Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 ARTIKULLI I STUDIMIT 30

T’u prekim zemrën njerëzve jofetarë

T’u prekim zemrën njerëzve jofetarë

«Jam bërë çdo gjë për njerëz të çdo lloji, që medoemos të shpëtoj disa.»​—1 KOR. 9:22.

KËNGA 82 «Le të ndriçojë drita juaj»

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë ndryshimi ka ndodhur dekadat e fundit në disa vende?

PËR mijëra vjet, pjesa më e madhe e njerëzimit i përkiste ndonjë besimi fetar. Por dekadat e fundit ka ndodhur një ndryshim kolosal. Gjithnjë e më shumë njerëz nuk e konsiderojnë veten fetarë. Në fakt, në disa vende, shumica e popullsisë thonë se nuk janë fetarë. *Mat. 24:12.

2. Cilat janë disa arsye pse kaq shumë veta janë jofetarë?

2 Pse gjithnjë e më shumë njerëz e konsiderojnë veten jofetarë? * Disa mund të jenë të shpërqendruar nga kënaqësitë ose nga ankthet e jetës. (Luka 8:14) Disa janë bërë ateistë. Të tjerë besojnë te Perëndia, por mendojnë se feja është jashtë mode, nuk është më praktike dhe bie ndesh me shkencën e logjikën. Mbase dëgjojnë shokët, mësuesit ose personalitetet e medias që thonë se jeta evoluoi, ama rrallë dëgjojnë arsye logjike për të besuar te Perëndia. Të tjerë janë të neveritur nga krerët fetarë që lakmojnë para e pushtet. Dhe në disa vende, qeveritë kanë nxjerrë ligje që kufizojnë aktivitetet fetare.

3. Cili është qëllimi i këtij artikulli?

3 Jezui pret që ne ‘të bëjmë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’. (Mat. 28:19) Si mund t’i ndihmojmë njerëzit jofetarë të mësojnë të duan Perëndinë dhe të bëhen dishepuj të Krishtit? Duhet të kuptojmë se reagimi i dikujt ndaj  mesazhit tonë mund të varet nga vendi ku është rritur. Për shembull, dikush nga Evropa mund të reagojë ndryshe nga njerëzit me prejardhje nga Azia. Pse? Në Evropë, shumë veta dinë diçka për Biblën dhe e njohin idenë se Perëndia ka krijuar gjithçka. Kurse në Azi, shumica dinë pak ose asgjë për Biblën dhe mbase nuk besojnë se ka një Krijues. Qëllimi i këtij artikulli është të na ndihmojë t’u prekim zemrën të gjithë atyre që takojmë në shërbim, pavarësisht se ç’prejardhje kanë ose çfarë besojnë.

MBAJ NJË QËNDRIM POZITIV

4. Pse është e mundur të mbajmë një qëndrim pozitiv?

4 Ji pozitiv. Çdo vit, mes atyre që bëhen Dëshmitarë të Jehovait ka njerëz që ishin jofetarë. Shumë nga ata kishin tashmë norma të larta morale dhe ndienin neveri për hipokrizinë fetare. Të tjerë kishin norma të ulëta morale dhe shumë prej tyre kishin vese që duhej t’i hiqnin. Mund të jemi të sigurt se, me ndihmën e Jehovait, do t’i gjejmë ata që janë «të prirur për jetën e përhershme».—Vep. 13:48; 1 Tim. 2:3, 4.

Ji elastik kur u dëshmon atyre që janë skeptikë për Biblën (Shih paragrafët 5-6) *

5. Çfarë i shtyn shpesh njerëzit të reagojnë mirë ndaj mesazhit tonë?

5 Ji mirëdashës dhe me takt. Shpesh, njerëzit reagojnë mirë ndaj mesazhit tonë, jo për shkak të asaj që themi, por për shkak të mënyrës si e themi. Ndihen mirë kur u flasim me mirëdashje e me takt dhe interesohemi sinqerisht për ta. Ne nuk i detyrojmë njerëzit të dëgjojnë pikëpamjen tonë. Në vend të kësaj, përpiqemi të kuptojmë arsyet pse kanë atë opinion për fenë. Për shembull, disa nuk kanë qejf të flasin për fenë me një të panjohur. Të tjerëve u duket e çuditshme ose mungesë edukate ta pyesësh dikë se çfarë mendon për Perëndinë. Të tjerë akoma e kanë siklet t’i shohin duke lexuar Biblën, sidomos me një Dëshmitar të Jehovait. Cilado qoftë arsyeja, përpiqemi t’i kuptojmë ndjenjat e tyre.—2 Tim. 2:24.

6. Si tregoi apostulli Pavël se dinte të përshtatej, dhe si mund ta imitojmë?

6 Ç’mund të bëjmë nëse duket se dikush bezdiset kur ne përdorim fjalë të tilla si: «Bibla», «krijimi», «Zoti» ose «feja»? Mund të imitojmë apostullin Pavël dhe të përshtatim mënyrën si u flasim. Kur fliste me judenjtë, Pavli arsyetonte nga Shkrimet. Por, kur foli me filozofët grekë në Areopag, nuk e përmendi se po citonte Biblën. (Vep. 17:2, 3, 22-31) Si mund të imitojmë shembullin e Pavlit? Nëse takon dikë që nuk e pranon Biblën, mund të jetë më mirë të mos përmendësh se po citon Shkrimet kur arsyeton me të. Nëse e kupton se dikujt ndoshta s’i pëlqen që ta shohin duke lexuar Biblën me ty, përpiqu t’ia tregosh shkrimet në një mënyrë që s’bie në sy, për shembull nga një pajisje elektronike.

7. Ç’mund të na duhet të bëjmë për të imituar shembullin e Pavlit të përshkruar te 1 Korintasve 9:20-23?

7 Ji mirëkuptues dhe dëgjo. Duhet të përpiqemi të kuptojmë faktorët që kanë ndikuar te mendimet dhe ndjenjat e atyre që takojmë. (Prov. 20:5) Mendo për shembullin e Pavlit. Ai u rrit mes judenjve. Me siguri i është dashur të përshtatej kur u predikonte jojudenjve që dinin pak ose asgjë për Jehovain dhe për Shkrimet. Mund të na duhet të bëjmë kërkime ose të konsultohemi me lajmëtarë me përvojë, që të kuptojmë më mirë si ndihen  dhe çfarë mendojnë njerëzit në territorin tonë.—Lexo 1 Korintasve 9:20-23.

8. Cila është një mënyrë për të hapur biseda rreth Biblës?

8 Synimi ynë është të gjejmë ata që ‘e meritojnë’. (Mat. 10:11) Për ta arritur këtë, duhet t’i ftojmë njerëzit të shprehin mendimin e tyre dhe pastaj t’i dëgjojmë me vëmendje. Një vëlla në Angli u kërkon njerëzve opinionin për pyetjet: «Si të kemi një martesë të lumtur?» «Si mund t’i rritim fëmijët?» ose «Si t’i përballojmë padrejtësitë?» Pasi dëgjon mendimin e tyre, thotë: «Çfarë mendoni për këtë këshillë që u shkrua afro 2.000 vjet më parë?» Pastaj, pa përmendur fjalën «Bibël», u tregon nga celulari i tij shkrime të zgjedhura me kujdes.

PREKU ZEMRËN NJERËZVE

9. Si mund ta ndihmojmë dikë që zakonisht i shmang bisedat rreth Perëndisë?

9 Njerëzve që zakonisht i shmangin bisedat rreth Perëndisë, mund t’ua prekim zemrën duke u folur për diçka që u intereson. Për shembull, shumë veta mrekullohen me natyrën. Ndaj mund të themi diçka të tillë: «Dihet se shumë shpikje janë bërë ngaqë shkencëtarët kanë kopjuar gjëra që ekzistojnë në natyrë. Për shembull, projektuesit e mikrofonave studiojnë veshin, dhe projektuesit e aparateve fotografike studiojnë syrin. Po ju si e mendoni natyrën: si një forcë të mrekullueshme, si një person apo si diçka tjetër?» Pasi e dëgjojmë me vëmendje, mund të shtojmë: «Meqë inxhinierët mësojnë nga mënyra si janë projektuar veshët dhe sytë, mbase pyesim veten nga kush po mësojnë. M’u dukën goxha interesante këto fjalë të një poeti të lashtë: ‘Ai që formoi veshin, vallë nuk mund të dëgjojë? Ai që bëri syrin, vallë nuk mund të shikojë? . . . Ai . . . u jep njerëzve njohuri!’ Edhe disa shkencëtarë kanë arritur në këtë përfundim.» (Psal. 94:9, 10) Pastaj mund t’u tregojmë një video nga siti jw.org® tek «Intervista dhe përvoja» në serinë «Pikëpamje rreth origjinës së jetës». (Shko te BOTIME > VIDEO.) Ose mund t’u japim një nga broshurat A u krijua jeta? dhe Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh.

10. Si mund ta hapim bisedën me dikë që nuk ka qejf të flasë për Perëndinë?

10 Shumica e njerëzve duan me gjithë zemër një të ardhme më të mirë. Mirëpo, mjaft veta kanë frikë se toka do të  shkatërrohet ose do të bëhet e pabanueshme. Një mbikëqyrës udhëtues në Norvegji thotë se njerëzit që nuk kanë qejf të flasin për Perëndinë, shpesh flasin me dëshirë për kushtet në botë. Pasi i përshëndet, ai thotë: «Si mendoni, a do të kemi një të ardhme më të mirë? Nga kush mund ta presim këtë: nga politikanët, nga shkencëtarët apo nga dikush tjetër?» Pasi dëgjon me vëmendje, vëllai lexon ose citon një shkrim që flet për një të ardhme më të mirë. Disa i bën për vete premtimi i Biblës se toka do të ekzistojë përgjithmonë dhe se njerëzit e mirë do të jetojnë në të pafundësisht.—Psal. 37:29; Ekl. 1:4.

11. Pse duhet të përdorim mënyra të ndryshme për të filluar biseda, dhe si mund ta imitojmë shembullin e Pavlit, që përshkruhet te Romakëve 1:14-16?

11 Bëjmë mirë të përdorim mënyra të ndryshme për të filluar biseda me ata që takojmë. Pse? Sepse çdo njeri është unik. Çfarë i pëlqen njërit, mund t’i duket ofenduese tjetrit. Disa nuk e kanë problem të flasin për Perëndinë ose për Biblën, kurse të tjerë reagojnë më mirë nëse flasim në fillim për tema të tjera. Sido që të jetë, duhet të shfrytëzojmë mundësinë për të folur me njerëz të çdo lloji. (Lexo Romakëve 1:14-16.) Patjetër, nuk harrojmë se është Jehovai ai që e bën të rritet të vërtetën në zemrën e njerëzve të prirur nga drejtësia.—1 Kor. 3:6, 7.

SI T’U FLASIM PËR TË VËRTETËN NJERËZVE NGA AZIA

Shumë lajmëtarë të Mbretërisë shfaqin interes për njerëz nga vende jo të krishtere dhe u flasin për mençurinë praktike që gjendet në Bibël (Shih paragrafët 12-13)

12. Si mund t’i ndihmojmë njerëzit nga vendet aziatike që nuk kanë menduar kurrë nëse ka një Krijues?

12 Përreth botës, shumë lajmëtarë takojnë njerëz nga shtete të Azisë. Disa vijnë nga vende ku qeveria i ka kufizuar aktivitetet fetare. Në mjaft vende aziatike, shumë veta nuk kanë menduar kurrë seriozisht nëse ka një Krijues. Disa janë kureshtarë dhe pranojnë kur u ofrojmë drejtpërdrejt të studiojnë Biblën, por të tjerë në fillim ngurrojnë të eksplorojnë ide të reja. Si mund t’i ndihmojmë? Disa lajmëtarë me përvojë kanë sukses ngaqë hapin një bisedë miqësore, shfaqin interes për dëgjuesin dhe, kur është e përshtatshme, tregojnë si u përmirësua jeta e tyre kur filluan të zbatonin një parim të Biblës.

13. Çfarë mund t’i tërheqë njerëzit drejt Biblës? (Shih figurën e kopertinës.)

13 Shumë veta në fillim i tërheq mençuria praktike e Biblës. (Ekl. 7:12) Në Nju-Jork, një motër që u predikon atyre që flasin gjuhën kineze mandarin, thotë: «Përpiqem të tregoj interes për ta dhe t’i dëgjoj. Nëse marr vesh që janë emigrantë të sapoardhur, mund t’i pyes: ‘Po përshtateni këtu? A keni gjetur punë? A ju trajtojnë mirë vendasit?’» Ndonjëherë kjo hap rrugën që t’u flasë për një mësim të Biblës. Kur është e përshtatshme, motra shton: «Sipas jush, cili është çelësi për të shkuar mirë me të tjerët? A mund t’ju tregoj një proverb nga Bibla? Ja ç’thotë: ‘Fillimi i grindjes është sikur t’u çelësh rrugë ujërave; largohu, pra, përpara se të plasë sherri.’ Si mendoni, a mund të na ndihmojë kjo këshillë të shkojmë mirë me të tjerët?» (Prov. 17:14) Biseda të tilla mund të na ndihmojnë të dallojmë cilët do të donin të mësonin më shumë.

14. Si i ndihmon një vëlla në Lindjen e Largme ata që thonë se nuk besojnë te Perëndia?

14 Po ata që na thonë se nuk besojnë te Perëndia, si mund t’i ndihmojmë? Një vëlla që u predikon prej vitesh njerëzve jofetarë në Lindjen e Largme, shpjegon: «Normalisht, kur dikush këtu thotë ‘nuk  besoj te Perëndia’, nënkupton se nuk beson tek adhurimi i perëndive që adhurojnë shumica në këtë zonë. Prandaj zakonisht u them se jam dakord që thuajse gjithë perënditë i kanë shpikur njerëzit dhe nuk janë realë. Shpesh u lexoj Jereminë 16:20: ‘A mund të bëjë njeriu për veten e tij perëndi, kur ato nuk janë të tilla?’ Pastaj i pyes: ‘Si mund ta dallosh një perëndi real nga perënditë që kanë shpikur njerëzit?’ Pasi i dëgjoj me vëmendje, u lexoj Isainë 41:23: ‘Tregoni gjërat që do të vijnë më pas, që të kuptojmë se jeni perëndi.’ Më tej u tregoj një shembull se si Jehovai ka parathënë të ardhmen.»

15. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i një vëllai në Azinë Lindore?

15 Një vëlla në Azinë Lindore përdor këtë metodë kur bën rivizita. Ai thotë: «U tregoj shembuj të mençurisë së Biblës, të profecive të saj që janë plotësuar dhe të ligjeve që drejtojnë universin. Pastaj u them se të gjitha këto dëshmojnë që ka një Krijues të gjallë e të mençur. Kur dikush e pranon se mund të ketë Zot, i tregoj diçka nga Bibla për Jehovain.»

16. Sipas Hebrenjve 11:6, pse studentët kanë nevojë të kenë besim te Perëndia e te Bibla, dhe si mund t’i ndihmojmë ta zhvillojnë besimin?

16 Kur studiojmë Biblën me njerëz jofetarë, duhet t’ua forcojmë vazhdimisht besimin se Perëndia ekziston. (Lexo Hebrenjve 11:6.) Veç kësaj, duhet t’i ndihmojmë të zhvillojnë besim te Bibla. Kjo mund të kërkojë t’ua përsëritim shumë herë disa të vërteta. Çdo herë që studiojmë me ta, mund të na duhet të shqyrtojmë prova se Bibla është Fjala e Perëndisë. Kjo mund të përfshijë të flasim shkurtimisht për profecitë e Biblës që janë plotësuar, për saktësinë shkencore dhe historike ose për mençurinë e saj praktike.

17. Si mund të ndikojë te njerëzit dashuria që u shfaqim?

17 I ndihmojmë njerëzit të bëhen dishepuj të Krishtit duke u shfaqur dashuri, qofshin fetarë ose jo. (1 Kor. 13:1) Teksa i mësojmë, synimi ynë është t’u tregojmë se Perëndia i do dhe dëshiron që ta duan edhe ata. Çdo vit pagëzohen mijëra veta që dikur kishin pak ose aspak interes për fenë, sepse kanë mësuar të duan Perëndinë. Prandaj ji pozitiv dhe shfaq dashuri e interes për çdo lloj njeriu. Dëgjoji me vëmendje. Përpiqu t’i kuptosh. Mësoji me anë të shembullit tënd të bëhen dishepuj të Krishtit.

KËNGA 76 Çfarë ndien kur predikon?

^ par. 5 Sot takojmë më shpesh se kurrë njerëz jofetarë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund t’ua japim të vërtetën e Biblës dhe si t’i ndihmojmë të zhvillojnë besim te Bibla dhe te Perëndia Jehova.

^ par. 1 Sipas sondazheve, ndër këto vende janë: Australia, Austria, Azerbajxhani, Danimarka, Franca, Gjermania, Irlanda, Izraeli, Japonia, Holanda, Hong-Kongu, Kanadaja, Kina, Koreja e Jugut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Republika Çeke, Spanja, Suedia, Shqipëria, Vietnami dhe Zvicra.

^ par. 2 SHPJEGIMI I FJALËS: Në këtë artikull, fjala jofetarë nënkupton ose ata që nuk i përkasin një feje, ose ata që nuk besojnë te Perëndia.

^ par. 54 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla i jep dëshmi një kolegu në spital, i cili më vonë eksploron sitin tonë jw.org.