«TË GJITHA luftërat e së shkuarës . . . duken të papërfillshme në krahasim me betejën e madhe që po merr dhenë sot në Evropë.» Kështu e përshkruante Kulla e Rojës e 1 shtatorit 1915 Luftën e Parë Botërore, e cila me kalimin e kohës përfshiu 30 shtete. Ja çfarë thoshte revista për pasojën e asaj lufte: «Shërbimi i [Mbretërisë] është penguar disi, sidomos në Gjermani dhe në Francë.»

Përballë një konflikti të egër me përmasa globale, disa Studentë të Biblës hynë në ushtri, sepse nuk e kuptonin plotësisht parimin e asnjanësisë së krishterë. Prapëseprapë, ishin të vendosur të shpallnin lajmin e mirë. Ngaqë donte të kontribuonte në shërbimin e Mbretërisë, Vilhelm Hildebranti porositi disa kopje të fletushkës Mujori i Studentëve të Biblës, në frëngjisht. Ai nuk kishte vajtur në Francë si përhapës (predikues në kohë të plotë), por si ushtar gjerman. Ky i ashtuquajtur armik, i veshur me uniformë ushtarake, u jepte mesazhin e paqes kalimtarëve francezë të habitur.

Disa letra që u publikuan në Kullën e Rojës tregojnë se edhe mjaft Studentë të tjerë të Biblës nga Gjermania donin me gjithë zemër të predikonin lajmin e mirë për Mbretërinë ndërsa ishin në ushtri. Vëlla Lemki, që shërbente në marinë, raportonte se pesë pjesëtarë të ekuipazhit të tij shfaqnin interes për të vërtetën. Ai shkroi: «Edhe në bordin e kësaj anijeje, po korr fryte në lavdi të Jehovait.»

Georg Kajzeri shkoi në frontin e betejës si ushtar dhe u kthye në shtëpi si shërbëtor i Perëndisë së vërtetë. Çfarë ndodhi? I ra në dorë një botim i Studentëve të Biblës dhe përqafoi me gjithë zemër të vërtetën për Mbretërinë. Ai dorëzoi armët dhe kreu shërbime që nuk përfshinin luftimin. Pas luftës, shërbeu për shumë vjet si pionier i zellshëm.

Ndonëse Studentët e Biblës nuk e kuptonin plotësisht çështjen e asnjanësisë, qëndrimi dhe sjellja e tyre ishte në kontrast të thellë me pikëpamjet dhe veprimet e njerëzve pro luftës. Ndërkohë që politikanët dhe krerët fetarë valëvitnin flamujt kombëtarë,  Studentët e Biblës i qëndronin besnikë ‘Princit të Paqes’. (Isa. 9:6) Edhe pse disa nuk qëndruan krejtësisht asnjanës, prapëseprapë iu përmbajtën bindjes themelore që shprehu një Student i Biblës, Konrad Morteri: «E kuptova qartë nga Fjala e Perëndisë se një i krishterë nuk duhet të vrasë.»—Dal. 20:13. *

Hans Holtërhafi përdori karrocën e tij për të reklamuar Epokën e Artë

Në Gjermani, ku ligji nuk kishte masa përjashtuese për ata që refuzonin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, mbi 20 Studentë të Biblës nuk pranuan të përfshiheshin në asnjë punë që lidhej me ushtrinë. Disa prej tyre i shpallën të sëmurë mendorë. Për shembull, Gustav Kujatin e futën në spitalin psikiatrik dhe i dhanë qetësues. Hans Holtërhafin, që gjithashtu nuk pranoi të hynte në ushtri, e futën në burg, ku nuk pranoi asnjë punë që lidhej me luftën. Rojat e lidhën me këmishë force derisa gjymtyrët iu mpinë. Kur nuk arritën t’ia thyenin vendosmërinë, bënë gjoja sikur do ta ekzekutonin. Megjithatë, Hansi qëndroi i palëkundur gjatë gjithë luftës.

Edhe vëllezër të tjerë që u thirrën në ushtri nuk pranuan të mbanin armë dhe kërkuan t’u caktonin punë që nuk përfshinin luftimin. * Një prej atyre që mbajti këtë qëndrim ishte Johan Raute, i cili u dërgua të punonte në hekurudhë. Konrad Morteri u caktua si sanitar spitali dhe Rainhold Veberi punoi si infermier. August Krafzigu ndihej mirënjohës që caktimi i tij nuk e detyronte të shkonte në frontin e betejës. Këta dhe Studentë të tjerë të Biblës, ishin të vendosur t’i shërbenin Jehovait në bazë të asaj që kuptonin për dashurinë dhe besnikërinë ndaj tij.

Për shkak të sjelljes së tyre gjatë luftës, Studentët e Biblës ishin nën vëzhgimin e rreptë të autoriteteve. Në vitet pasuese, Studentëve të Biblës në Gjermani iu desh të përballeshin me mijëra raste gjyqësore për shkak të veprës së tyre të predikimit. Për t’i ndihmuar, zyra e degës në Gjermani krijoi repartin ligjor në Bethelin e Magdeburgut.

Kuptueshmëria e Dëshmitarëve të Jehovait për çështjen e asnjanësisë së krishterë u përmirësua gjithnjë e më shumë. Kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, ata mbajtën qëndrim asnjanës duke mbetur plotësisht të ndarë nga ushtria. Ja pse u konsideruan armiq të shtetit gjerman dhe u përndoqën egërsisht. Por ky është një kapitull tjetër që mund të trajtohet në një artikull të ardhshëm të serisë «Nga arkivat tanë».​—Nga arkivat tanë në Evropën Qendrore.

^ par. 7 Lexo pak për historinë e Studentëve të Biblës në Britani gjatë Luftës I Botërore në artikullin «Nga arkivat tanë​—Qëndruan të patundur në ‘orën e sprovës’», në Kullën e Rojës të 15 majit 2013.

^ par. 9 Kjo mënyrë veprimi sugjerohej në vëllimin VI të serisë «Agimi i Mijëvjeçarit» (1904) dhe në botimin në gjermanisht të Kullës së Rojës të Sionit, gusht 1906. Kulla e Rojës e shtatorit të 1915-s e përmirësoi pikëpamjen tonë dhe sugjeroi që Studentët e Biblës të mos shkonin në ushtri. Por ky artikull nuk doli në Kullën e Rojës në gjermanisht.