Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Në çfarë kuptimi «u rrëmbye . . . në qiellin e tretë» dhe «në parajsë» apostulli Pavël?—2 Kor. 12:2-4.

Te 2 Korintasve 12:2, 3, Pavli flet për një njeri që «u rrëmbye . . . në qiellin e tretë». Kush ishte ai njeri? Kur i shkroi kongregacionit të Korintit, Pavli theksoi se Perëndia po e përdorte si apostull. (2 Kor. 11:5, 23) Pastaj përmendi ‘vegimet dhe zbulesat e Zotërisë’. Në atë kontekst, Pavli nuk përmendi vëllezër të tjerë. Kështu, është logjike se e kishte fjalën për veten kur përmendi njeriun që kish marrë vegime dhe zbulesa.​—2 Kor. 12:1, 5.

Pra, njeriu që u «u rrëmbye . . . në qiellin e tretë» dhe «u rrëmbye në parajsë» ishte Pavli. (2 Kor. 12:2-4) Ai përdori termin ‘zbulesa’, që nënkupton se iu zbulua diçka që do të ekzistojë në të ardhmen.

Ç’donte të thoshte Pavli me shprehjen ‘qielli i tretë’?

Në Bibël, fjala «qiell» mund të nënkuptojë qiejt fizikë. (Zan. 11:4; 27:28; Mat. 6:26) Por ajo përdoret edhe me kuptime të tjera. Ndonjëherë fjala «qiell» nënkupton qeverisjen e njerëzve. (Dan. 4:20-22) Ose mund të nënkuptojë edhe qeverisjen e Perëndisë, si për shembull me anë të Mbretërisë së Tij.—Zbul. 21:1.

Pavli pa «qiellin e tretë». Ç’kuptim kishte kjo? Në Bibël ka raste kur diçka përsëritet tri herë për ta theksuar ose për ta përforcuar një pikë. (Isa. 6:3; Ezek. 21:27; Zbul. 4:8) Duket se kur foli për «qiellin e tretë», Pavli po theksonte se bëhej fjalë për një qeverisje superiore, të shkallës më të lartë—Mbretëria mesianike e drejtuar nga Jezu Krishti dhe 144.000 bashkëqeveritarët e tij. (Shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, f. 1059, 1062, anglisht.) Për këtë Mbretëri e kishte fjalën apostulli Pjetër kur tha se po presim ‘qiejt e rinj’ sipas premtimit të Perëndisë.​—2 Pjet. 3:13.

Ç’të themi për ‘parajsën’ që përmendi Pavli?

Edhe fjala «parajsë» mund të ketë disa kuptime: (1) Duke pasur parasysh ku ndodhej në fillim shtëpia e njeriut, është logjike që fjala «parajsë» mund t’i referohet Parajsës së mirëfilltë që presim në tokë. (2) Ajo mund t’i referohet gjendjes parajsore që do të gëzojë populli i Perëndisë në botën e re. (3) Veç kësaj, mund t’u referohet kushteve të mrekullueshme në qiell, ‘parajsës së Perëndisë’ që përmendet te Zbulesa 2:7.—Shih Kullën e Rojës të 15 korrikut 2015, f. 8. par. 8.

Ka mundësi që Pavli ta kishte fjalën për të tria këto aspekte kur tregoi te 2 Korintasve 12:4 atë që i kishte ndodhur.

Le ta përmbledhim:

‘Qielli i tretë’ i përmendur te 2 Korintasve 12:2 duket se është Mbretëria mesianike nën drejtimin e Jezu Krishtit dhe 144.000-ve, pra ‘qiejt e rinj’.​—2 Pjet. 3:13.

Është ‘qielli i tretë’ sepse kjo Mbretëri është një formë qeverisjeje superiore, e shkallës më të lartë.

‘Parajsa’ në të cilën «u rrëmbye» Pavli në vegim duket se i referohet: (1) Parajsës fizike që presim në tokë, (2) gjendjes parajsore që do të gëzojmë atëherë, e cila do të jetë më e zgjeruar se gjendja parajsore që gëzojmë sot, dhe (3) ‘parajsës së Perëndisë’ në qiell, të cilat do të ekzistojnë të tria njëherësh në botën e re.

Kështu, bota e re do të jetë një ndërthurje e qiejve të rinj dhe e tokës së re. Do të jetë një sistem i ri, që do të përfshijë edhe Mbretërinë qiellore, edhe njerëzimin që do t’i shërbejë Jehovait në tokën parajsore.