Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Bashkëpuno me Jehovain çdo ditë

Bashkëpuno me Jehovain çdo ditë

«Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë.»​—1 KOR. 3:9.

KËNGËT: 64, 111

1. Në cilat mënyra mund të bashkëpunojmë me Jehovain?

KRIJUESI kishte ndër mend që njerëzit e përsosur të bashkëpunonin me të për t’i bërë realitet qëllimet e tij. Edhe pse tani njerëzimi është i papërsosur, njerëzit që besojnë te Jehovai mund të bashkëpunojnë me të çdo ditë. Për shembull, ne bëhemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë» kur predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë dhe bëjmë dishepuj. (1 Kor. 3:5-9) Çfarë privilegji është të quhemi të denjë të bashkëpunojmë me Krijuesin e plotfuqishëm të universit në një vepër që ai e konsideron të rëndësishme! Ama, predikimi dhe bërja e dishepujve nuk janë të vetmet mënyra si bashkëpunojmë me Jehovain. Në këtë artikull do të shqyrtojmë mënyra të tjera si mund ta bëjmë këtë: kur i bëhemi krah familjes dhe bashkadhuruesve, kur jemi mikpritës, kur ofrohemi vullnetarisht për projekte teokratike dhe kur zgjerojmë shërbimin tonë të shenjtë.​—Kolos. 3:23.

2. Pse nuk është gjë e mençur ta krahasosh atë që bën ti për të përkrahur qëllimet e Jehovait me atë që bëjnë të tjerët?

2 Gjatë këtij studimi, mos e krahaso atë që mund të bësh ti për Jehovain me atë që mund të bëjnë të tjerët. Mbaj parasysh se mosha, shëndeti, rrethanat dhe aftësitë ndryshojnë nga njëri te  tjetri. Apostulli Pavël tha nën frymëzim: «Secili të tregojë me prova se si është vepra e vet, dhe atëherë do të ketë shkak të ngazëllohet vetëm për veten e jo të krahasohet me një tjetër.»​—Gal. 6:4.

BËJU KRAH FAMILJES DHE BASHKADHURUESVE

3. Pse mund të themi se kushdo që kujdeset për familjen e vet po bashkëpunon me Perëndinë?

3 Jehovai pret që shërbëtorët e tij të kujdesen për familjen. Për shembull, ty mund të të duhet të punosh që të sigurosh të ardhura për njerëzit e tu të dashur. Shumë nëna rrinë në shtëpi që të përkujdesen për të vegjlit e tyre. Dhe disa fëmijëve të rritur mund t’u duhet të kujdesen për prindërit që kanë probleme shëndetësore. Këto janë gjëra të nevojshme. Fjala e Perëndisë thotë: «Nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët, e sidomos për pjesëtarët e shtëpisë së vet, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një njeri pa besim.» (1 Tim. 5:8) Nëse ke përgjegjësi të tilla, ndoshta nuk u kushton dot aq kohë sa do të doje aktiviteteve teokratike. Por merr zemër! Jehovai kënaqet kur ti siguron gjërat e nevojshme për familjen.​—1 Kor. 10:31.

4. Si mund t’i vënë prindërit interesat teokratike para interesave të tyre, dhe çfarë rezultatesh sjell kjo?

4 Prindërit e krishterë bashkëpunojnë me Jehovain kur i nxitin fëmijët të vënë synime teokratike. Shumë veta që e kanë bërë këtë, i kanë parë më vonë djemtë dhe vajzat e tyre të mbajnë mbi supe caktime në shërbimin e plotkohor larg shtëpisë. Disa janë misionarë; të tjerë shërbejnë si pionierë atje ku ka më shumë nevojë; të tjerë akoma shërbejnë në Bethel. Ndoshta për shkak të distancës, nuk mund të rrinë aq shpesh me fëmijët e tyre sa do të donin. Megjithatë, prindërit vetëmohues i inkurajojnë fëmijët të ngulmojnë në caktimet e tyre. Pse? Sepse u bëhet zemra mal që fëmijët e tyre po vënë Mbretërinë në vend të parë. (3 Gjon. 4) Ka të ngjarë që shumë nga këta prindër të ndihen si Hana, që tha se ‘ia taksi’ Jehovait djalin e saj Samuelin. Prindërit e shohin me të drejtë këtë bashkëpunim si një privilegj të vyer. Ata nuk do të donin kurrsesi që gjërat të ishin ndryshe.—1 Sam. 1:28.

5. Si mund t’u ofrosh ndihmë praktike pjesëtarëve të kongregacionit? (Shih figurën hapëse.)

5 Nëse nuk ke përgjegjësi familjare serioze, a mund t’u bëhesh krah bashkëbesimtarëve që kujdesen për një të sëmurë a të moshuar dhe atyre që janë të sëmurë, në moshë të thyer ose që kanë ndonjë nevojë tjetër? Pse të mos i hedhësh një sy kongregacionit tënd dhe të vëresh cilët kanë nevojë për ndihmë? Mbase mund të kalosh ca kohë me prindin e moshuar të një motre të krishterë që kujdeset për të, ndërkohë që motra merret me diçka tjetër. Ose ndoshta mund të ndihmosh dikë duke u ofruar ta shoqërosh për në mbledhje, t’i bësh pazarin, t’i kryesh ndonjë porosi a ta çosh te dikush që është në spital. Duke bërë kështu, mund të bashkëpunosh me Jehovain për t’iu përgjigjur një lutjeje.​—Lexo 1 Korintasve 10:24.

JI MIKPRITËS

6. Në ç’mënyrë mund të tregojmë mikpritje?

6 Bashkëpunëtorët e Perëndisë njihen për mikpritjen e tyre. Në Shkrimet e Krishtere Greke, fjala e përkthyer «mikpritje» ka kuptimin «dashamirësi ndaj të panjohurve». (Hebr. 13:2) Në Fjalën e Perëndisë gjejmë shembuj që na mësojnë ta shfaqim këtë dashuri. (Zan. 18:1-5) Ne mundemi dhe duhet të shfrytëzojmë mundësitë për t’i ndihmuar të tjerët rregullisht, pavarësisht nëse janë «të lidhur me ne në besim» apo jo.​—Gal. 6:10.

7. Pse ia vlen të mendosh për mundësinë që t’i mikpresësh shërbëtorët në kohë të plotë?

7 A mund të bashkëpunosh me Perëndinë  duke mikpritur shërbëtorët në kohë të plotë që ju vizitojnë? (Lexo 3 Gjonit 5, 8.) Raste të tilla shpesh krijojnë mundësi që ‘të inkurajoni njëri-tjetrin’. (Rom. 1:11, 12) Të marrim shembullin e Olafit. Ai kujton se dekada më parë, askush në kongregacionin e tij nuk kishte mundësi të strehonte mbikëqyrësin qarkor, që ishte beqar. Olafi, që ishte në moshë të re, pyeti prindërit e vet jo Dëshmitarë nëse mbikëqyrësi qarkor mund të rrinte në shtëpinë e tyre. Ata pranuan, por i thanë Olafit se ai vetë do të duhej të flinte në divan. Ama, ajo përshtatje ia vlejti që ç’ke me të. Olafi kujton: «Çfarë jave fantastike ishte ajo! Mbikëqyrësi qarkor dhe unë çoheshim herët çdo ditë dhe bisedonim për shumë tema interesante ndërsa hanim mëngjesin. Inkurajimi që mora, më ndezi dëshirën të filloja shërbimin e plotkohor.» Tani bëhen më shumë se 40 vjet që Olafi ka shërbyer në caktime të ndryshme misionare.

8. Çfarë arsyesh kemi që të tregojmë dashamirësi, edhe nëse në fillim duket se kjo nuk vlerësohet? Ilustrojeni.

8 Mund të tregosh dashuri për të panjohurit në shumë mënyra, edhe nëse në fillim përpjekjet e tua nuk vlerësohen. Mendo pak për këtë shembull: ndërsa drejtonte një studim biblik, një lajmëtare në Spanjë pa se Jesikës, studentes së saj nga Ekuadori, po i shkonin lotët rrëke. Lajmëtarja e pyeti pse qante. Jesika i tregoi se, para se të emigronte, ishte aq e varfër sa një ditë kishte mbetur fare pa ushqim dhe kishte vetëm ujë për t’i dhënë së bijës. U përpoq ta vinte fëmijën në gjumë duke e tundur dhe ndërkohë lutej për ndihmë. S’kaloi shumë dhe i trokitën në derë dy Dëshmitare, por Jesika u soll keq me to dhe e grisi revistën që i dhanë. «Me këtë doni që ta ushqej vajzën?!»​—i pyeti. Motrat u përpoqën ta ngushëllonin, por më kot. Më vonë i lanë te dera një shportë me ushqime. Jesika u prek nga dashamirësia e tyre. Ajo ndihej keq ndërsa kujtonte se nuk i kushtoi vëmendje përgjigjes që i dha Perëndia lutjes së saj. Mirëpo tani ishte e vendosur t’i shërbente Jehovait. Çfarë rezultati të shkëlqyer solli bujaria e tyre!​—Ekl. 11:1, 6.

OFROHU VULLNETARISHT PËR PROJEKTE TEOKRATIKE

9, 10. (a) Cilat ishin disa raste në kohët biblike kur lindi nevoja për vullnetarë mes popullit të Perëndisë? (b) Cilat janë disa nevoja për të cilat kujdesen sot burrat me frymë të gatshme në kongregacion?

9 Gjatë historisë së Izraelit të lashtë, kishte mjaft raste kur nevojiteshin vullnetarë. (Dal. 36:2; 1 Kron. 29:5; Neh. 11:2) Sot edhe ti ke mjaft raste që të ofrosh vullnetarisht nga koha, të ardhurat dhe aftësitë e tua për të ndihmuar vëllezërit e motrat. Duke vepruar kështu, do të ndiesh gëzim të thellë dhe do të shijosh shumë bekime.

10 Fjala e Perëndisë i nxit burrat në kongregacion të bashkëpunojnë me Jehovain, duke synuar caktime për t’u shërbyer të tjerëve dhe për të mbikëqyrur. (1 Tim. 3:1, 8, 9; 1 Pjet. 5:2, 3) Ata që e bëjnë këtë, duan t’i ndihmojnë të tjerët si në mënyra praktike, edhe në adhurimin e Perëndisë. (Vep. 6:1-4) A të kanë pyetur pleqtë nëse je i gatshëm të shërbesh si përcjellës ose të ndihmosh për literaturën, territoret, mirëmbajtjen a gjëra të ngjashme? Ata që kujdesen për detyra të tilla thonë se kur ndihmon të tjerët, provon shumë kënaqësi.

Kur ofrohesh vullnetarisht për projekte teokratike, ke mjaft mundësi për të zënë miq të rinj (Shih paragrafin 11.)

11. Si ka nxjerrë dobi një motër nga miqësitë që lidhi në projekte teokratike?

11 Ata që ofrohen vullnetarisht për projekte teokratike, shpesh zënë miq të rinj. Mendo për shembullin e Marxhit, një motër që ka punuar 18 vjet në projekte ndërtimi të Sallave të Mbretërisë. Ndër vite, ajo ka mbajtur afër disa motra më të reja për t’i stërvitur. Marxhi ka vërejtur se kjo është një  mënyrë e shkëlqyer për të inkurajuar njëra-tjetrën me anë të besimit. (Rom. 1:12) Gjatë disa periudhave të vështira në jetë, Marxhi ka marrë zemër nga miqtë që zuri në projektet e ndërtimit. A je ofruar ndonjëherë vullnetarisht për një projekt ndërtimi? A mund të vihesh në dispozicion, pavarësisht nëse ke ndonjë aftësi?

12. Si mund të ndihmosh edhe ti pas një katastrofe?

12 Kur godasin katastrofat, shërbëtorët e Perëndisë kanë mundësi të bashkëpunojnë me Perëndinë duke iu bërë krah vëllezërve në mënyra praktike. Për shembull, mbështetin financiarisht ata që janë dëmtuar. (Gjoni 13:34, 35; Vep. 11:27-30) Një mënyrë tjetër praktike është duke ndihmuar për të pastruar ose për të rindërtuar. Gabriela, një motër nga Polonia, shtëpia e së cilës thuajse u shkatërrua fare nga një përmbytje, u çel kur pa vëllezërit nga kongregacionet fqinje që i vajtën në ndihmë. Ajo thotë: «Nuk dua të flas për gjërat që humba​—ato janë thjesht gjëra materiale. Në vend të kësaj, dua t’ju tregoj sa shumë fitova. Kjo përvojë më siguroi se të jesh pjesë e kongregacionit të krishterë është një privilegj unik dhe një burim gëzimi e lumturie.» Shumë veta që marrin ndihmë pas një katastrofe thonë se ndihen të pasuruar nga kjo përvojë. Edhe ata që bashkëpunojnë me Jehovain për të dhënë këtë ndihmë, ndiejnë kënaqësi të thellë.​—Lexo Veprat 20:35; 2 Korintasve 9:6, 7.

13. Si na forcohet marrëdhënia me Jehovain kur dalim vullnetarë të ndihmojmë? Jepni një shembull.

13 Stefania dhe lajmëtarë të tjerë patën gëzimin të bashkëpunonin me Perëndinë duke ndihmuar Dëshmitarët që shkuan si refugjatë në Shtetet e Bashkuara. Ata ndihmuan në gjetjen dhe mobilimin e shtëpive për familjet e shpërngulura prej zonave të shkretuara nga lufta. Stefania thotë: «Na preku gëzimi dhe çmueshmëria e tyre ndërsa provonin dashurinë e vëllazërisë mbarëbotërore.» Pastaj shton: «Ato familje mendojnë se ne i  ndihmuam, por në realitet ato na ndihmuan shumë më tepër. Dashuria, uniteti, besimi dhe mbështetja te Jehovai që pamë me sytë tanë, na kanë forcuar pa masë dashurinë për Jehovain, dhe kjo na ka thelluar çmueshmërinë për gjithçka që marrim nëpërmjet organizatës së tij.»

ZGJERO SHËRBIMIN

14, 15. (a) Çfarë fryme shfaqi profeti Isaia? (b) Si mund ta imitojnë lajmëtarët e Mbretërisë sot qëndrimin e Isaisë?

14 A do të të pëlqente të bashkëpunoje më plotësisht me Jehovain? A do të ishe i gatshëm të transferoheshe për t’i shërbyer Jehovait atje ku ka më shumë nevojë në organizatën e tij? Sigurisht, nuk është se shërbëtorëve të Perëndisë u duhet të udhëtojnë larg shtëpisë për ta shprehur bujarinë. Megjithatë, disa vëllezërve dhe motrave ua lejojnë rrethanat që të ofrohen për të shërbyer më larg shtëpisë. Qëndrimi i tyre ngjan me atë të profetit Isaia. Në përgjigje të pyetjes së Jehovait «kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?», ai tha: «Ja ku jam! Më dërgo mua!» (Isa. 6:8) A ke edhe ti dëshirën dhe rrethanat që të kujdesesh si Isaia për nevojat teokratike? Çfarë nevojash ekzistojnë?

15 Jezui tha për veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj lutjuni Zotërisë të të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.» (Mat. 9:37, 38) A mund të shërbesh në një territor ku ka më shumë nevojë, ndoshta si pionier? Ose a mund të ndihmosh dikë tjetër ta bëjë këtë? Shumë vëllezër e motra kanë parë se mënyra më e mirë që të tregojnë dashuri për Perëndinë dhe për njerëzit, është të shërbejnë si pionierë në zona a territore ku ka më shumë nevojë për punëtorë në korrje. A të vijnë ndër mend mënyra të tjera si ta zgjerosh ose ta shtosh shërbimin? Provon gëzim të madh kur e bën këtë.

16, 17. Cilat mundësi të tjera ekzistojnë nëse dëshiron të zgjerosh shërbimin ndaj Jehovait?

16 A je i gatshëm të shërbesh në Bethel ose të ndihmosh në ndërtimin e një godine teokratike, qoftë si vullnetar i përkohshëm, qoftë duke udhëtuar vajtje-ardhje për të ndihmuar? Ka vazhdimisht nevojë për individë që mund t’i shërbejnë Jehovait kudo që të caktohen dhe në çfarëdo detyre t’u jepet. Mund t’u kërkohet të punojnë në një fushë ku ka një nevojë specifike, edhe pse kanë aftësi e përvojë në një fushë tjetër. Gjithsesi, Jehovai çmon frymën vetëmohuese të atyre që ofrohen të shërbejnë kudo që të ketë nevojë.​—Psal. 110:3.

17 A dëshiron të stërvitesh akoma më shumë që të jesh më i përgatitur për të kryer shërbimin tënd të shenjtë? Nëse po, mund të kualifikohesh për të ndjekur Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Në këtë shkollë stërviten gra e burra të pjekur që shërbejnë në kohë të plotë, me qëllim që të përdoren më plotësisht nga organizata e Jehovait. Ata që bëjnë kërkesën për të ndjekur këtë shkollë duhet të jenë të gatshëm të pranojnë çfarëdo caktimi kur të diplomohen. A dëshiron ta shfrytëzosh këtë mundësi për të synuar privilegje të mëtejshme shërbimi?​—1 Kor. 9:23.

18. Çfarë dobish do të kesh ndërsa bashkëpunon me Jehovain çdo ditë?

18 Si shërbëtorë të Jehovait, ndihemi të nxitur të jemi bujarë​—cilësi që pasqyron mirësi, dashamirësi e dashuri—​dhe të interesohemi për të tjerët çdo ditë. Kur veprojmë kështu, mbushemi me gëzim, paqe dhe lumturi. (Gal. 5:22, 23) Çfarëdo rrethanash të kesh në jetë, mund të gjesh gëzim duke imituar personalitetin bujar të Jehovait dhe duke qenë një nga bashkëpunëtorët e tij të çmuar!​—Prov. 3:9, 10.