Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A i keni lexuar me kujdes numrat e fundit të Kullës së Rojës? Shihni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:

Çfarë provash biblike ka se Perëndia ndien empati për ne?

Kur izraelitët e lashtë ishin skllevër në Egjipt, Perëndia e dinte që vuanin dhe e ndiente dhimbjen e tyre. (Dal. 3:7; Isa. 63:9) Ne jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, ndaj mund të kemi empati. Ai ka empati për ne edhe kur ndihemi të padenjë për dashurinë e tij.​—wp18.3, f. 8-9.

Si i ndihmuan mësimet e Jezuit njerëzit që të mposhtnin paragjykimet?

Shumë judenj në kohën e Jezuit kishin paragjykime. Krishti theksoi sa e nevojshme është përulësia dhe dënoi krenarinë për racën. Ai i nxiti dishepujt e tij ta shohin njëri-tjetrin si vëllezër.—w18.06, f. 9-10.

Ç’mësojmë kur shqyrtojmë arsyen pse Perëndia nuk e lejoi Moisiun të hynte në Tokën e Premtuar?

Moisiu kishte marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. (Ligj. 34:10) Aty nga fundi i udhëtimit 40-vjeçar në shkretëtirë, populli u ankua për herë të dytë se s’kishte ujë. Perëndia e udhëzoi Moisiun t’i fliste shkrepit. Mirëpo, në vend të kësaj, Moisiu e goditi shkrepin. Jehovai mund të jetë indinjuar ngaqë Moisiu nuk i ndoqi udhëzimet e Tij ose ngaqë nuk i dha lavdi Perëndisë për atë mrekulli. (Num. 20:6-12) Kjo duhet të na mësojë sa e rëndësishme është t’i bindemi Jehovait dhe t’i japim lavdi.​—w18.07, f. 13-14.

Pse mund të gabojmë kollaj nëse i gjykojmë të tjerët nga pamja e jashtme?

Ka tri aspekte ku shumë njerëz ndikohen nga pamja e jashtme: raca ose prejardhja, gjendja ekonomike dhe mosha. Sa e rëndësishme është të përpiqemi t’i shohim të tjerët me syrin e paanshëm të Perëndisë! (Vep. 10:34, 35)​—w18.08, f. 8-12.

Cilat janë disa mënyra se si vëllezërit e moshuar mund t’i ndihmojnë të tjerët?

Një i krishterë i moshuar që ka ndryshuar caktim vazhdon të jetë i çmuar për Perëndinë dhe mund të bëjë shumë për të ndihmuar të tjerët. Ai mund të interesohet për bashkëshortët jobesimtarë, të ndihmojë joaktivët, të drejtojë studime biblike dhe të zgjerojë shërbimin.​—w18.09, f. 8-11.

Çfarë veglash kanë të krishterët në Çantën e mjeteve mësimore?

Në çantë ka kartëvizita dhe ftesa. Aty përfshihen tetë fletushka tërheqëse e të efektshme, si edhe revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Në çantën e mjeteve ka edhe disa broshura, dy libra kryesorë për studimin e Biblës dhe katër video të dobishme, si për shembull Pse ta studiosh Biblën?​—w18.10, f. 16.

Si mund ‘ta blejmë të vërtetën’, siç na nxit Proverbat 23:23?

Ne nuk paguajmë para për të vërtetën. Gjithsesi, që ta marrim, duhet të shpenzojmë kohë dhe të bëjmë përpjekje.​—w18.11, f. 4.

Ç’mund të mësojmë nga mënyra si veproi Hozea me gruan e tij, Gomerën?

Gomera kreu kurorëshkelje sa e sa herë, por Hozea e fali dhe qëndroi i martuar me të. Nëse një i krishterë i martuar kryen imoralitet seksual, bashkëshorti i pafajshëm mund të zgjedhë ta falë. Kur ai ose ajo rifillon marrëdhëniet seksuale me bashkëshortin fajtor, kjo e anulon bazën biblike për të bërë një divorc në përputhje me Shkrimet.​—w18.12, f. 13.