A mund ta konsiderojnë të krishterët e martuar DIU-në (dispozitivin intrauterin) si një metodë të planifikimit familjar që është në harmoni me Shkrimet?

Çdo çift i krishterë mund të peshojë faktet dhe parimet biblike që lidhen me këtë çështje. Pastaj duhet të marrin një vendim që i lejon të ruajnë një ndërgjegje të mirë para Perëndisë.

Në kohën kur në tokë ishin vetëm dy njerëz (dhe pas Përmbytjes, tetë), Jehovai urdhëroi: «Jini të frytshëm, shumohuni.» (Zan. 1:28; 9:1) Bibla nuk thotë se ky urdhër vlen për të krishterët. Prandaj, çdo çift e ka në dorë vetë të vendosë nëse do të përdorë ndonjë metodë të planifikimit familjar për të kufizuar madhësinë e familjes ose për të përcaktuar se kur do të bëhen me fëmijë. Cilët faktorë duhet të shqyrtojnë?

Çdo metodë për kontrollimin e lindjeve, ose për planifikimin familjar, të krishterët duhet ta peshojnë nën dritën e parimeve të Biblës. Ja pse nuk e pranojnë abortin si një metodë planifikimi familjar. Aborti me dashje bie ndesh me atë që thotë Bibla për respektin ndaj jetës. Të krishterët nuk do të zgjidhnin t’i jepnin fund një jete që me kohë do të çonte normalisht në lindjen e një qenieje tjetër njerëzore. (Dal. 20:13; 21:22, 23; Psal. 139:16; Jer. 1:5) Po ç’të themi për përdorimin e DIU-së?

Kjo çështje u trajtua në Kullën e Rojës të 15 majit 1979, faqet 30-31 (anglisht). Shumica e DIU-ve që përdoreshin gjerësisht në atë kohë ishin mjete prej lëndësh plastike që vendoseshin brenda uterusit (mitrës) për të parandaluar shtatzëninë. Artikulli shpjegonte se nuk dihej tamam se si funksiononin DIU-të. Shumë specialistë thoshin se ato DIU shkaktonin një reaksion në uterus që e pengonte spermën të arrinte deri te vezët e gruas dhe t’i fekondonte. Nëse nuk ndodhte fekondimi, nuk zinte fill një jetë e re.

 Gjithsesi, sipas disa dëshmive, kishte raste që një vezë fekondohej. Veza e sapofekonduar mund të zhvillohej brenda një tubi të falopit (shtatzëni ektopike ose jashtë mitre) ose mund të arrinte të futej në mitër. Në rastin e dytë, prania e DIU-së mund ta pengonte vezën e fekonduar të implantohej në muret e brendshme të mitrës e të zhvillohej si në një shtatzëni normale. Të ndërpritje në mes këtë jetë që po zhvillohej do të ishte si një abort. Artikulli përfundonte: «Një i krishterë i sinqertë që dëshiron të dijë nëse është e përshtatshme të përdoret DIU-ja duhet ta peshojë seriozisht këtë informacion nën dritën e asaj që mëson Bibla rreth respektit për shenjtërinë e jetës.»​—Psal. 36:9.

A kanë ndodhur zhvillime domethënëse në shkencë ose në mjekësi që nga botimi i atij artikulli më 1979?

Në fakt, janë futur në përdorim dy lloj DIU-je. Një lloj DIU-je që ka në përbërje bakrin u vu gjerësisht në dispozicion në Shtetet e Bashkuara më 1988. Veç kësaj, në vitin 2001 dolën në treg DIU që lëshojnë një hormon. Çfarë dihet për mënyrën si funksionojnë këto dy lloj DIU-je?

Bakër: Siç u përmend, DIU-të me sa duket ia bëjnë të vështirë spermës që t’ia dalë të përshkojë uterusin për të arritur te veza. Gjithashtu, te DIU-të që çlirojnë bakër, duket se bakri është helmues për spermën, pra vepron si spermicid. * Veç kësaj, thuhet se DIU-të që përmbajnë bakër shkaktojnë ndryshime në murin e brendshëm të uterusit.

Hormon: Ka disa lloj DIU-je që përmbajnë një hormon të ngjashëm me atë që gjendet shpesh te pilulat kontraceptive. Këto DIU e çlirojnë hormonin brenda uterusit. Siç duket, ato pengojnë ovulacionin te disa gra. Kuptohet që nëse nuk prodhohet asnjë vezë, s’ka si të ndodhë fekondimi. Përveç këtij mekanizmi, mendohet se hormoni i këtyre DIU-ve hollon murin e brendshëm të uterusit. * Gjithashtu, ai trash lëngun e qafës së mitrës, e kjo e pengon spermën të kalojë nga vagina në uterus. Këto efekte i shtohen efektit që shkaktonin DIU-të plastike.

Siç u tha më sipër, të dyja llojet e DIU-së duket se shkaktojnë ndryshime në murin e brendshëm të uterusit. Po nëse ndodh ovulacioni dhe veza fekondohet? Atëherë veza mund të hyjë në uterus, por nuk arrin të implantohet​—ose të gjejë folenë për t’u zhvilluar—​në muret jo edhe aq mikpritëse të mitrës. Kjo do t’i jepte fund shtatzënisë në një fazë të hershme. Megjithatë, mendohet se rastet e këtyre implantimeve «të dështuara» janë të rralla, siç mund të ndodhë hera-herës edhe me pilulat kontraceptive.

Pra, askush nuk mund të thotë me siguri të plotë se DIU-të që përmbajnë bakër ose hormon nuk lejojnë kurrë që një vezë të fekondohet. Sidoqoftë, provat shkencore tregojnë se falë gjithë atyre mekanizmave të përmendur më sipër, shtatzënia ndodh rrallë kur përdoren këto DIU.

Një çift i krishterë që po shqyrton nëse do të përdorin DIU, mund të diskutojë me një mjek të kualifikuar. Ai mund t’u tregojë çfarë pajisjesh DIU janë në dispozicion në vendin e tyre, si edhe dobitë e rreziqet për gruan. Çifti nuk duhet të presë ose të lejojë që një palë e tretë, qoftë ky edhe një mjek, të përcaktojë se çfarë do të bëjnë. (Rom. 14:12; Gal. 6:4, 5) Ky është një vendim personal. Ata duhet ta marrin vendimin si një çift që ka dëshirë t’i pëlqejë Perëndisë dhe të mbajë një ndërgjegje të pastër para tij.​—Krahaso 1 Timoteut 1:18, 19; 2 Timoteut 1:3.

^ par. 4 Në një udhëzues të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Anglisë thuhet: «DIU-të që kanë më shumë bakër janë mbi 99% të efektshme. Kjo do të thotë se brenda një viti do të ngelen shtatzëna më pak se një në 100 gra që përdorin DIU-në. Kurse DIU-të me më pak bakër do të jenë më pak të efektshme.»

^ par. 5 Meqë hollojnë murin e brendshëm të uterusit, mjekët hera-herës ua rekomandojnë DIU-të me hormon grave të martuara ose të pamartuara, me qëllim që të mbahen nën kontroll menstruacionet shumë të rënda.