Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 ARTIKULLI I STUDIMIT 2

Lëvdo Jehovain në kongregacion

Lëvdo Jehovain në kongregacion

«Në mes të kongregacionit do të të lëvdoj.»​—PSAL. 22:22.

KËNGA 59 Ta lëvdojmë Jah

PËRMBLEDHJE *

1. Si ndihej Davidi për Jehovain, dhe çfarë e shtynte të bënte kjo?

MBRETI David shkroi: «Jehovai është i madh dhe i denjë të lëvdohet shumë.» (Psal. 145:3) Ai e donte Jehovain, dhe kjo dashuri e shtynte ta lëvdonte «në mes të kongregacionit». (Psal. 22:22; 40:5) Pa dyshim, edhe ti e do Jehovain dhe bashkohesh me ndjenjat e Davidit që tha: «Qofsh i bekuar [i lëvduar], o Jehova, Perëndia i Izraelit, ati ynë, në jetë të jetëve!»—1 Kron. 29:10-13.

2. (a) Si mund ta lëvdojmë Jehovain? (b) Cilën vështirësi hasin disa, dhe çfarë do të shqyrtojmë?

2 Sot, një mënyrë si e lëvdojmë Jehovain është duke komentuar gjatë mbledhjeve. Por disa vëllezër e motra kanë vërtet një vështirësi. Ata duan të komentojnë në mbledhje, por i pengon frika. Si mund ta mposhtin këtë frikë? Dhe cilat sugjerime praktike mund të na ndihmojnë të gjithëve të bëjmë komente inkurajuese? Para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, le të shqyrtojmë katër arsye kryesore pse komentojmë në mbledhje.

PSE KOMENTOJMË NË MBLEDHJE

3-5. (a) Siç tregon Hebrenjve 13:15, pse komentojmë në mbledhje? (b) A duhet të bëjmë të gjithë të njëjtin lloj komenti? Shpjegoni.

3 Jehovai na ka dhënë të gjithëve privilegjin për ta lëvduar. (Psal. 119:108) Komentet tona në mbledhje janë pjesë e ‘flijimit të lëvdimit’ që i japim Perëndisë, dhe askush nuk mund ta bëjë këtë flijim në vendin tonë. (Lexo Hebrenjve 13:15.) A kërkon Jehovai të njëjtin lloj flijimi, ose komenti, nga secili prej nesh? Jo, aspak.

 4 Jehovai e di se ne kemi aftësi e rrethana të ndryshme dhe i çmon thellë flijimet që jemi në gjendje të bëjmë për të. Mendo se çfarë lloj flijimesh pranonte ai nga izraelitët. Disa izraelitë ishin në gjendje të ofronin një qengj ose një dhi. Por një të varfri i jepej mundësia të ofronte «dy turtuj ose dy zogj pëllumbash». E nëse një izraelit nuk ishte në gjendje të sillte dy zogj, Jehovai pranonte «një të dhjetën e një efe majë mielli». (Lev. 5:7, 11) Mielli kushtonte më pak, por prapëseprapë Jehovai e çmonte atë flijim, për sa kohë të ishte «majë mielli».

5 Perëndia ynë i mirë ndihet njësoj edhe sot. Kur bëjmë komente, ai nuk pret që të gjithë ne të jemi aq gojëtarë sa Apoli ose aq të zotë sa Pavli për t’u mbushur mendjen të tjerëve. (Vep. 18:24; 26:28) Gjithë sa do Jehovai është të bëjmë komentet më të mira që mundemi—brenda aftësive tona. Sill ndër mend vejushën që dhuroi dy qindarka. Ajo ishte e vyer në sytë e Jehovait, sepse dha më të mirën që mundej.—Luka 21:1-4.

Komentet na sjellin dobi ne vetë dhe atyre që i dëgjojnë (Shih paragrafët 6-7.) *

6. (a) Sipas Hebrenjve 10:24, 25, si mund të ndikojnë te ne komentet e të tjerëve? (b) Si mund të tregosh çmueshmëri për komentet që të inkurajojnë?

6 Me komentet tona inkurajojmë njëri-tjetrin. (Lexo Hebrenjve 10:24, 25.) Të gjithëve na pëlqen kur dëgjojmë një larmi komentesh në mbledhje. Na kënaqin fjalët e thjeshta e të sinqerta të një fëmije. Marrim zemër nga entuziazmi që përcjell zëri i dikujt i cili komenton për një të vërtetë që sapo ka zbuluar. Dhe i admirojmë ata që ‘marrin guximin’ të komentojnë ndonëse janë të ndrojtur ose sapo kanë filluar të mësojnë gjuhën tonë. (1 Sel. 2:2) Si mund të tregojmë çmueshmëri për përpjekjet e tyre? Mund t’i falënderojmë pas mbledhjes për komentin inkurajues. Një mënyrë tjetër është të komentojmë edhe vetë. Kështu, jo vetëm do të marrim inkurajim në mbledhje, por edhe do të inkurajojmë të tjerët.—Rom. 1:11, 12.

7. Si nxjerrim dobi kur komentojmë?

7 Kur komentojmë, nxjerrim dobi edhe vetë. (Isa. 48:17) Si? Së pari, kur  kemi ndër mend të bëjmë një koment, jemi akoma më të motivuar që të përgatitemi mirë për mbledhjen. Kur përgatitemi mirë, e kuptojmë më thellë Fjalën e Perëndisë. E sa më thellë ta kuptojmë, aq më mirë mund t’i zbatojmë gjërat që mësojmë. Së dyti, ka shumë të ngjarë ta shijojmë më tepër mbledhjen ngaqë përfshihemi në diskutim. Së treti, meqë duhen përpjekje të komentojmë, shpesh i kujtojmë pikat që komentuam edhe shumë kohë pasi mbaron mbledhja.

8-9. (a) Siç tregon Malakia 3:16, si ndihet Jehovai për komentet tona? (b) Pavarësisht nga kjo, çfarë vështirësie mund të kenë disa?

8 Kur flasim për besimin tonë, kënaqim Jehovain. Mund të jemi të sigurt se Jehovai na dëgjon dhe i çmon thellë përpjekjet që bëjmë për të komentuar në mbledhje. (Lexo Malakinë 3:16.) Ai e tregon këtë çmueshmëri duke na bekuar kur përpiqemi me mish e me shpirt që ta kënaqim.—Mal. 3:10.

9 Është e qartë se kemi arsye të forta për të komentuar në mbledhje. Prapëseprapë, disa mund të kenë frikë të ngrenë dorën. Nëse ndihesh edhe ti kështu, mos u shkurajo. Le të shqyrtojmë disa parime biblike, disa shembuj dhe disa sugjerime praktike që mund të na ndihmojnë të gjithëve të përpiqemi të komentojmë më shumë në mbledhje.

SI TA MPOSHTËSH FRIKËN

10. (a) Çfarë frike kanë shumë prej nesh? (b) Pse frika për të komentuar mund të jetë shenjë e mirë?

10 A të bëhet një si lëmsh në stomak qoftë edhe nga mendimi që të ngresh dorën për të komentuar? Nëse po, nuk je i vetmi. E vërteta është se shumica prej nesh ndiejmë njëfarë frike kur komentojmë. Para se të arrish ta mposhtësh këtë ndjenjë paralizuese, duhet të dallosh çfarë e shkakton. A ke frikë se mos e harron atë që dëshiron të thuash apo se mos thua diçka të gabuar? A ke merak se komenti yt nuk do të jetë aq i  mirë sa komentet e të tjerëve? Në fakt, një frikë e tillë mund të jetë shenjë e mirë. Ajo tregon se je i përulur dhe se i sheh të tjerët si më të lartë se veten. Jehovai e do këtë cilësi. (Psal. 138:6; Filip. 2:3) Por, Jehovai dëshiron edhe të lëvdosh atë dhe të inkurajosh vëllezërit e motrat në mbledhje. (1 Sel. 5:11) Ai të do dhe ka për të të dhënë guximin që të nevojitet.

11. Cilët përkujtues nga Shkrimet mund të na ndihmojnë?

11 Mendo për disa përkujtues nga Shkrimet. Bibla pohon se të gjithë gabojmë në atë që themi dhe në mënyrën si e themi. (Jak. 3:2) Jehovai nuk pret të jemi të përsosur, dhe as vëllezërit e motrat nuk e presin këtë. (Psal. 103:12-14) Ata janë familja jonë dhe na duan. (Mar. 10:29, 30; Gjoni 13:35) E kuptojnë se ndonjëherë komentet tona nuk dalin fiks siç do të donim.

12-13. Çfarë mësojmë nga shembulli i Nehemisë dhe i Jonait?

12 Mendo pak për disa shembuj nga Bibla që mund të të ndihmojnë të mposhtësh çdo frikë. Sill ndër mend Neheminë. Ai shërbente në oborrin e një mbreti të fuqishëm. Nehemia ishte i dëshpëruar se kishte dëgjuar që muret dhe portat e Jerusalemit ishin të rrënuara. (Neh. 1:1-4) Imagjino sa ankth e frikë duhet të ketë ndier kur mbreti i kërkoi të shpjegonte pse dukej aq i trishtuar. Nehemia bëri një lutje të shpejtë dhe pastaj iu përgjigj mbretit. Si rezultat, mbreti e ndihmoi pa masë popullin e Perëndisë. (Neh. 2:1-8) Mendo edhe për Jonain. Kur Jehovai i kërkoi t’u fliste banorëve të Ninevisë, Jonai u tmerrua aq shumë, sa ia mbathi në drejtim të kundërt. (Jon. 1:1-3) Por me ndihmën e Jehovait, Jonai e përmbushi caktimin e tij. Dhe fjalët që tha ai, u sollën shumë dobi banorëve të Ninevisë. (Jon. 3:5-10) Nga Nehemia mësojmë sa e rëndësishme është të lutemi para se të përgjigjemi. Dhe nga Jonai mësojmë se Jehovai mund të na ndihmojë t’i shërbejmë pavarësisht se sa e madhe është frika që ndiejmë. Që të jemi realistë, a ka ndonjë kongregacion ku është aq e frikshme të komentosh sa ç’ishte të flisje para ninevitëve?!

13 Po cilat sugjerime praktike mund të të ndihmojnë të bësh komente inkurajuese në mbledhje? Le të shohim disa.

14. Pse duhet të përgatitemi mirë për mbledhjet, dhe kur mund ta bëjmë këtë?

14 Përgatitu për çdo mbledhje. Kur planifikon që më përpara dhe përgatitesh mirë, ndihesh më i sigurt për të komentuar. (Prov. 21:5) Sigurisht, jo të gjithë kemi të njëjtin program studimi. Eloiza, një vejushë në të 80-at, nis të përgatitet për Studimin e Kullës së Rojës nga fillimi i javës. Ajo thotë: «I shijoj më shumë mbledhjet nëse studioj kohë përpara.» Xhoi, që punon në  kohë të plotë, programon ta studiojë Kullën e Rojës të shtunave. Ajo thotë: «Më pëlqen ta kem të freskët në mendje materialin.» Ajki, një plak me program të ngjeshur që shërben edhe si pionier, thotë: «E kam më mirë të studioj për periudha të shkurtra gjatë gjithë javës, sesa për një kohë të gjatë një herë të vetme.»

15. Si mund të përgatitesh mirë për mbledhjet?

15 Çfarë përfshin përgatitja e mirë për mbledhje? Çdo herë, nise studimin me një lutje për t’i kërkuar Jehovait frymën e shenjtë. (Luka 11:13; 1 Gjon. 5:14) Pastaj për disa minuta hidhi një sy materialit. Analizo titullin, nëntitujt, figurat dhe kutitë. Ndërsa studion secilin paragraf, hap dhe lexo sa më shumë shkrime të mundesh. Medito për informacionin duke u kushtuar vëmendje të veçantë pikave që dëshiron të komentosh. Sa më mirë të përgatitesh, aq më shumë do të nxjerrësh dobi dhe aq më të lehtë mund ta kesh të komentosh.—2 Kor. 9:6.

16. Çfarë mjetesh ke në dispozicion, dhe si po i përdor?

16 Nëse ke mundësi, përdor mjetet elektronike në një gjuhë që e kupton. Jehovai na ka dhënë me anë të organizatës së tij mjete elektronike që të na ndihmojë të përgatitemi për mbledhjet. Aplikacioni JW Library® na jep mundësi të shkarkojmë botimet për studim në një pajisje elektronike. Kështu mund ta studiojmë—ose të paktën ta lexojmë a ta dëgjojmë materialin—në çdo kohë dhe në çdo vend. Disa e përdorin këtë aplikacion për të studiuar gjatë pushimit të drekës në punë a në shkollë ose kur udhëtojnë. Falë Bibliotekës Watchtower dhe BIBLIOTEKËS ONLINE Watchtower, e kemi shumë të lehtë që të bëjmë kërkime për ato pika të materialit që duam t’i studiojmë më thellë.

Kur programon kohë që të përgatitesh për mbledhjet? (Shih paragrafët 14-16.) *

17. (a) Pse është mirë të përgatitësh disa komente? (b) Çfarë mësove nga videoja Bëhu mik i Jehovait—Përgatite komentin?

17 Nëse është e mundur, përgatit disa komente për çdo artikull. Pse? Sepse ndoshta nuk do të ta japin fjalën sa herë që ngre dorën. Ka shumë të ngjarë që edhe të tjerë ta ngrenë dorën në të njëjtën kohë, dhe drejtuesi mund të zgjedhë një prej tyre. Për t’u siguruar që mbledhja të mbarojë në orar, drejtuesi mund ta kufizojë numrin e komenteve në disa pjesë të materialit. Ndaj, mos u ofendo ose mos u shkurajo nëse nuk ta jep fjalën nga fillimi i studimit. Po të përgatitësh disa komente, do të kesh më shumë mundësi të marrësh pjesë në diskutim. Një nga komentet që përgatit, mund të jetë të lexosh një shkrim. Por nëse ke mundësi, përgatitu edhe që të bësh një koment me fjalët e tua. *

18. Pse është mirë të bëjmë komente të shkurtra?

 18 Bëj komente të shkurtra. Shpesh, komentet më inkurajuese janë të shkurtra dhe të thjeshta. Prandaj, syno që komentet e tua të jenë të shkurtra. Përpiqu t’i kufizosh në afro 30 sekonda. (Prov. 10:19; 15:23) Nëse ke vite që komenton në mbledhje, ke një rol të rëndësishëm—të lësh një shembull të mirë duke bërë komente të shkurtra. Nëse bën komente të ndërlikuara që zgjatin disa minuta, të tjerët mund të ndihen të pasigurt nga frika se nuk do të jenë të zotë të komentojnë aq mirë sa ti. Veç kësaj, komentet e shkurtra lënë kohë që në mbledhje të marrin pjesë më shumë veta. E sidomos kur të jepet fjala të komentosh i pari, jep një përgjigje të thjeshtë e të drejtpërdrejtë. Mos u përpiq të përmendësh çdo pikë të paragrafit. Pasi të jetë trajtuar ideja kryesore e paragrafit, mund të komentosh për pika të tjera.—Shih kutinë « Çfarë mund të komentoj?»

19. Si mund të të ndihmojë drejtuesi, por çfarë duhet të bësh ti?

19 Tregoji drejtuesit nëse dëshiron të komentosh në një paragraf të caktuar. Nëse zgjedh ta bësh këtë, duhet të flasësh me drejtuesin kohë përpara se të fillojë mbledhja. Kur është momenti të komentosh tek ai paragraf, ngrije dorën shpejt dhe aq lart sa drejtuesi të të shohë.

20. Në ç’kuptim ngjan një mbledhje kongregacioni me një vakt mes miqsh?

20 Shikoji mbledhjet e kongregacionit si një vakt mes miqsh të mirë. Imagjino sikur bashkë me disa miq nga kongregacioni planifikoni të hani së bashku dhe të kërkojnë të gatuash edhe ti diçka të vogël. Si do të veprosh? Mbase do të ndihesh pak në ankth, ama ka shumë të ngjarë që do të bësh më të mirën për të sjellë diçka që u pëlqen të gjithëve. Jehovai, Mikpritësi ynë, na ka shtruar një tryezë plot me të mira në mbledhjet tona. (Psal. 23:5; Mat. 24:45) Dhe ai kënaqet kur sjellim një dhuratë të thjeshtë, më të mirën që mund të japim. Ndaj, përgatitu mirë dhe komento sa më shpesh të mundesh. Kështu, jo vetëm do të ushqehesh në tryezën e Jehovait, por edhe do të sjellësh një dhuratë për dobinë e të tjerëve në kongregacion.

KËNGA 2 E ke emrin Jehova

^ par. 5 Ashtu si psalmisti David, të gjithë ne e duam Jehovain dhe ndiejmë kënaqësi kur e lëvdojmë. Kemi një mundësi unike që të shprehim dashurinë për Perëndinë kur mblidhemi në kongregacion për ta adhuruar. Mirëpo disa prej nesh e kanë të vështirë të komentojnë në mbledhje. Nëse edhe ti has këtë vështirësi, ky artikull mund të të ndihmojë të kuptosh çfarë të frikëson dhe të përpiqesh të mposhtësh çdo frikë.

^ par. 17 Në sitin jw.org, shiko videon Bëhu mik i Jehovait—Përgatite komentin. Shih te MËSIME BIBLIKE > FËMIJËT.

^ par. 63 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pjesëtarët e një kongregacioni marrin pjesë me gëzim në diskutimin e Kullës së Rojës.

^ par. 65 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Disa pjesëtarë të kongregacionit, që në figurën e mëparshme kanë ngritur dorën në Studimin e Kullës së Rojës. Edhe pse secili ka rrethana të ndryshme, të gjithë programojnë kohë për të studiuar artikullin.