Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

«Qani me ata që qajnë»

«Qani me ata që qajnë»

«Vazhdoni të ngushëlloni njëri-tjetrin dhe të ndërtoni njëri-tjetrin.»​—1 SEL. 5:11.

KËNGËT: 90, 111

1, 2. Pse kemi nevojë të shqyrtojmë si t’i ngushëllojmë të pikëlluarit? (Shih figurën hapëse.)

«PËR thuajse një vit pas vdekjes së djalit, ndienim një dhembje të thellë e therëse»,​—tha Suzi. Një i krishterë tjetër tha se kur i vdiq gruaja papritmas, provoi «dhembje fizike të parrëfyeshme». Mjerisht, këtë lloj agonie e përjetojnë sa e sa veta. Shumë në kongregacionin e krishterë mund të mos kenë pritur që njerëzit e tyre të dashur të vdisnin para Harmagedonit. Qoftë nëse ty vetë të ka rrëmbyer vdekja një njeri të shtrenjtë, qoftë nëse njeh dikë që është i pikëlluar, ndoshta pyet veten: «Çfarë mund t’i ndihmojë të hidhëruarit ta përballojnë dhembjen që u copëton zemrën?»

2 Mbase ke dëgjuar të thuhet se koha i shëron plagët. Mirëpo, a do të thotë kjo se koha do ta shërojë automatikisht një zemër të vrarë? Një vejushë u shpreh: «Nga përvoja më duket më e saktë të thuhet se ajo që e ndihmon njeriun të shërohet është mënyra si e përdor kohën.» E pra, ashtu si një plagë në trup, dhembja e një plage emocionale mund të zbutet avash-avash me  kalimin e kohës nëse i tregohet kujdes i butë. Por konkretisht, çfarë mund t’i ndihmojë të pikëlluarit që plagët e tyre të dhimbshme të shërohen?

JEHOVAI​—«PERËNDIA I ÇDO NGUSHËLLIMI»

3, 4. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai e kupton sa nevojë ka për ngushëllim një i pikëlluar?

3 S’ka pikë dyshimi se burimi kryesor i ngushëllimit është Ati ynë i dhembshur qiellor, Jehovai. (Lexo 2 Korintasve 1:3, 4.) Jehovai, shembulli më i shkëlqyer i empatisë, e siguroi popullin e tij: «Jam unë që të ngushëlloj.»​—Isa. 51:12; Psal. 119:50, 52, 76.

4 Ati i mëshirave të buta e ka përjetuar vetë vdekjen e njerëzve të dashur, si Abrahami, Isaku, Jakobi, Moisiu dhe mbreti David. (Num. 12:6-8; Mat. 22:31, 32; Vep. 13:22) Fjala e Perëndisë na siguron se Jehovai mezi e pret, se i digjet zemra për kohën kur do t’i kthejë në jetë. (Jobi 14:14, 15) Ata do të jenë të lumtur dhe plot shëndet. Të kujtojmë edhe se Biri i shtrenjtë i Perëndisë​—ai që «kishte veçanërisht për zemër»—​vdiq në agoni. (Prov. 8:22, 30) Nuk ka fjalë për të shprehur dhembjen që duhet të ketë ndier Jehovai.​—Gjoni 5:20; 10:17.

5, 6. Si mund të marrim ngushëllim nga Jehovai?

5 Mund të kemi besim të patundur se Jehovai do të na vijë në ndihmë. Prandaj nuk duhet të ngurrojmë t’ia zbrazim zemrën në lutje për pikëllimin që ndiejmë. Sa ngushëlluese është të dimë se Jehovai e kupton dhembjen tonë dhe na jep ngushëllimin për të cilin kemi tmerrësisht nevojë! Por si e bën këtë?

6 Një mënyrë si na ndihmon Perëndia është nëpërmjet ‘ngushëllimit që jep fryma e shenjtë’. (Vep. 9:31) Forca vepruese e Perëndisë është një burim shumë i fuqishëm ngushëllimi. Jezui premtoi se Ati në qiell do t’u jepte me gjithë zemër ‘frymë të shenjtë atyre që ia kërkonin’. (Luka 11:13) Suzi, e cituar më sipër, thotë: «Kushedi sa herë, thjesht binim në gjunjë dhe i përgjëroheshim Jehovait të na ngushëllonte. Në çdo rast, paqja e Perëndisë me të vërtetë na ruante zemrën dhe mendjen.»​—Lexo Filipianëve 4:6, 7.

JEZUI​—NJË KRYEPRIFT I DHEMBSHUR

7, 8. Pse mund të jemi të sigurt se Jezui do të na ngushëllojë?

7 Empatia e butë e Jehovait u shpreh në mënyrë të përkryer te fjalët dhe te veprimet e Birit të tij të dhembshur, Jezuit, kur ishte në tokë. (Gjoni 5:19) Jezui u dërgua për të ngushëlluar ‘zemërvrarët’ dhe «të gjithë ata që mbajnë zi». (Isa. 61:1, 2; Luka 4:17-21) Prandaj, ai karakterizohej nga dhembshuria e thellë​—nga një ndjeshmëri plot empati ndaj vuajtjeve të njerëzve dhe një dëshirë nga zemra për t’ua lehtësuar vuajtjet.​—Hebr. 2:17.

8 Në moshë më të re, pa dyshim që Jezuit iu desh të përballej me vdekjen e disa pjesëtarëve të familjes dhe të të njohurve. Me sa duket Jozefi, babai i tij birësues, duhet të ketë vdekur kur Jezui ishte ende djalosh. * Imagjino Jezuin zemërdhembshur​—ndoshta thjesht një adoleshent ose në fillim të të 20-ave—​ndërsa i duhej të qetësonte plagën e vet, si edhe të nënës, të vëllezërve e të motrave të tij.

9. Si tregoi empati Jezui kur vdiq Lazari?

 9 Kur nisi shërbimin, Jezui kishte një thesar mbresëlënës me gjykim të thellë dhe empati të madhe. Të marrim, për shembull, rastin kur vdiq miku i tij i dashur Lazari. Edhe pse e dinte se do ta ringjallte Lazarin, Jezui ndjeu sëmbimin e pikëllimit që kishte kapluar Marinë dhe Martën. Aq e thellë ishte empatia që e pushtoi, sa i theri në zemër e nuk i mbajti dot lotët.​—Gjoni 11:33-36.

10. Pse mund të jemi të sigurt se Jezui ndien dhembshuri sot?

10 Si mund të na ndihmojnë sot dhembshuria që shfaqi dhe ngushëllimi që dha Jezui? Shkrimet na sigurojnë se «Jezu Krishti është i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë». (Hebr. 13:8) ‘Kryepërfaqësuesi i jetës’ e di nga përvoja si ndihet kush e ka shpirtin të pikëlluar, prandaj «është në gjendje t’u vijë në ndihmë atyre që po vihen në provë». (Vep. 3:15; Hebr. 2:10, 18) Pra, mund të jemi të sigurt se Krishti vazhdon të preket nga dhembja e të tjerëve, të kuptojë hidhërimin e tyre dhe t’u japë ngushëllim «në kohën e duhur».​—Lexo Hebrenjve 4:15, 16.

‘NGUSHËLLIM NGA SHKRIMET’

11. Cilat shkrime të ngushëllojnë në veçanti?

11 Tregimi për dhimbjen e thellë të Jezuit kur vdiq Lazari është vetëm një nga fragmentet e panumërta ngushëlluese të Fjalës së Perëndisë që na lehtëson zemrën. E s’është çudi, pasi «gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë». (Rom. 15:4) Nëse e ke zemrën të vrerosur, edhe ti mund të gjesh ngushëllim që të lehtëson plagën nga shkrime si këto më poshtë:

  • «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»​—Psal. 34:18, 19.

  • «Kur pata përbrenda shumë mendime turbulluese, ngushëllimet e tua [o Jehova] nisën të ma ledhatonin shpirtin.»​—Psal. 94:19.

  • «Zotëria ynë Jezu Krisht dhe Perëndia, Ati ynë, që na deshi dhe na dha ngushëllim të përhershëm e shpresë të mrekullueshme me anë të dashamirësisë së pamerituar, ngushëllofshin zemrat tuaja dhe ju bëfshin të patundur.»​—2 Sel. 2:16, 17. *

KONGREGACIONI​—NJË BURIM I MADH NGUSHËLLIMI

12. Cila është një mënyrë e rëndësishme si mund të jemi burim ngushëllimi për të tjerët?

12 Një burim tjetër ngushëllimi për ata me zemër të hidhëruar është kongregacioni i krishterë. (Lexo 1 Selanikasve 5:11.) Si mund t’u japësh forcë dhe t’i ngushëllosh ata që kanë ‘një frymë të dërrmuar’? (Prov. 17:22) Mbaj ndër mend se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur». (Ekl. 3:7) Një vejushë që quhet Dalina shpjegon: «Të pikëlluarit kanë nevojë të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre. Prandaj, gjëja më e rëndësishme që mund të bësh për një të pikëlluar është ta dëgjosh​—pa e ndërprerë.» Junia, vëllai i së cilës vrau veten, shton: «Edhe nëse nuk arrin ta kuptosh plotësisht hidhërimin e tyre, ajo që ka rëndësi është se dëshiron të kuptosh si ndihen.»

13. Çfarë nuk duhet të harrojmë për pikëllimin?

13 Veç kësaj, të mos harrojmë se jo të gjithë e përjetojnë dhe e shprehin pikëllimin në të njëjtën mënyrë. Nganjëherë, vetëm zemra e atij që vuan e di tamam sa e thellë është plaga e tij, dhe mund ta ketë të vështirë ta shprehë atë që ka në skutat e shpirtit. Fjala e Perëndisë thotë: «Zemra është e vetëdijshme  për hidhësinë në shpirtin e një njeriu, dhe në gëzimin e saj nuk merr pjesë asnjë i huaj.» (Prov. 14:10) Edhe kur dikush e shpreh si ndihet, të tjerët s’e kanë gjithmonë të lehtë ta kuptojnë atë që po mundohet të thotë.

14. Ku mund të gjejmë fjalë ngushëllimi për dikë që është në zi?

14 Merret me mend, pra, se mund ta kemi të vështirë të dimë se çfarë t’i themi dikujt që e ka mbytur pikëllimi. Gjithsesi, Bibla thotë se «gjuha e të mençurve është shërim». (Prov. 12:18) Shumë veta kanë gjetur mendime ngushëlluese për të pikëlluarit në broshurën Kur të vdes një njeri i dashur . . . . * Por shpesh ndihma më e madhe që mund të japësh është ‘të qash me ata që qajnë’. (Rom. 12:15) Gebi, së cilës i vdiq i shoqi, pranon: «Lotët janë bërë gjuha e zemrës sime. Ja pse gjej ngushëllim kur miqtë qajnë me mua. Në ato momente, nuk ndihem krejt e vetme në pikëllimin tim.»

15. Si mund ta ngushëllojmë të pikëlluarin nëse e kemi të vështirë ta bëjmë këtë ballë për ballë? (Shih edhe kutinë « Fjalë ngushëllimi që lehtësojnë plagën».)

15 Nëse e ke të vështirë t’i thuash diçka ballë për ballë të pikëlluarit, mbase është më e lehtë ta ngushëllosh me anë të një kartoline, një email-i, një mesazhi a një letre ngushëllimi. Thjesht mund të citosh një shkrim ngushëllues, të kujtosh ndonjë karakteristikë a cilësi të spikatur të të ndjerit ose të tregosh një kujtim të bukur që e ruan në zemër. Junia thotë: «Nuk gjej fjalë të shpreh sa më ndihmon një mesazh i shkurtër zemërdhënës ose një ftesë për të kaluar kohë me një bashkëbesimtare. Nga gjeste të tilla ndiej se të tjerët më duan dhe merakosen për mua.»

16. Cila është një mënyrë veçanërisht e efektshme për të ngushëlluar një të pikëlluar?

 16 Mos e nënvlerëso ndikimin që kanë lutjet bashkë me një vëlla a motër të pikëlluar dhe për të. Edhe pse mund të jetë e vështirë t’i shprehësh në lutje mendimet e tua në një situatë të ngarkuar me emocione, përgjërimet nga zemra për të hidhëruarin, qoftë edhe me lot e me zërin që të dridhet, mund të jenë një ilaç i fuqishëm kundër pikëllimit. Dalina kujton: «Ndonjëherë, kur motrat vijnë të më ngushëllojnë, i pyes nëse kanë dëshirë të bëjnë një lutje. Ato nisin të luten, dhe shpesh në fillim mezi i lidhin fjalët. Por, në çdo rast, pas fjalive të para, zëri u bëhet më i plotë dhe thonë lutjen më të ndier nga thellësia e zemrës. Besimi i fortë, dashuria dhe meraku i tyre ma kanë forcuar jashtëzakonisht besimin.»

VAZHDO TË JESH BURIM NGUSHËLLIMI

17-19. Pse të pikëlluarit kanë nevojë që të vazhdojmë t’i ngushëllojmë?

17 Procesi i pikëllimit mund të ndryshojë shumë nga njëri te tjetri. Prandaj, tregohu i gatshëm të ndihmosh jo vetëm ditët e para kur janë të pranishëm shumë miq e të afërm, por edhe në muajt që pasojnë kur të tjerët i janë kthyer rutinës normale. «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.» (Prov. 17:17) Bashkëbesimtarët mund të jenë burim ngushëllimi të thellë për sado kohë t’i duhet të pikëlluarit që t’i qetësohet plaga.​—Lexo 1 Selanikasve 3:7.

18 Të mos harrojmë se të hidhëruarit mund t’i mbërthejë befas pikëllimi nga përvjetorët, nga një muzikë, fotografi ose aktivitete të caktuara, a madje edhe nga një aromë, tingull ose stinë e veçantë. Shumë gjëra që një bashkëshort i pikëlluar i bën për herë të parë vetëm​—si pjesëmarrja në një asamble ose në Përkujtim—​mund të jenë veçanërisht të dhimbshme. Një vëlla tregon: «Prisja që përvjetori i parë i martesës të ishte goxha lëndues, dhe vërtet nuk ishte i lehtë. Por disa vëllezër e motra planifikuan një grumbullim të vogël me miqtë e mi më të afërt që të mos isha vetëm.»

19 Sidoqoftë, të mbajmë në mend se të pikëlluarit nuk kanë nevojë për inkurajim vetëm në raste të veçanta. Junia shprehet: «Shpesh ndihma dhe shoqëria që ofrohet kur s’ka ndonjë përvjetor të veçantë mund të jetë shumë e dobishme. Për mua, këto momente spontane janë tepër të çmuara dhe më ngushëllojnë shumë.» Vërtet, nuk mund ta eliminojmë gjithë pikëllimin ose të plotësojmë krejt boshllëkun që krijon vdekja e një njeriu të dashur, por mund t’i sjellim njëfarë ngushëllimi e lehtësimi të pikëlluarit duke bërë hapa praktikë për ta ndihmuar. (1 Gjon. 3:18) Gebi kujton: «I jam vërtet mirënjohëse Jehovait për pleqtë e dashur që më shoqëruan në çdo hap të vështirë të kësaj rruge. Më kanë bërë të ndiej vërtet përqafimin e ngrohtë të Jehovait.»

20. Pse premtimet e Jehovait janë burim i madh ngushëllimi?

20 Sa shumë na ngushëllon siguria se Jehovai, Perëndia i çdo ngushëllimi, do ta zhdukë krejtësisht pikëllimin dhe do të sjellë ngushëllim të përhershëm kur «të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin [e Krishtit] dhe do të dalin»! (Gjoni 5:28, 29) Perëndia premton se «do ta asgjësojë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë». (Isa. 25:8, shën., NWT, botimi 2013) Atëherë, në vend që ‘të qajnë me ata që qajnë’, gjithë banorët e tokës ‘do të gëzojnë me ata që gëzojnë’.​—Rom. 12:15.

^ par. 8 Hera e fundit që përmendet Jozefi ishte në kohën kur Jezui ishte 12 vjeç. Kur Jezui kreu mrekullinë e parë, duke kthyer ujin në verë, Jozefi nuk përmendet​—as atëherë, as në ndonjë rast tjetër më vonë. Kur ishte në shtyllën e torturës, Jezui ia besoi Marinë apostullit Gjon që të kujdesej për të. Ka shumë të ngjarë që nuk do ta kishte bërë këtë sikur Jozefi të ishte akoma gjallë.​—Gjoni 19:26, 27.

^ par. 14 Shih edhe artikullin «Të ngushëllojmë të pikëlluarit, siç bëri Jezui» në Kullën e Rojës të 1 nëntorit 2010.