Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Ndero «atë që Perëndia e ka bashkuar»

Ndero «atë që Perëndia e ka bashkuar»

«Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»​—MAR. 10:9.

KËNGËT: 131, 132

1, 2. Çfarë duhet të na nxitë të bëjmë Hebrenjve 13:4?

A NDIEN kënaqësi kur nderon Jehovain? Patjetër që po! Jehovai e meriton ta nderosh, dhe premton se edhe Ai do të të nderojë ty. (1 Sam. 2:30; Prov. 3:9; Zbul. 4:11) Veç kësaj, ai do që të shfaqësh nderim ndaj njerëzve, si për shembull ndaj autoriteteve qeveritare. (Rom. 12:10; 13:7) Por ka një aspekt të jetës ku është veçanërisht e nevojshme të tregosh nderim: në martesë.

2 Apostulli Pavël shkroi: «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi.» (Hebr. 13:4) Pavli nuk po bënte një koment sa për të thënë rreth martesës. Përkundrazi, me këtë shkrim po udhëzonte, madje po nxiste me forcë çdo të krishterë që ta vlerësonte thellë martesën, ta konsideronte të çmuar. A ke këtë pikëpamje për martesën në përgjithësi dhe veçanërisht për burrin a gruan tënde, nëse je i martuar?

3. Cilën këshillë të rëndësishme dha Jezui për martesën? (Shih figurën hapëse.)

3 Teksa nderon martesën, po imiton një shembull të shkëlqyer. Jezui e nderonte martesën. Kur farisenjtë e pyetën për divorcin, Jezui përmendi atë që kishte thënë Perëndia për martesën e parë: «Prandaj, burri do të lërë babanë e nënën, dhe të dy do të  jenë një mish i vetëm.» Pastaj shtoi: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Lexo Markun 10:2-12; Zan. 2:24.

4. Çfarë standardi vendosi Jehovai për martesën?

4 Kështu Jezui e pranoi se martesën e ka themeluar Perëndia dhe theksoi se duhet të jetë një bashkim i përhershëm. Perëndia nuk u tha Adamit dhe Evës se mund t’i jepnin fund martesës me një divorc. Standardi që vuri në martesën e parë në Eden ishte monogamia, pra që ata «të dy» të qëndronin të bashkuar në një lidhje të përhershme.

NDRYSHIME TË PËRKOHSHME PËR MARTESËN

5. Si ndikon vdekja te lidhja martesore?

5 Megjithatë, siç e dimë, mëkati i Adamit solli ndryshime. Një ndryshim ishte vdekja, që ndikoi edhe te martesa. Këtë mund ta kuptojmë nga fjalët e apostullit Pavël kur po shpjegonte se të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut. Ai tregoi se vdekja i jep fund martesës dhe se bashkëshorti që jeton, mund të rimartohet pas kësaj.—Rom. 7:1-3.

6. Si e pasqyronte Ligji i Moisiut pikëpamjen e Perëndisë për martesën?

6 Ligji që i dha Perëndia kombit të Izraelit jepte hollësi për martesën. Ai e lejonte poligaminë, një praktikë e cila ekzistonte që para se Perëndia t’i jepte Ligjin Izraelit. Gjithsesi, për poligaminë u vunë ligje që i mbronin nga keqtrajtimi pjesëtarët e familjes. Për shembull, nëse një izraelit martohej me një skllave dhe më vonë merrte një grua tjetër, duhej të kujdesej po njësoj për nevojat e së parës, pra për ushqimin, veshjen dhe detyrimin martesor. Perëndia kërkonte që ai ta mbronte e të kujdesej për të. (Dal. 21:9, 10) Sot nuk jemi nën Ligj, por nga ai kuptojmë se për Jehovain martesa është e çmuar. A nuk të ndihmon kjo të kesh vlerësim të thellë për martesën?

7, 8. (a) Sipas Ligjit të përtërirë 24:1, çfarë lëshimi bënte Ligji në lidhje me divorcin? (b) Cila është pikëpamja e Jehovait për divorcin?

7 Po për divorcin çfarë thoshte Ligji? Perëndia vazhdonte të kishte vlerësim të madh për martesën; gjithsesi, bëri një lëshim duke e lejuar divorcin. (Lexo Ligjin e përtërirë 24:1.) Një izraelit mund ta divorconte të shoqen nëse ‘gjente tek ajo ndonjë gjë të turpshme’. Ligji nuk e specifikonte çfarë mund të konsiderohej si ‘gjë e turpshme’. Duhet të ketë qenë diçka e rëndë ose që e turpëronte familjen, jo ndonjë gabim i vogël. (Ligj. 23:14) Mjerisht, në kohën e Jezuit shumë judenj divorcoheshin «për çdo lloj arsyeje». (Mat. 19:3) Natyrisht, nuk duam të zhvillojmë qëndrimin që kishin ata.

8 Profeti Malakia bëri të ditur pikëpamjen e Perëndisë për divorcin. Në kohën e Malakisë, ishte e zakonshme që një burrë ta divorconte pabesisht ‘gruan e rinisë së tij’, ndoshta për t’u martuar me një grua më të re pagane. Por Malakia e bëri të qartë pikëpamjen e Perëndisë me fjalët: «Ai e urren divorcin.» (Mal. 2:14-16) Kjo ishte në harmoni me atë që thotë Fjala e Perëndisë për martesën e parë: «Burri . . . do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.» (Zan. 2:24) Jezui e përkrahu pikëpamjen e Atit të tij për martesën kur tha: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Mat. 19:6.

VETËM NJË BAZË PËR DIVORC

9. Ç’kuptim kanë fjalët e Jezuit te Marku 10:11, 12?

9 Disa mund të pyesin: «A ka vallë ndonjë bazë që një i krishterë të divorcohet e të rimartohet?» Ja si e shprehu Jezui pikëpamjen e tij për divorcin: «Kushdo që divorcohet nga gruaja dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje dhe shkel të drejtat e saj. Edhe gruaja, nëse martohet me një tjetër, pasi divorcohet nga burri, kryen  kurorëshkelje.» (Mar. 10:11, 12; Luka 16:18) Është e qartë, pra, se Jezui e nderonte martesën dhe donte që edhe të tjerët ta nderonin. Një burrë që divorconte gruan e tij besnike (ose një grua burrin e saj besnik) duke nxjerrë ndonjë pretekst dhe martohej me një tjetër, kryente kurorëshkelje. Është kështu sepse divorci në vetvete nuk i jep fund martesës. Në sytë e Perëndisë, ata të dy janë ende «një mish i vetëm». Veç kësaj, Jezui tha se në qoftë se një burrë divorconte gruan e tij të pafajshme, do ta vinte para rrezikut që ajo të kryente kurorëshkelje. Pse? Në ato kohë, një grua e divorcuar mund të ndihej e detyruar të rimartohej për të pasur mbështetje ekonomike. Një rimartesë e tillë do të ishte kurorëshkelje.

10. Për cilën arsye mund të divorcohet dhe të jetë i lirë të rimartohet një i krishterë?

10 Gjithsesi, Jezui tregoi cila është baza ose arsyeja për t’i dhënë fund martesës: «Unë po ju them se kushdo që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo kryen kurvëri [imoralitet seksual, greqisht porneía], dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.» (Mat. 19:9) Ai kishte theksuar të njëjtën pikë në Predikimin në Mal. (Mat. 5:31, 32) Në të dyja rastet, Jezui foli për «imoralitetin seksual». Kjo shprehje përfshin një sërë mëkatesh seksuale jashtë martese: kurorëshkeljen, prostitucionin, marrëdhëniet seksuale mes individëve të pamartuar, homoseksualizmin dhe marrëdhëniet seksuale me kafshët. Në rast se një burrë i martuar, për shembull, kryen imoralitet seksual, gruaja e tij mund të vendosë nëse do ta divorcojë apo jo. Në qoftë se ajo e divorcon, kjo do t’i jepte fund martesës në sytë e Perëndisë.

11. Pse një i krishterë mund të vendosë të mos divorcohet, edhe pse ka bazë biblike për ta bërë këtë?

11 Vlen të përmendet që Jezui nuk tha se imoraliteti (porneía) i bashkëshortit duhet të çojë medoemos në divorc. Për shembull, gruaja mund të zgjedhë të mos i japë fund martesës, edhe pse i shoqi ka qenë imoral. Ajo mund ta dojë ende; mund të jetë e gatshme ta falë dhe të punojë bashkë me të që ta përmirësojnë martesën. Gjithashtu, realiteti është që nëse divorcohet por nuk rimartohet, ajo do të hasë vështirësi. Ç’të  themi për shembull për nevojat e saj materiale dhe seksuale? Po për vetminë? Nëse kanë fëmijë, si do të ndikojë divorci tek ata? A do ta ketë më të vështirë që t’i rritë në të vërtetën? (1 Kor. 7:14) Është e qartë se bashkëshorti i pafajshëm i divorcuar do të ndeshë probleme serioze.

12, 13. (a) Çfarë ndodhi në martesën e Hozesë? (b) Pse Hozea e mori prapë Gomerën, dhe ç’mund të na mësojë kjo për martesën sot?

12 Përvoja e profetit Hozea na ndihmon ta kuptojmë më mirë këtë çështje. Perëndia i tha Hozesë të merrte një grua (Gomerën), ‘që do të kryente kurvëri, dhe do t’i lindte fëmijë kurvërie’. Gomera «mbeti shtatzënë dhe . . . i lindi një djalë» Hozesë. (Hoz. 1:2, 3) Më vonë, ajo lindi një vajzë dhe një djalë, që me sa duket erdhën si pasojë e kurorëshkeljes së saj. Edhe pse Gomera kreu kurorëshkelje sa e sa herë, Hozea qëndroi i martuar me të. Si përfundim, ajo e la Hozenë dhe u bë skllave. Prapëseprapë, ai e bleu. (Hoz. 3:1, 2) Jehovai po e përdorte Hozenë për të ilustruar se si Ai vetë e fali sa e sa herë sjelljen kurorëshkelëse të Izraelit. Ç’mund të mësojmë nga kjo?

13 Nëse një i krishterë i martuar kryen imoralitet, bashkëshorti i krishterë i pafajshëm gjendet para një vendimi. Jezui tha se i pafajshmi ka një bazë që të divorcohet dhe pas kësaj është i lirë të rimartohet. Por bashkëshorti i pafajshëm mund të zgjedhë ta falë tjetrin. Dhe kjo nuk është e gabuar. Hozea e mori prapë Gomerën. Pasi u kthye me Hozenë, Gomera nuk duhej të kishte marrëdhënie seksuale me asnjë burrë tjetër. Për njëfarë kohe, Hozea ‘nuk pati marrëdhënie’ me Gomerën. (Hoz. 3:3) Por me kohë, ai duhet të ketë kryer prapë marrëdhënie me të. Kjo pasqyronte gatishmërinë e Perëndisë që ta pranonte sërish popullin e tij dhe të vazhdonte marrëdhënien me ta. (Hoz. 1:11; 3:3-5) Ç’lidhje ka kjo me martesën sot? Nëse bashkëshorti i pafajshëm vendos të qëndrojë i martuar, rifillimi i marrëdhënieve seksuale me burrin a gruan do të tregonte se e ka falur. (1 Kor. 7:3, 5) Ky veprim do të anulonte bazën që ekzistonte më parë për t’u divorcuar. Pas kësaj ata duhet të punojnë bashkë si çift që të pasqyrojnë pikëpamjen e Perëndisë për martesën.

NDEROJE MARTESËN EDHE KUR KA PROBLEME

14. Sipas 1 Korintasve 7:10, 11, çfarë mund të ndodhë në një martesë?

14 Të gjithë të krishterët duhet të bëjnë çmos të tregojnë vlerësim të thellë për martesën, siç bëjnë Jezui dhe Jehovai. Mirëpo disa ndoshta nuk veprojnë kështu, sepse njerëzit janë të papërsosur. (Rom. 7:18-23) Prandaj, s’ka pse të skandalizohemi që disa të krishterë në shekullin e parë kishin probleme në martesë. Pavli shkroi: «Gruaja të mos ndahet nga burri.» Por në disa raste ata ndaheshin.—Lexo 1 Korintasve 7:10, 11.

Ç’mund të bëhet për ta shpëtuar një martesë me probleme? (Shih paragrafin 15.)

15, 16. (a) Edhe nëse një martesë ka probleme, cili është synimi, dhe pse? (b) Si zbatohet kjo nëse bashkëshorti nuk është besimtar?

15 Pavli nuk e shpjegoi cilat ishin shkaqet e një ndarjeje të tillë. Problemi nuk ishte, për shembull, që burri kishte qenë imoral, e kështu gruaja kishte një bazë që të divorcohej e të rimartohej. Pavli shkroi se një grua që ndahej nga burri duhej ‘të mbetej e pamartuar ose përndryshe të pajtohej sërish me burrin’. Kështu ata të dy ishin ende të bashkuar në sytë e Perëndisë. Siç këshilloi Pavli, çfarëdo problemesh ta shkaktojnë ndarjen, nëse nuk është kryer imoralitet seksual, synimi duhet të jetë pajtimi. Çifti mund t’u kërkojë pleqve të kongregacionit ndihmë të bazuar te Shkrimet. Ndërkohë që nuk marrin anën e askujt, pleqtë mund t’u japin këshilla nga Bibla.

16 Nëse vetëm njëri bashkëshort është besimtar që përpiqet të jetojë sipas normave  të Perëndisë, ka gjasa të krijohen më shumë situata të ndërlikuara. Në rast se lindin probleme, a është ndarja një zgjidhje e justifikuar? Siç u përmend, Shkrimet thonë se imoraliteti seksual është një bazë e mundshme për divorc, por nuk specifikojnë ndonjë bazë ose arsye që çifti të ndahet. Pavli shkroi: «Gruaja që e ka burrin jobesimtar, i cili megjithatë është dakord të jetojë me të, të mos e lërë burrin.» (1 Kor. 7:12, 13) Kjo vlen edhe sot.

17, 18. Pse disa të krishterë nuk janë ndarë ndonëse martesa e tyre ka probleme?

17 Kuptohet, ka pasur raste kur një ‘burrë jobesimtar’ ka treguar me sjelljen e tij se nuk është «dakord të jetojë» me të shoqen. Ai mund ta keqtrajtojë fizikisht në masë ekstreme, madje deri aty sa ajo mendon se është në rrezik shëndeti ose jeta e saj. Burri mund të refuzojë ta mbështetë ekonomikisht atë dhe familjen ose mund ta vërë në rrezik ekstrem marrëdhënien e saj me Jehovain. Në raste të tilla, disa të krishterë kanë vendosur personalisht se, pavarësisht nga ajo që mund të thotë, bashkëshorti nuk është ‘dakord të jetojnë’ bashkë dhe se është e nevojshme të ndahen. Kurse të krishterë të tjerë në situata të ngjashme sprovuese kanë marrë një vendim të ndryshëm; ata kanë rezistuar dhe janë përpjekur të punojnë për t’i përmirësuar gjërat. Përse?

18 Nëse ndahen në situata të tilla, ata të dy janë ende bashkëshortë. Po të jetojnë të ndarë, secili do të hasë vështirësi, siç u përmend më sipër. Apostulli Pavël tregoi një arsye tjetër pse të qëndrojnë së bashku. Ai shkroi: «Burri jobesimtar është shenjtëruar në lidhje me gruan e tij dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar në lidhje me vëllanë. Përndryshe, fëmijët tuaj do të ishin vërtet të papastër, por tani ata janë të shenjtë.» (1 Kor. 7:14) Shumë të krishterë besnikë kanë qëndruar me bashkëshortin jobesimtar në rrethana mjaft stresuese. Ata mund të dëshmojnë se kjo sakrificë ia vlejti, sidomos kur panë bashkëshortin e tyre të bëhej adhurues i vërtetë.​—Lexo 1 Korintasve 7:16; 1 Pjet. 3:1, 2.

19. Pse në kongregacionin e krishterë ka plot martesa të suksesshme?

19 Jezui siguroi udhëzime për divorcin, dhe apostulli Pavël dha këshilla të frymëzuara për ndarjen. Dëshira e të dyve ishte që shërbëtorët e Perëndisë ta nderojnë martesën. Sot anembanë botës në kongregacionin e krishterë ka plot martesa të suksesshme. Ka shumë të ngjarë që në kongregacionin tënd sheh sa e sa çifte të lumtura. Ato përbëhen nga vëllezër besnikë që e duan gruan e tyre dhe nga gra të përkushtuara që provojnë se janë bashkëshorte të dashura. Të gjithë këta tregojnë se martesa mund të jetë e nderuar. Gëzojmë tek shohim miliona veta që janë provë e gjallë se sa të vërteta janë këto fjalë të Perëndisë: «Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e tij, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm.»​—Efes. 5:31, 33.