Pse ngjallte debat mes kundërshtarëve të Jezuit larja e duarve?

Kjo ishte vetëm një nga çështjet e shumta për të cilat armiqtë e Jezuit kapeshin me të dhe me dishepujt e tij. Ligji i Moisiut përfshinte një sërë urdhërimesh për pastrimin ceremonial në lidhje me çështje, si: rrjedhjet nga trupi, lebra dhe mënyra si veprohej me kufomat e njerëzve e të kafshëve. Gjithashtu u jepte udhëzime izraelitëve si të pastroheshin. Kjo mund të bëhej me anë të flijimeve, të larjes ose të spërkatjes me ujë.Lev., kap. 11-15; Num., kap. 19.

Rabinët judenj interpretonin çdo hollësi të atyre ligjeve. Një burim thotë se për çdo papastërti «do të hetoheshin rrethanat në të cilat dikush mund të ishte bërë i papastër, sa dhe deri në ç’masë mund t’u ngjitej të tjerëve kjo papastërti, cilat enë dhe sende mund të bëheshin ose jo të papastra dhe, së fundi, mënyrat dhe ritet e nevojshme për pastrimin».

Kundërshtarët e pyetën Jezuin: «Përse dishepujt e tu nuk e mbajnë traditën e të parëve, por hanë me duar të ndotura?» (Mar. 7:5) Këta armiq fetarë nuk e kishin fjalën për higjienën. Rabinët ndiqnin një rit që kërkonte të hidhej ujë mbi duar para ngrënies. Burimi i cituar më sipër shton: «Gjithashtu debatohej se cilat enë duheshin përdorur për të hedhur ujin, ç’lloj uji ishte i përshtatshëm, kush duhej ta hidhte dhe deri ku duheshin lagur duart me ujë.»

Si reagoi Jezui ndaj tërë atyre ligjeve të krijuara nga njerëzit? Ai u dha këtë përgjigje të thjeshtë udhëheqësve fetarë judenj të shekullit të parë: «Mirë profetizoi Isaia për ju, hipokritë: ‘Ky popull më nderon me buzë, por zemra e tyre është larguar shumë nga unë [Jehovai]. Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse mësimet e tyre janë thjesht urdhërime njerëzish.’ Ju lini urdhërimin e Perëndisë, por mbani fort traditën e njerëzve.»Mar. 7:6-8.