«Shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj.»—ROM. 12:2.

KËNGËT: 61, 52

1-3. (a) Cilat ndryshime mund të na duken të vështira pas pagëzimit? (b) Cilat pyetje mund të na lindin kur përparimi ynë është më i vështirë nga ç’e pritnim? (Shih figurat hapëse.)

PASI mësoi të vërtetën, Kevini [1] donte me gjithë shpirt të kishte një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. Mirëpo, për shumë vjet ishte marrë me bixhoz, kishte pirë duhan, ishte dhënë pas pijes dhe kishte abuzuar me drogën. Për të pasur miratimin e Perëndisë, duhej të hiqte dorë nga këto praktika jobiblike. Kevini e bëri këtë duke u mbështetur te Jehovai dhe te fuqia transformuese e Fjalës së Tij të shkruar.​—Hebr. 4:12.

2 Ai u pagëzua, por a morën fund me kaq ndryshimet që bëri në jetë? Jo, se i duhej të punonte akoma për të kultivuar dhe për të rafinuar cilësitë e krishtere. (Efes. 4:31, 32) Për shembull, vërejti se ishte çuditërisht e vështirë të mbante nën kontroll temperamentin gjaknxehtë. Kevini pranoi: «E pata vërtet më të zorshme të mësoja të mbaja nën kontroll temperamentin sesa të hiqja dorë nga veset e vjetra.» Me anë të lutjeve të zjarrta dhe  studimit intensiv të Biblës, ai i bëri ndryshimet e nevojshme.

3 Sikurse Kevini, shumë prej nesh na u desh të bënim ndryshime goxha të mëdha para se të pagëzoheshim, që ta përputhnim jetën me kërkesat bazë të Biblës. Pas pagëzimit, dalluam se duhej të vazhdonim të ndreqeshim​—të bënim ndryshime më të holla—​për t’i imituar më mirë Perëndinë dhe Krishtin. (Efes. 5:1, 2; 1 Pjet. 2:21) Për shembull, mbase kemi pikasur te vetja një frymë kritike, frikë nga njeriu, prirje për t’u marrë me thashetheme të dëmshme a ndonjë dobësi tjetër. A ka qenë më e vështirë nga ç’e pritnim të bënim përparim në këtë pikë? Nëse po, ndoshta vret mendjen: «Kam bërë tashmë ndryshime të mëdha. Pse xhanëm e kam kaq të vështirë të vazhdoj të bëj rregullime më të vogla? Si mund të përparoj më tej duke e lejuar Biblën të më ndryshojë jetën?»

JI REALIST NË ATË QË PRET

4. Pse nuk jemi në gjendje t’i pëlqejmë Jehovait në çdo gjë që bëjmë?

4 Ne që kemi arritur ta njohim dhe ta duam Jehovain dëshirojmë me gjithë zemër të bëjmë çka i pëlqen atij. Por sado e flaktë të jetë kjo dëshirë, gjendja jonë e papërsosur na e bën të pamundur t’i pëlqejmë Perëndisë në çdo moment. Ndodhemi në të njëjtën situatë si apostulli Pavël, që shkroi se ‘donte të bënte atë që është e shkëlqyer’, por ‘nuk kishte aftësinë ta bënte këtë’.​—Rom. 7:18; Jak. 3:2.

5. Çfarë ndryshimesh bëmë para se të pagëzoheshim, por me cilat dobësi mund të vazhdojmë të luftojmë ende?

5 I kemi flakur tej praktikat mëkatare që do të na bënin të padenjë të ishim pjesëtarë të kongregacionit të krishterë. (1 Kor. 6:9, 10) Ama jemi ende të papërsosur. (Kolos. 3:9, 10) Prandaj nuk është realiste të presim që pas pagëzimit​—a madje edhe pas shumë vjetësh në të vërtetën—​të mos gabojmë më, të mos biem më në një dobësi ose të mos luftojmë më me motivet dhe dëshirat e gabuara. Disa prirje mund të vazhdojnë për vite të tëra.

6, 7. (a) Nga se bëhet e mundur të jemi miq me Jehovain ndonëse jemi të papërsosur? (b) Pse nuk duhet të ngurrojmë t’i kërkojmë falje Jehovait?

6 Papërsosmëria e trashëguar nuk ka pse të na pengojë të gëzojmë miqësi me Jehovain ose të vazhdojmë t’i shërbejmë. Mendo pak për këtë: kur na tërhoqi që të lidhnim miqësi me të, Jehovai e dinte se hera-herës do të gabonim. (Gjoni 6:44) Përderisa i njeh vetitë tona dhe atë që kemi në zemër, patjetër që Perëndia e dinte mirë me ç’lloj prirjesh të papërsosura do të luftonim më tepër. E dinte edhe se ndonjëherë nuk do të vepronim siç duhet. Prapëseprapë, kjo nuk e pengoi Jehovain të donte të na kishte miq.

7 Dashuria e shtyu Perëndinë të na jepte një dhuratë shumë të çmuar​—flijimin shpërblyes të Birit të tij të shtrenjtë. (Gjoni 3:16) Nëse gabojmë, e pastaj pendohemi dhe i kërkojmë falje Jehovait në bazë të kësaj mase tejet të vyer, mund të jemi plotësisht të sigurt se miqësia me të nuk është dëmtuar. (Rom. 7:24, 25; 1 Gjon. 2:1, 2) A duhet të ngurrojmë që të përfitojmë prej dobive të shpërblesës ngaqë ndihemi të papastër ose mëkatarë? Pa diskutim që jo! Kjo do të ishte si të mos pranonim të përdornim ujë për të larë duart kur janë pis. Tekefundit, shpërblesa është siguruar për mëkatarët e penduar. Pra, falë saj mund të gëzojmë miqësinë me Jehovain edhe pse jemi të papërsosur.​—Lexo 1 Timoteut 1:15.

8. Pse nuk duhet të mbyllim një sy para dobësive tona?

8 Sigurisht, ne nuk mbyllim një sy para dobësive tona. Për të kultivuar miqësi me Jehovain, duhet të bëjmë çmos t’i  imitojmë më mirë Perëndinë dhe Krishtin dhe të jemi ai lloj njeriu që duan ata. (Psal. 15:1-5) Duhet edhe të përpiqemi t’i mbajmë nën kontroll prirjet e papërsosura, madje t’i çrrënjosim fare po të jetë e mundur. Pavarësisht nëse jemi pagëzuar kohët e fundit apo jemi në të vërtetën prej shumë vjetësh, duhet ‘të vazhdojmë të ndreqemi’.​—2 Kor. 13:11.

9. Nga e dimë se mund të vazhdojmë të veshim personalitetin e ri?

9 Kërkohen përpjekje të vazhdueshme që ‘të ndreqemi’ dhe të shfaqim «personalitetin e ri». Pavli u kujtoi bashkëbesimtarëve: «Ju mësuat që të flakni tej personalitetin e vjetër, që ishte në përputhje me mënyrën e mëparshme të sjelljes suaj dhe që është korruptuar sipas dëshirave të tij mashtruese, [të vazhdoni] të rinoheni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj dhe të vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.» (Efes. 4:22-24) Shprehja «vazhdoni të rinoheni» nënkupton se veshja e personalitetit të ri është një proces i vazhdueshëm. Kjo na jep zemër, sepse na siguron se sado kohë të kemi që i shërbejmë Jehovait, mund të vazhdojmë të përparojmë për të kultivuar e rafinuar cilësitë e krishtere që formojnë personalitetin e ri. Po, Bibla mund të vazhdojë të na e ndryshojë jetën.

PSE ËSHTË KAQ E VËSHTIRË?

10. Çfarë duhet të bëjmë që të vazhdojmë të ndryshojmë me ndihmën e Biblës, dhe cilat pyetje mund të na lindin?

10 Duhet të mundohemi me mish e me shpirt për ta lejuar Fjalën e Perëndisë që të vazhdojë të na ndryshojë. Po pse duhet të bëjmë përpjekje të tilla? Nëse përpjekjet tona i bekon Jehovai, a nuk duhet të jetë më i lehtë përparimi? A nuk është e mundur që Jehovai thjesht t’i eliminojë prirjet tona të gabuara deri në atë pikë sa t’i shfaqim cilësitë hyjnore me përpjekje minimale?

11-13. Pse pret Jehovai të bëjmë përpjekje për të mposhtur dobësitë tona?

11 Kur meditojmë për universin fizik, e kemi të qartë se Jehovai ka fuqi të jashtëzakonshme. Për shembull, çdo sekondë dielli shndërron në energji pesë milionë tonë nga materia e tij. Ndonëse vetëm një pjesë e vogël e kësaj energjie kalon përmes atmosferës së planetit tonë, ajo mjafton që të sigurojë ngrohtësinë dhe dritën e nevojshme për jetën në tokë. (Psal. 74:16; Isa. 40:26) Jehovai u jep me kënaqësi fuqinë e duhur edhe shërbëtorëve të tij në tokë kur kanë nevojë. (Isa. 40:29) Madje Perëndia mund të na jepte fuqinë të mposhtnim çdo dobësi pa na u dashur të luftonim ose të mësonim nga gabimet tona. Pse nuk e bën këtë?

12 Jehovai na ka dhënë një dhuratë të pashoqe, vullnetin e lirë. Kur zgjedhim të kryejmë vullnetin e tij dhe punojmë fort për këtë, tregojmë sa e thellë është dashuria jonë për Jehovain dhe sa shumë duam ta kënaqim. Tregojmë edhe se mbështetim sovranitetin e tij. Satanai ka sfiduar të drejtën e Jehovait për të qenë Sovrani. Prandaj s’ka dyshim se përpjekjet që bëjmë me dëshirë dhe me tërë forcat për ta përkrahur sovranitetin e Tij, janë veçanërisht të çmuara për Atin tonë qiellor dashamirës dhe mirënjohës. (Jobi 2:3-5; Prov. 27:11) Megjithatë, sikur Jehovai të na e kursente mundimin për t’i luftuar prirjet e papërsosura që ta kënaqim, do të ishte një pohim bosh të thoshim se jemi besnikë dhe përkrahim sovranitetin e tij.

13 Ja pse Jehovai na thotë të bëjmë «përpjekje të zellshme» për të kultivuar cilësi që i pëlqejnë. (Lexo 2 Pjetrit 1:5-7; Kolos. 3:12) Ai pret nga ne të punojmë fort për t’i mbajtur nën kontroll mendimet dhe ndjenjat. (Rom. 8:5; 12:9) Pasi përpiqemi  me gjithë shpirt për këtë, ndihemi edhe më të kënaqur kur kuptojmë se Bibla po na e ndryshon akoma jetën.

LEJOJE FJALËN E PERËNDISË TË VAZHDOJË TË TË NDRYSHOJË

14, 15. Ç’mund të bëjmë për të kultivuar cilësi që i pëlqejnë Jehovait? (Shih kutinë « Bibla dhe lutjet ua ndryshuan jetën».)

14 Ç’mund të bëjmë që të kultivojmë cilësi hyjnore dhe t’i pëlqejmë Jehovait? S’është puna që thjesht të fillojmë një program për të përmirësuar veten. Duhet të vazhdojmë të bëjmë përpjekje të zellshme dhe të ndjekim udhëzimet e Perëndisë, sepse te Romakëve 12:2 thuhet: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote, por shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj, që të vërtetoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.» Me anë të Fjalës së tij dhe frymës së shenjtë, Jehovai na ndihmon të dallojmë vullnetin e tij, ta kryejmë dhe ta ndryshojmë jetën aq sa nevojitet për të plotësuar kërkesat e tij. Përpjekjet tona duhet të përfshijnë gjëra të tilla, si leximi i përditshëm i Biblës, meditimi rreth Shkrimeve dhe lutjet për frymën e shenjtë. (Luka 11:13; Gal. 5:22, 23) Ndërsa i nënshtrohemi drejtimit të frymës së shenjtë të Perëndisë dhe i përputhim mendimet tona me pikëpamjen e Jehovait që zbulohet në Fjalën e tij, mendimet, fjalët dhe veprimet tona do të jenë më të pëlqyeshme për të. Por, edhe atëherë duhet të qëndrojmë vigjilentë që të mos u dorëzohemi dobësive specifike që kemi.​—Prov. 4:23.

Mund të jetë e dobishme të mbledhësh dhe të rishqyrtosh shkrime dhe artikuj që lidhen me dobësitë e tua (Shih paragrafin 15.)

15 Përveçse ta lexojmë Fjalën e Perëndisë çdo ditë, duhet edhe ta studiojmë me ndihmën e botimeve tona, që të imitojmë cilësitë e mrekullueshme të Jehovait. Ka shkrime dhe artikuj nga Kulla e Rojës ose Zgjohuni! që janë veçanërisht të dobishëm për të kultivuar cilësi të krishtere a për të mposhtur dobësi të caktuara. Disave u duket praktike t’i mbledhin dhe t’i rishqyrtojnë herë pas here këto.

16. Pse nuk duhet të shkurajohemi nëse nuk arrijmë të bëjmë ndryshime shpejt?

16 Nëse përparimi yt duket i ngadaltë, mos harro se një rritje e tillë kërkon kohë. Kultivimi i cilësive të krishtere është një proces i vazhdueshëm. Duhet të jemi të duruar teksa bëjmë çmos ta lejojmë Biblën të vazhdojë të na e ndryshojë për mirë jetën. Në fillim mund të na duhet të disiplinojmë veten për të bërë atë që është e drejtë sipas Shkrimeve. Mirëpo me kohë, ndërsa mendimet dhe veprimet tona harmonizohen gjithnjë e më shumë me ato të Perëndisë Jehova, ka shumë të ngjarë ta kemi më kollaj e të na vijë më natyrshëm të mendojmë e të veprojmë siç i pëlqen atij.​—Psal. 37:31; Prov. 23:12; Gal. 5:16, 17.

 MBAJ NË MEND TË ARDHMEN E SHKËLQYER QË NA PRET

17. Cila e ardhme e bukur na pret nëse jemi besnikë ndaj Jehovait?

17 Me kohë, adhuruesit besnikë të Jehovait do të kenë privilegjin t’i shërbejnë përgjithmonë atij si të përsosur. Atëherë nuk do të jetë më një luftë të shfaqim cilësitë që i pëlqejnë Perëndisë, por do të jetë një kënaqësi e thellë. Ndërkohë, falë shpërblesës, na është hapur rruga që të adhurojmë Perëndinë tonë të dashur. Ndonëse të papërsosur, mund ta bëjmë këtë po të vazhdojmë të përpiqemi pa u lodhur që të modelohemi nga fuqia transformuese e Fjalës së tij.

18, 19. Si mund të jemi të sigurt se Bibla ka fuqi të vazhdojë të na e ndryshojë jetën?

18 Kevini, që u përmend më sipër, bëri çmos ta mbante nën kontroll temperamentin e tij. Ai meditoi rreth parimeve të Biblës e i zbatoi, si edhe pranoi ndihmën dhe këshillat e bashkëbesimtarëve. Brenda pak vjetësh, bëri goxha përmirësime. Me kalimin e kohës, Kevini u kualifikua që të emërohej shërbëtor ndihmës dhe 20 vitet e fundit ka shërbyer si plak kongregacioni. Prapëseprapë, ai e kupton se duhet të qëndrojë syçelë që të mos bjerë përsëri para ndonjë dobësie.

19 Përvoja e Kevinit tregon se Bibla i ndihmon shërbëtorët e Perëndisë të vazhdojnë të bëjnë ndryshime pozitive në jetë. Prandaj, le të mos dorëzohemi, por ta lejojmë Fjalën e Perëndisë që të vazhdojë të na transformojë dhe të na e thellojë miqësinë me Jehovain. (Psal. 25:14) Teksa shohim si i bekon Jehovai përpjekjet tona, do të kemi prova të qarta se Bibla mund të vazhdojë të na e ndryshojë jetën.​—Psal. 34:8.

^ [1] (paragrafi 1) Emri është ndryshuar.