«Duke punuar bashkë me të, ne ju përgjërohemi që të mos e pranoni dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, pa e përmbushur qëllimin e saj.»​—2 KOR. 6:1.

KËNGËT: 75, 74

1. Edhe pse Jehovai është Supremi, çfarë ftese u ka bërë të tjerëve?

JEHOVAI është Supremi, Krijuesi i gjithçkaje, i vetmi që ka mençuri dhe fuqi të pakufishme. Jobi arriti ta kuptonte këtë. Pasi Jehovai e mori në pyetje për veprat e Tij të krijimit, Jobi tha: «Tani e di se ti je në gjendje të bësh gjithçka, dhe s’ka synim që ti s’e arrin.» (Jobi 42:2) Jehovai mund të kryejë çdo gjë që vendos të bëjë, pa ndihmën e askujt. Por, që në fillim, me dashuri ka ftuar të tjerë që të punojnë me të, për të plotësuar qëllimin e tij.

2. Në cilën vepër të rëndësishme e ftoi Jehovai Jezuin të merrte pjesë?

2 Krijimi i parë i Perëndisë ishte Biri i tij qiellor i vetëmlindur. Jehovai e lejoi të Birin të merrte pjesë në të gjitha veprat e tjera të krijimit, të dukshme dhe të padukshme. (Gjoni 1:1-3, 18) Apostulli Pavël shkroi për Jezuin: «Me anë të tij u krijua gjithçka tjetër në qiej dhe në tokë, gjërat e dukshme dhe të padukshme, qofshin frone, pushtete sunduese, qeveri ose autoritete. Gjithçka tjetër u krijua nëpërmjet tij  dhe për të.» (Kolos. 1:15-17) Pra, Jehovai e nderoi Birin e tij duke e përfshirë në veprat e krijimit dhe duke u treguar të tjerëve rolin e tij të rëndësishëm.

3. Çfarë ftese i bëri Jehovai Adamit, dhe pse?

3 Jehovai ka ftuar gjithashtu njerëz që të punojnë krah tij. Për shembull, Adamin e lejoi t’u vinte emra kafshëve. (Zan. 2:19, 20) Kushedi sa duhet të jetë kënaqur Adami duke vëzhguar këto krijesa, duke studiuar karakteristikat e tyre dhe duke i vënë secilës emrin që i përshtatej! Jehovai mund t’ua kishte vendosur vetë emrat kafshëve. Ai ishte Krijuesi i tyre. Prapëseprapë, me dashuri e lejoi Adamin të bënte këtë punë. Perëndia i dha Adamit edhe privilegjin të shtrinte Parajsën përtej kufijve të Edenit. (Zan. 1:27, 28) Mjerisht, Adami zgjodhi të mos punonte më me Perëndinë e i bëri gjëmën vetes dhe pasardhësve të tij.​—Zan. 3:17-19, 23.

4. Si bashkëpunuan njerëz të tjerë me Perëndinë për plotësimin e vullnetit të tij?

4 Më vonë, Perëndia ftoi njerëz të tjerë që të bashkëpunonin me të për plotësimin e qëllimit të tij. Noeja ndërtoi një arkë që e shpëtoi atë dhe familjen e tij nga Përmbytja globale. Moisiu çliroi kombin e Izraelit nga Egjipti. Josiu e çoi atë komb në Tokën e Premtuar. Solomoni ndërtoi tempullin në Jerusalem. Maria u bë nëna e Jezuit. Të gjithë këta shërbëtorë besnikë dhe shumë të tjerë punuan me Jehovain për të plotësuar vullnetin e tij.

5. Në cilën vepër mund të marrim pjesë, dhe a kishte nevojë Jehovai për ndihmën tonë? (Shih figurën hapëse.)

5 Jehovai sot na fton ne që të mbështetim Mbretërinë mesianike me gjithë forcën. Ekzistojnë shumë forma shërbimi të shenjtë. Jo të gjithë të krishterët mund të marrin pjesë në disa forma shërbimi, por që të gjithë ne mund të marrim pjesë në predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë. Kuptohet, Jehovai nuk kishte nevojë të na përfshinte në këtë vepër. Mund t’u kishte folur vetë njerëzve nga qielli. Jezui tha se Jehovai mund të bënte madje edhe gurët të thërritnin për Mbretin mesianik. (Luka 19:37-40) Sidoqoftë, Jehovai na lejon të bëhemi ‘bashkëpunëtorët’ e tij. (1 Kor. 3:9) Apostulli Pavël shkroi: «Duke punuar bashkë me të, ne ju përgjërohemi që të mos e pranoni dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, pa e përmbushur qëllimin e saj.» (2 Kor. 6:1) Bashkëpunimi me Perëndinë është një nder i pamerituar, që na sjell hare. Pse? Le të shqyrtojmë disa arsye.

BASHKËPUNIMI ME PERËNDINË NA BËN TË LUMTUR

6. Si ndihej Biri i parëlindur i Perëndisë ndërsa punonte përkrah Atit të tij?

6 Që në lashtësi, shërbëtorët e Jehovait janë kënaqur duke punuar me Perëndinë. Biri i parëlindur qiellor i Perëndisë, i portretizuar si personifikimi i mençurisë, tha: «Jehovai më bëri, dhe unë jam fillimi i aktivitetit të tij. . . . Unë isha përkrah tij si një kryemjeshtër dhe ai më kishte veçanërisht për zemër ditë për ditë. Gëzohesha para tij gjithë kohës.» (Prov. 8:22, 30) Jezui punoi me kënaqësi përkrah Atit të tij. E gëzonin gjërat që bënte dhe dijenia se Jehovai e kishte për zemër. A mund të thuhet kjo edhe për ne?

A ka gjë më të kënaqshme sesa t’i mësojmë dikujt të vërtetën? (Shih paragrafin 7.)

7. Pse na sjell lumturi vepra e predikimit?

7 Jezui tha se qoftë dhënia, qoftë marrja të jep lumturi. (Vep. 20:35) U gëzuam kur mësuam të vërtetën dhe gëzojmë kur ua themi edhe të tjerëve. Ndërsa  u predikojmë atyre që janë të etur për të vërtetën, shohim se si u ndrijnë sytë ngaqë nisin të kuptojnë e të çmojnë Perëndinë tonë dhe të vërtetat e vyera të Fjalës së tij. Prekemi në zemër kur i shohim të ndryshojnë jo vetëm mënyrën si mendojnë, por edhe jetën e tyre. E kuptojmë se predikimi i lajmit të mirë ka rëndësi jetike. Ai u çel udhën drejt jetës së përhershme atyre që pajtohen me Perëndinë. (2 Kor. 5:20) Ç’gëzim e kënaqësi provojmë kur i ndihmojmë njerëzit ta hartojnë rrugën e jetës në atë mënyrë që i çon drejt përjetësisë! A ka ndonjë vepër tjetër që i afrohet kësaj?

8. Si janë shprehur disa për gëzimin që ndiejnë ngaqë punojnë me Jehovain?

8 Kur njerëzit e presin mirë mesazhin që u predikojmë, kjo na gëzon shumë. Por, na bën të lumtur edhe dijenia se ia kënaqim shpirtin Jehovait dhe se ai i vlerëson përpjekjet që bëjmë për t’i shërbyer. (Lexo 1 Korintasve 15:58.) Marko, që jeton në Itali, thotë: «Ndiej gëzim të pamasë ngaqë çdo gjë po ia jap Jehovait e jo dikujt që do ta harrojë së shpejti.» Edhe Franko, që shërben në Itali, thotë: «Nëpërmjet Biblës dhe çdo gjëje tjetër që na jep me anë të organizatës, Jehovai na e kujton përditë se na do dhe se gjithë sa bëjmë për Të është e rëndësishme, sado që neve mund të na duket vogëlsirë. Ja pse bashkëpunimi me Perëndinë më bën të lumtur e i jep kuptim jetës sime.»

BASHKËPUNIMI ME PERËNDINË NA AFRON MË SHUMË ME TË DHE ME TË TJERËT

9. Para se Jezui të vinte në tokë, ç’marrëdhënie kishte me Jehovain, dhe pse?

9 Kur punojmë krah për krah me njerëzit që i duam, afrohemi me ta dhe arrijmë të njohim personalitetin e cilësitë e tyre. Njihemi jo vetëm me synimet që kanë, por edhe me përpjekjet që bëjnë për t’i arritur. Jezui punoi me Jehovain ndoshta për miliarda vjet, dhe ndërtuan një lidhje të fortë e të pathyeshme dashurie e përzemërsie. Ai nxori në pah sa e ngushtë është kjo marrëdhënie, kur tha: «Unë dhe Ati jemi një.» (Gjoni 10:30) Ata gëzonin një unitet të mrekullueshëm. Punonin gjithnjë bashkë, në harmoni të plotë.

10. Pse predikimi na afron më shumë me Perëndinë dhe me të tjerët?

10 Në një lutje, Jezui i kërkoi Jehovait të vigjilonte mbi dishepujt e tij. Pse? Ai u lut: «Që të jenë një ashtu siç jemi ne.» (Gjoni 17:11) Ndërsa jetojmë sipas normave të Perëndisë dhe marrim pjesë në predikim, kuptojmë më mirë cilësitë e tij të bukura, e kjo na bashkon. Kuptojmë pse është e mençur t’i besojmë dhe të ndjekim drejtimin e tij. Kur i afrohemi Perëndisë, ai na afrohet. (Lexo Jakovin 4:8.) Po ashtu afrohemi me vëllezërit e motrat ngaqë përjetojmë gëzime e halle të ngjashme dhe ngaqë kemi synime të  përbashkëta. Po, shërbejmë së bashku, gëzojmë së bashku dhe vuajmë së bashku. Oktavia, që jeton në Britani, thotë: «Kur punoj bashkë me Jehovain, kjo më afron më shumë me të tjerët, sepse miqësitë dhe marrëdhëniet nuk bazohen më te gjëra sipërfaqësore, por tek i njëjti synim, tek i njëjti drejtim në jetë.» A nuk ndihesh edhe ti kështu? A nuk afrohesh më shumë me të tjerët kur vëren përpjekjet e tyre që t’i pëlqejnë Jehovait?

11. Pse në botën e re do të afrohemi edhe më shumë me Jehovain dhe me vëllezërit?

11 Marrëdhënia e dashur që gëzojmë tani me Perëndinë dhe njerëzit është e fortë, por do të bëhet akoma më e patundur në botën e re. Përfytyro pak punën që na pret. Duhen mikpritur të ringjallurit dhe u duhen mësuar udhët e drejta të Jehovait. Toka pret të transformohet në parajsë. Këto nuk janë punë të lehta, por ç’kënaqësi do të jetë të punojmë përkrah njëri-tjetrit e të përsosemi kur të qeverisë Mbretëria mesianike! Pjesëtarët e familjes njerëzore do të afrohen gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin dhe me Perëndinë e tyre, i cili do ta plotësojë me besnikëri «dëshirën e çdo krijese».​—Psal. 145:16.

BASHKËPUNIMI ME PERËNDINË ËSHTË MBROJTJE

12. Si na mbron vepra e predikimit?

12 Na duhet t’i ruajmë cilësitë e krishtere. Ngaqë jetojmë në një botë të sunduar nga Satana Djalli e ngaqë jemi të papërsosur, është kollaj të adoptojmë një sjellje dhe mënyrë të menduari të gabuar. Fryma që ka bota mund të krahasohet me një rrjedhë uji që na shtyn në drejtim të padëshiruar. Që të mos na përlajë rryma, duhet të notojmë me sa fuqi kemi në drejtimin e kundërt. Po ashtu, kërkohen përpjekje që të mos na përlajë fryma e botës së Satanait. Kur u predikojmë të tjerëve, përqendrohemi te gjërat e rëndësishme dhe me vlerë, jo te mendime që na gërryejnë besimin. (Filip. 4:8) Predikimi forcon bindjet tona, sepse na kujton vazhdimisht premtimet e Perëndisë dhe normat e tij të dashura. Gjithashtu na ndihmon të ruajmë të paprekur armaturën tonë të besimit.​—Lexo Efesianëve 6:14-17.

13. Çfarë mendon një vëlla në Australi për predikimin?

13 Nëse zhytemi te vepra e predikimit dhe tek aktivitetet e tjera teokratike, thjesht s’na del koha të merakosemi së tepërmi për problemet tona, dhe kjo është një mbrojtje. Joeli, që jeton në Australi, thotë: «Vepra e predikimit më ndihmon të mos shkëputem nga realiteti. Më kujton sfidat me të cilat përballen njerëzit dhe sa dobi kam nxjerrë unë vetë duke zbatuar parimet e Biblës. Vepra e predikimit ma bën më të lehtë të qëndroj i përulur. Më jep mundësinë të mbështetem te Jehovai dhe te vëllezërit e motrat.»

14. Pse ngulmimi në predikim është provë se kemi mbështetjen e frymës së Perëndisë?

14 Predikimi na forcon edhe bindjen se kemi mbështetjen e frymës së Perëndisë. Për shembull: ta zëmë se të është ofruar puna që të shpërndash bukë në zonën ku banon. Nuk do të paguhesh e as nuk do të marrësh ndonjë shpërblim për këtë. Për më tepër shumë shpejt kupton se shumica e njerëzve as që e do atë bukë, e madje disa të marrin inat për çka po bën. Sa gjatë do të vazhdoje në një punë të tillë? Reagimi negativ i njerëzve do të të shkurajonte. Kjo mbase do të t’i priste krahët dhe zor se do të vazhdoje gjatë.  Ama, shumë prej nesh kanë ngulmuar në predikim vit pas viti, me shpenzimet e veta, pavarësisht nga përbuzja e tallja e njerëzve mosmirënjohës. A nuk tregon kjo se kemi përkrahjen e frymës së Perëndisë?

BASHKËPUNIMI ME PERËNDINË TREGON SE E DUAM ATË DHE TË TJERËT

15. Si lidhet predikimi i lajmit të mirë me qëllimin e Perëndisë për njerëzimin?

15 Provo të mendosh se si lidhet predikimi i lajmit të mirë me qëllimin e dashur të Jehovait për njerëzimin. Qëllimi i tij ishte që njerëzit të banonin në tokë pa vdekur kurrë. Edhe pse Adami mëkatoi, Jehovai nuk ndërroi mendje. (Isa. 55:11) Përkundrazi, i përshtati gjërat që njerëzimi të çlirohej nga dënimi i mëkatit dhe i vdekjes. Në harmoni me këtë qëllim, Jezui erdhi në tokë dhe flijoi jetën e tij për njerëzit e bindur. Por, që të bëheshin të bindur, njerëzit duhej të kuptonin çfarë kërkonte Perëndia prej tyre. Prandaj, Jezui u mësoi kërkesat e Perëndisë dhe i urdhëroi dishepujt e tij të bënin po njëlloj. Kur i ndihmojmë njerëzit të pajtohen me Perëndinë, punojmë krah Tij në masën e dashur që ka marrë për të shpëtuar njerëzimin nga mëkati e vdekja.

16. Si lidhet predikimi me urdhërimet më të mëdha të Perëndisë?

16 Kur i ndihmojmë të tjerët të ecin në udhën drejt jetës së përhershme, japim prova se i duam njerëzit dhe Jehovain, «vullneti i të cilit është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:4) Kur e pyetën se cili ishte ligji më i madh që iu dha popullit të Izraelit, Jezui u përgjigj: «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi. I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’» (Mat. 22:37-39) Kur marrim pjesë në veprën e predikimit, tregojmë se u bindemi këtyre urdhërimeve.​—Lexo Veprat 10:42.

17. Si ndihesh për privilegjin e nderuar që të predikosh lajmin e mirë?

17 Sa të bekuar jemi! Jehovai na ka dhënë një punë që na sjell gëzim, që na afron më shumë me të dhe me të tjerët dhe që na mbron besimin. Ajo na jep edhe mundësinë të tregojmë dashurinë që ndiejmë për Perëndinë dhe për njerëzit. Edhe pse rrethanat e shërbëtorëve të Perëndisë ndryshojnë shumë nga njëri vend në tjetrin, miliona veta, të rinj a të moshuar, të pasur a të varfër, me fuqi a të dobët, po kërkojnë e po gjejnë mënyra që të flasin me të tjerët për besimin e tyre. Ka shumë mundësi të jesh dakord me Shantelin, që jeton të Francë. Ajo thotë: «Personi më i fuqishëm në univers, Krijuesi i çdo gjëje, Perëndia i lumtur, më thotë: ‘Shko! Fol! Fol për mua, fol me gjithë zemër. Po të jap fuqinë time, Fjalën time, mbështetjen e engjëjve, miq të mirë, stërvitje progresive dhe udhëzime të sakta e në kohën e duhur.’ Sa privilegj madhështor është të bëjmë si na thotë Jehovai e të bashkëpunojmë me të!»