«Faleminderit Perëndisë për dhuratën e tij të papërshkrueshme falas!»2 KOR. 9:15.

KËNGËT: 121, 63

1, 2. (a) Çfarë përfshin ‘dhurata e papërshkrueshme falas’ e Perëndisë? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?

KUR dërgoi këtu në tokë Birin e tij të vetëmlindur, Jehovai dha atë që do të bëhej dhurata më e madhe e dashurisë. (Gjoni 3:16; 1 Gjon. 4:9, 10) Apostulli Pavël e quajti ‘dhurata e papërshkrueshme falas’ e Perëndisë. (2 Kor. 9:15) Pse përdori këtë shprehje?

2 Pavli e dinte se gjithë premtimet e mrekullueshme të Perëndisë ishin të garantuara nëpërmjet flijimit të përsosur të Krishtit. (Lexo 2 Korintasve 1:20.) Kështu, ‘dhurata e papërshkrueshme falas’ përfshin tërë mirësinë dhe dashurinë besnike që na tregon Jehovai me anë të Jezuit. Kjo dhuratë është kaq e mahnitshme, sa nuk ka se si ta përshkruash plotësisht me terma njerëzorë. Si duhet të ndihemi që kemi marrë një dhuratë kaq të jashtëzakonshme? Ç’duhet të na nxitë të bëjmë kjo dhuratë teksa përgatitemi të mbajmë Përkujtimin e vdekjes së Krishtit të mërkurën, më 23 mars 2016?

 DHURATA UNIKE E PERËNDISË

3, 4. (a) Si ndihesh kur të bëjnë një dhuratë? (b) Si mund të ta ndryshojë jetën një dhuratë unike?

3 Natyrisht që kur merr një dhuratë, të vërshojnë lloj-lloj ndjenjash. Por disa dhurata mund të jenë kaq unike ose domethënëse, sa të ndryshojnë jetën. Për shembull, përfytyro sikur je shpallur fajtor për një krim dhe të pret ekzekutimi. Befas nga turma shkëputet dikush që ofron të dënohet në vendin tënd. Imagjino, ai është gati të vdesë për ty! Si do të ndiheshe nga kjo dhuratë e jashtëzakonshme?

4 S’diskutohet se kjo shprehje altruiste e dashurisë do të të motivonte t’i peshoje mirë veprimet e tua, e madje të ndryshoje mënyrën si kishe jetuar gjer atëherë. Ka shumë të ngjarë të të nxiste të ishe më bujar dhe më i dashur me të tjerët, madje t’i falje ata që ishin sjellë keq me ty. Do t’i ishe borxhli tërë jetën atij që zuri me gatishmëri vendin tënd.

5. Pse themi se dhurata e shpërblesës që na ka bërë Perëndia është ku e ku më e madhe se çdo dhuratë tjetër?

5 Gjithsesi, dhurata që na ka dhënë Jehovai nëpërmjet Krishtit është ku e ku më e madhe se dhurata që përshkruhet në këtë shembull. (1 Pjet. 3:18) Të shohim pse. Të gjithë ne gjendemi para dënimit me vdekje për shkak të mëkatit të trashëguar. (Rom. 5:12) Me dashuri, Jehovai mori masa që Jezui të vinte në tokë dhe «të shijonte vdekjen për çdo njeri». (Hebr. 2:9) Jehovai nuk na shpëtoi thjesht jetën sot, por hodhi themelin që të çrrënjosë një herë e mirë shkakun e vdekjes. (Isa. 25:7, 8; 1 Kor. 15:22, 26) Të gjithë ata që tregojnë besim te Jezui do të jetojnë përgjithmonë në paqe e lumturi si nënshtetas tokësorë të Mbretërisë së Perëndisë të drejtuar nga Krishti ose, në rastin e të mirosurve, si bashkëqeveritarë në atë Mbretëri. (Rom. 6:23; Zbul. 5:9, 10) Çfarë bekimesh të tjera përfshin kjo dhuratë nga Jehovai?

6. (a) Cilat bekime nga dhurata e Jehovait i pret me padurim? (b) Përmendni tri gjëra që na nxit të bëjmë dhurata e Perëndisë.

6 Dhurata e Jehovait përfshin shërimin e të gjitha sëmundjeve tona, shndërrimin e tokës në parajsë dhe ringjalljen e të vdekurve. (Isa. 33:24; 35:5, 6; Gjoni 5:28, 29) Pa dyshim, i duam Jehovain dhe Birin e tij të shtrenjtë që na kanë dhënë këtë ‘dhuratë të papërshkrueshme falas’. Por, mbetet kjo pyetje: çfarë do të na nxitë të bëjmë dashuria e Perëndisë? Le të shohim si na nxit dashuria e Perëndisë (1) të ndjekim me kujdes gjurmët e Krishtit Jezu, (2) t’u shprehim dashuri vëllezërve tanë dhe (3) t’i falim nga zemra të tjerët.

«DASHURIA QË KA KRISHTI NA DETYRON»

7, 8. Si duhet të ndihemi nga dashuria e Krishtit, dhe ç’duhet të na nxitë të bëjmë?

7 Së pari, zemra duhet të na motivojë të jetojmë për Krishtin Jezu. Apostulli Pavël tha: «Dashuria që ka Krishti na detyron.» (Lexo 2 Korintasve 5:14, 15.) Pavli e kishte të qartë se kur e pranojmë dashurinë e pashoqe të Krishtit, s’ka si të mos ndiejmë ‘detyrimin’ që të jetojmë për të. Kur e kuptojmë plotësisht atë që ka bërë për ne Jehovai dhe prekemi në zemër nga dashuria e tij, duam të jetojmë me gjithë shpirt për Krishtin Jezu. Si e tregojmë këtë dëshirë?

8 Ata që e duan Jehovain nxiten nga zemra të imitojnë shembullin e Krishtit, duke ecur si ai dhe duke i ndjekur me kujdes gjurmët e tij. (1 Pjet. 2:21; 1 Gjon. 2:6) Me bindjen tonë tregojmë dashurinë për Perëndinë dhe Krishtin. Jezui tha: «Ai që i pranon urdhërimet e mia dhe i zbaton, më do. Nga ana tjetër, atë që më do mua, Ati im do ta dojë dhe unë do  ta dua e do t’i shfaqem hapur.»Gjoni 14:21; 1 Gjon. 5:3.

9. Çfarë presionesh hasim?

9 Gjatë periudhës së Përkujtimit, bëjmë mirë të meditojmë për jetën tonë. Pyet veten: «Në cilat aspekte po i ndjek mirë hapat e Krishtit Jezu? Në cilat aspekte mund të përmirësohem?» Ky vetëshqyrtim është jetësor, pasi bombardohemi pareshtur me presione që të ndjekim udhët e botës. (Rom. 12:2) Po të mos jemi të kujdesshëm, mund të bëhemi ithtarë të filozofëve të kësaj bote ose edhe të figurave të shquara a yjeve të sportit. (Kolos. 2:8; 1 Gjon. 2:15-17) Si t’u bëjmë ballë këtyre presioneve?

10. Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes gjatë periudhës së Përkujtimit, dhe çfarë mund të na nxitë të bëjmë kjo? (Shih figurën hapëse.)

10 Periudha e Përkujtimit mund të jetë një rast i mirë që të kontrollojmë gardërobën tonë, koleksionet e filmave dhe të muzikës, e ndoshta edhe materialet që kemi në kompjuterë, në celularët smartphone dhe në tableta. Teksa kontrollon gardërobën, pyet veten: «Po të shkoja në një vend ku do të ishte edhe Jezui, a do të rrija si mbi gjemba me këtë veshje? Po ta vishja këtë, a do të ishte e qartë për të gjithë se jam dishepull i Krishtit Jezu?» (Lexo 1 Timoteut 2:9, 10.) Mund t’i bëjmë vetes pyetje të ngjashme për filmat dhe muzikën që zgjedhim. Për shembull: «A do të zbavitej Jezui duke parë këtë film a duke dëgjuar këtë muzikë? Po të merrte në dorë celularin ose tabletën time, a do të isha në siklet nga ç’do të shihte aty?» Ndërsa mendon për temën e një videoloje, pyet veten: «A do ta kisha të vështirë t’i shpjegoja Jezuit pse më pëlqen të luaj me këtë?» Dashuria për Jehovain duhet të na nxitë të flakim tej çfarëdo gjëje të papërshtatshme për një dishepull të Krishtit, sado të na kushtojë kjo. (Vep. 19:19, 20) Kur iu kushtuam Jehovait, premtuam se nuk do të jetonim më për veten tonë, por për Krishtin. Prandaj, të mos lidhemi pas asnjë gjëje që mund të na pengojë të ndjekim me kujdes gjurmët e Krishtit.Mat. 5:29, 30; Filip. 4:8.

11. (a) Si na motivon dashuria për Jehovain dhe Jezuin në veprën e predikimit? (b) Si mund të na motivojë dashuria t’u bëhemi krah të tjerëve në kongregacion?

11 Dashuria për Jezuin na motivon edhe të përpiqemi me gjithë shpirt në predikim dhe në veprën e bërjes së dishepujve. (Mat. 28:19, 20; Luka 4:43) Gjatë periudhës së Përkujtimit, kemi rastin të shërbejmë si pionierë ndihmës dhe t’i kushtojmë 30 ose 50 orë veprës së predikimit. A mund t’i rregullosh punët që ta arrish këtë? Një i ve 84-vjeçar mendonte se nuk ia dilte dot të shërbente si pionier ndihmës për shkak të moshës dhe shëndetit të dobët. Mirëpo të gjithë pionierët e zonës së tij iu bënë krah. I siguruan transportin dhe zgjodhën me kujdes territore ku mund të predikonte ai, që të arrinte synimin për të bërë 30 orë. A mund t’i dalësh krah dikujt në kongregacionin tënd, që të provojë edhe ai ose ajo gëzimin e shërbimit si pionier ndihmës gjatë periudhës së Përkujtimit? Dihet, nuk kemi të gjithë mundësi të shërbejmë si pionierë ndihmës. Prapëseprapë, sado kohë dhe energji të kemi, mund t’i përdorim që ta shtojmë flijimin e lëvdimit për Jehovain. Kështu tregojmë se, njësoj si Pavli, motivohemi nga dashuria e Krishtit. Çfarë tjetër do të na nxitë të bëjmë dashuria e Perëndisë?

KEMI DETYRIMIN TA DUAM NJËRI-TJETRIN

12. Çfarë na nxit të bëjmë dashuria e Perëndisë?

12 Së dyti, dashuria e Perëndisë duhet  të na motivojë t’u shprehim dashuri vëllezërve tanë. Apostulli Gjon e kishte të qartë këtë. Ai shkroi: «Të dashur, nëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne vetë kemi detyrimin ta duam njëri-tjetrin.» (1 Gjon. 4:7-11) Pra, kur e pranojmë dashurinë e Perëndisë, s’ka si të mos pranojmë edhe detyrimin që t’i duam vëllezërit tanë. (1 Gjon. 3:16) Si mund ta shfaqim dashurinë në mënyra praktike?

13. Çfarë shembulli la Jezui duke treguar dashuri për të tjerët?

13 Të mendojmë për shembullin e Jezuit. Gjatë shërbimit në tokë, ai u kushtoi vëmendje në veçanti njerëzve të thjeshtë. U vajti në ndihmë atyre që kishin probleme shëndetësore—të çalëve, të verbërve, atyre që nuk dëgjonin dhe të pagojëve. (Mat. 11:4, 5) Jezuit i kënaqej shpirti tek mësonte njerëzit e etur për të vërtetën, që krerët fetarë judenj i shihnin si «njerëz të mallkuar». (Gjoni 7:49) Ai i donte ata njerëz të thjeshtë dhe përpiqej me të gjitha forcat që t’u shërbente.Mat. 20:28.

A mund të ndihmosh në shërbim një motër a vëlla të moshuar? (Shih paragrafin 14.)

14. Ç’mund të bësh që t’u tregosh dashuri vëllezërve?

14 Periudha e Përkujtimit të jep mundësi të imitosh Jezuin duke menduar për vëllezërit e motrat në kongregacion. Atëherë do të kuptosh cilët kanë nevojë për dashurinë tënde. Ndoshta ka të moshuar që u duhet ndihmë. A mund t’u shkosh për vizitë këtyre motrave e vëllezërve të shtrenjtë? A mund t’u çosh diçka që ke gatuar, t’i ndihmosh për ndonjë punë shtëpie, t’i shoqërosh me makinë për në mbledhje ose t’i ftosh të dalin me ty në shërbim? (Lexo Lukën 14:12-14.) Duhet të lejojmë që dashuria e Perëndisë të na motivojë t’u vemi në ndihmë vëllezërve dhe t’u shprehim dashuri.

T’U TREGOJMË MËSHIRË VËLLEZËRVE E MOTRAVE

15. Çfarë duhet të pranojmë?

15 Së treti, dashuria e Jehovait duhet të na motivojë t’i falim vëllezërit e motrat. Si fëmijë të njeriut të parë, Adamit, të gjithë kemi trashëguar mëkatin dhe dënimin që sjell ai, vdekjen. Asnjë prej nesh nuk mund të thotë: «Unë s’kam nevojë për shpërblesën.» Edhe shërbëtori më besnik i Perëndisë varet krejtësisht nga dashamirësia e pamerituar që na ka shprehur Jehovai nëpërmjet Krishtit.  Secili nga ne duhet ta pranojë se i është falur një borxh kolosal. Pse ka rëndësi kjo? Përgjigjen e gjejmë te një shëmbëlltyrë e Jezuit.

16, 17. (a) Ç’mësim duhet të nxjerrim nga ilustrimi i Jezuit për mbretin dhe skllevërit? (b) Pasi ke medituar për ilustrimin e Jezuit, çfarë je i vendosur të bësh?

16 Jezui tregoi se një mbret i fali skllavit të tij një borxh të stërmadh prej 10 mijë talentash ose 60 milionë denarësh. Mirëpo skllavi që iu fal aq shumë nuk deshi t’i falte një skllavi tjetër borxhin shumë më të vogël prej 100 denarësh. Kur mori vesh sa zemërgur u tregua skllavi që ai e kishte falur me mëshirë, mbreti u xhindos dhe i tha: «Skllav i lig, unë të fala gjithë atë borxh kur m’u përgjërove. A nuk duhej që edhe ti të kishe mëshirë për shokun tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë për ty?» (Mat. 18:23-35) E pra, mëshira e jashtëzakonshme e mbretit duhej ta kishte nxitur atë skllav ta falte shokun e vet. Përderisa ndodhemi në një situatë të ngjashme, çfarë duhet të na nxitë të bëjmë dashuria dhe mëshira e Jehovait?

17 Periudha e Përkujtimit na jep mundësi të mendojmë nëse po ushqejmë mëri për ndonjë vëlla a motër. Nëse po, kjo është një kohë e shkëlqyer që të imitojmë Jehovain, i cili është ‘gati të falë’. (Neh. 9:17; Psal. 86:5) Në rast se e çmojmë atë që ka bërë për ne Jehovai duke fshirë borxhin tonë të stërmadh, do të duam t’i falim të tjerët me gjithë zemër. Perëndia s’ka se si të na dojë e të na falë, nëse ne nuk i duam dhe nuk i falim të tjerët. (Mat. 6:14, 15) Edhe pse falja s’e ndryshon dot të kaluarën, pa diskutim që do të na ndryshojë për mirë të ardhmen.

18. Si e ndihmoi dashuria e Perëndisë një motër që të duronte papërsosmëritë e një motre tjetër?

18 Për shumë prej nesh, mund të jetë një sfidë ‘t’i durojmë’ përditë vëllezërit e motrat. (Lexo Kolosianëve 3:13, 14; Efesianëve 4:32.) Për shembull, Lili, një motër beqare, ndihmoi me gatishmëri një vejushë në kongregacion që quhej Karla. [1] Lili e çonte me makinë Karlën ku kishte nevojë, i bënte pazarin a ndonjë porosi dhe i tregonte dashamirësi në mjaft mënyra të tjera praktike. Pavarësisht nga gjithë sa bënte Lili, Karla gjente gjithnjë diçka për të kritikuar dhe ishte tip i vështirë. Gjithsesi, Lili përqendrohej te cilësitë e mira të Karlës. Vazhdoi ta ndihmonte për disa vjet, derisa ajo u sëmur rëndë dhe vdiq. Lili thotë: «Prapëseprapë, mezi pres ta takoj Karlën kur të ringjallet. Dua ta njoh kur të jetë e përsosur.» Vërtet, dashuria e Perëndisë mund të na nxitë të jemi të duruar me vëllezërit e motrat dhe ta presim me zjarr kohën kur papërsosmëria njerëzore do të zhduket për të mos u kthyer kurrë.

19. Ç’do të të motivojë të bësh ‘dhurata e papërshkrueshme falas’ e Perëndisë?

19 Jehovai na ka dhënë vërtet një ‘dhuratë të papërshkrueshme falas’. Le të mos na venitet kurrë çmueshmëria për këtë dhuratë të vyer! Përkundrazi, le të meditojmë plot mirënjohje—e sidomos në periudhën e Përkujtimit—për gjithë sa kanë bërë për ne Jehovai dhe Jezui. Dashuria e tyre le të na motivojë të ndjekim me kujdes gjurmët e Jezuit, të përpiqemi t’ua shprehim dashurinë vëllezërve tanë dhe t’i falim nga zemra.

^ [1] (paragrafi 18) Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.