«Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar . . . , dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»​—MAT. 28:19, 20.

KËNGËT: 141, 97

1, 2. Cilat pyetje lindin nga fjalët e Jezuit te Mateu 24:14?

PAVARËSISHT nëse njerëzit janë dakord me ne apo na kundërshtojnë egërsisht, pak veta do ta mohonin se Dëshmitarët e Jehovait si grup janë të mirënjohur për aktivitetin e predikimit. Ndoshta edhe të ka rastisur të takosh në shërbim njerëz që kanë thënë se, ndonëse nuk janë dakord me bindjet tona, na respektojnë për veprën që bëjmë. Siç e dimë, Jezui paratha se lajmi i mirë për Mbretërinë do të predikohej në mbarë tokën e banuar. (Mat. 24:14) Por, nga e dimë se vepra që bëjmë po përmbush profecinë e Jezuit? A është guxim i tepruar të mendojmë se jemi ne ata që po e kryejnë këtë vepër?

2 Shumë grupe fetare besojnë se po predikojnë ungjillin, ose lajmin e mirë. Megjithatë, përpjekjet e tyre shpesh kufizohen te dëshmitë personale, shërbesat kishtare ose programet që transmetohen në media​—qoftë nëpërmjet televizionit, qoftë në Internet. Të tjerë e tërheqin vëmendjen te bamirësitë ose tek aktivitetet e tyre në fushën e mjekësisë dhe të arsimit. Si  janë gjithë këto gjëra krahasuar me veprën që i urdhëroi Jezui dishepujt e tij?

3. Cilat janë katër gjërat që duhet të bëjnë dishepujt e Jezuit sipas Mateut 28:19, 20?

3 A duhej të ishin pasivë dishepujt e Jezuit dhe të pritnin që njerëzit të shkonin tek ata? Pa diskutim që jo! Pasi u ringjall, Jezui iu drejtua qindra dishepujve me këto fjalë: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar . . . , dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mat. 28:19, 20) Pra, kërkohen katër veprime. Vërtet, duhet të bëjmë dishepuj, t’i pagëzojmë dhe t’i mësojmë. Por cila është gjëja e parë fare që duhet të bëjmë? Jezui tha: «Shkoni!» Duke folur për këtë urdhër, një studiues i Biblës komentoi: «Është detyra e çdo besimtari ‘të shkojë’, qoftë kjo përmes rrugëve a përmes oqeaneve.»​—Mat. 10:7; Luka 10:3.

4. Çfarë përfshin të bëhesh ‘peshkatar njerëzish’?

4 A po fliste Jezui vetëm për përpjekjet individuale të dishepujve të tij apo e kishte fjalën për një fushatë të organizuar që të predikohej lajmi i mirë? Një individ i vetëm nuk do të ishte në gjendje të shkonte te «të gjitha kombet», prandaj kjo vepër do të kërkonte përpjekjet e organizuara të shumë njerëzve. Këtë Jezui e tregoi kur i ftoi dishepujt e tij të bëheshin «peshkatarë njerëzish». (Lexo Mateun 4:18-22.) Ai nuk po fliste këtu për atë lloj peshkimi ku një peshkatar i vetëm përdor një kallam e një karrem dhe rri kot e pret që peshku të bjerë në grep. Përkundrazi, këtu përfshihej përdorimi i rrjetave të peshkimit​—një punë e palodhur që hera-herës kërkonte përpjekjet e organizuara të shumë vetave.​—Luka 5:1-11.

5. Cilat janë katër pyetje që duan përgjigje, dhe pse?

5 Për të ditur cilët po e predikojnë sot lajmin e mirë në përmbushje të profecisë së Jezuit, duhet t’u përgjigjemi këtyre katër pyetjeve:

  • Cili duhet të jetë mesazhi i veprës së predikimit?

  • Cili motiv duhet të na shtyjë në këtë vepër?

  • Çfarë metodash duhen përdorur?

  • Çfarë shtrirje duhet të ketë vepra e predikimit dhe sa duhet të zgjatë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të na ndihmojnë jo vetëm të identifikojmë cilët po e bëjnë këtë vepër jetëshpëtuese, por edhe të forcojmë vendosmërinë për të ngulmuar besnikërisht në të.​—1 Tim. 4:16.

CILI DUHET TË JETË MESAZHI?

6. Pse mund të jesh i sigurt se Dëshmitarët e Jehovait predikojnë mesazhin e duhur?

6 Lexo Lukën 4:43. Jezui predikoi «lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë» dhe pret që të njëjtën gjë të bëjnë dishepujt e tij. Cili grup po e predikon këtë mesazh në «të gjitha kombet»? Përgjigjja është e qartë​—vetëm Dëshmitarët e Jehovait. Madje këtë fakt e pranojnë edhe disa kundërshtarë. Për shembull, një prift misionar i tha një herë një Dëshmitari se kishte jetuar në shumë vende dhe se në çdo vend i kishte pyetur Dëshmitarët çfarë mesazhi predikonin. Si i ishin përgjigjur? Prifti tha: «Ishin të gjithë kaq budallenj sa jepnin të njëjtën përgjigje: ‘Lajmin e mirë për Mbretërinë.’» Patjetër që ata Dëshmitarë nuk ishin aspak «budallenj», por flitnin në një mendje, në unitet, siç duhet të bëjnë të krishterët e vërtetë. (1 Kor.  1:10) Po i bënin jehonë mesazhit që përmban revista Kulla e Rojës lajmëron Mbretërinë e Jehovait. Kjo revistë del në 254 gjuhë dhe ka një tirazh mesatar prej gati 59 milionë kopjesh për çdo numër, çka e bën revistën më të përhapur në botë.

7. Si e dimë se kleri i krishterimit nuk po predikon mesazhin e duhur?

7 Kleri i krishterimit nuk predikon për Mbretërinë e Perëndisë. Por edhe në rastet kur flasin për Mbretërinë, shumë prej tyre e përmendin si një ndjenjë a një gjendje në zemrën e të krishterëve. (Luka 17:21) Nuk i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë se Mbretëria e Perëndisë është një qeveri qiellore që ka Mbret Jezu Krishtin, se ajo është zgjidhja për të gjitha problemet e njerëzimit dhe se së shpejti do ta zhdukë me rrënjë nga toka gjithë ligësinë. (Zbul. 19:11-21) Në vend të kësaj, preferojnë ta kujtojnë Jezuin për Krishtlindje dhe për Pashkë. Duket që nuk e kanë aspak idenë se ç’do të bëjë Jezui si Mbreti i ri i tokës. Përderisa kanë harruar mesazhin që duhej të predikonin, s’është çudi që kanë harruar edhe cili duhet të jetë motivi për të bërë këtë vepër.

CILI MOTIV DUHET TË NA SHTYJË NË KËTË VEPËR?

8. Cili është motivi i gabuar për të bërë veprën e predikimit?

8 Cili duhet të jetë motivi pse e bëjmë veprën e predikimit? Nuk duhet të jetë që të mbledhim para dhe të ndërtojmë godina madhështore. Jezui u tha dishepujve të vet: «Falas morët, falas jepni.» (Mat. 10:8) Fjala e Perëndisë nuk duhet përdorur për të vjelë fitime. (2 Kor. 2:17) Ata që predikojnë mesazhin s’duhet të përpiqen të nxjerrin përfitime personale nga vepra që bëjnë. (Lexo Veprat 20:33-35.) Pavarësisht nga ky drejtim i qartë, shumica e kishave janë shpërqendruar ngaqë mbledhin para ose ngaqë përpiqen të mbijetojnë financiarisht. U duhet të mbajnë me rrogë klerin dhe sa e sa punonjës të tjerë. Në mjaft raste, krerët e krishterimit kanë vënë pasuri përrallore.​—Zbul. 17:4, 5.

9. Si e kanë treguar Dëshmitarët e Jehovait se marrin pjesë në veprën e predikimit me motivin e duhur?

9 Po Dëshmitarët e Jehovait, çfarë shembulli kanë lënë kur është fjala për mbledhje parash? Vepra e tyre mbështetet me kontribute vullnetare. (2 Kor. 9:7) Në Sallat e tyre të Mbretërisë ose në kongrese nuk mblidhen para. Gjithsesi, vetëm vitin e fundit, Dëshmitarët e Jehovait harxhuan 1,93 miliardë orë për të predikuar lajmin e mirë dhe për të drejtuar falas çdo muaj mbi 9 milionë studime biblike. Është mahnitëse që ata jo vetëm nuk paguhen për veprën që bëjnë, por me kënaqësi i mbulojnë vetë shpenzimet e tyre. Një studiues tha për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait: «Synimi kryesor është predikimi dhe mësimdhënia. . . . Nuk kanë një klasë kleri, dhe kjo i pakëson goxha shpenzimet.» Cili është, pra, motivi që na shtyn në këtë vepër? Me pak fjalë, e bëjmë këtë vepër me vullnetin tonë, ngaqë e duam Jehovain dhe i duam njerëzit. Kjo frymë gatishmërie përmbush profecinë që gjendet te Psalmi 110:3. (Lexoje.)

ÇFARË METODASH DUHEN PËRDORUR?

Predikojmë kudo që ka njerëz (Shih paragrafin 10.)

10. Çfarë metodash përdornin për të predikuar Jezui dhe dishepujt e tij?

10 Çfarë metodash përdornin Jezui dhe dishepujt e tij për të predikuar lajmin e mirë? Ata shkonin te njerëzit kudo  që gjendeshin​—në vende publike dhe në shtëpitë e tyre. Vepra e predikimit përfshinte të kërkonin shtëpi më shtëpi ata që e meritonin. (Mat. 10:11; Luka 8:1; Vep. 5:42; 20:20) Kjo metodë sistematike tregonte paanshmëri.

11, 12. Si janë përpjekjet e krishterimit në krahasim me ato të popullit të Jehovait kur bëhet fjalë për predikimin e lajmit të mirë?

11 A kanë ndjekur kishat e krishterimit shembullin e Jezuit? Në shumicën e rasteve, anëtarët e kishave ia kanë lënë me kënaqësi çfarëdo predikimi klerit që paguhet. Por, në vend që të jenë «peshkatarë njerëzish», klerikët duket që merakosen më tepër thjesht për të mbajtur «peshqit» që kanë. Vërtet, hera-herës disa klerikë mbase përpiqen të nxitin ndonjë formë ungjillëzimi. Për shembull, në fillim të vitit 2001, papa Gjon Pali II tha në një letër: «Ndër vite i kam përsëritur shpesh thirrjet për ungjillëzimin e ri. Tani po e them prapë. . . . Duhet të rigjallërojmë te vetja bindjen e flaktë të Pavlit që thirri: ‘I mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin!’» Më tej papa tha se ky mision «nuk mund t’i lihet një grupi ‘specialistësh’, por duhet të jetë edhe përgjegjësia e gjithë pjesëtarëve të Popullit të Perëndisë». Por sa veta vallë i janë përgjigjur kësaj thirrjeje?!

12 Ç’të themi për Dëshmitarët e Jehovait? Ata janë të vetmit që predikojnë se Jezui ka qeverisur si Mbret që nga 1914-a. Siç udhëzoi Jezui, i japin përparësi veprës së predikimit. (Mar. 13:10) Në një libër thuhet: «Për Dëshmitarët e Jehovait, vepra misionare është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.» Pastaj autorja vijon duke përmendur fjalët e një Dëshmitari: «Kur takojnë njerëz të uritur, të vetmuar dhe me probleme shëndetësore, përpiqen të ndihmojnë, . . . por nuk harrojnë kurrë se detyra e tyre kryesore është të japin mesazhin se është afër fundi i kësaj bote dhe sa nevojë ka të shpëtojmë.» (Pillars of Faith—American Congregations and Their Partners) Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë ta përhapin këtë mesazh duke përdorur metodat e Jezuit dhe të dishepujve të tij.

ÇFARË SHTRIRJE DUHET TË KETË VEPRA DHE SA DUHET TË ZGJATË?

13. Çfarë shtrirje duhet të ketë vepra e predikimit?

13 Jezui tregoi çfarë shtrirje do të kishte vepra e predikimit kur tha se lajmi i mirë do të predikohej «në gjithë tokën e banuar». (Mat. 24:14) Duhen bërë dishepuj «njerëz nga të gjitha kombet». (Mat. 28:19, 20) Kjo nënkupton një vepër mbarëbotërore.

14, 15. Çfarë provash ka se Dëshmitarët e Jehovait kanë plotësuar profecinë e Jezuit për shtrirjen e veprës së predikimit? (Shih figurat hapëse.)

14 Për të kuptuar si e kanë plotësuar Dëshmitarët e Jehovait profecinë e Jezuit për shtrirjen e veprës së predikimit, le të shohim disa fakte. Në Shtetet e Bashkuara ka afro 600.000 klerikë në fetë e ndryshme, ndërkohë që numri  i Dëshmitarëve të Jehovait atje është rreth 1.200.000. Në mbarë botën, Kisha Katolike ka pak më shumë se 400.000 priftërinj. Por, sa është numri i Dëshmitarëve që marrin pjesë në veprën e predikimit për Mbretërinë të bazuar në Bibël? Anekënd botës, rreth tetë milionë vullnetarë u predikojnë njerëzve në 240 vende. Çfarë vepre e mahnitshme po kryhet​—gjithë kjo për të lëvduar dhe për të nderuar Jehovain!​—Psal. 34:1; 51:15.

15 Si Dëshmitarë të Jehovait, duam t’ua predikojmë lajmin e mirë sa më shumë njerëzve para se të vijë fundi. Ja pse jemi unikë në punën që bëjmë për të përkthyer dhe për të botuar literaturë biblike. Miliona libra, revista, fletushka dhe ftesa për kongres dhe Përkujtim janë shpërndarë falas. Kemi nxjerrë një larmi botimesh në më shumë se 700 gjuhë. Janë botuar mbi 200 milionë kopje të Shkrimeve të Shenjta​—Përkthimi Bota e Re në mbi 130 gjuhë. Vetëm vitin e fundit, shtypëm afro 4,5 miliardë botime biblike. Në sitin tonë zyrtar, ka informacione në mbi 750 gjuhë. Cili grup tjetër fetar po bën një vepër të ngjashme?

16. Nga e dimë se Dëshmitarët e Jehovait kanë frymën e Perëndisë?

16 Sa kohë do të zgjaste vepra e parathënë e predikimit? Jezui tha se kjo vepër mbarëbotërore do të vazhdonte gjatë gjithë ditëve të fundit, ‘dhe atëherë do të vinte fundi’. Cili grup tjetër fetar ka vazhduar të predikojë lajmin e mirë gjatë këtyre ditëve të fundit historike? Disa nga ata që takojmë në shërbim mund të thonë: «Ne kemi frymën e shenjtë, kurse ju po bëni veprën.» Por fakti që ia dalim të qëndrojmë në këtë vepër, a nuk dëshmon se kemi frymën e Perëndisë? (Vep. 1:8; 1 Pjet. 4:14) Herë pas here, disa grupe fetare janë përpjekur të bëjnë veprën që kryejnë rregullisht Dëshmitarët e Jehovait, por këto përpjekje zakonisht dështojnë. Të tjerë përfshihen për njëfarë kohe në aktivitete të ashtuquajtura misionare dhe pastaj i kthehen rutinës së përditshme. Ka madje edhe nga ata që ndoshta përpiqen të shkojnë shtëpi më shtëpi, por çfarë predikojnë? Përgjigjja e kësaj pyetjeje tregon qartë se nuk po bëjnë veprën që filloi Krishti.

CILËT PO E PREDIKOJNË VËRTET LAJMIN E MIRË SOT?

17, 18. (a) Pse mund të jemi të sigurt se ata që po predikojnë sot lajmin e mirë për Mbretërinë janë Dëshmitarët e Jehovait? (b) Si arrijmë të qëndrojmë në këtë vepër?

17 Pra, cilët po e predikojnë vërtet sot lajmin e mirë për Mbretërinë? Mund të themi me plot gojën: «Dëshmitarët e Jehovait.» Pse mund të jemi kaq të sigurt? Sepse po predikojmë mesazhin e duhur, lajmin e mirë për Mbretërinë. Gjithashtu, po përdorim metodat e duhura, duke shkuar te njerëzit. Veprën e predikimit e bëjmë me motivin e duhur, që është dashuria, jo përfitimi financiar. Vepra jonë ka shtrirjen më të madhe, pasi u dëshmojmë njerëzve të të gjitha kombeve e gjuhëve. E do të vazhdojmë ta bëjmë këtë vepër pareshtur, vit pas viti, derisa të vijë fundi.

18 Mahnitemi nga ajo që po bën populli i Perëndisë në këto kohë emocionuese. Por si arrihet e gjithë kjo? Përgjigjen na e jep apostulli Pavël në letrën drejtuar filipianëve: «Perëndia është ai që, në saje të pëlqimit të tij, po vepron brenda jush [po ju fuqizon], me qëllim që të keni vullnet dhe të veproni.» (Filip. 2:13) Le të vazhdojmë të marrim fuqi të gjithë nga Ati ynë i dashur, ndërsa japim më të mirën dhe e kryejmë plotësisht shërbimin tonë.​—2 Tim. 4:5.