Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 ARTIKULLI I STUDIMIT 27

Përgatitu tani për përndjekjen

Përgatitu tani për përndjekjen

«Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim hyjnor në unitet me Krishtin Jezu, do t’i përndjekin.»​—2 TIM. 3:12.

KËNGA 129 Të fortë do të qëndrojmë!

PËRMBLEDHJE *

1. Pse kemi nevojë të përgatitemi për përndjekjen?

NATËN para se të vdiste, Zotëria ynë, Jezui, tha se bota do t’i urrente të gjithë ata që zgjidhnin të bëheshin dishepuj të tij. (Gjoni 17:14) Deri sot e kësaj dite, të krishterët besnikë janë përndjekur nga ata që i kundërvihen adhurimit të Jehovait. (2 Tim. 3:12) Ndërsa afrohet fundi i këtij sistemi, presim që armiqtë tanë të na kundërvihen akoma më shumë.—Mat. 24:9.

2-3. (a) Çfarë duhet të mbajmë parasysh për frikën? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Si mund të përgatitemi tani për përndjekjen? S’ka nevojë të imagjinojmë gjithë gjërat që mund të na ndodhin. Po ta bëjmë këtë, mund të na mbytë frika dhe ankthi. Kështu mund të lejojmë të na mposhtin rreziqet e imagjinuara që para se të hasim vërtet ndonjë sprovë. (Prov. 12:25; 17:22) Frika është një armë e fuqishme që ‘kundërshtari ynë, Djalli’, përpiqet ta përdorë kundër nesh. (1 Pjet. 5:8, 9) Çfarë mund të bëjmë tani që të jemi më të fortë?

3 Në këtë artikull, do të shqyrtojmë si ta forcojmë lidhjen me Jehovain dhe pse është jetësore ta bëjmë këtë tani. Do të shohim edhe çfarë mund të bëjmë që të marrim më shumë guxim. Në fund do të shqyrtojmë si t’i bëjmë ballë urrejtjes së kundërshtarëve.

SI TA FORCOSH LIDHJEN ME JEHOVAIN

4. Sipas Hebrenjve 13:5, 6, për çfarë duhet të jemi të bindur, dhe pse?

4 Ji i bindur se Jehovai të do dhe s’ka për të të braktisur kurrë. (Lexo Hebrenjve 13:5, 6.) Shumë vite më parë, Kulla e Rojës thoshte: «Ai që e njeh Perëndinë më mirë, do të ketë besim më të madh tek ai në kohë sprove.» Sa e vërtetë!  Që ta përballojmë me sukses përndjekjen, duhet ta duam Jehovain e t’i besojmë plotësisht, pa dyshuar kurrë se ai na ka për zemër.—Mat. 22:36-38; Jak. 5:11.

5. Çfarë do të të ndihmojë ta ndiesh dashurinë që ka Jehovai për ty?

5 Lexoje Biblën çdo ditë me synimin që të afrohesh më shumë me Jehovain. (Jak. 4:8) Ndërsa e lexon, përqendrohu te ndjenjat e ngrohta të Jehovait. Ndieje si shprehet dashuria dhe përzemërsia e tij në gjërat që thotë e që bën. (Dal. 34:6) Disa mund ta kenë të vështirë ta besojnë se Perëndia i do ngaqë nuk u është treguar kurrë dashuri. Nëse ndihesh kështu, përpiqu të bësh çdo ditë një listë të mënyrave si të ka treguar mëshirë e mirësi Jehovai. (Psal. 78:38, 39; Rom. 8:32) Teksa shqyrton gjërat që ke përjetuar vetë dhe mediton për gjërat që ke lexuar në Fjalën e Perëndisë, ka mundësi të renditësh plot të mira që ka bërë Jehovai për ty. Sa më shumë ta çmosh atë që bën Jehovai, aq më e fortë do të jetë lidhja që ke me të.—Psal. 116:1, 2.

6. Sipas Psalmit 94:17-19, si mund të të ndihmojnë lutjet nga zemra?

6 Lutu rregullisht. Imagjino një vogëlush që e ka përqafuar me dashuri i ati. Ai ndihet aq i sigurt në krahët e babit, sa i flet hapur si për gjërat e mira edhe për gjërat e këqija që i kanë ndodhur gjatë ditës. Edhe ti mund të gëzosh një lidhje të tillë nëse afrohesh me Jehovain duke iu lutur çdo ditë nga zemra. (Lexo Psalmin 94:17-19.) Ndërsa i lutesh, ‘zbrazja zemrën porsi uji’ dhe tregoji Atit tënd të dashur çdo frikë e ankth që ke. (Vajt. 2:19) Cili do të jetë rezultati? Do të përjetosh atë që Bibla e quan «paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim». (Filip. 4:6, 7) Sa më shumë të lutesh në këtë mënyrë, aq më afër do të ndihesh me Jehovain.—Rom. 8:38, 39.

Guximi vjen nga besimi i fortë te Jehovai dhe Mbretëria e tij

Stenli Xhonsi e forcoi besimin nëpërmjet njohurisë së thellë për Mbretërinë e Perëndisë (Shih paragrafin 7)

7. Pse duhet të jesh i bindur se premtimet që ka bërë Perëndia lidhur me Mbretërinë do të bëhen realitet?

7 Ji i bindur se bekimet e Mbretërisë së Perëndisë do të bëhen realitet. (Num. 23:19) Nëse besimi yt te këto premtime është i dobët, Satanai dhe njerëzit që përdor ai do ta kenë më të lehtë të të shtien frikën. (Prov. 24:10; Hebr. 2:15) Si mund ta forcosh tani besimin te Mbretëria e Perëndisë? Bëj një projekt studimi për të shqyrtuar premtimet e Perëndisë lidhur me Mbretërinë e tij dhe arsyet pse mund të jesh i sigurt se do të bëhen realitet. Si do të të ndihmojë kjo? Mendo për shembullin e Stenli Xhonsit, që e burgosën shtatë vjet për shkak të besimit të tij. * Çfarë e ndihmoi të qëndronte besnikërisht? Ai tha: «Besimi im ishte i fortë falë njohurisë për Mbretërinë e Perëndisë. Isha  i sigurt e nuk dyshoja për asnjë moment te kjo gjë, ndaj nuk arritën të më thyenin.» Nëse ke besim të fortë te premtimet e Jehovait, do të afrohesh më shumë me të dhe nuk do të të mundë frika.—Prov. 3:25, 26.

8. Çfarë mund të tregojë qëndrimi që kemi ndaj mbledhjeve? Shpjegoni.

8 Ndiq rregullisht mbledhjet. Mbledhjet na ndihmojnë të afrohemi më shumë me Jehovain. Qëndrimi ynë ndaj pjesëmarrjes në mbledhje tregon sa mirë do t’i bëjmë ballë përndjekjes në të ardhmen. (Hebr. 10:24, 25) Pse? Sepse nëse lejojmë sot që gjëra të vogla të na pengojnë të ndjekim mbledhjet, ç’do të ndodhë në të ardhmen sikur të na duhet të vëmë veten në rrezik për t’u mbledhur me bashkëbesimtarët? Në krahun tjetër, po të zhvillojmë një vendosmëri të patundur për të ndjekur mbledhjet, nuk do të dorëzohemi kur kundërshtarët të përpiqen të na ndalojnë të mblidhemi së bashku. Tani është koha të zhvillojmë dashuri për mbledhjet tona. Kur duam me gjithë shpirt t’i ndjekim mbledhjet, asnjë kundërshtim, madje as ndonjë ndalim qeveritar, nuk do të na pengojë t’i bindemi Perëndisë në vend se njerëzve.—Vep. 5:29.

Mësimi përmendsh që tani i shkrimeve dhe këngëve të Mbretërisë mund të jetë burim i madh force gjatë përndjekjes (Shih paragrafin 9) *

9. Pse të mësosh përmendsh shkrime është një mënyrë e mirë si të përgatitesh për përndjekjen?

9 Mëso përmendsh shkrimet e tua të preferuara. (Mat. 13:52) Kujtesa jote mund të mos jetë e përsosur, ama Jehovai mund të përdorë frymën e tij të shenjtë të fuqishme që të t’i sjellë ndër mend ato shkrime. (Gjoni 14:26) Ja çfarë tha një vëlla që e burgosën në Gjermaninë Lindore dhe e vunë në izolim: «Sa i lumtur ndihesha që kisha mësuar tashmë përmendsh qindra shkrime! Mund t’i mbushja ato ditë boshe duke medituar për një larmi temash nga Bibla.» Ato shkrime e ndihmuan vëllanë tonë të mbante një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain—dhe të qëndronte besnikërisht.

(Shih paragrafin 10) *

10. Pse duhet të mësojmë përmendsh këngë?

10 Mëso përmendsh dhe këndo këngë që lëvdojnë Jehovain. Kur i burgosën në Filipi, Pavli dhe Sila kënduan këngë adhurimi që i kishin fiksuar në kujtesë. (Vep. 16:25) Po vëllezërve tanë në ish-Bashkimin Sovjetik, çfarë u dha forcë kur i internuan në Siberi? Motër Marija Feduni kujtonte: «Kënduam  të gjitha këngët që dinim nga libri i këngëve.» Ajo tha se ato këngë u dhanë zemër të gjithëve dhe i ndihmuan të ndiheshin më afër Jehovait. A nuk merr forcë edhe ti kur këndon këngët e preferuara të adhurimit? Atëherë mësoji përmendsh këto këngë tani!—Shih kutinë « Më jep guxim».

SI TË MARRËSH MË SHUMË GUXIM

11-12. (a) Sipas 1 Samuelit 17:37, 45-47, pse ishte i guximshëm Davidi? (b) Çfarë mësimi të rëndësishëm nxjerrim nga shembulli i Davidit?

11 Që t’i bësh ballë përndjekjes, ke nevojë për guxim. Çfarë mund të bësh nëse mendon se të mungon kjo cilësi? Kujto se guximi i vërtetë nuk varet nga shtati, nga forca ose nga aftësitë e tua. Mendo për shembullin e djaloshit David kur u përball me Goliadin. Krahasuar me atë gjigant, Davidi ishte i vogël, i dobët dhe fare pak i armatosur. Ai nuk kishte as edhe një shpatë. Megjithatë, ishte plot guxim. Ai vrapoi pa iu trembur syri për të luftuar me atë gjigant arrogant.

12 Pse ishte aq i guximshëm Davidi? Se kishte besim të patundur që Jehovai ishte me të. (Lexo 1 Samuelit 17:37, 45-47.) Davidi nuk u përqendrua te sa i madh ishte Goliadi në krahasim me të. Përkundrazi, u përqendrua te sa i vogël ishte Goliadi në krahasim me Jehovain. Çfarë mësojmë nga kjo ngjarje? Do të kemi guxim nëse jemi të bindur se Jehovai është me ne dhe nëse jemi të sigurt se kundërshtarët tanë janë fare të vegjël në krahasim me Perëndinë e Plotfuqishëm. (2 Kron. 20:15; Psal. 16:8) Si mund të marrim më shumë guxim tani—para se të vijë përndjekja?

13. Si mund të marrim më shumë guxim? Shpjegoni.

13 Mund të marrim më tepër guxim tani duke u predikuar të tjerëve lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Pse? Sepse predikimi na mëson të mbështetemi me besim te Jehovai dhe të mposhtim çdo frikë nga njeriu. (Prov. 29:25) Ashtu si muskujt që forcohen kur bëjmë ushtrime, edhe guximi forcohet kur predikojmë shtëpi më shtëpi, në vende publike, në mënyrë joformale dhe në territor tregtar. Po ta zhvillojmë tani guximin për të predikuar, do të jemi të përgatitur që të vazhdojmë të predikojmë edhe nëse vepra ndalohet.—1 Sel. 2:1, 2.

Nensi Jueni nuk pranoi të hiqte dorë nga predikimi i lajmit të mirë

14-15. Çfarë mësimesh nxjerrim nga shembulli i Nensi Juenit dhe Valentina Garnovskajës?

 14 Mund të mësojmë shumë nga shembulli i dy motrave besnike që shfaqën guxim të jashtëzakonshëm. Nensi Jueni ishte vetëm një metër e gjysmë e gjatë, ama nuk frikësohej kollaj. * Ajo nuk pranoi të hiqte dorë nga predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Si pasojë, e burgosën mbi 20 vjet në Kinën komuniste. Autoritetet që e morën në pyetje thanë se ishte «njeriu më kokëfortë» në vendin e tyre.

Valentina Garnovskaja ishte e bindur se Jehovai ishte me të (Shih paragrafin 15)

15 Po ashtu, Valentina Garnovskajën e burgosën tri herë në ish-Bashkimin Sovjetik për 21 vjet gjithsej. * Pse? Ajo ishte aq e vendosur të vazhdonte të predikonte, sa autoritetet e quajtën «një kriminele jashtëzakonisht e rrezikshme». Çfarë u dha aq shumë guxim këtyre dy grave besnike? Bindja se Jehovai ishte me to.

16. Cili është çelësi i guximit të vërtetë?

16 Siç e pamë, për të marrë më tepër guxim, nuk duhet të përqendrohemi te forca dhe aftësitë tona. Përkundrazi, duhet të kemi besim se Jehovai është me ne dhe se lufton ai për ne. (Ligj. 1:29, 30; Zak. 4:6) Ky është çelësi i guximit të vërtetë.

SI T’I BËSH BALLË URREJTJES

17-18. Siç lexojmë te Gjoni 15:18-21, çfarë paralajmërimi na dha Jezui? Shpjegoni.

17 Ne na pëlqen të fitojmë respektin e të tjerëve, ama nuk duhet të bëjmë gabimin që ta matim vlerën tonë sipas pëlqimit a mospëlqimit të njerëzve. Jezui tha: «Lum ju kur njerëzit t’ju urrejnë, kur t’ju mënjanojnë e t’ju poshtërojnë dhe, për shkak të Birit të njeriut, ta hedhin poshtë emrin tuaj si të ishit të ligj.» (Luka 6:22) Çfarë donte të thoshte?

18 Jezui nuk po thoshte se të krishterët do të kënaqeshin kur njerëzit t’i urrenin. Përkundrazi, po tregohej realist. Ne nuk jemi pjesë e botës. Jetojmë sipas mësimeve të Jezuit dhe predikojmë mesazhin që  predikonte ai. Për pasojë, bota na urren. (Lexo Gjonin 15:18-21.) Ne duam të kënaqim Jehovain. Nëse njerëzit na urrejnë ngaqë duam Atin tonë, ky është problemi i tyre.

19. Si mund ta imitojmë shembullin e apostujve?

19 Kurrë mos lejo që për shkak të diçkaje që thonë a bëjnë njerëzit të të vijë turp që je Dëshmitar i Jehovait. (Mik. 4:5) Ne mund të mësojmë ta mposhtim frikën nga njeriu duke shqyrtuar shembullin që lanë apostujt në Jerusalem pak pasi Jezuin e vranë. Ata e dinin sa shumë i urrenin krerët fetarë judenj. (Vep. 5:17, 18, 27, 28) Prapëseprapë, vazhduan të shkonin çdo ditë në tempull dhe të tregonin para të gjithëve se ishin dishepuj të Jezuit. (Vep. 5:42) Ata nuk u strukën nga frika. Edhe ne mund ta mposhtim frikën nga njeriu duke e pasur zakon t’u tregojmë të tjerëve se jemi Dëshmitarë të Jehovait​—në punë, në shkollë dhe aty ku jetojmë.​—Vep. 4:29; Rom. 1:16.

20. Pse ishin të lumtur apostujt pavarësisht se njerëzit i urrenin?

20 Pse ishin të lumtur apostujt? Ata e dinin arsyen pse njerëzit i urrenin dhe e quanin një nder të keqtrajtoheshin ngaqë bënin vullnetin e Jehovait. (Luka 6:23; Vep. 5:41) Apostulli Pjetër shkroi më vonë: «Edhe sikur të vuani për hir të drejtësisë, lum ju!» (1 Pjet. 2:19-21; 3:14) Kur e kuptojmë që njerëzit na urrejnë sepse bëjmë atë që është e drejtë, nuk do të lejojmë kurrë të paralizohemi nga frika për shkak të urrejtjes së tyre.

PËRGATITJET DO TË TË SJELLIN DOBI

21-22. (a) Çfarë ke vendosur të bësh që të përgatitesh për përndjekjen? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

21 Nuk e dimë kur mund të vijë një valë përndjekjeje ose edhe një ndalim ndaj veprës sonë. Ama e dimë se mund të përgatitemi tani duke forcuar miqësinë me Jehovain, duke marrë më shumë guxim dhe duke mësuar t’i bëjmë ballë urrejtjes së njerëzve. Përgatitjet që bëjmë tani do të na ndihmojnë të qëndrojmë të palëkundur në të ardhmen.

22 Por, si të veprojmë nëse qeveria na ndalon ta adhurojmë Jehovain? Në artikullin tjetër, do të shqyrtojmë parimet që do të na ndihmojnë të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait edhe nën ndalim.

KËNGA 118 «Na jep më shumë besim»

^ par. 5 Ne nuk duam që njerëzit të na urrejnë. Por herët a vonë, të gjithëve do të na duhet të përballemi me përndjekje. Ky artikull do të na ndihmojë t’i bëjmë ballë përndjekjes me guxim.

^ par. 7 Shih Kullën e Rojës, 15 dhjetor 1965, f. 756-767, anglisht.

^ par. 14 Shih Kullën e Rojës, 15 korrik 1979, f. 4-7, anglisht. Shih edhe videon Emri i Jehovait do të bëhet i njohur në JW Broadcasting®. Shko tek INTERVISTA DHE PËRVOJA.

^ par. 15 Shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 2008, f. 191-192.

^ par. 67 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Gjatë adhurimit familjar, prindërit përdorin fleta me shkrime për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë përmendsh shkrime.

^ par. 70 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Rrugës për në mbledhje, një familje praktikon në makinë këngët e Mbretërisë.