«Nuk kam shkak më të madh për gëzim, sesa të dëgjoj që bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.»​—3 GJON. 4.

KËNGËT: 134, 133

1, 2. (a) Me cilin problem përballen shumë fëmijë emigrantë? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?

«QYSH në vogëli, flitja gjuhën e prindërve të mi emigrantë në shtëpi dhe në kongregacion,​—tregon Xhoshua.—​Por pasi fillova shkollën, nisa të preferoja gjuhën vendëse. Brenda pak vitesh, shndërrimi ishte i plotë. S’arrija t’i kuptoja mbledhjet dhe nuk e gjeja veten te kultura e prindërve.» Përvoja e tij nuk është rast i rrallë.

2 Sot ka më shumë se 240.000.000 veta që jetojnë jashtë vendlindjes. Nëse je prind emigrant, si mund t’u krijosh fëmijëve mundësinë më të mirë që të bëhen edhe fëmijët e tu në besim e ‘të vazhdojnë të ecin në të vërtetën’? (3 Gjon. 4) Dhe si mund të ndihmojnë të tjerët?

PRINDËR, LINI NJË SHEMBULL TË MIRË

3, 4. (a) Si mund t’u lënë prindërit një shembull të mirë fëmijëve? (b) Çfarë nuk duhet të presin prindërit nga fëmijët?

3 Prindër, shembulli juaj është jetësor për t’i ndihmuar fëmijët të hedhin hapat e parë në udhën drejt jetës së përhershme. Kur ju shohin tek «kërkoni në radhë të parë mbretërinë», fëmijët mësojnë të mbështeten të sigurt te Jehovai për nevojat e përditshme.  (Mat. 6:33, 34) Prandaj, bëni një jetë modeste. Sakrifikoni gjërat materiale për gjërat që ju pasurojnë marrëdhënien me Jehovain​—jo anasjelltas. Bëni të pamundurën që të mos hyni në borxhe. Kërkoni ‘thesarin në qiell’​—miratimin e Jehovait—​e jo pasuri ose «lavdinë e njerëzve».​—Lexo Markun 10:21, 22; Gjoni 12:43.

4 Mos jini aq të zënë sa të mos keni kohë për fëmijët. Shprehuani se jeni krenarë për ta kur zgjedhin të vënë Jehovain të parin në vend se të rendin pas prestigjit a pasurisë​—qoftë për vete, qoftë për ju. Shmangni pikëpamjen jo të krishterë se fëmijët duhet t’u sigurojnë prindërve një jetë të rehatshme. Mos harroni se «nuk duhet të vënë mënjanë fëmijët për prindërit, por prindërit për fëmijët».​—2 Kor. 12:14.

PRINDËR, MBYLLNI HENDEKUN E GJUHËS

5. Pse prindërit duhet të bisedojnë me fëmijët për Jehovain?

5 Siç ishte parathënë, njerëz «nga të gjitha gjuhët e kombeve» po vërshojnë në organizatën e Jehovait. (Zak. 8:23) Por, hendeku i gjuhës mund t’jua bëjë të vështirë si prindër që t’u mësoni fëmijëve të vërtetën. Fëmijët janë studentët më të rëndësishëm të Biblës që do të keni ndonjëherë, dhe që të marrin jetën e përhershme, ata duhet ‘të vazhdojnë të njohin’ Jehovain. (Gjoni 17:3) Që fëmijët të kuptojnë mësimet e Jehovait, duhet ‘t’u flitni për to’ në çdo rast të përshtatshëm.—Lexo Ligjin e përtërirë 6:6, 7.

6. Si mund të nxjerrin dobi fëmijët nëse mësojnë gjuhën tuaj? (Shih figurën hapëse.)

6 Ka shumë të ngjarë që fëmijët ta mësojnë gjuhën e vendit në shkollë e në ambientin që i rrethon, por gjuhën tuaj e mësojnë kryesisht nga komunikimi i shpeshtë me ju. Njohja e gjuhës suaj u jep mundësi fëmijëve jo vetëm të bisedojnë me ju nga zemra, por edhe të gëzojnë dobi të tjera. Kur fëmijët dinë dy gjuhë, kjo i bën më të mprehtë nga ana mendore dhe i ndihmon në marrëdhëniet me të tjerët. Gjithashtu, ka të ngjarë t’u krijojë mundësi të reja që të zgjerojnë shërbimin. Karolina, që i ka prindërit emigrantë, thotë: «Sa u kënaqa duke shërbyer në një kongregacion të gjuhës së huaj! Dhe është fantastike kur jep një dorë atje ku ka më shumë nevojë.»

7. Ç’mund të bëni nëse në familjen tuaj ekziston hendeku i gjuhës?

7 Megjithatë, dora-dorës që përvetësojnë kulturën dhe gjuhën e vendit, disa fëmijë emigrantësh mund ta humbin thuajse fare dëshirën, e madje edhe aftësinë për të komunikuar në gjuhën amtare të prindërve. Prindër, nëse është kështu në rastin e fëmijëve tuaj, a mund ta mësoni sadopak gjuhën e vendit? Do ta keni shumë më të lehtë t’i rritni fëmijët në udhën e së vërtetës nëse kuptoni bisedat e tyre, gjërat me të cilat zbaviten e detyrat e shtëpisë dhe nëse komunikoni drejtpërdrejt me mësuesit e tyre. S’do mend, mësimi i një gjuhe të huaj kërkon kohë, përpjekje dhe përulësi. Por, sikur të ndodhte që fëmija juaj të humbte dëgjimin, a nuk do të përpiqeshit të mësonit gjuhën e shenjave për të komunikuar me të? A nuk jeni dakord se një fëmijë që flet më mirë një gjuhë tjetër meriton t’i tregoni të njëjtin merak? *

8. Si mund t’i ndihmoni fëmijët nëse nuk e kuptoni edhe aq gjuhën që zotërojnë më mirë ata?

8 Realiteti është se disa prindër emigrantë ndoshta e kanë të pamundur ta mësojnë rrjedhshëm gjuhën e re të fëmijëve. Hendeku që krijohet si pasojë mund t’ua bëjë të vështirë prindërve t’u japin fëmijëve njohuri të thellë për «shkrimet e shenjta».  (2 Tim. 3:15) Nëse ndodheni në këtë situatë, prapë është e mundur t’i ndihmoni fëmijët ta njohin dhe ta duan Jehovain. Një plak kongregacioni që quhet Shen kujton: «Mamaja jonë që na rriti e vetme nuk e kuptonte edhe aq gjuhën që zotëronim më mirë ne. Ndërkohë unë dhe motrat nuk e flitnim shumë mirë gjuhën e saj. Ama, kur e shihnim tek studionte, lutej dhe bënte çmos ta drejtonte adhurimin familjar çdo javë, e kuptonim se të njihje Jehovain kishte rëndësi të madhe.»

9. Nëse fëmijët kanë nevojë të studiojnë në dy gjuhë, si mund t’i ndihmojnë prindërit?

9 Disa fëmijë mund të kenë nevojë të mësojnë për Jehovain në dy gjuhë​—në gjuhën e shkollës dhe në gjuhën që flitet në shtëpi. Për këtë, disa prindër shfrytëzojnë literaturën e shtypur, videot dhe regjistrimet audio në të dyja gjuhët. Është e qartë se prindërit emigrantë duhet t’u kushtojnë më shumë kohë fëmijëve dhe duhet të kenë më shumë iniciativë që t’i ndihmojnë të zhvillojnë një marrëdhënie të fortë me Jehovain.

NË KONGREGACIONIN E CILËS GJUHË DUHET TË SHKONI?

10. (a) Kush duhet ta marrë vendimin se në kongregacionin e cilës gjuhë do të shkojë familja? (b) Ç’duhet të bëjë ai para se të marrë një vendim?

10 Kur jetojnë larg Dëshmitarëve të tjerë që flasin gjuhën e tyre, ‘të ardhurve’ u duhet të frekuentojnë një kongregacion të gjuhës vendëse. (Psal. 146:9) Mirëpo, nëse aty pranë ka një kongregacion të gjuhës amtare, lind pyetja: kongregacioni i cilës gjuhë është zgjedhja më e mirë për familjen tuaj? Pasi ta peshojë me kujdes këtë, të lutet dhe të këshillohet me bashkëshorten e me fëmijët, kryefamiljari duhet të marrë një vendim. (1 Kor. 11:3) Cilët faktorë duhet të marrë parasysh kryefamiljari? Cilat parime zbatohen? Le të shohim disa.

11, 12. (a) Si ndikon gjuha tek ajo që thith një fëmijë nga mbledhjet? (b) Pse disa fëmijë kundërshtojnë kur është fjala për të mësuar gjuhën e prindërve?

11 Prindërit duhet t’i vlerësojnë në mënyrë realiste nevojat e fëmijëve. Natyrisht​—pavarësisht nga gjuha—​që t’i rrënjoset në zemër e vërteta, fëmija ka nevojë për shumë më tepër se ato pak orë arsimimi biblik që merr çdo javë në mbledhje. Por, mendoni për këtë: në mbledhjet e mbajtura në gjuhën që kuptojnë më mirë, fëmijët mund të thithin informacione thjesht duke qenë të pranishëm, e mbase të mësojnë më shumë nga ç’ua merr mendja prindërve. Mirëpo, ka të ngjarë të mos ndodhë kështu kur fëmijët s’e kuptojnë plotësisht gjuhën. (Lexo 1 Korintasve 14:9, 11.) Dhe s’është e thënë që gjuha amtare e fëmijës të mbetet gjuha e mendjes, a madje edhe e zemrës së tij. Në fakt, disa fëmijë mund të mësojnë të bëjnë komente, prezantime e fjalime në gjuhën e prindërve, por në të vërtetë fjalët nuk u dalin nga zemra.

12 Veç kësaj, te zemra e fëmijës nuk ndikon vetëm gjuha. Kështu ndodhi me Xhoshuan, që u citua në fillim. Siç thotë motra e tij, Estera, «të vegjlit e shohin gjuhën, kulturën dhe fenë e prindërve si një pako të vetme». Nëse nuk e gjejnë veten te kultura e prindërve, fëmijët mund të kundërshtojnë kur është fjala për të mësuar gjuhën e prindërve​—si edhe besimin e tyre. Ç’mund të bëjnë prindërit emigrantë?

13, 14. (a) Pse një çift emigrantësh u transferuan si familje në një kongregacion të gjuhës vendëse? (b) Si e mbajtën të fortë prindërit marrëdhënien me Jehovain?

13 Prindërit e krishterë e vënë miqësinë e mirë të fëmijëve me Jehovain para preferencave personale. (1 Kor. 10:24) Samueli, babi i Xhoshuas dhe Esterës, tregon: «Gruaja dhe unë i vëzhgonim fëmijët për të kuptuar cila ishte gjuha ku marrëdhënia e  tyre me Jehovain lulëzonte, dhe luteshim për mençuri. Përgjigjja nuk ishte ajo që kishim për mbarë ne. Mirëpo, kur pamë se ata po përfitonin fare pak nga mbledhjet në gjuhën tonë, vendosëm të transferoheshim në kongregacionin e gjuhës vendëse. Së bashku, ndiqnim mbledhjet dhe dilnim në shërbim rregullisht. Gjithashtu, ftonim miq vendalinj që të hanim diçka bashkë e të bënim ekskursione. E gjithë kjo i ndihmoi fëmijët të njihnin vëllezërit e motrat dhe të njihnin Jehovain, jo vetëm si Perëndinë e tyre, por edhe si Atin e si Mikun e tyre. Për ne, kjo ishte shumë më e rëndësishme sesa të zotëronin gjuhën tonë.»

14 Samueli shton: «Që të mbanim të fortë marrëdhënien me Jehovain, unë dhe gruaja i ndiqnim mbledhjet edhe në gjuhën tonë. Jeta ishte goxha e ngarkuar, dhe ishim të lodhur. Por, falënderojmë Jehovain që i bekoi përpjekjet dhe sakrificat tona. Që të tre fëmijët po i shërbejnë Jehovait në kohë të plotë.»

Ç’MUND TË BËJNË TË RINJTË

15. Pse një motër që quhet Kristina mendoi se mund të përparonte më shumë në një kongregacion të gjuhës vendëse?

15 Ndoshta fëmijët e rritur arrijnë në përfundimin se mund t’i shërbejnë më mirë Jehovait në një kongregacion ku përdoret gjuha që kuptojnë më qartë. Nëse është kështu, prindërit s’duhet të ndihen sikur fëmijët po hedhin poshtë ata. Kristina kujton: «Kisha njohuri bazë për gjuhën e prindërve, por gjuhën që përdorej në mbledhje mezi e merrja vesh. Kur isha 12 vjeçe, ndoqa një kongres në gjuhën që flitja në shkollë. Për herë të parë kuptova se ajo që po dëgjoja ishte e vërteta! Një tjetër pikë kthese ishte kur nisa të lutesha në gjuhën e shkollës. Fjalët që i thosha Jehovait më buronin nga zemra!» (Vep. 2:11, 41) Kur arriti moshën madhore, Kristina e diskutoi këtë çështje me prindërit dhe vendosi të transferohej në një kongregacion të gjuhës vendëse. Ajo sjell ndër mend: «Ndërsa mësoja për Jehovain në gjuhën e shkollës, u ndieva e nxitur të veproja.» S’kaloi shumë dhe Kristina u bë një pioniere e rregullt e gëzuar.

16. Pse një motër që quhet Nadia është e kënaqur që qëndroi në kongregacionin e gjuhës së huaj?

16 Të rinj, a mendoni se do t’ju pëlqente më tepër të ishit në një kongregacion të gjuhës vendëse? Nëse po, pyetni veten përse. A do t’ju ndihmonte ky transferim që të afroheshit më shumë me Jehovain? (Jak. 4:8) Apo ndoshta doni të transferoheni ngaqë pritni të keni më pak mbikëqyrje ose më pak punë? Nadia, që sot shërben në Bethel, thotë: «Kur hymë në adoleshencë, unë dhe motrat e vëllezërit donim të kalonim në një kongregacion të gjuhës vendëse.» Por prindërit e dinin se ai transferim s’do të ishte gjëja më e dobishme për besimin e fëmijëve. Nadia shton: «Tani jemi mirënjohës që prindërit bënë çmos të na mësonin gjuhën e tyre dhe na mbajtën në kongregacionin e gjuhës së huaj. Kjo na pasuroi jetën dhe na zgjeroi mundësitë për të ndihmuar të tjerët të njohin Jehovain.»

SI MUND TË NDIHMOJNË TË TJERËT

17. (a) Kujt ia ka dhënë Jehovai privilegjin për të rritur fëmijët? (b) Si mund të sigurojnë ndihmë prindërit për t’u mësuar fëmijëve të vërtetën?

17 Privilegjin për t’i rritur fëmijët në të vërtetën, Jehovai ia ka dhënë prindërve, jo gjyshërve ose dikujt tjetër. (Lexo Proverbat 1:8; 31:10, 27, 28.) Gjithsesi, prindërit që nuk e dinë gjuhën e vendit mund të kenë nevojë për ndihmë që t’u prekin zemrën fëmijëve. Kur prindërit marrin masa për të siguruar këtë ndihmë, s’do të thotë se po heqin dorë nga përgjegjësia që t’i rritin  fëmijët në udhën e së vërtetës; përkundrazi, kjo mund të jetë pjesë e rritjes së fëmijëve «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait». (Efes. 6:4) Për shembull, prindërit mund t’u kërkojnë pleqve në kongregacion sugjerime për drejtimin e adhurimit familjar dhe ndihmë për t’u siguruar fëmijëve shoqëri të mirë.

Edhe prindërit, edhe fëmijët mund të nxjerrin dobi nga shoqëria me kongregacionin (Shih paragrafët 18, 19.)

18, 19. (a) Si mund të nxjerrin dobi fëmijët nga vëllezërit e motrat me besim të fortë? (b) Çfarë duhet të vazhdojnë të bëjnë prindërit?

18 Prindërit, për shembull, mund të ftojnë herë pas here familje të tjera në adhurimin familjar. Veç kësaj, te mjaft fëmijë kanë ndikim goxha ndërtues bashkëbesimtarët e ekuilibruar, me të cilët mund të dalin në shërbim dhe të shoqërohen gjatë zbavitjeve të shëndetshme. (Prov. 27:17) Sheni, i cituar më sipër, kujton: «Nuk i harroj vëllezërit që më mbajtën afër. Gjithmonë mësoja diçka të re kur më ndihmonin për pjesët që më caktoheshin në mbledhje. Po ashtu, kënaqesha kur merrnim pjesë si grup në aktivitete të kohës së lirë.»

19 Natyrisht, ata që zgjidhen nga prindërit për të ndihmuar fëmijët, gjithmonë duhet t’u ushqejnë të vegjëlve respektin për prindërit, duke folur mirë për ta, pa marrë përsipër përgjegjësinë që u takon prindërve. Veç kësaj, ata që ndihmojnë duhet të shmangin çfarëdo sjelljeje që disa brenda ose jashtë kongregacionit mund ta keqinterpretojnë si të dyshimtë nga ana morale. (1 Pjet. 2:12) Prindërit nuk duhet t’ua lënë thjesht në dorë të tjerëve përgjegjësinë për t’i stërvitur fëmijët në të vërtetën. Ata duhet ta mbikëqyrin ndihmën që japin bashkëbesimtarët dhe të vazhdojnë t’i mësojnë vetë fëmijët.

20. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët që të bëhen shërbëtorë të shkëlqyer të Jehovait?

20 Prindër, lutjuni Jehovait për ndihmë dhe përpiquni me të gjitha forcat. (Lexo 2 Kronikave 15:7.) Vëreni miqësinë e fëmijës me Jehovain para interesave tuaja. Bëni gjithçka mundeni për t’u siguruar që Fjala e Perëndisë t’i prekë zemrën fëmijës. Kurrë mos e humbni besimin se fëmija juaj mund të bëhet një shërbëtor i shkëlqyer i Jehovait. Kur fëmijët ndjekin Fjalën e Perëndisë dhe shembullin tuaj të mirë, do të ndiheni siç u ndie apostulli Gjon për fëmijët e tij në besim. Ai tha: «Nuk kam shkak më të madh për gëzim, sesa të dëgjoj që bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.»​—3 Gjon. 4.

^ par. 7 Shih artikullin «Ti mund të mësosh një gjuhë të huaj!» në revistën Zgjohuni! të marsit 2007, f. 10-12.