Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 ARTIKULLI I STUDIMIT 4

Ç’na mëson një darkë e thjeshtë për një Mbret qiellor

Ç’na mëson një darkë e thjeshtë për një Mbret qiellor

«Kjo përfaqëson trupin tim. . . . Kjo përfaqëson ‘gjakun tim të besëlidhjes’.»—MAT. 26:26-28.

KËNGA 16 Lëvdoni Jah për Birin e tij, të mirosurin

PËRMBLEDHJE *

1-2. (a) Pse është e natyrshme që Jezui do të përcaktonte një mënyrë të thjeshtë për të përkujtuar vdekjen e tij? (b) Cilat cilësi të Jezuit do të shqyrtojmë?

A MUND të përshkruash çfarë ndodh në Përkujtimin e përvitshëm të vdekjes së Krishtit? Pa dyshim që shumica prej nesh i mban mend aspektet kryesore të Darkës së Zotërisë. Pse? Sepse kjo darkë ose ceremoni nuk është aspak e ndërlikuar. Por njëkohësisht është një rast plot domethënie. Prandaj, ndoshta pyesim: «Pse është kaq e thjeshtë kjo darkë?»

2 Gjatë shërbimit të tij në tokë, Jezui njihej për faktin që mësonte të vërteta të rëndësishme në një mënyrë të thjeshtë, të qartë e që kuptohej lehtë. (Mat. 7:28, 29) Ai veproi po njësoj kur përcaktoi një mënyrë të thjeshtë, por njëkohësisht domethënëse, për të përkujtuar * vdekjen e tij. Le ta shqyrtojmë më thellë darkën e Përkujtimit dhe disa nga gjërat që tha e që bëri Jezui. Do të kuptojmë akoma më qartë sa i përulur, i guximshëm e i dashur është Jezui dhe do të mësojmë si mund ta imitojmë më mirë.

JEZUI ËSHTË I PËRULUR

Simbolet e Përkujtimit, buka dhe vera, na kujtojnë se Jezui dha jetën për ne dhe se tani po qeveris në qiell si Mbreti ynë (Shih paragrafët 3-5.)

3. Siç tregon Mateu 26:26-28, sa e thjeshtë ishte darka e Përkujtimit që themeloi Jezui, dhe çfarë simbolizonin dy gjërat e thjeshta që përdori?

3 Jezui e themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij kur ishte me 11 apostujt besnikë. Ai mori çfarë kishte mbetur në  tryezë nga darka e Pashkës dhe bëri atë ceremoni të thjeshtë përkujtimore. (Lexo Mateun 26:26-28.) Jezui përdori vetëm bukën pa maja dhe verën që kishin aty. Ai u tha apostujve se ato dy gjëra të thjeshta simbolizonin trupin e përsosur dhe gjakun e tij, që pas pak do t’i jepte për ta. Mbase apostujt nuk u habitën kur panë sa e thjeshtë ishte kjo ceremoni e re dhe e rëndësishme. Pse?

4. Si na ndihmon këshilla që i kishte dhënë Jezui Martës të kuptojmë pse ai bëri një darkë Përkujtimi të thjeshtë?

4 Mendo pak çfarë kishte ndodhur disa muaj më parë, gjatë vitit të tretë të shërbimit të Jezuit, kur ai shkoi për vizitë në shtëpinë e miqve të tij të ngushtë—Lazarit, Martës dhe Marisë. Në atë atmosferë të çlirët, Jezui nisi të mësonte. Marta ndodhej aty, por ishte e shpërqendruar duke përgatitur një vakt me shumë gjëra për mysafirin e nderuar. Kur e vërejti këtë, Jezui e ndreqi Martën me dashamirësi dhe e ndihmoi të kuptonte se jo gjithmonë ishte i nevojshëm një vakt i stërholluar. (Luka 10:40-42) Më vonë, vetëm pak orë para vdekjes së tij flijuese, Jezui zbatoi këshillën që kishte dhënë vetë. Ai bëri një darkë Përkujtimi të thjeshtë. Çfarë na tregon kjo për Jezuin?

5. Çfarë na tregon për Jezuin thjeshtësia e darkës së Përkujtimit, dhe si përputhet kjo me Filipianëve 2:5-8?

5 Jezui ishte i përulur në gjithçka që thoshte e bënte. Ndaj nuk habitemi që tregoi përulësi të jashtëzakonshme edhe natën e fundit të jetës së tij në tokë. (Mat. 11:29) Ai e dinte se pas pak do të bënte flijimin më të madh në historinë njerëzore dhe se Jehovai do ta ringjallte në një pozitë të lavdishme në qiell. Prapëseprapë, nuk tërhoqi vëmendje të papërshtatshme te vetja duke kërkuar që vdekja e tij të përkujtohej me një ceremoni të stërholluar. Përkundrazi, u tha dishepujve se një herë në vit duhej ta kujtonin me anë të një darke të thjeshtë. (Gjoni 13:15; 1 Kor. 11:23-25) Ajo darkë e thjeshtë, por e përshtatshme, tregonte se Jezui nuk ishte krenar. Jemi të lumtur që përulësia është një nga cilësitë mbresëlënëse të Mbretit tonë qiellor.—Lexo Filipianëve 2:5-8.

6. Si mund ta imitojmë përulësinë e Jezuit kur hasim sprova?

6 Si mund ta imitojmë përulësinë e Jezuit? Duke vënë interesat e të tjerëve para tonave. (Filip. 2:3, 4) Mendo prapë për natën e fundit të jetës së Jezuit në tokë. Ai e dinte  se së shpejti do të pësonte një vdekje të dhimbshme; prapëseprapë, ishte thellësisht i merakosur për apostujt e tij besnikë që pas pak do të ishin të hidhëruar për vdekjen e tij. Ja pse e kaloi natën e fundit duke i mësuar, duke i inkurajuar e duke u dhënë siguri. (Gjoni 14:25-31) Me përulësi, Jezui tregoi më shumë merak për mirëqenien e të tjerëve se për veten. Çfarë shembulli të shkëlqyer na la!

JEZUI ËSHTË I GUXIMSHËM

7. Si tregoi guxim të madh Jezui fill pasi themeloi Darkën e Zotërisë?

7 Fill pasi themeloi Darkën e Zotërisë, Jezui tregoi guxim të jashtëzakonshëm. Si? Ai pranoi vullnetin e Atit për të, edhe pse e dinte që kjo do të thoshte se do të ekzekutohej për krimin e turpshëm të blasfemisë. (Mat. 26:65, 66; Luka 22:41, 42) Jezui mbajti integritetin në mënyrë të përsosur, që të nderonte emrin e Jehovait, të mbështeste sovranitetin e Tij dhe të çelte udhën që njerëzit e penduar të gëzojnë jetën pa fund. Në të njëjtën kohë, Jezui i përgatiti dishepujt e tij për sprovat që do të përballonin pas pak.

8. (a) Çfarë u tregoi Jezui apostujve të tij besnikë? (b) Gjatë viteve pas vdekjes së Jezuit, si e imituan dishepujt e tij guximin që tregoi?

8 Jezui shfaqi guxim edhe kur la mënjanë çdo ankth që mund të ndiente dhe u përqendrua te nevojat e apostujve të tij besnikë. Darka e thjeshtë, të cilën e themeloi pasi largoi Judën, do t’u kujtonte atyre që do të bëheshin dishepujt e tij të mirosur dobitë që sillte gjaku që derdhi Jezui dhe pjesëmarrja në besëlidhjen e re. (1 Kor. 10:16, 17) Që t’i ndihmonte të tregoheshin të denjë për thirrjen qiellore, Jezui u tregoi dishepujve se çfarë prisnin prej tyre ai dhe Ati i tij. (Gjoni 15:12-15)  Jezui u foli apostujve edhe për sprovat që i pritnin. Pastaj, duke ua drejtuar vëmendjen te shembulli i tij, i nxiti ‘të merrnin zemër’. (Gjoni 16:1-4a, 33) Shumë vite më vonë, dishepujt e Jezuit po vazhdonin të imitonin shembullin e tij vetëmohues dhe të shfaqnin guxim. Ata e mbështetnin njëri-tjetrin në lloj-lloj sprovash, edhe pse kjo u kushtonte shtrenjtë.—Hebr. 10:33, 34.

9. Si mund ta imitojmë Jezuin duke treguar guxim?

9 Edhe sot, ne imitojmë guximin që tregoi Jezui. Për shembull, duhet guxim që të ndihmojmë vëllezërit tanë që përndiqen për shkak të besimit. Ndonjëherë, vëllezërit tanë mund t’i burgosin padrejtësisht. Në këto raste, duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta, si për shembull të flasim në mbrojtje të tyre. (Filip. 1:14; Hebr. 13:19) Një mënyrë tjetër si tregojmë kurajë, është duke vazhduar të predikojmë «me guxim». (Vep. 14:3) Ashtu si Jezui, jemi të vendosur ta predikojmë mesazhin për Mbretërinë edhe pse mund të na kundërshtojnë dhe të na përndjekin. Mirëpo, hera-herës mbase ndiejmë se na mungon guximi. Ç’mund të bëjmë?

10. Çfarë duhet të bëjmë në javët para Përkujtimit, dhe pse?

10 Mund të marrim më shumë guxim duke menduar për shpresën që kemi falë flijimit shpërblyes të Krishtit. (Gjoni 3:16; Efes. 1:7) Në javët para Përkujtimit, kemi një mundësi të veçantë që ta thellojmë çmueshmërinë për shpërblesën. Gjatë kësaj kohe, ndiq programin e leximit të Biblës për Përkujtimin dhe medito me nderim të thellë për ngjarjet që lidhen me vdekjen e Jezuit. Pastaj, kur të mblidhemi për Darkën e Zotërisë, do të kuptojmë më plotësisht domethënien e simboleve të  Përkujtimit dhe flijimin e pashoq që përfaqësojnë ato. Kur kuptojmë çfarë kanë bërë për ne Jezui e Jehovai dhe si na sjell dobi kjo neve e njerëzve tanë të dashur, shpresa jonë bëhet më e fortë dhe ndihemi të motivuar të qëndrojmë me guxim deri në fund.—Hebr. 12:3.

11-12. Çfarë kemi mësuar deri tani?

11 Deri tani kemi mësuar se Darka e Zotërisë na sjell ndër mend jo vetëm shpërblesën e vyer, por edhe cilësitë mbresëlënëse të Jezuit, si përulësia dhe guximi. Sa mirënjohës jemi që Jezui vazhdon t’i shfaqë këto cilësi si Kryeprifti ynë qiellor që ndërmjetëson për ne! (Hebr. 7:24, 25) Për të treguar çmueshmëri nga zemra, duhet ta përkujtojmë me besnikëri vdekjen e Jezuit, tamam siç na urdhëroi ai. (Luka 22:19, 20) Këtë e bëjmë ditën që përkon me 14 nisanin, data më e rëndësishme e vitit.

12 Thjeshtësia e Darkës së Zotërisë na ndihmon të dallojmë një cilësi tjetër që e shtyu Jezuin të vdiste për ne. Kur jetoi këtu në tokë, ai ishte i njohur për këtë cilësi. Për çfarë e kemi fjalën?

JEZUI ËSHTË I DASHUR

13. Çfarë thonë Gjoni 15:9 dhe 1 Gjonit 4:8-10 për dashurinë që kanë treguar Jehovai e Jezui, dhe cilët nxjerrin dobi nga dashuria e tyre?

13 Jezui pasqyroi përsosmërisht në çdo gjë që bëri dashurinë e madhe të Jehovait për ne. (Lexo Gjonin 15:9; 1 Gjonit 4:8-10.) Mbi të gjitha, Jezui u nxit nga zemra të jepte jetën për ne. Qoftë nëse jemi të mirosur, qoftë nëse jemi nga ‘delet e tjera’, nxjerrim dobi nga dashuria që kanë treguar për ne Jehovai dhe Biri i tij me anë të këtij flijimi. (Gjoni 10:16; 1 Gjon. 2:2) Gjithashtu, mendo ç’lloj ceremonie është darka e Përkujtimit, sepse kjo nxjerr në pah dashurinë dhe konsideratën e Jezuit për dishepujt e tij. Në ç’mënyrë?

Me dashuri, Jezui themeloi një ceremoni Përkujtimi që ishte aq e thjeshtë, sa mund të mbahej për shumë shekuj me radhë dhe në rrethana nga më të ndryshmet (Shih paragrafët 14-16.) *

14. Si tregoi dashuri për dishepujt e tij Jezui?

14 Jezui tregoi dashuri për dishepujt e tij të lindur nga fryma duke vendosur që ata të mbanin jo një rit të ndërlikuar, por një darkë të thjeshtë. Ndërsa koha kalonte, ata dishepuj të mirosur duhej ta mbanin çdo vit Përkujtimin, e në rrethana nga më të ndryshmet, përfshirë edhe burgosjen. (Zbul. 2:10) A kishin mundësi t’i bindeshin Jezuit? Po, pa diskutim!

15-16. Si kanë arritur disa ta mbajnë Darkën e Zotërisë në rrethana të vështira?

15 Që nga koha e Jezuit e deri më sot, të krishterët e vërtetë janë përpjekur ta përkujtojnë vdekjen e tij. Ata kanë ndjekur sa më mirë që mundeshin procedurën e Darkës së Zotërisë, nganjëherë madje në kushte të vështira. Mendo për shembujt e mëposhtëm. Kur ishte në izolim në një burg të Kinës, vëllait Harold King iu desh të vinte në punë fantazinë që të përgatiste simbolet e Përkujtimit. E bënte këtë pa rënë në sy duke përdorur çfarë i ndodhej në burg. Veç kësaj, llogariste datën e Përkujtimit sa më saktë që mundej. Kur vinte dita e Përkujtimit, ai—i vetëm në qelinë e tij—këndonte, lutej dhe mbante një fjalim nga Shkrimet.

16 Ja edhe një shembull tjetër. Një grup motrash të burgosura në një kamp përqendrimi gjatë Luftës II Botërore rrezikuan jetën që të përkujtonin Darkën e Zotërisë. Gjithsesi, falë faktit që kjo është një ceremoni e thjeshtë, patën mundësi ta mbanin Përkujtimin pa rënë në sy. Ato tregonin: «Qëndruam ngjitur me njëra-tjetrën duke formuar një rreth. Në mes kishim një stol të mbuluar me copë të bardhë,  mbi të cilin ishin simbolet. Dhoma ndriçohej nga një qiri, se me dritë elektrike mund të na diktonin. . . . Iu zotuam përsëri Atit tonë nga thellësia e zemrës se do të përpiqeshim me gjithë forcat të shfajësonim emrin e Tij të shenjtë.» Çfarë besimi të jashtëzakonshëm shfaqën! Dhe sa shumë dashuri tregoi Jezui kur na dha mundësi ta mbajmë Përkujtimin edhe në rrethana të vështira!

17. Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes?

17 Teksa afron Përkujtimi, le t’i bëjmë vetes këto pyetje: «Si mund ta imitoj më mirë Jezuin duke shfaqur dashuri? A mendoj më tepër për nevojat e bashkadhuruesve sesa për të miat? A pres nga vëllezërit e motrat më shumë nga sa mund të bëjnë, apo i mbaj parasysh kufizimet e tyre?» Le të imitojmë gjithmonë Jezuin dhe të tregojmë «ndjenja të përbashkëta»!—1 Pjet. 3:8.

NGULITI NË MENDJE KËTO MËSIME

18-19. (a) Për çfarë mund të jemi të sigurt? (b) Çfarë je i vendosur të bësh?

18 Kërkesa për të mbajtur Përkujtimin e vdekjes së Krishtit nuk do të zgjatë edhe shumë kohë. Kur Jezui «të mbërrijë» gjatë shtrëngimit të madh, do të mbledhë në qiell «të zgjedhurit e tij» që kanë mbetur në tokë, dhe Përkujtimi nuk do të mbahet më.—1 Kor. 11:26; Mat. 24:31.

19 Edhe kur darka e Përkujtimit të mos mbahet më, jemi të sigurt se shërbëtorët e Jehovait do ta kujtojnë me përzemërsi këtë darkë të thjeshtë si simbol të përulësisë, të guximit dhe të dashurisë më të madhe që ka treguar ndonjëherë një njeri. Në atë kohë, ata që e kanë mbajtur këtë ceremoni të jashtëzakonshme, pa dyshim do të flasin për të, në dobi të të gjithë njerëzve që do të jetojnë atëherë. Por, që të nxjerrim dobi qysh tani nga darka e Përkujtimit, duhet të jemi të vendosur të imitojmë përulësinë, guximin dhe dashurinë e Jezuit. Nëse veprojmë kështu, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na shpërblejë.—2 Pjet. 1:10, 11.

KËNGA 13 Krishti, modeli ynë

^ par. 5 Së shpejti do të marrim pjesë në Darkën e Zotërisë për të përkujtuar vdekjen e Jezu Krishtit. Kjo darkë e thjeshtë na mëson shumë për përulësinë, guximin dhe dashurinë e Jezuit. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund të imitojmë cilësitë e bukura që shfaqi ai.

^ par. 2 SHPJEGIMI I FJALËS: Të përkujtosh do të thotë të bësh diçka të veçantë që të kujtosh dhe të nderosh një ngjarje a një person të rëndësishëm.

^ par. 56 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ilustrim i përvojave reale të shërbëtorëve besnikë duke mbajtur Përkujtimin në kongregacionin e shekullit të parë; në fund të shekullit të 19-të; në një kamp përqendrimi nazist; dhe në ditët tona në një Sallë Mbretërie modeste e të hapur në një shtet të Amerikës së Jugut me klimë të ngrohtë.