NËN frymëzim, apostulli Pavël shkroi për nëntë cilësi që janë rezultat i veprimit të frymës së shenjtë. (Gal. 5:​22, 23) Ai i përshkroi këto cilësi të vyera sikur formojnë të gjitha bashkë një të tërë​—‘frytin e frymës’. * Ky fryt karakterizon «personalitetin e ri». (Kolos. 3:10) Ashtu si një pemë jep fryt kur i kushtohet kujdesi i duhur, edhe një njeri e shfaq frytin e frymës kur fryma e shenjtë rrjedh lirshëm në jetën e tij.​—Psal. 1:​1-3.

Aspekti i parë i frytit të frymës që rendit Pavli është cilësia e çmuar e dashurisë. Sa e çmuar është ajo? Pavli tha se pa dashuri, nuk do të ishte «asgjë». (1 Kor. 13:2) Po çfarë është konkretisht dashuria dhe si mund ta kultivojmë e ta shfaqim çdo ditë këtë cilësi?

SI SHPREHET DASHURIA

Edhe pse nuk është kollaj ta përkufizosh çfarë është dashuria, Bibla përshkruan në ç’mënyrë shprehet ajo. Për shembull, ajo thotë se dashuria është «shpirtgjerë dhe mirëdashëse». Gjithashtu, «gëzon me të vërtetën» dhe «mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje». Dashuria përfshin edhe një ndjenjë përzemërsie të thellë dhe merak të sinqertë për të tjerët, si edhe një lidhje të ngrohtë me ta. Nga ana tjetër, mungesa e dashurisë nxjerr kokë te xhelozia, krenaria, sjellja e pahijshme, egoizmi dhe te një prirje për të mbajtur mëri e për të mos falur. Ndryshe nga këto cilësi të ftohta dhe arrogante, dashuria që duam të kultivojmë «nuk kërkon interesat e veta».​—1 Kor. 13:​4-8.

DASHURIA SHEMBULLORE E JEHOVAIT DHE E JEZUIT

«Perëndia është dashuri.» Vërtet, Jehovai është vetë thelbi i dashurisë. (1 Gjon. 4:8) Të gjitha veprat e tij dhe gjithçka që bën japin dëshmi për dashurinë e tij. Akti më madhështor i dashurisë së tij ndaj njerëzimit ishte fakti që dërgoi Jezuin të vuante e të vdiste për ne. Apostulli Gjon tha: «Perëndia e shfaqi dashurinë e tij ndaj nesh, duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij. Në këtë qëndron dashuria: jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi dhe dërgoi Birin e tij si një flijim pajtues për mëkatet tona.» (1 Gjon. 4:​9, 10) Falë dashurisë së Perëndisë, mund të gëzojmë falje dhe të kemi shpresë e jetë.

Jezui dha prova të dashurisë së tij për njerëzimin duke e kryer me gatishmëri vullnetin e Perëndisë. Pavli shkroi: «[Jezui] thotë: ‘Ja, unë kam ardhur të bëj vullnetin tënd.’ . . . Falë këtij ‘vullneti’, jemi shenjtëruar nëpërmjet blatimit të trupit të Jezu Krishtit një herë e mirë.» (Hebr. 10:​9, 10) Asnjë njeri nuk mund të tregonte një dashuri më të madhe. Jezui tha: «Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet.» (Gjoni 15:13) A mund ta imitojmë ne si njerëz të papërsosur dashurinë që na treguan Jehovai dhe Jezui? Patjetër! Le të shohim si mund ta bëjmë këtë.

 ‘TË VAZHDOJMË TË ECIM NË DASHURI’

Pavli na nxit: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur dhe vazhdoni të ecni në dashuri, ashtu si Krishti ju deshi dhe e dorëzoi veten e tij për ju.» (Efes. 5:​1, 2) ‘Vazhdojmë të ecim në dashuri’ kur e shfaqim këtë cilësi në çdo aspekt të jetës. Këtë dashuri e tregojmë me vepra, jo thjesht me fjalë. Gjoni shkroi: «Fëmijë të vegjël, le të mos duam veç me fjalë e me gjuhë, por me vepra e të vërtetë.» (1 Gjon. 3:18) Për shembull, kur ecim në dashurinë për Perëndinë dhe për njerëzit, kjo na motivon t’u japim të tjerëve ‘lajmin e mirë për Mbretërinë’. (Mat. 24:14; Luka 10:27) Ecim në dashuri edhe kur jemi të duruar, mirëdashës dhe të gatshëm të falim. Ja pse Bibla na këshillon: «Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.»​—Kolos. 3:13.

Gjithsesi, kjo dashuri e sinqertë nuk duhet ngatërruar me sentimentalizmin. Për shembull, për të qetësuar fëmijën që qan, një prind sentimental mund t’i plotësojë çdo tekë. Por prindi që e do vërtet fëmijën tregohet i vendosur kur është e nevojshme. Në mënyrë të ngjashme, Perëndia është dashuri, por ‘atë që e do, Jehovai e disiplinon’. (Hebr. 12:6) Kur ecim në dashuri, edhe ne do të japim disiplinën e duhur kur të jetë e nevojshme. (Prov. 3:​11, 12) Natyrisht, kur e bëjmë këtë duhet të mbajmë parasysh se edhe ne jemi mëkatarë dhe kemi prirjen të veprojmë pa dashuri. Pra, të gjithë kemi pika ku duhet të përmirësohemi për të treguar dashuri. Si mund ta bëjmë këtë? Le të shohim tri mënyra.

TË KULTIVOJMË DASHURI​—SI?

Së pari, t’i kërkojmë Perëndisë frymën e tij, e cila prodhon dashuri. Jezui tha se Jehovai u jep «frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». (Luka 11:13) Nëse lutemi për frymën e shenjtë dhe përpiqemi fort që ‘të vazhdojmë të ecim sipas frymës’, do të veprojmë gjithnjë e më shumë me dashuri. (Gal. 5:16) Për shembull, nëse je plak kongregacioni, mund të lutesh për frymën e shenjtë që të të ndihmojë t’ia japësh me dashuri të tjerëve këshillat nga Bibla. Ose nëse je prind, mund të kërkosh që fryma e Perëndisë të të ndihmojë t’i disiplinosh fëmijët jo me zemërim, por me dashuri.

Së dyti, të bluajmë në mend si tregonte dashuri Jezui edhe kur e provokonin. (1 Pjet. 2:​21, 23) Meditimi për shembullin e Krishtit mund të jetë i nevojshëm sidomos kur na kanë fyer ose kur kemi pësuar një padrejtësi. Në momente të tilla, do të ishte mirë të pyetnim veten: «Çfarë do të bënte Jezui?» Një motër që quhet Lina provoi se meditimi për këtë pyetje e ndihmonte të mendonte para se të vepronte. Ajo tregon: «Një herë, një shoqe pune u dërgoi kolegeve të mia një email me komente negative për mua dhe për punën që po bëja. U lëndova thellë nga kjo. Por pastaj pyeta veten: ‘Si mund të imitoj Jezuin në marrëdhëniet me këtë person?’ Pasi meditova se si do të vepronte Jezui, vendosa të mbyllja një sy dhe të mos e bëja të madhe atë çështje. Më vonë, mora vesh se kolegia ime kishte pasur një problem shëndetësor serioz dhe kishte qenë nën stres të madh. Nxora përfundimin se kishte shumë të ngjarë të mos i kishte me tërë mend fjalët që shkroi. Meditimi për shembullin e Jezuit që tregonte dashuri edhe kur e provokonin më ndihmoi t’i tregoja dashuri në mënyrë të ngjashme koleges sime.» Vërtet, po të imitojmë Jezuin, do të veprojmë gjithnjë me dashuri.

Së treti, të kultivojmë frymën e dashurisë vetëmohuese, që është shenja dalluese e krishterimit të vërtetë. (Gjoni 13:​34, 35) Në lidhje me këtë, Shkrimet na nxitin të zhvillojmë po atë «qëndrim mendor» që kishte Jezui. Duke u larguar nga qielli, ai «zbrazi veten» për të mirën tonë, madje «deri në vdekje». (Filip. 2:​5-8) Ndërsa imitojmë dashurinë e tij vetëmohuese, mendimet dhe ndjenjat tona do të bëhen më shumë si ato të Krishtit, e do të ndihemi të motivuar  t’i vëmë interesat e të tjerëve para tonave. Çfarë bekimesh të tjera vijnë kur kultivojmë dashuri?

DOBITË QË VIJNË KUR TREGOJMË DASHURI

Kur tregojmë dashuri, dobitë janë të gjithanshme. Ja dy prej tyre:

Çfarë dobish vijnë kur tregojmë dashuri?

  • NJË VËLLAZËRI NDËRKOMBËTARE: Falë dashurisë për njëri-tjetrin, e dimë se në çfarëdo kongregacioni të shkojmë anekënd botës, vëllezërit e motrat do të na mirëpresin me ngrohtësi. Çfarë bekimi është të të dojë ‘gjithë vëllazëria nëpër botë’! (1 Pjet. 5:9) E ku tjetër mund të gjesh një dashuri të tillë përveçse mes popullit të Perëndisë?

  • PAQE: Kur ‘e durojmë njëri-tjetrin me dashuri’ kemi mundësi të gëzojmë «lidhjen e paqes» që na bashkon. (Efes. 4:​2, 3) E shijojmë personalisht këtë paqe në mbledhjet e kongregacionit, në asamble dhe në kongrese. A nuk je dakord se kjo frymë paqësore është vërtet unike në botën e sotme të përçarë? (Psal. 119:165; Isa. 54:13) Duke ndjekur paqen me të tjerët, tregojmë sa e thellë është dashuria jonë për ta, e kjo e kënaq Atin tonë qiellor.​—Psal. 133:​1-3; Mat. 5:9.

«DASHURIA NDËRTON»

Pavli shkroi: «Dashuria ndërton.» (1 Kor. 8:1) Si e bën dashuria këtë? Në kapitullin e 13-të të letrës së parë që u shkroi Pavli korintasve​—një letër që është quajtur «Psalmi i dashurisë»​—apostulli shpjegon si ndërton dashuria. Në radhë të parë, ajo kërkon përfitimin e tjetrit. (1 Kor. 10:24; 13:5) Veç kësaj, meqë mban parasysh të tjerët dhe është e gjindshme, e duruar e mirëdashëse, dashuria ndërton familje të dashura dhe kongregacione të bashkuara.​—Kolos. 3:14.

Dashuria që kemi të gjithë ne për Perëndisë është dashuria më e çmuar dhe më ndërtuese nga të tëra. Kjo dashuri bashkon njerëz nga të gjitha prejardhjet, racat dhe gjuhët në një shoqëri të lumtur, për t’i shërbyer Jehovait «sup më sup». (Sof. 3:9) Qofshim të vendosur ta shfaqim çdo ditë këtë aspekt të çmuar të frytit të frymës së shenjtë të Perëndisë!

^ par. 2 Ky është artikulli i parë i një serie me nëntë pjesë ku do të shqyrtohet çdo cilësi, ose aspekt, i frytit të frymës.