Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 ARTIKULLI I STUDIMIT 28

Vazhdo ta adhurosh Jehovain nën ndalim

Vazhdo ta adhurosh Jehovain nën ndalim

«Ne nuk pushojmë dot së foluri për ato që kemi parë e dëgjuar.»​—VEP. 4:19, 20.

KËNGA 122 Ji i palëkundur dhe i patundur!

PËRMBLEDHJE *

1-2. (a) Pse nuk duhet të çuditemi nëse vepra jonë ndalohet? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

MË 2018, më shumë se 223.000 lajmëtarë të lajmit të mirë jetonin në vende ku aktivitetet tona ishin të ndaluara ose tepër të kufizuara. Kjo nuk na çudit. Siç e pamë në artikullin e kaluar, të krishterët e vërtetë e presin që t’i përndjekin. (2 Tim. 3:12) Pavarësisht se ku jetojmë, autoritetet qeveritare mund të na ndalojnë në çast dhe papritmas që të adhurojmë Perëndinë tonë të dashur, Jehovain.

2 Nëse qeveria e vendit ku jeton vendos ta ndalojë adhurimin e Jehovait, mund t’i bësh vetes pyetje të tilla, si: «A tregon kjo përndjekje se kemi humbur miratimin e Perëndisë? A do të na e bëjë të pamundur një ndalim të adhurojmë Jehovain? A duhet të transferohem në një vend ku mund ta adhuroj Perëndinë lirisht?» Këto pyetje do t’i shqyrtojmë në këtë artikull. Gjithashtu, do të shohim si mund të vazhdojmë ta adhurojmë Jehovain kur vepra jonë është e ndaluar dhe cilat gracka duhet të shmangim.

A TREGON PËRNDJEKJA SE KEMI HUMBUR MIRATIMIN E PERËNDISË?

3. Sipas 2 Korintasve 11:23-27, çfarë përndjekjesh hasi apostulli besnik Pavël, dhe çfarë mësojmë nga shembulli i tij?

3 Nëse qeveria e ndalon adhurimin tonë, mund të nxjerrim përfundimin e gabuar se nuk kemi bekimin e Perëndisë. Por mos harro: përndjekja nuk tregon se Jehovai është i pakënaqur me ne. Të marrim rastin e apostullit Pavël. S’ka dyshim se ai kishte miratimin e Perëndisë. Ai pati privilegjin  të shkruante 14 letra të Shkrimeve të Krishtere Greke dhe ishte apostull i kombeve. Prapëseprapë, hasi përndjekje të egra. (Lexo 2 Korintasve 11:23-27.) Nga përvoja e apostullit Pavël mësojmë se Jehovai mund të lejojë që shërbëtorët e tij besnikë të përndiqen.

4. Pse na urren bota?

4 Jezui shpjegoi pse duhet të presim kundërshtime. Ai tha se bota do të na urrente ngaqë nuk jemi pjesë e saj. (Gjoni 15:18, 19) Përndjekja nuk është një shenjë se s’kemi bekimin e Jehovait. Përkundrazi, tregon se po bëjmë atë që është e drejtë!

A DO TË NA PENGOJË NDALIMI TË ADHUROJMË JEHOVAIN?

5. A kanë fuqi njerëzit t’i japin fund adhurimit të Jehovait? Shpjegoni.

5 Kundërshtarët njerëzorë nuk kanë fuqi t’i japin fund adhurimit të Perëndisë të plotfuqishëm, Jehovait. Shumë janë përpjekur dhe kanë dështuar. Të kujtojmë çfarë ndodhi gjatë Luftës II Botërore. Në atë kohë, qeveritë e shumë vendeve e përndoqën egërsisht popullin e Perëndisë. Vepra e Dëshmitarëve të Jehovait u ndalua jo vetëm nga partia naziste në Gjermani, por edhe nga qeveritë e Australisë, Kanadasë dhe vendeve të tjera. Mirëpo, çfarë ndodhi? Në vitin 1939 kur filloi lufta, në mbarë botën ishin 72.475 lajmëtarë. Raportet treguan se kur mbaroi lufta më 1945, ishin 156.299 lajmëtarë, falë bekimit të Jehovait. Pra, numri i lajmëtarëve ishte rritur më shumë se dyfish!

6. Në vend se të na shtijë frikën, çfarë mund të bëjë kundërshtimi? Jepni një shembull.

6 Në vend se të na shtijë frikën, kundërshtimi mund të na motivojë t’i shërbejmë Jehovait më plotësisht. Për shembull, një çift me fëmijë të vogël jetonin në një vend ku qeveria vendosi ta ndalonte veprën tonë. Në vend se të sprapseshin nga frika, të dy filluan të shërbenin si pionierë të rregullt. Madje për këtë, gruaja la punën me rrogë të mirë. Burri tha se ndalimi u ngjalli kureshtje për Dëshmitarët e Jehovait shumë njerëzve. Si rezultat, e kishte më të lehtë të fillonte studime. Ndalimi ndikoi për mirë edhe te të tjerë. Një plak në atë vend tha se shumë veta që s’i shërbenin më Jehovait nisën të ndiqnin mbledhjet dhe u bënë sërish aktivë.

7. (a) Çfarë mësojmë nga Levitiku 26:36, 37? (b) Çfarë do të bësh kur vepra të jetë e ndaluar?

 7 Kur ndalojnë adhurimin tonë, armiqtë shpresojnë të na frikësojnë që të mos i shërbejmë më Jehovait. Veç ndalimit, mund të përhapin histori të rreme, mund të japin urdhër të na bastisen shtëpitë, të na detyrojnë të dalim para gjykatave ose edhe të burgosin disa nga ne. Ata shpresojnë të tmerrohemi ngaqë ia dolën të flaknin në burg pak nga ne. Po të lejojmë të na futin frikën në zemër, mund të fillojmë «ta ndalojmë» vetë adhurimin tonë. Nuk duam të bëhemi si ata që përshkruhen te Levitiku 26:36, 37. (Lexoje.) Ne nuk do të lejojmë që frika të na bëjë t’i pakësojmë ose t’i ndërpresim aktivitetet teokratike. Kemi besim absolut te Jehovai dhe nuk lejojmë të na zërë paniku. (Isa. 28:16) Me anë të lutjeve, ne kërkojmë drejtimin e Jehovait. E dimë se me mbështetjen e tij, as qeveria më e fuqishme njerëzore nuk na pengon dot të adhurojmë me besnikëri Perëndinë tonë.—Hebr. 13:6.

A DUHET TË TRANSFEROHEM NË NJË VEND TJETËR?

8-9. (a) Cilin vendim personal duhet të marrë çdo kryefamiljar ose individ? (b) Çfarë do ta ndihmojë të marrë një vendim të mençur?

8 Nëse qeveria e vendit ku jeton e ndalon adhurimin tonë, mbase pyet veten në duhet të transferohesh në një vend tjetër ku mund t’i shërbesh Jehovait lirisht. Ky është një vendim personal që s’mund ta marrë askush tjetër veç teje. Para se të vendosin, disave mund t’u duket e dobishme të shqyrtojnë çfarë bënë të krishterët në shekullin e parë kur i përndoqën. Pasi armiqtë vranë me gurë Stefanin, dishepujt në Jerusalem u shpërndanë anembanë Judesë e Samarisë, madje deri në Feniki, Qipro e Antioki. (Mat. 10:23; Vep. 8:1; 11:19) Mirëpo të tjerë mund të vërejnë se pas një vale tjetër përndjekjeje që goditi të krishterët e shekullit të parë, apostulli Pavël vendosi të mos largohej nga zonat ku vepra e predikimit haste kundërshtime. Përkundrazi, vuri kokën në rrezik që të përhapte lajmin e mirë e të forconte vëllezërit në qytetet ku kishte përndjekje të egër.—Vep. 14:19-23.

9 Çfarë mësojmë nga këto tregime? Çdo kryefamiljar duhet të marrë një vendim personal nëse do të transferohen apo jo. Para se të vendosë, duhet të lutet e të peshojë me kujdes rrethanat e familjes dhe ndikimet pozitive e negative që mund të ketë transferimi tek ata. Në këtë çështje, çdo shërbëtor i Perëndisë duhet «të mbajë ngarkesën e vet». (Gal. 6:5) Nuk duhet t’i gjykojmë të tjerët për vendimin që marrin.

SI DO TA ADHUROJMË PERËNDINË NËN NDALIM?

10. Çfarë udhëzimesh do të japin zyra e degës dhe pleqtë?

10 Si mund të vazhdosh ta adhurosh Jehovain nën ndalim? Zyra e degës do t’u japë pleqve të kongregacionit udhëzime dhe sugjerime praktike se si të merret ushqimi i bazuar në Bibël, si të mbahen mbledhjet dhe si të predikohet lajmi i mirë. Nëse zyra e degës nuk mund të komunikojë me pleqtë, atëherë pleqtë do të të ndihmojnë ty dhe gjithë të tjerët në kongregacion që të vazhdoni të adhuroni Jehovain. Ata do të japin udhëzime në harmoni me drejtimin që gjendet në Bibël dhe në botimet tona.—Mat. 28:19, 20; Vep. 5:29; Hebr. 10:24, 25.

11. Pse mund të jesh i sigurt se do të kesh përherë ushqimin e nevojshëm për ta mbajtur besimin të fortë, dhe ç’mund të bësh për ta mbrojtur këtë ushqim?

11 Jehovai ka premtuar se shërbëtorët e  tij do të kenë gjithë ushqimin e nevojshëm për ta mbajtur besimin të fortë. (Isa. 65:13, 14; Luka 12:42-44) Prandaj mund të jesh i sigurt se organizata e tij do të bëjë çmos të të japë inkurajimin e nevojshëm që të qëndrosh besnik. Po ti vetë ç’mund të bësh? Kur vepra të jetë e ndaluar, gjej një vend të sigurt për të fshehur Biblën tënde dhe çdo botim që mund të kesh. Bëj kujdes të mos i lësh kurrë këto materiale të vyera—qoftë të shtypura, qoftë elektronike—në një vend ku mund t’i gjejnë kollaj. Secili nga ne duhet të marrë masa praktike që ta mbajë besimin të fortë.

Falë mbështetjes së Jehovait, mund të mblidhemi pa frikë për ta adhuruar (Shih paragrafin 12) *

12. Si mund t’i organizojnë pleqtë mbledhjet në një mënyrë që nuk tërheq vëmendje?

12 Po mbledhjet që mbajmë çdo javë për të adhuruar Perëndinë? Pleqtë do të marrin masa t’i ndiqni mbledhjet në një mënyrë që nuk tërheq vëmendjen më kot. Ata mund t’ju udhëzojnë të mblidheni në grupe të vogla dhe ka shumë gjasa ta ndryshojnë shpesh orarin dhe vendin e mbledhjeve. Ti mund të bësh pjesën tënde për të mbrojtur çdo të pranishëm duke folur me zë të ulët kur shkon ose largohesh nga mbledhjet. Gjithashtu, mund të jetë e nevojshme të vishesh në një mënyrë që nuk tërheq vëmendje.

Ne nuk do të reshtim së predikuari, pavarësisht nga ndalimet qeveritare (Shih paragrafin 13) *

13. Çfarë mund të mësojmë nga vëllezërit tanë në ish-Bashkimin Sovjetik?

13 Në lidhje me veprën e predikimit, rrethanat mund të jenë të ndryshme nga një vend në tjetrin. Gjithsesi, ne e duam Jehovain dhe kënaqemi kur u tregojmë të tjerëve për Mbretërinë e tij, prandaj do ta gjejmë një mënyrë për të predikuar. (Luka 8:1; Vep. 4:29) Historiania Emili Baran tha për predikimin e Dëshmitarëve të Jehovait në ish-Bashkimin Sovjetik: «Kur shteti u tha besimtarëve se nuk mund t’u flitnin të tjerëve për besimin e tyre, Dëshmitarët hapnin biseda me fqinjët, kolegët e punës dhe shoqërinë. Kur i çuan në kampe pune për shkak të kësaj, Dëshmitarët përpiqeshin t’u predikonin të burgosurve të tjerë.» Pavarësisht nga ndalimi, vëllezërit tanë në ish-Bashkimin Sovjetik nuk e ndalën predikimin. Nëse ndodh që vepra në vendin tënd ndalohet, qofsh edhe ti i vendosur si ata!

CILAT GRACKA TË SHMANGIM?

Duhet të dimë kur është koha të heshtim (Shih paragrafin 14) *

14. Cilën grackë na ndihmon të shmangim Psalmi 39:1?

14 Matu mirë para se të japësh një informacion. Gjatë një ndalimi, duhet të dallojmë se kur është ‘koha për të heshtur’. (Ekl. 3:7) Duhet t’i mbrojmë informacionet konfidenciale, si emrat e vëllezërve dhe motrave, vendet ku mblidhemi, mënyrën si e bëjmë veprën e predikimit dhe si marrim ushqim nga Bibla. Ne nuk ua tregojmë këto fakte autoriteteve qeveritare; as  flasim për to me miq a të afërm me qëllime të mira që jetojnë në vendin tonë ose në vende të tjera. Po të biem në këtë grackë, do të vëmë në rrezik vëllezërit tanë.—Lexo Psalmin 39:1.

15. Çfarë do të përpiqet të bëjë Satanai, dhe si mund ta shmangim këtë grackë?

15 Mos lejo që problemet e vogla të shkaktojnë përçarje mes nesh. Satanai e di se një shtëpi e përçarë nuk qëndron dot. (Mar. 3:24, 25) Ai do të përpiqet pareshtur të shkaktojë përçarje mes nesh. Me këtë taktikë, Satanai shpreson që të fillojmë të luftojmë kundër njëri-tjetrit në vend se të luftojmë kundër tij.

16. Çfarë shembulli të shkëlqyer na la motra Gertrudë Pocinger?

16 Edhe të krishterët e pjekur kanë nevojë të jenë syçelë që të mos bien në këtë grackë. Të mendojmë për shembullin e dy motrave të mirosura, Gertrudë Pocingerit dhe Elfride Lorit. Ato dhe motra të tjera i burgosën në një kamp përqendrimi nazist. Gertruda u ndie xheloze kur Elfrida filloi të mbante fjalime inkurajuese para motrave të tjera në kamp. Më vonë, Gertrudës i erdhi turp për këtë e iu përgjërua Jehovait ta ndihmonte. Ajo shkroi: «Kur të tjerët janë më të zotë ose kanë më shumë përgjegjësi, duhet të mësojmë ta pranojmë këtë.» Si e mposhti xhelozinë? Ajo u përqendrua te cilësitë e bukura dhe natyra miqësore e Elfridës. Kështu, rivendosi marrëdhëniet e mira me të. Të dyja mbijetuan nga kampi i përqendrimit dhe i shërbyen me besnikëri Jehovait deri në fund të jetës së tyre në tokë. Po të përpiqemi me të gjitha forcat t’i kapërcejmë mosmarrëveshjet me vëllezërit, s’do të biem në grackën e prishjes së unitetit.—Kolos. 3:13, 14.

17. Pse duhet të bëjmë kujdes që të mos i kalojmë caqet me arrogancë?

17 Mos i kalo caqet me arrogancë. Nëse i bindemi drejtimit të vëllezërve përgjegjës te të cilët kemi besim, do të shmangim problemet. (1 Pjet. 5:5) Për shembull, në një vend ku vepra është nën ndalim, vëllezërit përgjegjës kishin dhënë drejtimin që lajmëtarët të mos linin literaturë të shtypur në shërbim. Por një pionier atje mendoi se i dinte gjërat më mirë dhe shpërndau literaturë. Cili ishte rezultati? Pak pasi ai e disa të tjerë mbaruan predikimin joformal, i mori në pyetje policia. Me sa duket, i kishin ndjekur e kishin arritur të gjenin literaturën e shpërndarë. Ç’na mëson kjo ngjarje? Duhet të ndjekim drejtimin, edhe nëse mendojmë se i dimë gjërat më mirë.  Jehovai na bekon gjithmonë kur bashkëpunojmë me vëllezërit që ka caktuar të marrin drejtimin mes nesh.—Hebr. 13:7, 17.

18. Pse nuk duhet të nxjerrim rregulla të panevojshme?

18 Mos nxirr rregulla të panevojshme. Nëse pleqtë nxjerrin rregulla të panevojshme, do t’u ngarkojnë të tjerëve një barrë. Vëlla Juri Kaminski kujtonte çfarë ndodhi gjatë ndalimit në ish-Çekosllovaki: «Pasi u arrestuan vëllezërit përgjegjës dhe shumë pleq, disa nga ata që merrnin drejtimin në kongregacione dhe qarqe filluan të nxirrnin rregulla si duhej të silleshin lajmëtarët, duke bërë lista se çfarë duhej bërë e çfarë jo.» Jehovai nuk na ka dhënë autoritetin të marrim vendime personale për të tjerët. Kush vendos rregulla të panevojshme, nuk po i mbron vëllezërit—po përpiqet të bëhet zotëri i besimit të tyre.—2 Kor. 1:24.

KURRË MOS RESHT SË ADHURUARI JEHOVAIN

19. Sipas 2 Kronikave 32:7, 8, pse mund të ndihemi të sigurt pavarësisht nga përpjekjet e Satanait?

19 Kundërshtari ynë kryesor, Satana Djalli, nuk do t’i ndalë përpjekjet që t’i përndjekë shërbëtorët besnikë të Jehovait. (1 Pjet. 5:8; Zbul. 2:10) Satanai dhe njerëzit që përdor ai, do të përpiqen të na ndalojnë të adhurojmë Jehovain. Sidoqoftë, nuk ka asnjë arsye që të paralizohemi nga frika. (Ligj. 7:21) Jehovai është përkrah nesh e do të vazhdojë të na mbështetë edhe nëse vepra jonë ndalohet.—Lexo 2 Kronikave 32:7, 8.

20. Çfarë je i vendosur të bësh?

20 Qofshim po aq të vendosur sa vëllezërit tanë në shekullin e parë, që u thanë qeveritarëve të asaj kohe: «Gjykojeni vetë në është e drejtë në sytë e Perëndisë t’ju dëgjojmë ju dhe jo Perëndinë. Sepse ne nuk pushojmë dot së foluri për ato që kemi parë e dëgjuar.»—Vep. 4:19, 20.

KËNGA 73 Na bëj të guximshëm

^ par. 5 Ç’duhet të bëjmë nëse qeveria na ndalon të adhurojmë Jehovain? Në këtë artikull do të jepen sugjerime praktike se çfarë të bëjmë e çfarë të shmangim që të mos reshtim kurrë së adhuruari Perëndinë tonë.

^ par. 59 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Të gjitha fotot paraqesin Dëshmitarë që shërbejnë në vende ku vepra jonë është e kufizuar. Në këtë foto një grup i vogël është mbledhur në bodrumin e shtëpisë së një vëllai.

^ par. 61 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër (majtas) që po bisedon miqësisht me një grua, përpiqet të gjejë një mundësi që t’i flasë për Jehovain.

^ par. 63 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla që po e merr në pyetje policia, nuk pranon të tregojë informacione për kongregacionin e tij.