«Jehovait, Perëndisë tuaj, duhet t’i frikësoheni. Atij duhet t’i shërbeni dhe me të duhet të qëndroni të lidhur.»​—LIGJ. 10:20.

KËNGËT: 28, 32

1, 2. (a) Pse është e mençur të jemi në anën e Jehovait? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

ËSHTË gjë me mend të qëndrojmë të lidhur me Jehovain. Askush nuk është më i fuqishëm, më i mençur a më i dashur se Perëndia ynë! E kush nga ne nuk do të donte të ishte në anën e tij? (Psal. 96:4-6) Megjithatë, disa adhurues të Perëndisë janë lëkundur kur situata e kërkonte që të merrnin anën e Jehovait.

2 Në këtë artikull do të shqyrtojmë shembujt e disave që pohonin se ishin në anën e Jehovait, por në të njëjtën kohë ndiqnin një udhë që e fyente. Historitë e tyre përmbajnë mësime jetësore që mund të na ndihmojnë t’i qëndrojmë plotësisht besnikë Jehovait.

JEHOVAI HETON ZEMRËN

3. Pse Jehovai u përpoq ta ndihmonte Kainin, dhe çfarë i tha?

3 Të marrim rastin e Kainit. Ai nuk tha se adhuronte ndonjë perëndi tjetër përveç Jehovait. Megjithatë, Perëndia nuk e pranoi adhurimin e tij. Në skutat e zemrës së Kainit po rriteshin farat e ligësisë. (1 Gjon. 3:12) Jehovai u përpoq ta ndihmonte dhe i tha: «Nëse kthen rrugë dhe vepron mirë, a nuk do të kesh pëlqimin tim? Por nëse jo, mëkati po të  përgjon te porta dhe digjet nga dëshira për ty. Por ti, a do ta mposhtësh?» (Zan. 4:6, 7) Me fjalë të tjera Jehovai po i thoshte Kainit: «Nëse pendohesh dhe merr me vendosmëri anën time, atëherë edhe unë do të jem në anën tënde.»

4. Çfarë bëri Kaini kur iu dha mundësia të merrte anën e Jehovait?

4 Sikur të ndreqte mënyrën si mendonte, Kaini do të gëzonte sërish pëlqimin e Jehovait. Por ai nuk ia vuri veshin këshillës. Mënyra e gabuar e të menduarit dhe dëshirat egoiste e çuan në veprime të gabuara. (Jak. 1:14, 15) Mbase kur ishte më i ri, Kaini s’e kishte imagjinuar kurrë se do të dilte kundër Jehovait. Por me kalimin e kohës bëri të paimagjinueshmen—u rebelua kundër Perëndisë dhe vrau vëllanë e vet!

5. Cila mënyrë të menduari mund të bëjë që ta humbim miratimin e Jehovait?

5 Ashtu si Kaini, edhe një shërbëtor i Perëndisë sot mund të ndjekë rrugën e gabuar ndonëse pohon se adhuron Jehovain. (Jud. 11) Për shembull, mund të ushqejë fantazi imorale, mendime lakmitare ose urrejtje ndaj një bashkëbesimtari. (1 Gjon. 2:15-17; 3:15) Kjo mënyrë të menduari mund të çojë në veprime mëkatare. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai mund të jetë aktiv në shërbim e të ndjekë rregullisht mbledhjet e kongregacionit. Të tjerët mbase nuk e kanë idenë çfarë mendon dhe si sillet, ama Jehovai sheh gjithçka dhe e di nëse nuk jemi me gjithë zemër në anën e tij.​—Lexo Jereminë 17:9, 10.

6. Si na ndihmon Jehovai ‘të mposhtim’ prirjet mëkatare kur marrim me vendosmëri anën e tij?

6 Prapëseprapë, Jehovai nuk heq dorë shpejt nga ne. Kur dikush hedh hapa që e largojnë nga Ai, Jehovai e nxit: ‘Kthehu tek unë dhe unë do të kthehem te ti.’ (Mal. 3:7) Sidomos kur luftojmë me dobësitë tona, Jehovai do që t’i bëjmë ballë ligësisë. (Isa. 55:7) Po të veprojmë kështu, ai do të jetë në anën tonë duke na dhënë atë forcë që na nevojitet në besim dhe nga ana emocionale e fizike ‘për t’i mposhtur’ prirjet tona mëkatare.​—Zan. 4:7.

‘MOS U MASHTRO’

7. Si e humbi Solomoni marrëdhënien e mirë me Jehovain?

7 Mund të mësojmë shumë nga shembulli i mbretit Solomon. Në moshë më të re, Solomoni mbështetej te Jehovai për drejtim. Perëndia i dha mençuri të jashtëzakonshme dhe i besoi ndërtimin e tempullit madhështor në Jerusalem. Mirëpo Solomoni e humbi miqësinë me Jehovain. (1 Mbret. 3:12; 11:1, 2) Ligji i Perëndisë urdhëronte në mënyrë specifike se një mbret hebre nuk duhej të martohej me shumë gra, ‘që zemra e tij të mos shmangej nga udha’. (Ligj. 17:17) Solomoni nuk u bind, dhe me kohë u martua me 700 gra. Ai mori edhe 300 konkubina. (1 Mbret. 11:3) Shumë nga gratë e tij ishin joizraelite që adhuronin perëndi të rreme. Pra, Solomoni nuk iu bind as ligjit të Perëndisë për të mos u martuar me gra të huaja.​—Ligj. 7:3, 4.

8. Deri në ç’pikë e ofendoi Solomoni Jehovain?

8 Largimi gradual nga kërkesat e Jehovait, e çoi si përfundim Solomonin në mëkate tepër të rënda. Solomoni ndërtoi një altar për perëndeshën-idhull Ashtoreth dhe të paktën një altar për perëndinë e rremë Kemosh. Atje mori pjesë bashkë me gratë e veta në adhurimin pagan. Dhe ata altarë i ndërtoi pikërisht në një mal mu përballë Jerusalemit, ku kishte ndërtuar tempullin e Jehovait! (1 Mbret. 11:5-8; 2 Mbret. 23:13) Ndoshta Solomoni gënjeu veten me mendimin  se Jehovai do të mbyllte një sy para mosbindjes së tij për sa kohë që të vazhdonte të paraqiste flijime në tempull.

9. Çfarë pasojash erdhën ngaqë Solomoni shpërfilli paralajmërimet e Perëndisë?

9 Por Jehovai kurrë nuk i mbyll sytë para sjelljes së gabuar. Bibla tregon: «Jehovait iu ndez zemërimi kundër Solomonit, sepse zemra e tij ishte larguar nga Jehovai, . . . nga ai që iu shfaq dy herë. Ai e urdhëroi që të mos shkonte pas perëndive të tjera, por ky nuk veproi ashtu siç e urdhëroi Jehovai.» Si pasojë, Solomoni humbi miratimin dhe mbështetjen e Perëndisë. Trashëgimtarët e tij humbën mbretërinë e bashkuar të Izraelit dhe hoqën shumë peripeci për breza të tërë.​—1 Mbret. 11:9-13.

10. Çfarë mund të na e vërë në rrezik marrëdhënien e mirë me Jehovain?

10 Ashtu si në rastin e Solomonit, një nga kërcënimet më të mëdha për miqësinë tonë me Jehovain është miqësia me ata që nuk i kuptojnë ose nuk i respektojnë normat e Jehovait. Disa mbase janë pjesë e kongregacionit, por mund të mos kenë marrëdhënie të fortë me Jehovain. Të tjerë mund të jenë të afërm, fqinjë, kolegë ose shokë shkolle që nuk janë adhurues të Jehovait. Sido që të jetë, nëse shokët tanë të ngushtë nuk i respektojnë thellë normat e Jehovait, me kohë mund të na e shkatërrojnë marrëdhënien e mirë me Perëndinë.

Si po ndikon shoqëria te marrëdhënia jote me Jehovain? (Shih paragrafin 11.)

11. Si mund ta përcaktojmë nëse duhet ta shmangim shoqërinë e dikujt?

11 Lexo 1 Korintasve 15:33. Shumica e njerëzve kanë disa cilësi të mira, dhe mjaft nga ata që s’janë pjesë e kongregacionit nuk bëjnë mëkate flagrante. Nëse të njohurit e tu janë njerëz të tillë, a mund ta flesh mendjen se janë shoqëri e mirë? Pyet veten si do të ndikojë shoqëria e tyre te marrëdhënia jote me Jehovain. A do ta përmirësojë? Çfarë kanë në zemër ata? Për shembull, a bisedojnë thuajse vetëm për modën, paratë, pajisjet elektronike, zbavitjet ose gjëra të tjera materiale? A bëjnë shpesh komente përçmuese për të tjerët ose shaka të ndyra? Jezui me të drejtë paralajmëroi: «Goja flet nga mbushullia e zemrës.» (Mat. 12:34) Nëse kupton se shokët e tu po të vënë në rrezik marrëdhënien e mirë me Jehovain, vepro me vendosmëri duke e kufizuar miqësinë me ta dhe, po të jetë nevoja, duke e ndërprerë fare.​—Prov. 13:20.

JEHOVAI KËRKON T’I PËRKUSHTOHESH VETËM ATIJ

12. (a) Çfarë u bëri të qartë Jehovai izraelitëve pak pasi dolën nga Egjipti? (b) Si iu përgjigjën izraelitët kërkesës së Perëndisë që t’i përkushtoheshin vetëm atij?

12 Mund të nxjerrim mësime edhe nga  ajo që ndodhi pak pasi izraelitët u çliruan nga Egjipti. Populli u mblodh para malit Sinai. Atje Jehovai e bëri të dukshme në mënyrë mahnitëse praninë e tij. Me anë të një mrekullie u formua një re e errët. Jehovai shkaktoi bubullima, vetëtima, tym dhe një si tingull briri të fortë e të vazhdueshëm. (Dal. 19:16-19) Në ato rrethana, Jehovai iu bë i njohur izraelitëve si ‘një Perëndi që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij’. Ai i siguroi se do të ishte besnik me ata që e donin dhe që mbanin urdhërimet e tij. (Lexo Daljen 20:1-6.) Me fjalë të tjera Jehovai po i thoshte popullit të tij: «Nëse qëndroni në anën time, edhe unë do të qëndroj në anën tuaj.» Si do t’i përgjigjeshe ti këtij premtimi për besnikëri nga Perëndia Jehova? Me siguri, ashtu si izraelitët. Populli «u përgjigj njëzëri: ‘Jemi gati t’i zbatojmë të gjitha fjalët e Jehovait.’» (Dal. 24:3) Mirëpo pa kaluar shumë, ndodhi diçka e papritur që ua vuri në provë besnikërinë izraelitëve.

13. Cilat rrethana ua vunë në provë besnikërinë izraelitëve?

13 Izraelitët ishin frikësuar nga reja e errët, vetëtimat dhe shenjat e tjera mahnitëse nga Perëndia. Me kërkesën e tyre, Moisiu pranoi të ishte zëdhënësi i tyre gjatë gjithë komunikimit me Jehovain në malin Sinai. (Dal. 20:18-21) Moisiu qëndroi në majë të malit për një kohë të gjatë. Mos kishin mbetur të braktisur në shkretëtirë izraelitët pa udhëheqësin e tyre të besueshëm? Me sa duket, besimi i popullit varej tepër nga prania fizike e Moisiut. Ata i zuri ankthi dhe i thanë Aaronit: «Na bëj një perëndi që të na prijë, sepse Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk e dimë ç’i ka ndodhur.»​—Dal. 32:1, 2.

14. Me çfarë mendimi e gënjyen veten izraelitët? Si reagoi Jehovai?

14 Populli e dinte se idhujtaria ishte një fyerje e rëndë ndaj Jehovait. (Dal. 20:3-5) Gjithsesi, pas pak filluan të adhuronin një viç të artë! Edhe pse treguan sheshit mosbindje, izraelitët në njëfarë mënyre gënjyen veten me mendimin se ishin akoma në anën e Jehovait. Aaroni madje e quajti adhurimin e viçit «një festë për Jehovain»! Si reagoi Jehovai? U ndie i tradhtuar. Jehovai i tha Moisiut se populli ‘kishte vepruar keq’ dhe se ‘ishte larguar nga udha në të cilën i urdhëroi të shkonin’. Jehovait ‘iu ndez zemërimi’ dhe madje mendoi ta fshinte nga faqja e dheut kombin e sapoformuar të Izraelit.​—Dal. 32:5-10.

15, 16. Si morën me vendosmëri anën e Jehovait Moisiu dhe Aaroni? (Shih figurën hapëse.)

15 Jehovai vendosi të mos i shfaroste izraelitët. Mëshira e tij u dha mundësi adhuruesve besnikë të merrnin me vendosmëri anën e tij. (Dal. 32:14) Pasi pa me sytë e vet sjelljen e shfrenuar të popullit​—që bërtitnin, këndonin e kërcenin para një idhulli—​Moisiu e thërrmoi viçin e artë derisa e bëri pluhur. Pastaj thirri: «Kush është me Jehovain? Le të vijë pranë meje!» Në përgjigje të kësaj, «gjithë bijtë e Levit u mblodhën rreth» Moisiut.​—Dal. 32:17-20, 26.

16 Ndonëse në fillim u përfshi në bërjen e idhullit, Aaroni u pendua dhe u bashkua me levitët e tjerë në anën e Jehovait. Ata besnikë jo vetëm morën anën e Jehovait, por njëkohësisht u shkëputën nga keqbërësit. Ajo ishte një zgjedhje e mençur; atë ditë humbën jetën mijëra veta për shkak të idhujtarisë së tyre. Kurse atyre që ishin në anën e Jehovait iu premtua një bekim.​—Dal. 32:27-29.

17. Çfarë na mësojnë fjalët e Pavlit për ngjarjen me viçin e artë?

 17 Apostulli Pavël tërhoqi vëmendjen te ngjarja me viçin e artë dhe dha këtë paralajmërim: «Këto gjëra u bënë shembuj për ne, që të mos . . . bëhemi idhujtarë, si disa nga ata. [Këta shembuj] u shkruan si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve. Prandaj, ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.» (1 Kor. 10:6, 7, 11, 12) Siç e theksoi Pavli, edhe adhuruesit e vërtetë mund të përfshihen në praktika të gabuara. Ata që dorëzohen para tundimit mund të mendojnë se gëzojnë ende një marrëdhënie të mirë me Jehovain. Por thjesht të duash të jesh mik i Jehovait ose të pohosh se je besnik ndaj tij, nuk nënkupton gjithmonë se Jehovai të miraton vërtet.—1 Kor. 10:1-5.

18. Çfarë mund të na shtyjë të largohemi nga Jehovai, dhe cilat mund të jenë pasojat?

18 Ashtu si izraelitët që i zuri ankthi ngaqë Moisiu po vononte të zbriste nga Sinai, edhe të krishterët sot mund ndihen në ankth nga vonesa në dukje e ditës së gjykimit të Jehovait dhe e ardhjes së botës së re. Plotësimi i këtyre premtimeve mund të duket tepër i largët ose tepër i bukur për të qenë i vërtetë. Po të mos mbahet nën kontroll, kjo mënyrë të menduari mund të na shtyjë të vëmë interesat egoiste, ose të mishit, para vullnetit të Jehovait. Me kohë, mund të largohemi nga Jehovai dhe si përfundim të bëjmë gjëra që nuk do të na kishin shkuar kurrë nëpër mend kur gëzonim një marrëdhënie të fortë me Të.

19. Cilën të vërtetë thelbësore nuk duhet të harrojmë kurrë, dhe pse?

19 Nuk duhet të harrojmë kurrë se Jehovai kërkon t’i bindemi me gjithë zemër dhe t’i përkushtohemi vetëm atij. (Dal. 20:5) Nëse dikush devijon në ndonjë mënyrë nga adhurimi i Jehovait, në realitet po bën vullnetin e Satanait, dhe kjo mund të çojë vetëm në katastrofë. Ja pse Pavli na kujton: «Ju nuk pini dot edhe kupën e Jehovait, edhe kupën e demonëve. Ju nuk merrni dot pjesë edhe në ‘tryezën e Jehovait’, edhe në tryezën e demonëve.»​—1 Kor. 10:21.

QËNDRO I LIDHUR ME JEHOVAIN!

20. Si mund të na ndihmojë Jehovai edhe pasi hedhim një hap të gabuar?

20 Tregimet biblike për Kainin, Solomonin dhe izraelitët në malin Sinai, i bashkon një element i rëndësishëm. Të gjithë ata patën mundësi ‘të pendoheshin dhe të ktheheshin’. (Vep. 3:19) Është e qartë se Jehovai nuk heq dorë shpejt nga ata që hedhin një hap të gabuar. Aaroni, për shembull, e mori faljen e Jehovait. Sot, paralajmërimet e Jehovait mund të vijnë nëpërmjet një tregimi biblik, një botimi të bazuar në Bibël ose një këshille të dashur nga një bashkëbesimtar. Kur ua vëmë veshin paralajmërimeve, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na tregojë mëshirë.

21. Ç’duhet të jemi të vendosur të bëjmë kur të na sprovohet besnikëria ndaj Jehovait?

21 Dashamirësia e pamerituar e Jehovait ka një qëllim. (2 Kor. 6:1) Ajo na jep mundësi «të hedhim poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës». (Lexo Titit 2:11-14.) Për sa kohë të jetojmë «mes kësaj bote», do të hasim situata që do të na sprovojnë nëse jemi të përkushtuar vetëm ndaj Jehovait. Qofshim gjithnjë gati të marrim me vendosmëri anën e tij, sepse ‘Jehovait, Perëndisë tonë, duhet t’i frikësohemi, Atij duhet t’i shërbejmë dhe me të duhet të qëndrojmë të lidhur’!​—Ligj. 10:20.