A i keni lexuar me kujdes numrat e fundit të Kullës së Rojës? Shihni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:

Pse prindërit emigrantë duhet të shqyrtojnë çështjen e gjuhës kur i ndihmojnë fëmijët të kenë marrëdhënie të fortë me Jehovain?

Ka shumë të ngjarë që fëmijët ta mësojnë gjuhën e vendit në shkollë e në ambientin që i rrethon. Mund të jetë e dobishme që një fëmijë të dijë më shumë se një gjuhë. Prindërit duhet të shqyrtojnë ku do ta kuptonin më mirë të vërtetën fëmijët dhe ku do të përparonin më shumë​—në kongregacionin që përdor gjuhën vendëse apo në kongregacionin që përdor gjuhën e tyre si emigrantë? Prindërit e krishterë e vënë miqësinë e mirë të fëmijëve me Jehovain para preferencave personale.​—w17.05, f. 9-11.

Kur e pyeti Pjetrin «a më do mua më shumë se këta?», kujt po i referohej Jezui me fjalën «këta»? (Gjoni 21:15)

Duket se Jezui e kishte fjalën për peshqit aty pranë dhe/​ose për biznesin e peshkimit. Pas vdekjes së Jezuit, Pjetri iu kthye punës së mëparshme​—peshkimit. Të krishterët duhet të shqyrtojnë mirë çfarë vendi zë puna në zemrën e tyre.​—w17.05, f. 22-23.

Pse Abrahami i kërkoi gruas së tij të thoshte se ishte e motra? (Zan. 12:10-13)

Abrahami e kishte vërtet gjysmëmotër Sarën. Sikur Sara të kishte thënë se ishte gruaja e tij, Abrahamin mund ta kishin vrarë, e kështu nuk do të sillte në jetë pasardhësin që i kishte premtuar Perëndia.​—wp17.3, f. 14-15.

Cilën teknikë futi Elias Huteri për t’i ndihmuar ata që donin të mësonin hebraisht?

Ai donte t’i ndihmonte studentët të dallonin rrënjën e fjalëve hebraike në Bibël nga çdo parashtesë ose prapashtesë që e shoqëronte atë fjalë. Prandaj, rrënjën e çdo fjale e shkroi me ngjyrë të zezë që të dallonte nga parashtesat e prapashtesat. Një metodë e ngjashme përdoret te shënimet e Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re, me referime (anglisht).​—wp17.4, f. 11-12.

Cilët faktorë duhet të ndikojnë te pikëpamja e një të krishteri për mbajtjen e një arme zjarri që të mbrohet nga njerëzit?

Disa prej tyre janë: Perëndia e konsideron jetën të shenjtë. Jezui nuk i nxiti dishepujt e tij të merrnin shpatën për t’u mbrojtur. (Luka 22:36, 38) Ne duhet t’i farkëtojmë shpatat duke i kthyer në plore. Jeta është më e çmuar se gjërat materiale. Ne respektojmë ndërgjegjen e të tjerëve dhe duam të jemi shembullorë. (2 Kor. 4:2)​—w17.07, f. 31-32.

Pse ndryshojnë mes tyre tregimet e Lukës dhe të Mateut për fëmijërinë e Jezuit?

Mateu përqendrohet te Jozefi, si për shembull te reagimi i tij ndaj shtatzënisë së Marisë dhe te mesazhet hyjnore për të ikur në Egjipt e pastaj për t’u kthyer. Luka përqendrohet më shumë te Maria; për shembull, tregon për vizitën e saj te Elizabeta dhe për mënyrën si reagoi kur djaloshi Jezu qëndroi në tempull.​—w17.08, f. 32.

Cilat janë disa gjëra të cilave u ka mbijetuar Bibla?

Kuptimi i fjalëve dhe i shprehjeve që përdoren në Bibël ka ndryshuar me kalimin e kohës. Zhvillimet politike kanë ndikuar te një gjuhë e përbashkët. Ka pasur kundërshtime për ta përkthyer Biblën në gjuhët e njerëzve të thjeshtë.​—w17.09, f. 19-21.

A kemi një engjëll mbrojtës?

Jo. Jezui tha se engjëjt e dishepujve të tij shohin fytyrën e Perëndisë. (Mat. 18:10) Ai donte të thoshte se engjëjt interesohen për dishepujt e tij, jo se engjëjt e mbrojnë secilin prej tyre me anë të mrekullive.​—wp17.5, f. 5.

Cila është forma më e lartë e dashurisë?

Kur bazohet te parimet e drejta, agápe është forma më e lartë e dashurisë. Ajo mund të përfshijë përzemërsinë dhe ngrohtësinë. Megjithatë, ajo pasqyron parime të larta, pra dallohet nga veprimet altruiste për të mirën e të tjerëve.​—w17.10, f. 7.