A është e përshtatshme që një i krishterë të mbajë armë zjarri, si pistoletë ose pushkë, për t’u mbrojtur nga njerëzit?

Vërtet, të krishterët mund të ndërmarrin hapa të arsyeshëm për sigurinë e tyre fizike, ama e bëjnë këtë në përputhje me parimet biblike. Ato na këshillojnë të mos përdorim armë, si pistoleta, pushkë ose armë zjarri të tjera, për t’u mbrojtur nga njerëzit. Të shqyrtojmë faktorët e mëposhtëm:

Në sytë e Jehovait, jeta​—sidomos jeta e njeriut—​është e shenjtë. Psalmisti David e dinte se Jehovai është «burimi i jetës». (Psal. 36:9) Prandaj, nëse një i krishterë zgjedh të marrë masa të arsyeshme për të mbrojtur veten ose pronën e tij, ai do të bëjë çmos të mos i marrë jetën asnjë njeriu e të mos bëhet kështu me faj gjaku.​—Ligj. 22:8; Psal. 51:14.

Përdorimi i çfarëdo objekti mund ta bëjë dikë me faj gjaku, ama armët e bëjnë më të lehtë të vrasësh dikë, pa dashje ose me dashje. * Për më tepër, nëse agresori​—i cili tashmë mund të jetë i tensionuar—​sheh se tjetri ka armë, ka shumë të ngjarë që situata të përshkallëzohet dhe të vritet dikush.

Kur u tha dishepujve të pajiseshin me shpata natën e tij të fundit në tokë, Jezui nuk e kishte fjalën për mbrojtjen. (Luka 22:36, 38) Në vend të kësaj, Jezui u kërkoi të merrnin një shpatë për t’u ilustruar mësimin që të mos përdornin dhunë, madje as kur të përballeshin me një turmë të armatosur. (Luka 22:52) Kur Pjetri e goditi me  shpatë skllavin e kryepriftit, Jezui e urdhëroi: «Ktheje shpatën në vendin e vet.» Më pas, Jezui tha një të vërtetë themelore, një parim që i udhëheq dishepujt e tij sot e kësaj dite: «Të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.»​—Mat. 26:51, 52.

Në harmoni me Mikenë 4:3, populli i Perëndisë ‘i farkëton shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje’. Ky tipar identifikues i të krishterëve të vërtetë është në harmoni me nxitjen e frymëzuar të Pavlit: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. . . . Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.» (Rom. 12:17, 18) Ndonëse Pavli hoqi shumë peripeci, siç ishin ‘rreziqet nga kusarët’, ai jetoi në përputhje me fjalët që tha vetë dhe kurrë nuk e vuri sigurinë e tij mbi parimet e Shkrimeve. (2 Kor. 11:26) Përkundrazi, u mbështet me besim te Perëndia dhe te mençuria e Fjalës së Tij​—mençuri që «është më e mirë se armët».​—Ekl. 9:18.

Për të krishterët, jeta është shumë më e çmuar se gjërat materiale. «Jeta [e dikujt] nuk varet nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) Kështu, nëse i foluri i butë nuk e ndalon dot një grabitës të armatosur, të krishterët e mençur i vënë veshin parimit që gjendet te fjalët e Jezuit: «Mos kundërvepro ndaj njeriut të lig.» Mund të na duhet madje të heqim dorë, si të thuash, nga veshja e poshtme dhe e sipërme. (Mat. 5:39, 40; Luka 6:29) * Sigurisht, strategjia më e mirë është parandalimi. Nëse shmangim ‘kapardisjen për t’u dukur me të mirat materiale’ dhe nëse njihemi si Dëshmitarë paqedashës të Jehovait, mund të mos bëhemi shënjestër e kriminelëve të dhunshëm.​—1 Gjon. 2:16; Prov. 18:10.

Të krishterët respektojnë ndërgjegjen e të tjerëve. (Rom. 14:21) Nëse merret vesh se një pjesëtar i kongregacionit mban armë për t’u mbrojtur nga njerëzit, disa bashkëbesimtarë mund të shokohen, madje edhe të pengohen. Dashuria na nxit t’i vëmë interesat e të tjerëve para tonave, edhe kur kjo kërkon të heqim dorë nga diçka që mendojmë se është një e drejtë ligjore.​—1 Kor. 10:32, 33; 13:4, 5.

Të krishterët bëjnë çmos të jenë shembullorë. (2 Kor. 4:2; 1 Pjet. 5:2, 3) Kur një të krishteri i jepen këshilla nga Shkrimet, por vazhdon të mbajë armë për t’u mbrojtur nga njerëzit, ai nuk mund të shihet si shembullor. Si rrjedhojë, nuk kualifikohet për përgjegjësi ose privilegje speciale në kongregacion. E njëjta gjë vlen edhe për një të krishterë që vazhdon të mbajë një armë zjarri ngaqë ia kërkon puna. Do të ishte shumë më mirë që ai të kërkonte një punë tjetër. *

Sigurisht, mënyra si zgjedh ta mbrojë veten, familjen ose zotërimet një i krishterë, është kryesisht një çështje personale, ashtu siç është zgjedhja e punës. Sidoqoftë, parimet biblike pasqyrojnë mençurinë e Perëndisë dhe dashurinë që ka për ne. Nga respekti për këto parime, të krishterët e pjekur zgjedhin të mos mbajnë armë zjarri për t’u mbrojtur nga njerëzit. E dinë se sigurinë e vërtetë dhe të përhershme e gëzojnë ata që mbështeten me besim te Perëndia, duke jetuar në përputhje me parimet biblike.​—Psal. 97:10; Prov. 1:33; 2:6, 7.

Gjatë shtrëngimit të madh, të krishterët do të mbështeten te Jehovai dhe nuk do të përpiqen të vetëmbrohen

^ par. 3 Një i krishterë mund të vendosë të ketë armë zjarri (si për shembull, pushkë ose armë gjahu) që të gjuajë kafshë për ushqim ose që të mbrohet nga kafshët e egra. Gjithsesi, kur nuk përdoren, është mirë që armë të tilla të mbahen zbrazur, mbase edhe të çmontuara, si edhe të mbyllen të sigurta diku. Atje ku mbajtja e armëve është e paligjshme, e kufizuar ose ligji parashikon ndonjë dispozitë tjetër, të krishterët i binden ligjit.​—Rom. 13:1.

^ par. 2 Në lidhje me vetëmbrojtjen nga përdhunimi, shih artikullin «Si ta parandalosh përdhunimin», te Zgjohuni! i 8 marsit 1993, anglisht, dhe kapitullin 32 «Si të mbrohem nga grabitqarët seksualë?» në librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 1.

^ par. 4 Për hollësi të mëtejshme nëse duhet ta pranojmë ose jo një punë që përfshin mbajtjen e armëve, shih Kullën e Rojës 1 nëntor 2005, f. 31 dhe 15 korrik 1983, f. 25, 26, anglisht.