Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Bërneti, Simona, Estoni dhe Kalebi

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—në Oqeani

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—në Oqeani

RËNEJA, një motër në mes të të 30-ave, u rrit në një familje Dëshmitarësh të zellshëm në Australi. Ajo thotë: «U transferuam shumë herë për të ndihmuar në zona ku kishte më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Babai dhe mamaja na e bënë jetën interesante, zbavitëse dhe të lezetshme. Kur u bëra vetë me dy fëmijë, doja që edhe ata të shijonin një jetë të tillë.»

 Sheini, burri i Rënesë, një vëlla në fund të të 30-ave, kishte synime të ngjashme në të vërtetën. Ai shpjegon: «Pasi na lindi vajza, lexuam në Kullën e Rojës për një familje Dëshmitarësh që kishin shkuar për të predikuar në ishujt e Tongës, në jugperëndim të Paqësorit, me jahtin e tyre. * Ai artikull na nxiti t’u shkruanim zyrave të degëve të Dëshmitarëve të Jehovait në Australi dhe në Zelandën e Re për të ditur ku kishte më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. * Na ftuan të transferoheshim në Tongë​—pikërisht vendi për të cilin kishim lexuar.»

Xhejkobi, Rëneja, Skaja dhe Sheini

Pasi jetuan në Tongë për gati një vit, Sheini, Rëneja dhe dy fëmijët e tyre, Xhejkobi dhe Skaja, u detyruan të ktheheshin në Australi ngaqë pati një valë trazirash. Megjithatë nuk e harruan synimin për të zgjeruar shërbimin. Më 2011 u transferuan në Ishullin Norfolk, një ishull i vogël në Paqësor rreth 1.500 kilometra në lindje të Australisë. A ia vlejti ky transferim? Xhejkobi 14-vjeçar thotë: «Jehovai jo vetëm që u kujdes për ne, por edhe na e bëri të këndshëm shërbimin.»

SYNIMI PËR TË SHËRBYER SI FAMILJE

Njësoj si Sheini, Rëneja dhe fëmijët e tyre, shumë familje të tjera Dëshmitarësh janë ofruar vullnetarisht që të shërbejnë ku ka më tepër nevojë. Çfarë i nxiti të transferoheshin?

«Plot njerëz tregonin interes për lajmin e mirë. Donim t’i jepnim secilit mundësinë që ta studionte rregullisht Biblën.»​—Bërneti

Bërneti dhe Simona, një çift në mes të të 30-ave, dhe djemtë e tyre, Estoni dhe Kalebi, që tani janë 12 dhe 9 vjeç, u transferuan në Burketown, një qytezë e veçuar në Kuinsland, Australi. Bërneti shpjegon: «Dëshmitarët kishin predikuar atje një herë në tre ose katër vjet. Plot njerëz tregonin interes për lajmin e mirë. Donim t’i jepnim secilit mundësinë që ta studionte rregullisht Biblën.»

Xhimi, Xheku, Marku dhe Kerën

Marku dhe Kerën, që tani janë në fillim të të 50-ave, shërbyen në kongregacione të ndryshme afër Sidneit, Australi. Më pas, me tre fëmijët, Xhesikën, Xhimin dhe Xhekun, u transferuan në Nhulunbuy, një komunitet minatorësh në zona të thella në Territorin Verior. Marku thotë: «I dua njerëzit, prandaj doja të shërbeja ku kishte shumë për të bërë në kongregacion dhe në predikim.» Por Kerën ngurronte të transferohej. Ajo tregon: «Pasi Marku dhe të tjerë më dhanë zemër, isha gati ta provoja njëherë. Jam e lumtur që e provova.»

Beniamini, Jada, Bria dhe Karolina

Në vitin 2011, Beniamini, Karolina dhe dy vajzat e tyre në moshën parashkollore, Jada dhe Bria, u transferuan përsëri nga Kuinslandi, Australi, në Timorin Lindor, një vend i vogël në ishullin e Timorit në arkipelagun e Indonezisë. Beniamini thotë: «Më parë, Karolina dhe unë shërbenim si pionierë specialë në Timorin Lindor. Shërbimi ishte fantastik dhe vëllezërit na mbështetnin goxha. Na pikoi në zemër kur u larguam. Ishim të vendosur të ktheheshim. Kur u bëmë me fëmijë, i shtymë planet tona, por nuk i ndryshuam.» Karolina shton: «Donim që fëmijët tanë të ishin të rrethuar me misionarë, bethelitë e pionierë specialë dhe të kënaqeshin sa më shumë në shërbim të Jehovait.»

PËRGATITJET PËR T’U TRANSFERUAR

Jezui u tha dishepujve të tij: «Kush nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë që të llogaritë shpenzimet?» (Luka 14:28) Po njësoj, kur një familje mendon për t’u transferuar në një vend tjetër, është jetësor planifikimi i mirë. Për cilat gjëra të nevojshme mund të përgatiten?

MARRËDHËNIA ME JEHOVAIN: Beniamini thotë: «Donim t’u shërbenim të tjerëve dhe jo t’u bëheshim barrë. Prandaj, para se të transferoheshim, bëmë çmos të forconim marrëdhënien me Jehovain. Gjithashtu merrnim pjesë më shumë në shërbim dhe në aktivitete të tjera të kongregacionit.»

Xhejkobi, i përmendur më sipër, tregon: «Para se të transferoheshim në Ishullin Norfolk, lexuam mjaft jetëshkrime në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! të cilat flitnin për familje që shërbyen ku ka më tepër nevojë. Folëm për vështirësitë që kaluan dhe se si u kujdes Jehovai për ta.» Skaja, motra e tij 11 vjeçe, shton: «Bëra gjithë ato lutje vetë dhe me mamin e babin.»

 GJENDJA EMOCIONALE: Rëneja tregon: «Ishte kollaj të qëndronim në një zonë që më pëlqente dhe afër familjarëve e miqve të ngushtë. Mirëpo, në vend që ta mbaja mendjen te çka po lija, meditova se si transferimi do t’i sillte dobi familjes sonë.»

PËRSHTATJA ME KULTURËN: Shumë familje bëjnë kërkime që të përgatiten për ambientin e ri ku do të shkojnë. Marku thotë: «Lexuam sa më shumë që mundëm për Nhulunbuy. Vëllezërit që jetonin atje me dashamirësi na dërguan disa gazeta të qytezës, që na ndihmuan të mësonim paksa për vendësit dhe kulturën e tyre.»

Sheini, që u transferua në Ishullin Norfolk, shton: «Mbi të gjitha, u përpoqa të shfaqja cilësitë e krishtere. E dija se po të isha i sinqertë, i butë, i ndershëm dhe i palodhur, do të përshtatesha në çfarëdo vendi të botës.»

PËRBALLIMI I SFIDAVE

Ata që kanë shërbyer me sukses ku ka më tepër nevojë, theksojnë sa e rëndësishme është të jesh elastik dhe pozitiv kur has sfida të papritura. Të shqyrtojmë disa shembuj:

Rëneja tregon: «Mësova se gjërat mund të bëhen në mënyra të ndryshme. Për shembull, në Ishullin Norfolk anijet e mallrave nuk mund të ankorojnë kur deti është i trazuar. Prandaj ushqimet mezi gjenden e janë të shtrenjta. Kështu kur gatuaj, kam mësuar të jem nikoqire.» I shoqi, Sheini, shton: «Gjithashtu, çdo javë blinim ato gjëra që na i mbante xhepi.»

Djali i tyre, Xhejkobi, nxjerr në pah një sfidë tjetër. Ai thotë: «Kongregacioni ynë i ri ka vetëm shtatë pjesëtarë të tjerë—të gjithë të rritur. Prandaj s’kisha asnjë shok në moshën time. Por duke dalë në shërbim me ta, shpejt u bëmë miq.»

Xhimi, që tani është 21 vjeç, hasi një sfidë të ngjashme. Ai thotë: «Kongregacioni më i afërt me Nhulunbuy është mbi 725 kilometra larg. Prandaj, kur kemi asamble dhe kongrese, shkojmë herët dhe shijojmë shoqërinë me vëllezër e motra. Përfitojmë sa më shumë nga këto raste. I shohim si ngjarjet më të rëndësishme të vitit.»

 «SA MIRË QË ERDHËM KËTU!»

Bibla thotë: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur.» (Prov. 10:22) Anembanë botës, shumë nga ata që shërbejnë ku ka më tepër nevojë e kanë përjetuar vetë sa të vërteta janë këto fjalë të frymëzuara.

Marku tregon: «Bekimi më i madh është ndikimi që ka pasur transferimi te fëmijët tanë. Dy më të mëdhenjtë janë plotësisht të sigurt se Jehovai do të kujdeset për ata që vënë Mbretërinë në vend të parë. Kjo siguri nuk blihet me para.»

Sheini thotë: «Jam lidhur më shumë me gruan dhe fëmijët. Kur i dëgjoj teksa tregojnë çfarë ka bërë Jehovai për ta, zemra më mbushet me gëzim.» Djali i tij, Xhejkobi, është dakord e thotë: «Jam kënaqur sa s’ka. Sa mirë që erdhëm këtu!»

^ par. 3 Shih artikullin «Miq të Perëndisë në ‘Ishujt e Miqësisë’» në Kullën e Rojës të 15 dhjetorit 2004, f. 8-11.

^ par. 3 Më 2012 zyrat e degëve të Australisë dhe të Zelandës së Re u bashkuan dhe u formua dega e Australazisë.