«Secili nga ju ta dojë gruan si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.»​—EFES. 5:33.

KËNGËT: 87, 3

1. Ndonëse zakonisht martesa fillon plot gëzim, ç’mund të presin ata që martohen? (Shih figurën hapëse.)

S’KA fjalë që ta përshkruajnë çfarë gëzimi ndiejnë nusja e bukur dhe dhëndri i pashëm kur janë përballë njëri-tjetrit ditën e dasmës. Gjatë kohës që u njohën, dashuria mes tyre u rrit aq shumë, sa tani janë gati të bëjnë betimin se do të jenë besnikë ndaj njëri-tjetrit në martesë. Natyrisht, ndërsa dy jetë gërshetohen bashkë dhe formohet një familje e re, nevojiten përshtatje ose ndryshime. Megjithatë, Fjala e Perëndisë u jep këshilla të mençura të gjithë atyre që zgjedhin të martohen, sepse Nismëtari i dashur i martesës do që çdo çift të ketë një martesë sa më të suksesshme e sa më të lumtur. (Prov. 18:22) Gjithsesi, Shkrimet e thonë shkoqur se njerëzit e papërsosur që martohen «do të kenë shtrëngim në mish». (1 Kor. 7:28) Si mund të pakësohen në minimum këto shtrëngime? Çfarë mund t’i ndihmojë të krishterët të kenë një martesë të suksesshme?

2. Cilat lloje dashurie duhet të tregojnë bashkëshortët?

2 Bibla thekson sa rëndësi ka dashuria. Përzemërsia e butë  (greqisht, philía) është e nevojshme në martesë. Dashuria romantike (éros) sjell kënaqësi, dhe dashuria për pjesëtarët e familjes (storgé) është thelbësore kur vijnë në jetë fëmijët. Megjithatë, ajo që garanton suksesin në martesë është dashuria e bazuar në parime (agápe). Apostulli Pavël shkroi për këtë lloj dashurie: «Secili nga ju ta dojë gruan si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.»​—Efes. 5:33.

TË SHOHIM NGA AFËR ROLET E BASHKËSHORTËVE

3. Sa e fortë duhet të jetë dashuria në martesë?

3 Pavli shkroi: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të.» (Efes. 5:25) Që të imitojnë shembullin e Jezuit, dishepujt e tij duhet ta duan njëri-tjetrin ashtu siç i deshi ai. (Lexo Gjonin 13:34, 35; 15:12, 13.) Pra, dashuria mes bashkëshortëve të krishterë duhet të jetë aq e fortë sa secili të jetë i gatshëm edhe të vdesë për tjetrin, po të jetë nevoja. Ama, nëse kanë një mosmarrëveshje serioze, kjo mund të jetë gjëja e fundit që duan të bëjnë. Sidoqoftë, dashuria agápe «mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje». Po, «dashuria nuk shuhet kurrë». (1 Kor. 13:7, 8) Bashkëshortët që e duan Perëndinë sjellin ndër mend se janë betuar ta duan e të jenë besnikë ndaj njëri-tjetrit. Kjo i ndihmon të punojnë së bashku sipas parimeve të larta të Jehovait për të zgjidhur çdo problem që mund të lindë.

4, 5. (a) Çfarë përgjegjësie ka burri si kreu i familjes? (b) Si duhet ta shohë gruaja kryesinë? (c) Çfarë ndryshimesh iu desh të bënte një çifti?

4 Duke u përqendruar te përgjegjësitë që ka secili bashkëshort, Pavli shkroi: «Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre, si ndaj Zotërisë, sepse burri është kreu i gruas së tij, ashtu si edhe Krishti është kreu i kongregacionit.» (Efes. 5:22, 23) Kjo s’do të thotë se gruaja është inferiore karshi të shoqit. Përkundrazi, kjo masë e ndihmon gruan të përmbushë rolin që kishte ndër mend Perëndia për të, kur tha: «Nuk është mirë që njeriu [Adami] të rrijë vetëm. Do t’i bëj një ndihmës, si një plotësim për të.» (Zan. 2:18) Ashtu siç tregon dashuri Krishti, «kreu i kongregacionit», edhe bashkëshorti i krishterë duhet ta ushtrojë kryesinë me dashuri. Kur vepron kështu, gruaja e tij ndihet e sigurt dhe gjen kënaqësi ndërsa i tregon respekt, e mbështet dhe i nënshtrohet.

5 Një motër që quhet Keti [1] e pranon se martesa kërkon përshtatje ose ndryshime. Ajo thotë: «Si beqare, kujdesesha për veten dhe isha e pavarur. Martesa ishte një ndryshim për mua teksa mësoja të mbështetesha tek im shoq. Nuk ka qenë gjithmonë kollaj, por jemi afruar shumë më tepër si çift duke i bërë gjërat sipas mënyrës së Jehovait.» Burri i saj, Fredi, thotë: «Kurrë nuk e kam pasur të lehtë të merrja vendime. Në martesë duhet të mendosh për dy veta, e kështu gjërat vështirësohen. Por, ndërsa i lutem Jehovait për drejtim dhe e dëgjoj vërtet pikëpamjen e gruas sime, kjo bëhet çdo ditë e më e lehtë. Ndiej se jemi tamam një skuadër.»

6. Si shërben dashuria si «lidhje e përsosur bashkimi» kur lindin probleme në martesë?

6 Një martesë e fortë përbëhet nga dy njerëz që i marrin parasysh papërsosmëritë e njëri-tjetrit dhe hapin rrugë. Ata ‘vazhdojnë ta durojnë dhe ta falin bujarisht njëri-tjetrin’. Po, të dy bashkëshortët bëjnë gabime. Ama, kjo u jep mundësi të mësojnë nga gabimet, të falin dhe të lejojnë që dashuria të veprojë fuqishëm si «lidhje e përsosur bashkimi». (Kolos. 3:13, 14) Veç  kësaj, «dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. . . . Ajo nuk e mban llogari të keqen». (1 Kor. 13:4, 5) Keqkuptimet duhen sqaruar sa më shpejt të jetë e mundur. Prandaj, burri e gruaja duhet të përpiqen ta zgjidhin çfarëdo problemi mes tyre para se të mbarojë dita. (Efes. 4:26, 27) Vërtet, duhet përulësi dhe kurajë të thuash sinqerisht «më fal që të lëndova». Por kjo ndihmon pa masë që të zgjidhen problemet dhe që bashkëshortët të lidhen më ngushtë.

NJË NEVOJË E VEÇANTË PËR NGROHTËSI

7, 8. (a) Çfarë këshillash jep Bibla për marrëdhëniet seksuale në martesë? (b) Pse është e nevojshme që bashkëshortët të tregojnë ngrohtësi?

7 Bibla jep këshilla të mençura që mund ta ndihmojnë një çift të ketë pikëpamje të ekuilibruar për detyrimin martesor. (Lexo 1 Korintasve 7:3-5.) Është e domosdoshme që ata të mbajnë parasysh me dashuri ndjenjat dhe nevojat e njëri-tjetrit. Nëse nuk trajtohet me ngrohtësi, gruaja mund ta ketë të vështirë të kënaqet me këtë aspekt të martesës. Burrat udhëzohen t’i trajtojnë gratë e tyre «sipas njohurisë». (1 Pjet. 3:7) Marrëdhëniet seksuale nuk duhet të bëhen kurrë me detyrim ose të pretendohen, por duhet të vijnë natyrshëm. Ndonëse burri shpesh mund të reagojë më shpejt se gruaja, nga ana emocionale duhet të jetë momenti i përshtatshëm për të dy bashkëshortët.

8 Edhe pse Bibla nuk jep rregulla specifike për llojet dhe kufijtë e shprehjeve a lojërave të dashurisë që mund të shoqërojnë intimitetin e natyrshëm seksual, ajo i përmend këto shprehje përzemërsie. (Këng. 1:2; 2:6) Bashkëshortët e krishterë duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin me ngrohtësi.

9. Pse është e papranueshme të tregojmë interes seksual për dikë që s’është bashkëshorti ynë?

9 Dashuria e fortë për Perëndinë dhe për tjetrin nuk do të lejojë që asnjeri ose asgjë ta rrezikojë lidhjen martesore. Kur njërit prej bashkëshortëve i është bërë ves pornografia, disa herë kjo ka krijuar tensione në martesë ose madje e ka prishur martesën. Duhet t’i bëjmë ballë me vendosmëri çdo prirjeje për t’u tërhequr nga pornografia ose nga interesa seksuale të çfarëdo lloji jashtë martesës. Veç kësaj, as të mos lëmë përshtypjen se po flirtojmë me dikë që s’është bashkëshorti ynë, pasi kjo tregon mungesë dashurie dhe lëndon. Po të mbajmë në mend se Perëndia i di mirë të gjitha mendimet e veprimet tona, do të na përtërihet dëshira që t’i pëlqejmë atij dhe të mbetemi të dëlirë.​—Lexo Mateun 5:27, 28; Hebrenjve 4:13.

KUR LIDHJET MARTESORE TENDOSEN

10, 11. (a) Sa i përhapur është divorci? (b) Çfarë thotë Bibla për ndarjen? (c) Ç’do ta ndihmojë një bashkëshort që të mos ngutet të ndahet nga tjetri?

10 Kur problemet serioze vazhdojnë gjatë, një nga bashkëshortët ose të dy mund të bluajnë në mend ndarjen ose divorcin. Në disa vende, më shumë se gjysma e martesave përfundojnë me divorc. Edhe pse kjo prirje nuk është kaq e përhapur brenda kongregacionit të krishterë, problemet martesore në rritje mes popullit të Perëndisë janë arsye për t’u shqetësuar.

11 Bibla jep këto udhëzime: «Gruaja të mos ndahet nga burri. Nëse ndahet, le të mbetet e pamartuar ose përndryshe të pajtohet sërish me burrin. Edhe burri nuk duhet ta lërë gruan.» (1 Kor. 7:10, 11) Ndarja nga shoku a shoqja e jetës nuk duhet marrë lehtë. Ndonëse ndarja mund të duket si rrugëdalja kur lindin vështirësi serioze, shpesh ajo shkakton më tepër probleme. Pasi përsëriti fjalët e Perëndisë se burri do të linte babanë dhe nënën e do të lidhej ngushtë me gruan e vet, Jezui tha: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»  (Mat. 19:3-6; Zan. 2:24) Kjo nënkupton edhe se as vetë burri ose gruaja nuk duhet ‘ta ndajnë atë që Perëndia e ka bashkuar’. Jehovai e sheh martesën si një lidhje për tërë jetën. (1 Kor. 7:39) Kur burri dhe gruaja mbajnë në mend se të gjithë do t’i japim llogari Perëndisë, nxiten të përpiqen me mish e me shpirt për t’i zgjidhur problemet shpejt, që të mos rëndohen më tepër.

12. Çfarë mund ta shtyjë një bashkëshort të mendojë për ndarjen?

12 Disa presin gjëra jorealiste nga martesa, e kjo mund të jetë rrënja e një problemi martesor. Kur ëndrrat për një martesë të lumtur nuk bëhen realitet, dikush mund të ndihet i pakënaqur, i mashtruar e madje mund të mbushet me vrer. Ndryshimet në formimin emocional a në mënyrën si janë rritur mund të bëhen mollë sherri, ose mund të lindin mosmarrëveshje për paratë, për familjarët e njëri-tjetrit dhe për rritjen e fëmijëve. Por, sa bukur që për të gjitha këto probleme, shumica e çifteve të krishtere gjejnë zgjidhje të pranueshme për të dy bashkëshortët, ngaqë lejojnë t’i udhëheqë Perëndia.

13. Cilat janë disa arsye të vlefshme për t’u ndarë?

13 Ndonjëherë mund të ekzistojnë arsye të vlefshme për t’u ndarë. Rastet kur bashkëshorti nuk i siguron qëllimisht familjes gjërat e nevojshme, kur ka keqtrajtim fizik ekstrem dhe kur vihet absolutisht në rrezik marrëdhënia me Perëndinë, janë situata të jashtëzakonshme që disa i kanë konsideruar si shkaqe për t’u ndarë. Bashkëshortët e krishterë që kanë probleme serioze duhet të kërkojnë ndihmë nga pleqtë e kongregacionit. Këta vëllezër me përvojë mund t’i ndihmojnë çiftet e martuara të zbatojnë këshillat e Fjalës së Perëndisë. Për të zgjidhur problemet martesore, duhet edhe t’i lutemi Jehovait për frymën e tij dhe për ndihmë që të zbatojmë parimet biblike e të shfaqim frytin e frymës.—Gal. 5:22, 23. [2]

14. Çfarë nxitje u jep Bibla të krishterëve që janë të martuar me dikë që s’është adhurues i Jehovait?

14 Në disa raste, një i krishterë është i martuar me dikë që s’është akoma shërbëtor i Jehovait. Bibla jep arsye të forta pse duhet të qëndrojnë bashkë edhe në këto rrethana. (Lexo 1 Korintasve 7:12-14.) Burri ose gruaja jobesimtare është «shenjtëruar» ngaqë është martuar me një besimtar, pavarësisht në e kupton apo jo këtë. Nëse kanë fëmijë, ata konsiderohen «të shenjtë» e kështu gëzojnë mbrojtjen e Perëndisë. Pavli arsyeton: «Ku e di ti, o grua, që s’do ta shpëtosh burrin? Apo ku e di ti, o burrë, që s’do ta shpëtosh gruan?» (1 Kor. 7:16) Thuajse në çdo kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait ka çifte të martuara ku i krishteri ka luajtur rol kyç ‘për ta shpëtuar’ burrin ose gruan.

15, 16. (a) Çfarë këshille u jep Bibla grave të krishtere që nuk i kanë burrat shërbëtorë të Perëndisë? (b) Në cilën pozitë ndodhet një i krishterë ‘nëse jobesimtari largohet’?

15 Apostulli Pjetër i këshillon gratë e krishtere t’u nënshtrohen burrave të tyre ‘që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitojnë pa fjalë, nëpërmjet sjelljes së tyre, pasi të kenë parë me sytë e vet sjelljen e tyre të dëlirë bashkë me respekt të thellë’. Ka më shumë të ngjarë që gruaja ta fitojë ose ta ndihmojë të shoqin të përqafojë adhurimin e vërtetë me sjelljen që pasqyron ‘frymën e qetë e të butë, e cila ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë’, sesa po të flasë pa modesti orë e minutë për bindjet e saj të krishtere.​—1 Pjet. 3:1-4.

16 Po nëse bashkëshorti jobesimtar zgjedh të ndahet? Bibla thotë: «Nëse jobesimtari po largohet, le të largohet. Vëllai ose motra nuk janë të skllavëruar në këto  rrethana, por Perëndia ju ka thirrur në paqe.» (1 Kor. 7:15) Vërtet, kjo s’do të thotë që tani i krishteri është i lirë nga ana biblike të martohet me dikë tjetër, po ama nuk ka detyrimin që të përpiqet ta detyrojë bashkëshortin jobesimtar të mos largohet. Ndarja mund të sjellë njëfarë paqeje. Gjithashtu, i krishteri mund të shpresojë se bashkëshorti do të kthehet i gatshëm që të punojnë përkrah njëri-tjetrit për ta ruajtur martesën dhe se me kohë do të bëhet bashkëbesimtar.

MARTESA DHE GJËJA KRYESORE NË JETËN TONË

Kur gjëja kryesore në jetë është adhurimi i Jehovait, martesa bëhet më e lumtur (Shih paragrafin 17.)

17. Cila duhet të jetë gjëja kryesore për çiftet e krishtere?

17 Ngaqë jetojmë thellë në «ditët e fundit», po kalojmë «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1-5) Gjithsesi, kur e mbajmë të fortë marrëdhënien me Jehovain, kjo është një ndihmë e madhe kundër ndikimeve negative të botës. Pavli shkroi: «Koha që mbetet është shkurtuar. Që sot e tutje, ata që kanë gra, të jenë sikur nuk kanë . . . dhe ata që përdorin këtë botë, si ata që nuk e përdorin plotësisht.» (1 Kor. 7:29-31) Pavli nuk po u thotë të martuarve që të lënë pas dore përgjegjësitë martesore. Por, përderisa mbetet pak kohë, gjëja kryesore në jetën e tyre duhet të jetë adhurimi i Jehovait.​—Mat. 6:33.

18. Pse është e mundur që të krishterët të kenë një martesë të lumtur e të suksesshme?

18 Edhe pse jetojmë në kohë goxha stresuese kur sa e sa martesa po prishen, është e mundur të kemi një martesë të lumtur e të suksesshme. Vërtet, të krishterët e martuar që rrinë të lidhur ngushtë me popullin e Jehovait, që zbatojnë këshillat e Shkrimeve dhe që pranojnë t’i drejtojë fryma e shenjtë e Jehovait, mund të mbrojnë «atë që Perëndia e ka bashkuar».​—Mar. 10:9.

^ [1] (paragrafi 5) Emrat janë ndryshuar.

^ [2] (paragrafi 13) Shih librin ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’, shtojca «Pikëpamja e Biblës për divorcin dhe ndarjen».