flasë paragrafi. Ndërkohë që lexon artikullin, mendo si e mbështet çdo paragraf nëntitullin dhe si lidhet me temën kryesore të artikullit. Mbaj shënim fjalët e panjohura dhe pikat që dëshiron t’i qartësosh duke bërë kërkime.

9. (a) Pse dhe si duhet t’u kushtojmë vëmendje të veçantë shkrimeve kur studiojmë Kullën e Rojës? (b) Përveçse t’i lexojmë shkrimet, ç’duhet të bëjmë tjetër sipas Josiut 1:8?

9 Studimi i Kullës së Rojës është studim  i Biblës. Prandaj, kushtoju vëmendje në veçanti shkrimeve, sidomos atyre që do të lexohen kur të shqyrtohet materiali në kongregacion. Vër re sidomos si e mbështetin idenë kryesore të paragrafit fjalët ose shprehjet kyçe të shkrimeve. Veç kësaj, lër kohë për t’i bluar në mendje shkrimet që lexon dhe reflekto si mund t’i zbatosh në jetën tënde.—Lexo Josiun 1:8.

Prindër, mësojini fëmijët si të studiojnë (Shih paragrafin 10) *

10. Në harmoni me Hebrenjve 5:14, pse prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve gjatë adhurimit familjar edhe si të studiojnë e të bëjnë kërkime?

10 Natyrisht, prindërit duan që fëmijët ta shijojnë Adhurimin Familjar që mbajnë çdo javë. Por, ndonëse duhet të kenë gjithmonë diçka të qartë në mendje për adhurimin familjar, prindërit s’ka pse të organizojnë çdo javë aktivitete speciale ose projekte emocionuese. Edhe pse në Adhurimin Familjar mund të përfshihet programi mujor nga JW Broadcasting ose hera-herës një projekt special, si ndërtimi i një modeli të arkës së Noesë, është e rëndësishme edhe që fëmijëve t’u mësohet si të studiojnë. Ata duhet të mësojnë, për shembull, si të përgatiten për mbledhjet e kongregacionit ose si të bëjnë kërkime për një problem që ka lindur në shkollë. (Lexo Hebrenjve 5:14.) Nëse kalojnë ca kohë duke u marrë me projekte studimi në shtëpi, do ta kenë më kollaj të përqendrohen te materialet që paraqiten në mbledhje, asamble e kongrese, që mund të mos përmbajnë gjithmonë një video. Sigurisht, se sa kohë do të zgjatë një seancë studimi varet nga mosha dhe temperamenti i fëmijëve.

11. Pse është e rëndësishme t’u mësojmë studentëve të Biblës si të bëjnë vetë një studim të thellë që u sjell dobi?

11 Edhe studentët tanë të Biblës duhet të mësojnë si të studiojnë. Kur janë në hapat e parë të studimit, kënaqemi edhe thjesht nëse nënvizojnë përgjigjet ndërsa përgatiten për studimin ose për mbledhjet. Gjithsesi, është e nevojshme t’u mësojmë si të bëjnë vetë kërkime dhe një studim të thellë që u sjell dobi. Kështu, kur të lindin probleme, nuk do të vrapojnë për ndihmë te të tjerët në kongregacion, por do të dinë si të gjejnë vetë këshilla praktike duke bërë kërkime në botimet tona.

 STUDIO ME NJË QËLLIM

12. Cilat synime mund të kemi kur studiojmë?

12 Nëse nuk je tip studioz, mbase mendon se nuk do ta shijosh asnjëherë studimin. Por mund të mësosh ta shijosh. Fillo me periudha të shkurtra dhe shtoje avash-avash kohën e studimit. Ki një synim në mendje. Sigurisht, synimi ynë përfundimtar duhet të jetë të afrohemi gjithnjë e më shumë me Jehovain. Një synim më afatshkurtër mund të jetë t’i përgjigjemi një pyetjeje që ka ngritur dikush ose të bëjmë kërkime për një problem që po përballojmë.

13. (a) Shpjegoni çfarë hapash mund të bëjë një i ri që të mbrojë bindjet e tij në shkollë. (b) Si mund ta zbatosh këshillën e Kolosianëve 4:6?

13 Për shembull, a je një i ri në shkollë? Ndoshta të gjithë në klasën tënde besojnë te teoria e evolucionit. Ti do të doje të mbroje mësimin e Biblës, po mbase nuk ndihesh i zoti ta bësh këtë. Ja ku të duhet një projekt studimi! Mund të kesh një synim të dyfishtë: (1) të forcosh bindjen tënde se Perëndia krijoi gjithçka dhe (2) të bëhesh më i aftë të mbrosh të vërtetën. (Rom. 1:20; 1 Pjet. 3:15) Në fillim mund të pyesësh veten: «Çfarë argumentesh përdorin shokët e klasës për të mbrojtur evolucionin?» Pastaj, bëj kërkime të kujdesshme duke përdorur botimet tona. Të mbrosh bindjet e tua mund të mos jetë aq e vështirë sa mendon. Shumica besojnë tek evolucioni thjesht sepse dikush që e respektojnë u ka thënë se është i vërtetë. Nëse gjen vetëm një a dy fakte dhe ua tregon, mund t’i japësh përgjigje bindëse dikujt që pyet me sinqeritet.—Lexo Kolosianëve 4:6.

USHQE KURESHTJEN

14-16. (a) Si mund të mësosh më shumë për një libër të Biblës që nuk e njeh edhe aq? (b) Shpjegoni si mund të ndihmojnë shkrimet e përmendura për ta kuptuar më mirë librin e Amosit. (Shiko edhe kutinë « Shihi si të gjalla personazhet e Biblës!».)

14 Ta zëmë se në një mbledhje të ardhshme të kongregacionit, është programuar të shqyrtohen shkrimet e një prej të ashtuquajturve profetë të vegjël, ndoshta një profet për të cilin ti nuk di shumë. Hapi i parë mund të jetë të ushqesh kureshtjen për atë që shkroi profeti. Si ta arrish këtë?

15 Së pari, pyet veten: «Çfarë di për shkrimtarin e këtij libri? Kush ishte, ku jetonte, çfarë pune bënte?» Kur njeh më mirë shkrimtarin, mund të kuptosh edhe pse ka zgjedhur ato fjalë ose ato lloj ilustrimesh. Ndërsa lexon Biblën, kërko shprehje ku pasqyrohet personaliteti i shkrimtarit.

16 Pastaj, do të jetë e dobishme të mësosh kur u shkrua ai libër. Këtë mund ta bësh fare lehtë duke i hedhur një sy «Tabelës së librave të Biblës» në fund të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Veç kësaj, mund të shohësh tabelën e profetëve dhe mbretërve te broshura Ndihmë për të studiuar Fjalën e Perëndisë, pjesa 3. Nëse libri i Biblës që po studion është profetik, ia vlen të zbulosh si ishin kushtet në kohën kur u shkrua. Cilat qëndrime dhe praktika të këqija shpresonte të ndreqte profeti? Cilët ishin bashkëkohësit e tij? Për një tablo më të qartë, ndoshta duhet të eksplorosh edhe libra të tjerë të Biblës. Për shembull, që të kuptosh më plotësisht çfarë po ndodhte në kohën kur jetoi profeti Amos, do të të ndihmojë shqyrtimi i fragmenteve nga librat e 2 Mbretërve dhe 2 Kronikave, që  renditen te referimet e Amosit 1:1. Veç kësaj, mund të shqyrtosh shkrimet e Hozesë, i cili mund të ketë qenë bashkëkohës i Amosit. Të gjitha këto burime do të hedhin dritë mbi periudhën kur jetoi Amosi.—2 Mbret. 14:25-28; 2 Kron. 26:1-15; Hoz. 1:1-11; Amo. 1:1.

KUSHTOJU VËMENDJE HOLLËSIVE

17-18. Ilustroni me shembuj nga paragrafët ose me një shembull personal, si ta bëni të kënaqshëm studimin e Biblës duke u kushtuar vëmendje hollësive në dukje të parëndësishme.

17 Është mirë të jesh goxha kurioz kur lexon Biblën. Për shembull, ta zëmë se po lexon kapitullin e 12-të të profecisë së Zakarisë, ku parathuhet vdekja e Mesisë. (Zak. 12:10) Kur arrin te vargu 12, lexon se «familja e shtëpisë së Natanit» do të vajtonte me hidhërim për vdekjen e Mesisë. Në vend që ta kalosh pa e vrarë mendjen këtë hollësi, ndalesh dhe pyet veten: «Ç’lidhje ka mes shtëpisë së Natanit dhe Mesisë? Ku mund të gjej më shumë informacion?» Pastaj bën pak punë «detektivi». Një referim të çon te 2 Samuelit 5:14, ku mëson se Natani ishte një nga bijtë e mbretit David. Referimi tjetër, Luka 3:31, zbulon se Jezui ishte pasardhës i drejtpërdrejtë i Natanit nëpërmjet Marisë. (Shih Kullën e Rojës të gushtit 2017, f. 32, p. 4.) Kjo befas të ngacmon kureshtjen! Ti e di se ishte parathënë që Jezui do të ishte pasardhës i Davidit. (Mat. 22:42) Por Davidi kishte më shumë se 20 bij. A nuk është mbresëlënëse që Zakaria veçon pikërisht shtëpinë e Natanit si ajo që kishte arsye të vajtonte për vdekjen e Jezuit?

 18 Të marrim një shembull tjetër. Në kapitullin e parë të Lukës, lexojmë se engjëlli Gabriel shkoi te Maria e i tha për djalin që do t’i lindte: «Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit. Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit, ai do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit.» (Luka 1:32, 33) Ndoshta kemi prirjen të përqendrohemi te pjesa e parë e mesazhit të Gabrielit, pra që Jezui do të quhej «Bir i Më të Lartit». Por Gabrieli profetizoi edhe që Jezui ‘do të mbretëronte’. Prandaj pyesim veten si mund t’i ketë kuptuar Maria këto fjalë të Gabrielit. A mendoi vallë se Gabrieli po thoshte që Jezui do të zëvendësonte mbretin Herod, ose një nga pasuesit e tij, si mbret në Izrael? Nëse Jezui bëhej mbret, Maria do të ishte nëna mbretëreshë, dhe familja e saj do të jetonte në pallatin mbretëror. Mirëpo askund nuk lexojmë që Maria t’ia ketë zënë në gojë këtë mundësi Gabrielit, e as që të ketë kërkuar ndonjëherë një pozitë të privilegjuar në Mbretëri, siç bënë dy dishepuj të Jezuit. (Mat. 20:20-23) Kjo hollësi na ngulit më fort mendimin se Maria ishte një grua jashtëzakonisht e përulur!

19-20. Siç tregon Jakovi 1:22-25 dhe 4:8, çfarë synimesh kemi kur studiojmë?

19 Të mos harrojmë se synimi ynë kryesor kur studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe botimet tona është të afrohemi më shumë me Jehovain. Gjithashtu, duam të shohim më qartë «ç’lloj njeriu» jemi dhe çfarë ndryshimesh duhet të bëjmë që të kënaqim Perëndinë. (Lexo Jakovin 1:22-25; 4:8.) Prandaj, çdo herë para se të fillojmë të studiojmë, duhet t’i lutemi Jehovait për frymën e tij. Duhet t’i përgjërohemi të na ndihmojë të nxjerrim dobi plotësisht nga materiali dhe ta shohim veten siç na sheh ai.

20 Qofshim të gjithë si ai shërbëtor besnik i Perëndisë, për të cilin psalmisti tha: «Gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait, dhe e lexon nën zë ditë e natë. . . . I shkon mbarë çdo gjë që bën.»—Psal. 1:2, 3.

KËNGA 88 Më bëj të njoh udhët e tua

^ par. 5 Jehovai na jep me bujari një bollëk materialesh që t’i shohim, t’i lexojmë e t’i studiojmë. Ky artikull do të të ndihmojë të vendosësh çfarë të studiosh dhe jep sugjerime praktike si të nxjerrësh dobi maksimale nga studimi.

^ par. 61 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Prindërit u tregojnë fëmijëve si të përgatiten për Studimin javor të Kullës së Rojës.

^ par. 63 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla bën kërkime për Amosin, një shkrimtar të Biblës. Figurat në sfond paraqesin çfarë sheh në imagjinatën e tij vëllai ndërsa lexon e mediton për tregimet e Biblës.