«Farat në tokë të mirë janë ata që . . . japin fryt me qëndrueshmëri.»​—LUKA 8:15.

KËNGËT: 68, 72

1, 2. (a) Pse marrim zemër nga ata që predikojnë me besnikëri në territore jomikpritëse? (Shih figurën hapëse.) (b) Çfarë tha Jezui për predikimin në «vendin e vet»? (Shih shënimin.)

SERXHO DHE OLINDA janë një çift pionierësh në të 80-at që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit, për shkak të dhembjeve në këmbë e kanë pasur më të vështirë të lëvizin. Prapëseprapë, siç kanë bërë prej dekadash, në mëngjes nisen për te një shesh në qytetin e tyre ku ka shumë lëvizje dhe mbërrijnë atje në orën shtatë. Zënë vend pranë një stacioni autobusi dhe u ofrojnë kalimtarëve literaturë biblike. Shumica i shpërfill, por çifti qëndron aty dhe u buzëqesh njerëzve që i shohin. Në mesditë, kthehen dalëngadalë në shtëpi. Të nesërmen në mëngjes, në orën shtatë, janë përsëri në shesh. Në fakt, ky çift besnik predikon atje me zell mesazhin e Mbretërisë gjashtë paradite në javë, gjatë gjithë vitit.

2 Ashtu si Serxho dhe Olinda, shumë vëllezër e motra besnike përreth botës kanë dekada të tëra që predikojnë në territore  jomikpritëse në vendin e tyre. Nëse edhe ti has këtë sfidë, të lavdërojmë nga zemra për qëndrueshmërinë që shfaq. * Qëndrimi yt i palëkundur në shërbim të Jehovait është burim inkurajimi për shumë veta​—edhe për bashkëbesimtarët me përvojë. Vër re se si shprehen disa mbikëqyrës qarkorë: «Kur dal në shërbim me këta vëllezër e motra besnike, frymëzohem nga shembulli i tyre.» «Besnikëria e tyre më jep zemër që të ngulmoj e të jem i guximshëm në shërbimin tim.» «Shembulli i tyre më ngroh zemrën.»

3. Cilat janë tri pyetjet që do të shqyrtojmë, dhe pse?

3 Për të forcuar vendosmërinë që ta çojmë deri në fund veprën e predikimit që na caktoi Jezui, le të shqyrtojmë përgjigjet e tri pyetjeve: Pse mund të ndihemi të shkurajuar hera-herës? Si mund të japim fryt? Çfarë do të na ndihmojë të vazhdojmë të japim fryt me qëndrueshmëri?

PSE MUND TË NDIHEMI TË SHKURAJUAR?

4. (a) Si ndikoi te Pavli reagimi negativ i shumë judenjve? (b) Pse provoi këto ndjenja Pavli?

4 Nëse je ndier ndonjëherë i shkurajuar kur ke predikuar në territore jo fort mikpritëse, atëherë i kupton ndjenjat e apostullit Pavël. Gjatë shërbimit të tij afro 30-vjeçar, ai ndihmoi sa e sa veta të bëheshin dishepuj të Krishtit. (Vep. 14:21; 2 Kor. 3:2, 3) Megjithatë, nuk ia doli të nxiste shumë judenj të bëheshin adhurues të vërtetë. Në fakt, shumica as donin ta dëgjonin Pavlin, e disa madje e përndoqën. (Vep. 14:19; 17:1, 4, 5, 13) Si ndikoi te Pavli ky reagim negativ i judenjve? Ai e pranoi hapur: «Po them të vërtetën në Krishtin, . . . kam në zemër hidhërim të madh dhe një dhembje që nuk pushon.» (Rom. 9:1-3) Pse provoi këto ndjenja Pavli? Ai e kishte zemrën te vepra e predikimit. U predikonte judenjve nga meraku i thellë për ta. Ja pse ndiente dhembje kur shihte se e hidhnin poshtë mëshirën e Perëndisë.

5. (a) Çfarë na shtyn t’u predikojmë të tjerëve? (b) Pse nuk habitemi që ndihemi të shkurajuar hera-herës?

5 Ashtu si Pavli, ne u predikojmë njerëzve ngaqë merakosemi me gjithë zemër për ta. (Mat. 22:39; 1 Kor. 11:1) Pse? Nga përvoja jonë e dimë sa shumë bekime i presin ata që vendosin t’i shërbejnë Jehovait. Kur mendojmë për individët në territorin tonë, themi me vete: «Ah sikur t’i ndihmonim të kuptojnë çfarë po humbasin!» Ja pse vazhdojmë t’i nxitim që të mësojnë të vërtetën për Jehovain dhe qëllimin e tij për njerëzimin. Është sikur u themi njerëzve që u predikojmë: «Ju kemi sjellë një dhuratë të bukur. Ju lutemi, pranojeni!» Prandaj, s’është çudi që kur nuk e pranojnë këtë dhuratë mund të ndiejmë ‘dhembje në zemër’. Këto ndjenja nuk tregojnë se nuk kemi besim, por se e kemi zemrën te vepra e predikimit. Ndaj tregojmë qëndrueshmëri, pavarësisht nga momentet e shkurajimit. Elena, një pioniere prej më se 25 vjetësh, shpreh ndjenjat e shumë prej nesh kur thotë: «Vepra e predikimit më duket e vështirë. Sidoqoftë, nuk ka asnjë vepër tjetër që do të doja të bëja në vend të saj.»

SI MUND TË JAPIM FRYT?

6. Cilën pyetje do të shqyrtojmë, dhe çfarë do të na ndihmojë për këtë?

6 Pse jemi të sigurt se mund të bëjmë një shërbim të frytshëm pavarësisht se ku predikojmë? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje të rëndësishme, le të ndalemi te dy ilustrime të Jezuit ku shqyrtoi  sa e nevojshme është ‘të japim fryt’. (Mat. 13:23) Ilustrimi i parë është për një hardhi.

7. (a) Kë paraqesin «kultivuesi», «hardhia» dhe «degët»? (b) Cilës pyetje duam t’i përgjigjemi?

7 Lexo Gjonin 15:1-5, 8. Vër re se Jezui u tha apostujve të tij: «Kjo i jep lavdi Atit tim: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt e të tregoni se jeni dishepujt e mi.» Jezui e përshkroi Jehovain si «kultivuesi», veten si «hardhia e vërtetë» dhe dishepujt e tij si «degët». * Atëherë, çfarë është fryti që duhet të japin dishepujt e Krishtit? Në këtë ilustrim, Jezui nuk e tha shkoqur çfarë është ky fryt, por përmendi një hollësi domethënëse që na ndihmon të gjejmë përgjigjen.

8. (a) Pse fryti në këtë ilustrim s’mund të jenë dishepujt e rinj? (b) Çfarë i karakterizon kërkesat e Jehovait?

8 Duke folur për Atin e tij, Jezui tha: «Çdo degë timen që nuk jep fryt, ai e heq.» Me fjalë të tjera, Jehovai na konsideron si shërbëtorë të tij vetëm nëse japim fryt. (Mat. 13:23; 21:43) Pra, në këtë ilustrim, fryti që duhet të japë çdo i krishterë s’mund të jenë dishepujt e rinj që ndoshta ka privilegjin të bëjë. (Mat. 28:19) Po të ishte kështu, Dëshmitarët besnikë që nuk arrijnë të bëjnë dishepuj ngaqë predikojnë në një territor jomikpritës do të ishin si degët e pafrytshme në ilustrimin e Jezuit. Por ky përfundim është i paimagjinueshëm! Pse? Sepse ne nuk i detyrojmë dot njerëzit të bëhen dishepuj. Dhe do të ishte kundër udhëve të dashura të Jehovait t’i skualifikonte shërbëtorët e tij ngaqë s’ia dalin të bëjnë diçka që është e paarritshme për ta. Jehovai gjithmonë na kërkon diçka që mund ta arrijmë.​—Ligj. 30:11-14.

9. (a) Nëpërmjet cilit aktivitet japim fryt? (b) Cilin ilustrim do të shqyrtojmë tani, dhe pse?

9 Atëherë, çfarë është fryti që duhet të japim? Është e qartë se fryti duhet të jetë një aktivitet që secili prej nesh është në gjendje ta kryejë. Cili aktivitet tregon në thelb se po ‘japim fryt’? Predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë. * (Mat. 24:14) Këtë përfundim e vërteton edhe ilustrimi i Jezuit për një mbjellës. Le të shqyrtojmë këtë ilustrim të dytë.

10. (a) Çfarë paraqesin në këtë ilustrim fara dhe toka? (b) Çfarë prodhon një filiz gruri?

10 Lexo Lukën 8:5-8, 11-15. Në ilustrimin për mbjellësin, fara është «fjala e Perëndisë», ose mesazhi i Mbretërisë. Toka paraqet zemrën e figurshme të njeriut. Fara që ra në tokë të mirë zuri rrënjë, mbiu dhe u rrit e u bë një filiz gruri. Pastaj, ‘prodhoi fryt njëqindfish’. Por, ç’lloj fryti jep një filiz gruri? A jep filiza gruri të vegjël? Jo, ai prodhon fara të reja, që me kohë bëhen filiza. Në këtë ilustrim, një farë e vetme dha njëqind fara. Si zbatohet në shërbimin tonë ky aspekt i ilustrimit?

Si ‘japim fryt me qëndrueshmëri’? (Shih paragrafin 11.)

11. (a) Si zbatohet ilustrimi për mbjellësin në shërbimin tonë? (b) Si prodhojmë fara të reja të Mbretërisë?

11 Sa për të bërë një krahasim, ta zëmë se vite më parë disa Dëshmitarë ose prindërit e krishterë na dhanë lajmin për Mbretërinë. U gëzuan kur panë se zemra jonë e mirëpriti mesazhin e Mbretërisë që është krahasuar me një farë. Ashtu si toka e mirë në ilustrimin e Jezuit që e mbajti farën, edhe ne e pranuam mesazhin dhe e mbajtëm fort. Si rezultat, mesazhi i Mbretërisë,  ose fara, zuri rrënjë, u rrit dhe u bë një filiz gruri që me kohë ishte gati të jepte fryt. Dhe ashtu si një filiz gruri që nuk jep si fryt filiza të rinj por fara të reja, ne nuk japim si fryt dishepuj të rinj por fara të reja të Mbretërisë. * Si prodhojmë fara të reja të Mbretërisë? Sa herë që shpallim në një mënyrë a në një tjetër mesazhin për Mbretërinë, ne shumëfishojmë dhe shpërndajmë, si të thuash, farën që u mboll në zemrën tonë. (Luka 6:45; 8:1) Kështu, ky ilustrim na mëson se për sa kohë që po vazhdojmë të shpallim mesazhin për Mbretërinë, po ‘japim fryt me qëndrueshmëri’.

12. (a) Ç’mësim mund të nxjerrim nga ilustrimet e Jezuit për hardhinë dhe për mbjellësin? (b) Si ndikon te ti ky mësim?

12 Ç’mësim mund të nxjerrim nga ilustrimet e Jezuit për hardhinë dhe për mbjellësin? Ato na ndihmojnë të kuptojmë se aftësia jonë për të dhënë fryt nuk varet nga reagimi i njerëzve në territor. Përkundrazi, varet nga besnikëria jonë. Këtë të vërtetë e përmendi edhe Pavli kur tha: «Secili do të marrë shpërblimin e vet sipas mundit.» (1 Kor. 3:8) Shpërblimi është sipas mundit, jo sipas rezultateve të këtij mundi. Ja ç’thotë Matilda, një pioniere prej 20 vjetësh: «Më mbush me gëzim siguria se Jehovai shpërblen përpjekjet tona.»

SI TË TREGOJMË QËNDRUESHMËRI NDËRSA JAPIM FRYT?

13, 14. Sipas Romakëve 10:1, 2, për cilat arsye nuk hoqi dorë Pavli nga ata që reaguan negativisht ndaj mesazhit të Mbretërisë?

13 Çfarë do të na ndihmojë të vazhdojmë të japim fryt me qëndrueshmëri? Siç e pamë, Pavli u shkurajua nga reagimi negativ i judenjve ndaj mesazhit të Mbretërisë. Megjithatë, nuk hoqi dorë nga ata. Vër re si u shpreh më tej ai në letrën drejtuar të krishterëve në Romë për ndjenjat e tij ndaj atyre judenjve: «Vullneti i mirë i zemrës sime dhe përgjërimet që i drejtoj Perëndisë për ta, janë për shpëtimin e tyre. Sepse unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë.»  (Rom. 10:1, 2) Çfarë arsyesh kishte Pavli për të vazhduar shërbimin, siç e theksoi këtu?

14 Së pari, Pavli tregoi pse vazhdonte t’u predikonte judenjve. E nxiste ‘vullneti i mirë i zemrës së tij’. Ai dëshironte me gjithë zemër që disa judenj të arrinin shpëtimin. (Rom. 11:13, 14) Së dyti, Pavli përmendi ‘përgjërimet që i drejtonte Perëndisë për ta’. Ai iu përgjërua Perëndisë të ndihmonte individë të ndryshëm judenj të pranonin mesazhin për Mbretërinë. Së treti, Pavli tha për ta: «Kanë zell për Perëndinë.» Ai shihte te njerëzit potencialin për të bërë të mirën. Nëse zelli drejtohet aty ku duhet, mund t’i transformojë individët e sinqertë në dishepuj të zellshëm të Krishtit, siç e dinte mirë edhe Pavli.

15. Si mund ta imitojmë Pavlin? Jepni shembuj.

15 Si mund ta imitojmë Pavlin? Së pari, bëjmë çmos të ruajmë në zemër dëshirën për të gjetur dikë që mund të jetë ‘i prirur për jetën e përhershme’. Së dyti, i përgjërohemi Jehovait që t’u hapë zemrën njerëzve të sinqertë. (Vep. 13:48; 16:14) Silvana, një pioniere prej gati 30 vjetësh, thotë: «Para se të shkoj në një shtëpi në territorin tim, i lutem Jehovait dhe i kërkoj të më japë një qëndrim pozitiv.» Gjithashtu, ne i lutemi Perëndisë që engjëjt të na drejtojnë te njerëzit me zemër të sinqertë. (Mat. 10:11-13; Zbul. 14:6) Roberti, një pionier prej më se 30 vjetësh, thotë: «Është emocionuese të punosh bashkë me engjëjt që e dinë se ç’po ndodh në jetën e njerëzve në territor.» Së treti, përpiqemi të shohim te njerëzit potencialin për të bërë të mirën. Karli, një plak që u pagëzua mbi 50 vjet më parë, shprehet: «Kërkoj çfarëdo shenje të vogël që mund të zbulojë sinqeritetin e dikujt, mbase një buzëqeshje, një shikim dashamirës ose një pyetje të sinqertë.» Po, ashtu si Pavli, ne mund të tregojmë qëndrueshmëri ndërsa japim fryt.

«MOS E LËR DORËN TËNDE TË PUSHOJË»

16, 17. (a) Ç’mësim mund të nxjerrim nga udhëzimi që jepet tek Eklisiastiu 11:6? (b) Ilustroni si mund të ndikojë vepra jonë e mbjelljes tek ata që na vëzhgojnë.

16 Edhe nëse duket sikur mesazhi i Mbretërisë që predikojmë nuk po depërton në zemrat e njerëzve, s’duhet të nënvlerësojmë ndikimin që ka vepra jonë e mbjelljes. (Lexo Eklisiastiun 11:6.) Është e vërtetë se shumë veta nuk na dëgjojnë, ama na vëzhgojnë. Ata vërejnë veshjen tonë të pastër e të rregullt, sjelljen e mirë dhe buzëqeshjen e ngrohtë. Me kohë, sjellja jonë mund t’i ndihmojë disa të kuptojnë se tekefundit pikëpamjet e tyre negative për ne nuk qëndrojnë. Serxho dhe Olinda, të përmendur më parë, e vunë re një ndryshim të tillë.

17 Serxho tregon: «Ngaqë ishim sëmurë nuk shkuam në shesh për njëfarë kohe. Kur u kthyem, kalimtarët na pyesnin: ‘Çfarë ndodhi? Na munguat.’» Duke buzëqeshur, Olinda shton: «Shoferët e autobusëve na përshëndetnin me dorë dhe disa thërritnin nga vendi i shoferit: ‘Bravo ju qoftë!’ Madje edhe na kërkonin revista.» E sa u habit çifti kur një burrë ndaloi te stenda e tyre e literaturës, u dha një buqetë me lule dhe i falënderoi për punën që bënin.

18. Pse je i vendosur ‘të japësh fryt me qëndrueshmëri’?

18 Vërtet, për sa kohë që e mbjellim farën e Mbretërisë ‘pa e lënë dorën tonë të pushojë’, japim një kontribut të çmuar në veprën e ‘dëshmisë për të gjitha kombet’. (Mat. 24:14) Mbi të gjitha, ndiejmë gëzim të thellë ngaqë e dimë se kemi miratimin e Jehovait, sepse ai i do të gjithë ata që «japin fryt me qëndrueshmëri»!

^ par. 2 Edhe Jezui e pranoi se ishte sfidë të predikonte në «vendin e vet»​—një fakt që e dokumentuan të katër shkrimtarët e ungjijve.​—Mat. 13:57; Mar. 6:4; Luka 4:24; Gjoni 4:44.

^ par. 7 Edhe pse degët në këtë ilustrim janë ata që shpresojnë të jetojnë në qiell, ilustrimi përmban mësime që u sjellin dobi gjithë shërbëtorëve të Perëndisë.

^ par. 9 Ndonëse ‘të japim fryt’ përfshin edhe të prodhojmë ‘frytin e frymës’, në këtë artikull dhe në tjetrin, do të përqendrohemi te ‘fryti i buzëve’ tona, pra te predikimi për Mbretërinë.​—Gal. 5:22, 23; Hebr. 13:15.

^ par. 11 Në raste të tjera, Jezui i përdori mbjelljen dhe korrjen për të ilustruar veprën e bërjes së dishepujve.​—Mat. 9:37; Gjoni 4:35-38.