MEQË jetojmë në një botë të trazuar, duhet të mundohemi shumë për të fituar paqe. Ama, edhe kur gëzojmë njëfarë paqeje, shpesh bëjmë përpjekje të mëdha për ta ruajtur. Si na ndihmon ajo që thuhet në Fjalën e Perëndisë të gjejmë paqe të vërtetë dhe me rrënjë të thella? Dhe si mund t’i ndihmojmë të tjerët që ta arrijnë këtë?

ÇFARË NEVOJITET PËR TË PASUR PAQE TË VËRTETË?

Që të gëzojmë paqe të vërtetë, duhet të kemi një ndjenjë sigurie dhe të ndihemi mirë brenda vetes. Gjithashtu, duhet të zhvillojmë miqësi të forta me të tjerët. Ç’është më e rëndësishmja, për të gjetur atë paqe që ka rrënjë të thella duhet të kultivojmë miqësi të ngushtë me Perëndinë. Si mund ta bëjmë këtë?

Ankthet e jetës u grabitin paqen shumë vetave

Kur u bindemi urdhrave dhe parimeve të drejta të Jehovait, tregojmë se mbështetemi me besim tek ai dhe se duam të kemi një marrëdhënie paqësore me të. (Jer. 17:7, 8; Jak. 2:22, 23) Si rrjedhojë, ai afrohet me ne dhe na bekon me paqe të brendshme. Isaia 32:17 thotë: «Vepra e drejtësisë së vërtetë do të jetë paqja, dhe fryti i saj, qetësia dhe siguria përjetë.» Ne mund të gjejmë paqe të brendshme të vërtetë duke iu bindur nga zemra Jehovait.​—Isa. 48:18, 19.

Veç kësaj, për të kultivuar paqe të thellë, ose të qëndrueshme, na ndihmon një dhuratë unike nga Ati ynë qiellor: fryma e tij e shenjtë.​—Vep. 9:31.

FRYMA E PERËNDISË NA NDIHMON TË KULTIVOJMË PAQE

Apostulli Pavël e rendit paqen si aspektin e tretë të ‘frytit të frymës’. (Gal. 5:22, 23) Përderisa paqja e vërtetë është produkt i frymës së Perëndisë, duhet ta lejojmë frymën e shenjtë të ndikojë te ne për të zhvilluar paqe të vërtetë. Le të shohim dy mënyra si na ndihmon fryma e Perëndisë që të gjejmë paqe.

 Së pari, leximi i rregullt i Fjalës së frymëzuar të Perëndisë na ndihmon të zhvillojmë paqen. (Psal. 1:2, 3) Teksa meditojmë për mesazhin e Biblës, fryma e Jehovait na ndihmon të kuptojmë mënyrën si mendon ai për shumë gjëra. Për shembull, kuptojmë si mbetet paqësor Jehovai dhe përse është kaq e rëndësishme për të paqja. Kur i zbatojmë këto mësime nga Fjala e Perëndisë, provojmë më shumë paqe në jetën tonë.​—Prov. 3:1, 2.

Së dyti, duhet të lutemi për frymën e shenjtë të Perëndisë. (Luka 11:13) Jehovai premton se po të kërkojmë ndihmën e tij, «paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë [tona] mendore me anë të Krishtit Jezu». (Filip. 4:6, 7) Kur mbështetemi për ndihmë te fryma e Jehovait me anë të lutjeve, Perëndia ynë na mbush me paqe të brendshme​—një paqe që e përjetojnë vetëm ata që gëzojnë një miqësi të çmuar me të.​—Rom. 15:13.

Si i zbatuan disa këshillat e Biblës dhe si bënë ndryshimet e nevojshme, që i ndihmuan të përjetonin paqe të thellë​—me Jehovain, me veten dhe me të tjerët?

SI FITUAN ATA PAQE TË THELLË

Disa që sot janë pjesë e kongregacionit të krishterë, dikur ishin njerëz ‘zemërakë’, kurse tani kanë më shumë konsideratë për të tjerët, janë më mirëdashës, më të duruar dhe më paqësorë në marrëdhëniet me të tjerët. * (Prov. 29:22) Le ta shohim këtë te shembulli i dy lajmëtarëve të Mbretërisë që nxorën dobi nga ndihma e siguruar për të mposhtur zemërimin dhe për të kultivuar paqe me të tjerët.

Zbatimi i parimeve biblike dhe lutjet për frymën e Perëndisë do të na ndihmojnë të gjejmë paqe

Qëndrimi i keq i Davidit ndikonte tek i foluri i tij. Para se t’ia kushtonte jetën Perëndisë, ai shpesh ishte kritik ndaj të tjerëve dhe u fliste ashpër pjesëtarëve të familjes. Me kohë, Davidi e kuptoi se ishte e nevojshme të ndryshonte e të bëhej paqësor. Si e fitoi këtë paqe? Ai thotë: «Fillova të zbatoja në jetë parimet e Biblës dhe si rezultat, respekti mes meje dhe familjes sime u rrit.»

E kaluara e Rakelës ndikonte te qëndrimi i saj. Ajo pranon: «Edhe sot luftoj me ndjenjat  e zemërimit, sepse jam rritur në një familje ku zemërimi ishte i zakonshëm.» Çfarë e ka ndihmuar të bëhet më paqësore? Ajo përgjigjet: «Mbështetja te Jehovai me anë të lutjeve.»

Davidi dhe Rakela janë vetëm dy shembuj të frytit të paqes që vjen kur zbatojmë parimet e frymëzuara biblike dhe mbështetemi për ndihmë te fryma e Perëndisë. Pa dyshim, ndonëse jetojmë në një botë armiqësore, mund të kemi paqe të brendshme që i kontribuon harmonisë në familjet tona dhe me bashkëbesimtarët. Gjithsesi, Jehovai na nxit ‘të jemi paqësorë me të gjithë’. (Rom. 12:18) A është vërtet e mundur kjo, dhe çfarë dobish vijnë nga përpjekjet tona për të bërë paqe?

NDIQ PAQEN ME TË TJERËT

Me anë të veprës së predikimit, i ftojmë njerëzit të nxjerrin dobi nga mesazhi ynë paqësor për Mbretërinë e Perëndisë. (Isa. 9:6, 7; Mat. 24:14) Sa bukur që shumë veta e kanë mirëpritur këtë mesazh! Si rezultat, nuk i mbyt më dëshpërimi ose zemërimi për gjërat që ndodhin rreth tyre. Përkundrazi, tani kanë një shpresë reale për të ardhmen dhe ndihen të nxitur ‘të kërkojnë paqen dhe ta ndjekin’.​—Psal. 34:14.

Por, jo të gjithë reagojnë mirë ndaj mesazhit tonë, të paktën jo në fillim. (Gjoni 3:19) Megjithatë, fryma e Perëndisë na ndihmon t’ua paraqesim lajmin e mirë në mënyrë paqësore dhe me respekt. Kështu ndjekim udhëzimet e Jezuit për shërbimin që gjenden te Mateu 10:11-13, ku dha këtë këshillë: «Kur të hyni në shtëpi, përshëndetini ata të shtëpisë, dhe nëse shtëpia e meriton, paqja që i uroni, le të bjerë mbi të, por nëse nuk e meriton, paqja juaj le të kthehet te ju.» Kur ndjekim këshillën e Jezuit, largohemi me paqe të pacenuar brenda vetes dhe me mundësinë për ta ndihmuar atë person në të ardhmen.

Veç kësaj, i kontribuojmë paqes kur komunikojmë me respekt me autoritetet qeveritare​—përfshirë edhe ata që mund ta kundërshtojnë veprën tonë. Për shembull, qeveria e një vendi afrikan lejoi që paragjykimet të bëheshin pengesë që të jepte miratimin për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Me shpresë që çështja të zgjidhej paqësisht, një vëlla që kishte shërbyer më parë si misionar në atë vend afrikan u caktua të takonte ambasadorin e atij vendi në Londër, Angli. Ai duhej t’i fliste ambasadorit për veprën paqësore të Dëshmitarëve të Jehovait në atë vend. Si vajti takimi?

Ai tregon: «Kur arrita në recepsion dhe pashë veshjen e recepsionistes, nxora përfundimin se ishte nga një fis gjuhën e të cilit e kisha mësuar. Prandaj e përshëndeta në gjuhën e saj. E zënë në befasi, më pyeti: ‘Cila është arsyeja e vizitës suaj?’ Me mirësjellje i thashë se doja të takoja ambasadorin. Ajo i telefonoi, dhe ambasadori doli të më takonte e më përshëndeti në gjuhën e atij fisi. Pas kësaj, më dëgjoi me vëmendje ndërsa i shpjegoja aktivitetet paqësore të Dëshmitarëve.»

Shpjegimi me respekt që bëri vëllai, largoi shumë nga keqkuptimet dhe paragjykimet e ambasadorit ndaj veprës sonë. Pas njëfarë kohe, qeveria e atij vendi afrikan i hoqi kufizimet ndaj veprës sonë të ndërtimit. Sa i gëzoi vëllezërit ky rezultat paqësor! Vërtet, kur i trajton të tjerët me respekt, korr shumë fryte të shkëlqyera​—e një ndër to është paqja.

GËZO PAQE PËRGJITHMONË

Sot populli i Jehovait gëzon një parajsë ku vërshon paqja. Ti do ta shtosh këtë paqe teksa përpiqesh të zhvillosh në jetën tënde këtë aspekt të frytit të frymës. Ç’është më e rëndësishmja, do të fitosh miratimin e Jehovait dhe do të gjesh paqe të bollshme e të përhershme në botën e re të Perëndisë.​—2 Pjet. 3:13, 14.

^ par. 13 Cilësia e mirëdashjes do të shqyrtohet në një artikull të ardhshëm të kësaj serie për frytin e frymës së shenjtë të Perëndisë.