Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

«A më do mua më shumë se këta?»

«A më do mua më shumë se këta?»

«Simon, bir i Gjonit, a më do mua më shumë se këta?»​—GJONI 21:15.

KËNGËT: 143, 65

1, 2. Çfarë përvoje pati Pjetri pasi peshkoi një natë të tërë?

SHTATË dishepuj të Jezuit sapo kishin kaluar tërë natën duke peshkuar në detin e Galilesë, por nuk kishin zënë gjë. Jezui i ringjallur po e vëzhgonte grupin nga bregu. Atëherë ai u tha: «‘Hidheni rrjetën në të djathtë të barkës e do të gjeni.’ Kështu ata e hodhën dhe nuk ishin më në gjendje ta mblidhnin, aq shumë peshq kishte.»​—Gjoni 21:1-6.

2 Pasi u shërbeu mëngjesin, Jezui u kthye nga Simon Pjetri dhe i tha: «Simon, bir i Gjonit, a më do mua më shumë se këta?» Për çfarë e kishte fjalën Jezui? Pjetri ishte goxha i dhënë pas peshkimit. Pra, duket se Jezui po e pyeste se ku e kishte në të vërtetë zemrën. A kishte më shumë për zemër peshqit dhe biznesin e peshkimit sesa Jezuin dhe gjërat që mësonte ai? Pjetri iu përgjigj: «Po, Zotëri, ti e di se unë të kam për zemër.» (Gjoni 21:15) E pa diskutim që Pjetri provoi se i kishte me gjithë mend ato fjalë. Që nga ai moment e tutje, ai e tregoi dashurinë për Krishtin duke u dhënë me zell pas veprës së bërjes së dishepujve, dhe u bë një shtyllë në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë.

3. Ndaj cilave rreziqe duhet të jenë syçelë të krishterët?

 3 Ç’mund të mësojmë nga fjalët që i tha Jezui Pjetrit? Duhet të bëjmë kujdes që të mos lejojmë të na dobësohet dashuria për Krishtin e të shpërqendrohemi nga vepra e Mbretërisë. Jezui i njihte mirë presionet që shkaktojnë ankth në këtë sistem. Në ilustrimin e tij për mbjellësin, Jezui tha se disa do ta pranonin «fjalën e mbretërisë» e në fillim do të bënin përparim, por se «ankthet e kësaj bote dhe fuqia mashtruese e pasurisë» do ta ‘mbytnin fjalën’. (Mat. 13:19-22; Mar. 4:19) Vërtet, nëse nuk bëjmë kujdes, shqetësimet e jetës së përditshme mund të na e vjedhin zemrën dhe mund të na plogështojnë në aktivitetet teokratike. Prandaj, Jezui i paralajmëroi dishepujt e tij: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga të ngrënët e tepërt, nga pirja e tepërt dhe nga ankthet e jetës.»​—Luka 21:34.

4. Ç’do të na ndihmojë që të shqyrtojmë sa e thellë është dashuria jonë për Krishtin? (Shih figurën hapëse.)

4 Ashtu siç veproi Pjetri pas asaj përvoje me Jezuin e ringjallur, edhe ne tregojmë sa e thellë është dashuria jonë për Krishtin duke vënë në vend të parë veprën që na ka ngarkuar ai. Si mund të sigurohemi që të vazhdojmë ta bëjmë këtë? Herë pas here duhet të pyesim veten: «Ku e kam në të vërtetë zemrën? Pjesa më e madhe e gëzimit që provoj në jetë vjen nga aktivitetet e përditshme apo nga aktivitetet teokratike?» Për këtë, le të shqyrtojmë tri aspekte të jetës që, po të mos mbahen në vendin e duhur, mund të na dobësojnë dashurinë për Krishtin dhe për gjërat që lidhen me adhurimin e Perëndisë. Do të ndalemi te puna, te zbavitja dhe te gjërat materiale.

TA MBAJMË PUNËN NË VENDIN E DUHUR

5. Cilën përgjegjësi biblike kanë kryefamiljarët?

5 Për Pjetrin, peshkimi nuk ishte thjesht një hobi ose një aktivitet për qejf. Ishte puna me të cilën nxirrte bukën e gojës. Kryefamiljarët sot e pranojnë se kanë përgjegjësinë biblike që t’i sigurojnë gjërat e nevojshme materiale familjes së tyre. (1 Tim. 5:8) Ata duhet të punojnë pa u lodhur që ta përmbushin këtë detyrë. Mirëpo, në këto ditë të fundit, puna shpesh është burim ankthi.

6. Cilat presione ekzistojnë sot në vendin e punës?

6 Si pasojë e konkurrencës së egër për numrin e kufizuar të vendeve të punës, shumë veta ndihen të detyruar të punojnë më shumë orë, e nganjëherë për një rrogë më të vogël. Gjithashtu, presioni i pareshtur për të prodhuar më tepër u kushton shtrenjtë njerëzve nga ana fizike, mendore dhe emocionale. Ata punonjës që s’janë të gatshëm të bëjnë sakrifica të tilla për kompaninë, rrezikojnë të humbin punën.

7, 8. (a) Kujt i takon në radhë të parë besnikëria jonë? (b) Çfarë mësimi me vlerë nxori një vëlla në Tajlandë për punën që bënte?

7 Si të krishterë, besnikëria jonë i takon në radhë të parë Perëndisë Jehova, jo punëdhënësit. (Luka 10:27) Puna është thjesht një mjet për të arritur një qëllim. Ne punojmë për të siguruar nevojat materiale bazë dhe për të mbështetur veprën tonë. Por nëse nuk bëjmë kujdes, puna mund të na bëhet pengesë për adhurimin. Për shembull, një vëlla në Tajlandë tregonte: «Puna që bëja për të riparuar kompjuterë ishte goxha interesante, por kërkonte të punoja me orar të zgjatur. Për pasojë, nuk më mbetej thuajse aspak kohë për gjërat teokratike. Si përfundim e kuptova se për të vënë Mbretërinë në vend të parë,  duhej të ndryshoja llojin e punës.» Çfarë bëri ky vëlla?

8 Ai shpjegonte: «Pasi i planifikova gjërat për afro një vit, vendosa të bëhesha shitës ambulant dhe të shisja akullore. Në fillim pata vështirësi ekonomike dhe u shkurajova. Sa herë takoja ish-kolegët e punës, ata talleshin me mua dhe më pyesnin pse vallë mendoja se ishte më mirë të shisja akullore sesa të punoja me kompjuterët në një ambient me ajër të kondicionuar. I lutesha Jehovait e i kërkoja të më ndihmonte që ta përballoja atë situatë dhe të arrija synimin për të pasur më shumë kohë për aktivitetet teokratike. Pas pak, gjërat nisën të përmirësoheshin. Fillova t’i njihja më mirë shijet e klientëve të mi dhe ia mora dorën përgatitjes së akullores. S’kaloi shumë dhe çdo ditë po e shisja gjithë akulloren që përgatitja. Ç’është e vërteta, isha më në gjendje sesa kur punoja me kompjuterët. Rezultati është që jam më i lumtur, pasi nuk kam streset dhe telashet e punës së mëparshme. E ç’është më e rëndësishmja, tani ndihem më afër Jehovait.»—Lexo Mateun 5:3, 6.

9. Si mund të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për punën?

9 Të jesh i papërtuar është një cilësi që i pëlqen Perëndisë, dhe puna e palodhur është shpërblyese. (Prov. 12:14) Gjithsesi, siç e mësoi vëllai i përmendur më sipër, puna duhet mbajtur në vendin e duhur. Jezui tha: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera [nevojat materiale bazë] do t’ju shtohen.» (Mat. 6:33) Që të përcaktojmë nëse kemi një pikëpamje të ekuilibruar për aktivitetet e jetës së përditshme dhe përgjegjësitë teokratike, bëjmë mirë të pyesim veten: «A më duket puna që bëj interesante dhe emocionuese, kurse aktivitetet teokratike i shoh si angari ose gjë monotone?» Kur ndalemi e meditojmë se si ndihemi për aktivitetet e përditshme dhe ato teokratike, kjo mund të na ndihmojë të përcaktojmë se ku e kemi në të vërtetë zemrën.

10. Çfarë mësimi me vlerë na ka dhënë Jezui kur është fjala për të përcaktuar përparësitë?

10 Jezui na tregoi çfarë kriteri të ndjekim për t’i ekuilibruar interesat e jetës së përditshme me çështjet teokratike. Në një rast, Jezui shkoi për vizitë në shtëpinë e Marisë dhe motrës së saj, Martës. Teksa Marta ngutej me një mijë punë që të përgatiste një vakt, Maria zgjodhi të ulej te këmbët e Jezuit dhe ta dëgjonte. Kur Marta u ankua se Maria nuk po e ndihmonte, Jezui i tha: «Maria zgjodhi pjesën e mirë dhe nuk do t’i hiqet.» (Luka 10:38-42) Jezui po i jepte Martës një mësim me vlerë. Që të mos shpërqendrohemi nga gjërat e zakonshme të jetës dhe që ta tregojmë me vepra dashurinë për Krishtin, duhet të vazhdojmë të zgjedhim «pjesën e mirë»​—t’u japim përparësi gjërave që lidhen me adhurimin.

PIKËPAMJA JONË PËR ZBAVITJEN DHE ÇLODHJEN

11. Çfarë na mësojnë Shkrimet për pushimin dhe çlodhjen?

11 Ne kemi nevojë për ca kohë që të relaksohemi e të çlodhemi nga puna tërë mund dhe nga programi i ngjeshur. Fjala e Perëndisë thotë: «Për njeriun s’ka asgjë më të mirë se të hajë e të pijë dhe që shpirti i tij të shohë të mira, për shkak të mundit të tij.» (Ekl. 2:24) Jezui tregoi se e kuptonte që herë pas here kemi nevojë të pushojmë. Pas një fushate predikimi jashtëzakonisht intensive, ai u tha dishepujve të tij: «Ejani të shkojmë veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak.»​—Mar. 6:31, 32.

12. Pse duhet të bëjmë kujdes në lidhje me zbavitjen? Jepni një shembull.

 12 Vërtet, zbavitja plotëson një nevojë të rëndësishme. Megjithatë ekziston rreziku që argëtimi të bëhet boshti i jetës sonë. Në shekullin e parë, shumë veta kishin qëndrimin «le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim». (1 Kor. 15:32) E njëjta frymë mbizotëron sot në shumë pjesë të botës. Për shembull, vite më parë një i ri në Evropën Perëndimore nisi të ndiqte mbledhjet e krishtere. Por ishte aq i marrosur pas zbavitjeve sa nuk u shoqërua më me popullin e Jehovait. Mirëpo, me kohë, e kuptoi se fiksimi pas zbavitjeve vetëm sa i kishte sjellë probleme dhe zhgënjime. Kështu rifilloi studimin e Biblës dhe, me kalimin e kohës, u kualifikua si lajmëtar i lajmit të mirë. Pas pagëzimit, ai tha: «Jam pishman vetëm për një gjë: që humba tërë atë kohë derisa e kuptova se t’i shërbesh Jehovait të jep shumë më tepër lumturi se të rendësh pas zbavitjeve që të servir kjo botë.»

13. (a) Ilustroni rreziqet që lidhen me zbavitjen. (b) Ç’mund të na ndihmojë që të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për zbavitjen?

13 Qëllimi i zbavitjes është që të na freskojë e të na përtërijë. Por, sa kohë duhet të harxhojmë duke u zbavitur që të arrihet kjo? Të mendojmë për këtë krahasim: shumë nga ne kemi qejf të shijojmë nganjëherë një ëmbëlsirë, por e dimë se po të ushqehemi tërë kohës me ëmbëlsira, do të dëmtojmë shëndetin. Ja pse hamë kryesisht ushqime të shëndetshme. Në mënyrë të ngjashme, po «të ushqehemi» tërë kohës me zbavitje, do të na dobësohet marrëdhënia me Jehovain e s’do të kemi më një besim të shëndoshë. Për ta parandaluar këtë, ne marrim pjesë rregullisht në aktivitetet e Mbretërisë. Por si mund ta përcaktojmë nëse kemi pikëpamje të ekuilibruar për zbavitjen? Mund të zgjedhim një javë e të mbajmë shënim sa orë harxhojmë për aktivitetet teokratike, si mbledhjet, shërbimi dhe studimi personal e familjar i Biblës. Pastaj mund ta krahasojmë këtë shifër me numrin e orëve që harxhojmë po atë javë me aktivitetet që bëjmë për qejf, si ndonjë sport, një hobi, shikimi i televizorit ose videolojërat. Çfarë nxjerr në pah ky krahasim? Mos ndoshta kemi nevojë të pakësojmë «ëmbëlsirat»?​—Lexo Efesianëve 5:15, 16.

14. Çfarë duhet të na drejtojë kur zgjedhim zbavitjen?

14 Individët dhe kryefamiljarët janë të lirë të zgjedhin zbavitjen që preferojnë, mjaft që të jetë një aktivitet në harmoni me drejtimin e Jehovait që shprehet te parimet e Biblës. * Një zbavitje e shëndetshme është «dhuratë nga Perëndia». (Ekl. 3:12, 13) Dihet se zbavitjet që zgjedhim mund të ndryshojnë nga njëri te tjetri. (Gal. 6:4, 5) Po çfarëdo zbavitjeje të zgjedhim, duam ta mbajmë në vendin e duhur. Jezui tha: «Ku të jetë thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote.» (Mat. 6:21) Pra, dashuria nga zemra për Jezuin do të na nxitë që boshti i mendimeve, i fjalëve dhe i veprimeve tona të jenë aktivitetet e Mbretërisë dhe jo gjërat e jetës së përditshme.​—Filip. 1:9, 10.

LUFTA JONË KUNDËR MATERIALIZMIT

15, 16. (a) Si mund të bëhet kurth për një shërbëtor të Perëndisë materializmi? (b) Cilën këshillë të mençur dha Jezui për gjërat materiale?

15 Shumë veta sot janë të fiksuar pas veshjeve më të modës, pajisjeve elektronike të fjalës së fundit, e kështu me radhë. Prandaj, çdo shërbëtor i Perëndisë duhet t’i shqyrtojë rregullisht dëshirat që ka duke i bërë vetes pyetje të tilla, si: «A janë bërë gjërat materiale aq të rëndësishme për mua, sa harxhoj më  shumë kohë duke kërkuar e menduar për makinën ose modën më të fundit sesa duke u përgatitur për mbledhjet e kongregacionit? A jam zhytur aq shumë në gjërat e jetës së përditshme, sa po i kushtoj më pak kohë lutjeve ose leximit të Biblës?» Nëse e kuptojmë se dashuria për gjërat materiale po eklipson dashurinë tonë për Krishtin, duhet të reflektojmë për këto fjalë të Jezuit: «Ruhuni nga çdo lloj lakmie.» (Luka 12:15) Pse e dha këtë paralajmërim të fortë Jezui?

16 Ai tha se «askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve». Pastaj shtoi: «Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.» Arsyeja është se çdonjëri nga dy ‘zotërinjtë’ kërkon t’i përkushtohemi vetëm atij. Siç tha Jezui, ose ‘do të urrejmë njërin e do të duam tjetrin’, ose ‘do të ngjitemi pas njërit e do të përbuzim tjetrin’. (Mat. 6:24) Si njerëz të papërsosur, të gjithë ne duhet të vazhdojmë të luftojmë me forcë kundër ‘dëshirave të trupit tonë’, ku përfshihet materializmi.​—Efes. 2:3.

17. (a) Pse ata që e mbajnë mendjen te gjërat e mishit e kanë të vështirë të zhvillojnë një pikëpamje të ekuilibruar për gjërat materiale? (b) Çfarë na ndihmon t’i luftojmë dëshirat materialiste?

17 Ata që e mbajnë mendjen te gjërat e mishit e kanë të vështirë të zhvillojnë një pikëpamje të ekuilibruar për gjërat materiale. Pse? Sepse u është mpirë aftësia për të shquar se çfarë ka vlerë në sytë e Perëndisë. (Lexo 1 Korintasve 2:14.) Ngaqë u është mjegulluar aftësia dalluese, e kanë më të vështirë të shquajnë të drejtën nga e gabuara. (Hebr. 5:11-14) Si pasojë, disa kultivojnë një dëshirë të pafre për gjëra materiale, një dëshirë që kurrë nuk e kënaqin dot plotësisht. (Ekl. 5:10) Sa mirë që kemi një kundërhelm ndaj mentalitetit helmues materialist​—një dozë të shëndetshme nga Fjala e Perëndisë, Bibla, që e marrim duke e lexuar rregullisht. (1 Pjet. 2:2) Ashtu si Jezui që mori forcë ta hidhte poshtë tundimin duke medituar për të vërtetat hyjnore, edhe ne mund t’i luftojmë dëshirat materialiste duke zbatuar parimet e Biblës. (Mat. 4:8-10) Ndërsa e bëjmë këtë, i tregojmë Jezuit se e duam më shumë se çfarëdo gjëje materiale.

Çfarë ka përparësi në jetën tënde? (Shih paragrafin 18.)

18. Çfarë je i vendosur të bësh?

18 Kur e pyeti Pjetrin «a më do mua më shumë se këta», Jezui po i kujtonte se duhej të vinte të parat në jetë gjërat që lidhen me adhurimin e Jehovait. Pjetri, emri i të cilit do të thotë «copë shkëmbi», jetoi vërtet në lartësinë e emrit të vet, sepse shfaqi cilësi të qëndrueshme si shkëmbi. (Vep. 4:5-20) Ne sot jemi po aq të vendosur që ta ruajmë të palëkundur dashurinë për Krishtin, duke i mbajtur në vendin e duhur punën, zbavitjen dhe gjërat materiale. Le të tregojmë me zgjedhjet që bëjmë në jetë se ndihemi njësoj si Pjetri, që i tha Jezuit: «Zotëri, ti e di se unë të kam për zemër.»

^ par. 14 Shih artikullin «A është dobiprurëse zbavitja jote?» në Kullën e Rojës të 15 tetorit 2011, f. 9-12, p. 6-15.