«Për shkak të rritjes së paligjshmërisë, dashuria e shumicës do të ftohet.»​—MAT. 24:12.

KËNGËT: 38, 128

1, 2. (a) Për cilët u zbatuan në fillim fjalët e Jezuit te Mateu 24:12? (b) Si e tregon libri i Veprave se shumica e të krishterëve të hershëm vazhduan të tregonin dashuri? (Shih figurën hapëse.)

NJË aspekt i shenjës që dha Jezui për ‘përfundimin e sistemit’ ishte se ‘dashuria e shumicës do të ftohej’. (Mat. 24:3, 12) Në shekullin e parë, judenjtë, që pohonin se ishin populli i Perëndisë, lejuan që dashuria e tyre për Perëndinë të ftohej.

2 Në krahun tjetër, shumica e të krishterëve në atë periudhë vazhdonin plot zell ‘të shpallnin lajmin e mirë për Krishtin’ dhe të tregonin dashuri për Perëndinë, për bashkadhuruesit e për jobesimtarët. (Vep. 2:44-47; 5:42) Megjithatë, disa dishepuj të Jezuit në shekullin e parë lejuan t’u ftohej dashuria.

3. Cila mund të ishte një arsye pse iu ftoh dashuria disa të krishterëve?

3 Jezu Krishti i ringjallur iu drejtua me këto fjalë të krishterëve të shekullit të parë që jetonin në Efes: «Kam diçka kundër teje: e ke lënë dashurinë e fillimit.» (Zbul. 2:4) Cila mund të ishte një arsye pse ndodhi kjo? Ka të ngjarë që ata dishepuj të hershëm të Krishtit të ishin të ndikuar nga bota e fiksuar te dëshirat e trupit.  (Efes. 2:2, 3) Ashtu si shumë qytete sot, Efesi i shekullit të parë ishte i krimbur në vese. Ishte një qytet me pasuri përrallore, banorët e të cilit u jepnin tepër rëndësi lukseve, aktiviteteve të kohës së lirë dhe jetës së rehatshme. Me sa duket, kënaqësitë egoiste nuk lanë më vend për dashurinë altruiste. Veç kësaj, sjellja e pacipë dhe imoraliteti i pështirë kishin marrë dhenë.

4. (a) Në cilat mënyra është ftohur dashuria në kohën tonë? (b) Cilat janë tri drejtime ku mund ta vëmë në provë dashurinë tonë?

4 Profecia e Jezuit për dashurinë që sa vjen e shuhet përfshin edhe kohën tonë. Njerëzit sot kanë gjithnjë e më pak dashuri për Perëndinë. Miliona veta i kanë kthyer shpinën dhe i kanë sytë tek institucionet njerëzore për zgjidhjen e problemeve të njerëzimit. Si pasojë, mes njerëzve që nuk adhurojnë Perëndinë Jehova, dashuria vazhdon të ftohet. Mirëpo, siç e tregon situata në kongregacionin e shekullit të parë në Efes, edhe të krishterët e vërtetë sot mund ta flenë mendjen se janë në rregull dhe të lejojnë që dashuria e tyre të venitet. Tani do të shqyrtojmë tri drejtime ku mund ta vëmë në provë dashurinë tonë: (1) dashuria për Jehovain, (2) dashuria për të vërtetën e Biblës dhe (3) dashuria për vëllezërit tanë.

DASHURIA PËR JEHOVAIN

5. Pse duhet të kemi dashuri për Perëndinë?

5 Më parë, gjatë po asaj dite që paralajmëroi për rrezikun e humbjes së dashurisë, Jezui e vuri theksin te dashuria më e rëndësishme nga të gjitha. Ai tha: «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi.» (Mat. 22:37, 38) Vërtet, dashuria e thellë për Jehovain na ndihmon t’u bindemi urdhërimeve të tij, të tregojmë qëndrueshmëri dhe të urrejmë të keqen. (Lexo Psalmin 97:10.) Ama, Satanai dhe bota e tij përpiqen me të gjitha forcat të na e gërryejnë dashurinë për Perëndinë.

6. Çfarë pasojash vijnë kur njerëzit humbasin dashurinë për Perëndinë?

6 Bota që na rrethon ka një pikëpamje të shtrembëruar për dashurinë. Në vend që ta përqendrojnë dashurinë te Krijuesi, njerëzit janë «të dashuruar me veten». (2 Tim. 3:2) Kjo botë nën sundimin e Satanait ushqen ‘dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisjen për t’u dukur me të mirat materiale’. (1 Gjon. 2:16) Apostulli Pavël i paralajmëroi bashkëbesimtarët për rrezikun që të mos i kënaqnin dëshirat e mishit, kur tha: «Po të mbash mendjen te mishi, kjo do të thotë vdekje . . . sepse, po ta mbash mendjen te mishi, kjo do të thotë armiqësi me Perëndinë.» (Rom. 8:6, 7) Në fakt, ata që e kanë kaluar jetën duke rendur pas gjërave materiale ose duke plotësuar dëshirat seksuale kanë përfunduar të zhgënjyer dhe me plagë të thella.​—1 Kor. 6:18; 1 Tim. 6:9, 10.

7. Cilat rreziqe hasin dishepujt e Krishtit sot?

7 Në disa vende, mjaft ateistë, agnosticistë dhe evolucionistë reklamojnë haptas ide që synojnë të gërryejnë jo vetëm dashurinë për Perëndinë, por edhe besimin tek ai. Ata ua kanë mbushur mendjen shumë vetave se kush beson që ekziston një Krijues është ose naiv ose injorant. Në të njëjtën kohë, shkencëtarët adhurohen, dhe kjo ua largon vëmendjen njerëzve nga Krijuesi. (Rom. 1:25) Po t’ua vëmë veshin mësimeve të tilla, mund të largohemi avash-avash nga Jehovai, dhe dashuria jonë mund të ftohet.​—Hebr. 3:12.

8. (a) Cilat rrethana shkurajuese ndeshin shumë shërbëtorë të Jehovait? (b) Çfarë sigurie na jep Psalmi 136?

8 Një gjë tjetër që mund të na dobësojë  besimin e të na ftohë dashurinë për Perëndinë është të dorëzohemi para shkurajimit. Në këtë sistem të lig nën kontrollin e Satanait, të gjithë ndeshim hera-herës rrethana shkurajuese. (1 Gjon. 5:19) Ndoshta po përballemi me probleme që vijnë nga mosha e thyer, shëndeti i dobët ose presionet ekonomike. A mbase po luftojmë me ndjenjën e paaftësisë, me shpresat e zhgënjyera ose me të metat a gabimet tona. Megjithatë, s’duhet të lejojmë kurrë që rrethana a ndjenja të tilla të na mbushin mendjen se Jehovai na ka braktisur. Përkundrazi, duhet të meditojmë për fjalët e ngrohta siguruese rreth dashurisë së pashtershme që ka Jehovai për ne. Fjalë të tilla i gjejmë, për shembull, te Psalmi 136:23, që thotë: ‘Ai u kujtua për ne kur ishim përtokë, sepse dashamirësia e tij zgjat përjetë.’ Vërtet, dashuria besnike e Jehovait për shërbëtorët e vet nuk resht asnjë çast. Prandaj mund të jemi të sigurt se ai i dëgjon «përgjërimet» tona për ndihmë dhe u përgjigjet.​—Psal. 116:1; 136:24-26.

9. Çfarë i dha fuqi Pavlit që ta mbante të fortë dashurinë për Perëndinë?

9 Ashtu si psalmisti, Pavli mori forcë duke medituar për mbështetjen e pareshtur të Jehovait. Ai shkroi: «Jehovai është ai që më ndihmon, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?» (Hebr. 13:6) Kjo siguri e palëkundur te kujdesi i dashur i Jehovait e ndihmoi Pavlin t’u bënte ballë me guxim problemeve të jetës. Ai nuk lejoi ta vinin poshtë rrethanat negative. Në fakt, kur ishte i burgosur, Pavli shkroi disa letra inkurajuese. (Efes. 4:1; Filip. 1:7; Fil. 1) Pra, edhe në sprova të dhimbshme, Pavli e mbajti të fortë dashurinë për Perëndinë. Çfarë i dha fuqi për këtë? Ai vazhdoi të mbështetej te «Perëndia i çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona». (2 Kor. 1:3, 4) Si mund ta imitojmë shembullin e Pavlit dhe ta mbajmë të fortë dashurinë tonë për Jehovain?

Trego dashuri për Jehovain (Shih paragrafin 10.)

10. Si mund ta mbajmë të fortë dashurinë për Jehovain?

10 Një mënyrë kryesore si ta mbajmë të fortë dashurinë për Jehovain na e tregon vetë Pavli. Ai u shkroi bashkëbesimtarëve: «Lutuni pa pushim.» Më vonë shkroi: «Ngulmoni në lutje.» (1 Sel. 5:17; Rom. 12:12) Komunikimi me anë të lutjeve është themeli i marrëdhënies së ngushtë me Perëndinë. (Psal. 86:3) Kur lëmë boll kohë për t’i shprehur Jehovait mendimet më të thella dhe ndjenjat që kemi në skutat e zemrës, s’ka si të mos afrohemi më shumë me Atin tonë qiellor, ‘Dëgjuesin e lutjes’. (Psal. 65:2) Veç kësaj, kur dallojmë se Jehovai u përgjigjet lutjeve tona, na shtohet dashuria për të. Jemi gjithnjë e më të bindur se «Jehovai u rri pranë tërë atyre që e thërrasin». (Psal. 145:18) Kjo siguri e plotë te mbështetja e dashur e Jehovait do të na ndihmojë të përballojmë sprova të tjera besimi.

DASHURIA PËR TË VËRTETËN E BIBLËS

11, 12. Si mund të zhvillojmë dashuri të thellë për të vërtetën e Biblës?

11 Si të krishterë, ne e çmojmë dhe e pranojmë me gjithë zemër të vërtetën. Fjala e Perëndisë është burimi i së vërtetës. Jezui i tha në lutje Atit të tij: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Prandaj, dashuria për të vërtetën zë fill me marrjen e njohurisë së saktë për Fjalën e Perëndisë. (Kolos. 1:10) Megjithatë, kjo përfshin më tepër se thjesht të mbushim kokën me njohuri. Të shohim si na ndihmon shkrimtari i frymëzuar i Psalmit 119 që të kuptojmë ç’do të thotë ta duam të vërtetën e Biblës. (Lexo Psalmin 119:97-100.) A rezervojmë kohë që të mbajmë ose të bluajmë në mend gjatë gjithë ditës fragmente nga Shkrimet? Çmueshmëria jonë për të vërtetën e Biblës  do të rritet ndërsa meditojmë për mënyrat si nxjerrim dobi kur e zbatojmë në jetën tonë.

12 Psalmisti tha më tej: «Sa të ëmbla janë fjalët e tua në qiellzën time, më të ëmbla se mjalti në gojën time!» (Psal. 119:103) Edhe ne mund të kënaqemi me ushqimin e shijshëm të bazuar në Bibël që marrim nga organizata e Perëndisë. Mund të lejojmë që, në kuptimin e figurshëm, shija e tij të mbetet gjatë në qiellzën tonë. Kështu mund t’i sjellim ndër mend ‘fjalët e këndshme’ të së vërtetës dhe t’i përdorim për të ndihmuar të tjerët.​—Ekl. 12:10.

13. Çfarë e ndihmoi Jereminë ta donte të vërtetën e Shkrimeve, dhe si ndikoi kjo tek ai?

13 Profeti Jeremia e donte të vërtetën e Shkrimeve. Si ndikuan fjalët e Perëndisë në zemrën e tij? Ai shkroi: «Kur më erdhën fjalët e tua, i përpiva. Fjala jote është ngazëllimi dhe gëzimi i zemrës sime, sepse thirrem me emrin tënd, o Jehova, Perëndi i ushtrive.» (Jer. 15:16) Në kuptimin e figurshëm, Jeremia i hëngri dhe i treti fjalët e vyera të Perëndisë duke medituar për to. Kështu kultivoi thellë në zemër çmueshmërinë për privilegjin që thirrej me emrin e Perëndisë. Po dashuria jonë për të vërtetën e Biblës, a na ka nxitur të pranojmë se është privilegj unik të mbajmë emrin e Perëndisë dhe të shpallim Mbretërinë e tij në këto ditë të fundit?

Trego dashuri për të vërtetën e Biblës (Shih paragrafin 14.)

14. Si mund ta thellojmë dashurinë për të vërtetën e Biblës?

14 Përveç leximit të Biblës dhe të botimeve të bazuara tek ajo, ç’gjë tjetër mund të na ndihmojë të kultivojmë dashuri të thellë për të vërtetën e Biblës? Dashurinë për të vërtetën e Biblës mund ta thellojmë duke ndjekur rregullisht mbledhjet e kongregacionit. Një mënyrë kryesore si marrim mësim është nëpërmjet studimit të përjavshëm të Biblës me ndihmën e Kullës së Rojës. Për të kapur kuptimin dhe frymën e temës që shqyrtohet duhet të përgatitemi mirë për çdo Studim të Kullës së Rojës. Një mënyrë si mund ta bëjmë këtë është duke hapur secilin nga shkrimet e përmendura. Në shumë gjuhë sot, Kullën e Rojës mund ta shkarkojmë nga siti jw.org ose mund ta shohim brenda aplikacionit  JW Library. Disa formate elektronike na krijojnë mundësinë t’i gjejmë shpejt shkrimet e përmendura në çdo artikull studimi. Por, çfarëdo metode të përdorim, nëse i lexojmë me kujdes këto shkrime dhe i bluajmë në mend, do të na thellohet dashuria për të vërtetën e Biblës.​—Lexo Psalmin 1:2.

DASHURIA PËR VËLLEZËRIT TANË

15, 16. (a) Sipas Gjonit 13:34, 35, çfarë detyrimi kemi? (b) Si lidhet dashuria që kemi për vëllezërit me dashurinë për Perëndinë dhe për Biblën?

15 Natën e fundit në tokë, Jezui u tha dishepujve të tij: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»​—Gjoni 13:34, 35.

16 Dashuria për vëllezërit dhe motrat lidhet me dashurinë që kemi për Jehovain. Në fakt, është e pamundur të kemi njërën pa pasur tjetrën. Apostulli Gjon shkroi: «Ai që nuk do vëllanë e tij, të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e sheh.» (1 Gjon. 4:20) Veç kësaj, dashuria jonë për Jehovain dhe për vëllezërit lidhet me dashurinë që kemi për Biblën. Përse? Sepse dashuria për të vërtetën e Biblës na nxit t’u bindemi nga zemra urdhërimeve biblike që të duam Perëndinë dhe të duam vëllezërit tanë.​—1 Pjet. 1:22; 1 Gjon. 4:21.

Trego dashuri për vëllezërit e motrat (Shih paragrafin 17.)

17. Cilat janë disa mënyra si mund të tregojmë dashuri?

17 Lexo 1 Selanikasve 4:9, 10. Cilat janë disa mënyra praktike si mund të tregojmë dashuri në kongregacionin tonë? Një vëlla ose një motër e moshuar mund të ketë nevojë për ndihmë që të shkojë në mbledhje. Një vejushe mund t’i duhet ndihmë për ndonjë riparim në shtëpi. (Jak. 1:27) Vëllezërit dhe motrat që janë të shkurajuar a të dëshpëruar ose që luftojnë me sprova të tjera kanë nevojë për vëmendjen, inkurajimin dhe ngushëllimin tonë, qofshin të rinj a të rritur. (Prov. 12:25; Kolos. 4:11) Japim prova të dashurisë së sinqertë për vëllezërit tanë kur tregojmë me fjalë e me vepra se merakosemi nga zemra për ata «që janë të lidhur me ne në besim».​—Gal. 6:10.

18. Çfarë do të na ndihmojë t’i kapërcejmë mosmarrëveshjet e vogla me bashkëbesimtarët?

18 Bibla paratha se «ditët e fundit» të këtij sistemi të lig do të karakterizoheshin nga një frymë egoiste dhe lakmitare. (2 Tim. 3:1, 2) Prandaj, si të krishterë, duhet të përpiqemi me të gjitha forcat që ta rritim dashurinë për Perëndinë, për të vërtetën e Biblës dhe për njëri-tjetrin. Natyrisht, hera-herës mund të kemi mosmarrëveshje të vogla me bashkëbesimtarët. Por, çfarë bekimi është për të gjithë në kongregacion kur dashuria na motivon ta zgjidhim çdo mosmarrëveshje me dashamirësi! (Efes. 4:32; Kolos. 3:14) Mos lejofshim kurrë, pra, që dashuria jonë të ftohet! Përkundrazi, vazhdofshim të kemi dashuri të zjarrtë për Jehovain, për Fjalën e tij dhe për vëllezërit tanë!