GAJI dhe të krishterë të tjerë që jetuan nga fundi i shekullit të parë hasën sfida. Mjaft individë që po përhapnin mësime të rreme, përpiqeshin t’i dobësonin e t’i përçanin kongregacionet. (1 Gjon. 2:18, 19; 2 Gjon. 7) Një burrë që quhej Diotref po përhapte «fjalë të liga» për apostullin Gjon dhe për të tjerë. Gjithashtu, nuk pranonte t’i mirëpriste mbikëqyrësit udhëtues dhe përpiqej t’u mbushte mendjen të tjerëve të ndiqnin shembullin e tij. (3 Gjon. 9, 10) Kjo ishte situata kur Gjoni i shkroi Gajit. Letra e apostullit, që u shkrua rreth vitit 98 të e.s., quhet «Letra e tretë e Gjonit» në Shkrimet e Krishtere Greke.

Pavarësisht nga sfidat që hasi, Gaji vazhdoi t’i shërbente Jehovait me besnikëri. Si e tregoi besnikërinë e tij? Pse duhet ta imitojmë sot shembullin e Gajit? Si mund të na ndihmojë për këtë letra e Gjonit?

LETËR NJË MIKU TË SHTRENJTË

Në letrën e tretë të Gjonit, shkrimtari e quan veten «plaku». Kjo i mjaftonte Gajit, birit të tij të dashur në besim, që ta kuptonte se po i shkruante apostulli Gjon. Me ngrohtësi, Gjoni iu drejtua me fjalët Gaji ‘i dashur, të cilin vërtet e dua’. Pastaj Gjoni tha se shpresonte që Gaji të kishte shëndet të mirë e të fortë, ashtu siç ishte besimi i tij. Çfarë ndjenje e butë dhe lavdërimi i bukur!​—3 Gjon. 1, 2, 4.

Ka shumë të ngjarë që Gaji të ketë qenë mbikëqyrës në kongregacion, por në letër nuk thuhet gjë për këtë. Gjoni e lavdëroi Gajin që i mirëpriste vëllezërit, edhe pse ishin të panjohur për të. Ai e shihte këtë si provë të besnikërisë së Gajit, meqë mikpritja i ka dalluar gjithmonë shërbëtorët e Perëndisë.​—Zan. 18:1-8; 1 Tim. 3:2; 3 Gjon. 5.

Çmueshmëria që shprehu Gjoni për mikpritjen e Gajit ndaj vëllezërve tregon se kishte të krishterë që udhëtonin rregullisht nga vendi ku rrinte apostulli Gjon për në kongregacione të ndryshme, e me sa duket ata udhëtarë i tregonin Gjonit se çfarë vërenin. Ndoshta kjo ishte mënyra se si i merrte vesh Gjoni të rejat për ato kongregacione.

S’do mend, të krishterët që udhëtonin kishin qejf të rrinin në shtëpitë e bashkëbesimtarëve. Hanet kishin nam të tmerrshëm e një shërbim skandaloz dhe ishin strofka të imoralitetit. Prandaj, sa herë që ishte e mundur, udhëtarët e mençur strehoheshin te shtëpitë e miqve. Kështu, të krishterët që udhëtonin ishin mysafirë të bashkëbesimtarëve.

 «KANË DALË PËR EMRIN E TIJ»

Apostulli Gjon e inkurajoi Gajin të tregonte përsëri mikpritje, duke i kërkuar ‘t’i përcillte për rrugë [udhëtarët] siç ishte e denjë për Perëndinë’. Në këtë rast, t’i përcillte për rrugë mysafirët do të thoshte t’u plotësonte nevojat që kishin për pjesën tjetër të udhëtimit dhe t’u siguronte gjithçka që u duhej derisa të mbërrinin në destinacion. Sigurisht që Gaji e kishte bërë në të kaluarën këtë për mysafirët e tij, përderisa ata i kishin rrëfyer Gjonit për dashurinë dhe besimin e mikpritësit.​—3 Gjon. 3, 6.

Mysafirët mbase ishin misionarë, të dërguar të Gjonit ose mbikëqyrës udhëtues. Sido të ketë qenë, ata udhëtonin për hir të lajmit të mirë. Gjoni tha për ta: «Kanë dalë për emrin e tij.» (3 Gjon. 7) Gjoni sapo e kishte përmendur Perëndinë (shih vargun 6), prandaj shprehja «për emrin e tij» duket se nënkupton emrin e Jehovait. E pra, vëllezërit ishin pjesë e kongregacionit të krishterë dhe meritonin t’i pritnin ngrohtë. Është ashtu siç shkroi Gjoni: «Kemi detyrimin t’i mirëpresim njerëz të tillë, që të bëhemi bashkëpunëtorë në të vërtetën.»​—3 Gjon. 8.

NDIHMË PËR NJË SITUATË TË VËSHTIRË

Arsyeja pse Gjoni i shkroi Gajit nuk ishte thjesht për ta falënderuar. Gjoni donte edhe ta ndihmonte të përballonte një problem serioz. Kushedi për ç’arsye, një pjesëtar i kongregacionit që quhej Diotref nuk donte t’i mirëpriste të krishterët që udhëtonin. Madje përpiqej edhe të pengonte të tjerët që të mos tregonin mikpritje.​—3 Gjon. 9, 10.

Pa dyshim, të krishterët besnikë nuk do të kishin dashur të rrinin në shtëpinë e Diotrefit, edhe sikur kjo të ishte e mundur. Atij i pëlqente të ishte i pari në kongregacion, nuk priste asgjë nga Gjoni me respekt, si edhe po përhapte «fjalë të liga» për apostullin e për të tjerë. Edhe pse Gjoni nuk e quajti kurrë mësues të rremë, Diotrefi në fakt i kundërvihej autoritetit të apostullit. Dëshira e Diotrefit për të rënë në sy dhe sjellja e tij aspak e krishterë ngrinin dyshime për besnikërinë e tij. Rasti i Diotrefit ilustron ndikimin përçarës që mund të përpiqen të ushtrojnë në kongregacion individët ambiciozë dhe arrogantë. Ja pse Gjoni i tha Gajit, e në fakt secilit nga ne: «Mos imito atë që është e keqe.»​—3 Gjon. 11.

NJË ARSYE E SHKËLQYER PËR TË BËRË TË MIRËN

Gjoni përmendi një të krishterë të quajtur Dhimitër që, ndryshe nga Diotrefi, ishte shembull i mirë. Gjoni shkroi: «Për Dhimitrin është dhënë dëshmi [e mirë] . . . Faktikisht, edhe ne japim dëshmi, dhe ti e di se dëshmia që japim ne, është e vërtetë.» (3 Gjon. 12) Ndoshta Dhimitri kishte nevojë për ndihmën e Gajit, dhe Letra e tretë e Gjonit mund të ketë shërbyer si letër prezantimi dhe rekomandimi nga apostulli. Ka shumë mundësi që letrën Gajit t’ia ketë dhënë vetë Dhimitri. Si i dërguar i Gjonit, ose ndoshta si mbikëqyrës udhëtues, ka të ngjarë që Dhimitri ta ketë përforcuar atë që kishte shkruar Gjoni.

Përderisa Gaji po tregonte tashmë mikpritje, pse Gjoni e nxiti të vazhdonte ta bënte këtë? Mos ndoshta Gjoni e pa të nevojshme t’i jepte më shumë guxim Gajit? A ishte në merak apostulli se mos Gaji ngurronte ngaqë Diotrefi po përpiqej t’i flakte jashtë kongregacionit të krishterët mikpritës? Sido të ketë qenë, Gjoni i dha siguri Gajit me fjalët: «Kush bën të mirën, vjen nga Perëndia.» (3 Gjon. 11) Kjo është një arsye e shkëlqyer që të bëjmë të mirën dhe të mos dorëzohemi duke e bërë këtë.

A e motivoi Gajin letra e Gjonit që të vazhdonte të ishte mikpritës? Fakti që kjo letër u ruajt në kanonin e Biblës dhe u përcoll brez pas brezi për të inkurajuar të tjerë që ‘të imitojnë atë që është e mirë’, nënkupton se e motivoi.

 MËSIME NGA LETRA E TRETË E GJONIT

Nuk dimë më shumë se kaq për Gajin, vëllanë tonë të dashur nga e kaluara. Gjithsesi, nga ky shikim i shpejtë në jetën e tij mund të nxjerrim një sërë mësimesh.

Në cilat mënyra mund ‘të ndjekim udhën e mikpritjes’?

Së pari, shumë prej nesh ia detyrojmë deri diku faktin që njohim të vërtetën besnikëve që ishin të gatshëm të udhëtonin për të na dhënë këtë njohuri. Natyrisht, jo të gjithë pjesëtarët e kongregacionit të sotëm bëjnë udhë të largëta për hir të lajmit të mirë. Megjithatë, ashtu si Gaji, ne mund t’i mbështetim dhe t’i inkurajojmë në ndonjë mënyrë ata që udhëtojnë, si për shembull mbikëqyrësin qarkor dhe gruan e tij. Ose ndoshta kemi mundësi t’u japim ndihmë praktike vëllezërve e motrave që transferohen në zona të tjera brenda vendit, a madje edhe jashtë shtetit, për të shërbyer atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Pra, le të ‘ndjekim udhën e mikpritjes’.​—Rom. 12:13; 1 Tim. 5:9, 10.

Së dyti, nuk duhet të habitemi nëse sot ndodh në raste të rralla që të sfidohet autoriteti në kongregacion. Autoriteti i Gjonit u sfidua, e po ashtu edhe ai i apostullit Pavël. (2 Kor. 10:7-12; 12:11-13) Si duhet të reagojmë, pra, nëse ndeshim vështirësi të ngjashme nga disa brenda kongregacionit? Pavli e këshilloi Timoteun: «Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël me të gjithë, i kualifikuar për të mësuar, ta frenojë veten kur të jetë nën të ligën dhe t’i mësojë me butësi ata që nuk janë të prirur në mënyrë të favorshme.» Kur mbajmë një frymë të butë edhe nën provokim, disa individë kritikë dalëngadalë mund të nxiten të ndryshojnë qëndrim. Atëherë, Jehovai ‘mund t’u japë pendimin, që çon në njohurinë e saktë për të vërtetën’.​—2 Tim. 2:24, 25.

Së treti, kur bashkëbesimtarët i shërbejnë me besnikëri Jehovait pavarësisht nga kundërshtimi, duhet t’ua shprehim se e vlerësojmë udhën besnike që ndjekin dhe t’i lavdërojmë me ngrohtësi. Apostulli Gjon pa dyshim që i dha zemër Gajit dhe e siguroi se po bënte atë që ishte e drejtë. Në mënyrë të ngjashme, pleqtë sot duhet të ndjekin shembullin e Gjonit duke u dhënë zemër vëllezërve e motrave, që ‘të mos rraskapiten’.​—Isa. 40:31; 1 Sel. 5:11.

Letra që i shkroi apostulli Gjon Gajit ka vetëm 219 fjalë në tekstin grek, pra është libri më i shkurtër i Biblës. E megjithatë, ai ka vlerë të jashtëzakonshme për të krishterët sot.