Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Hidhe gjithë ankthin tënd mbi Jehovain

Hidhe gjithë ankthin tënd mbi Jehovain

«Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Jehovain], sepse ai interesohet për ju.»​—1 PJET. 5:7.

KËNGËT: 60, 23

1, 2. (a) Pse s’duhet të na vijë çudi kur përjetojmë ankth? (Shih figurën hapëse.) (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

JETOJMË në kohë goxha stresuese. Satana Djalli është plot zemërim të hidhur dhe «vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë». (1 Pjet. 5:8; Zbul. 12:17) Ndaj nuk është çudi që nganjëherë edhe ne, shërbëtorët e Perëndisë, na zë ankthi. Fundja, shërbëtorët besnikë të Jehovait në të kaluarën, si mbreti David, hera-herës ‘luftonin me shpirtin e tyre’ nga ankthi. (Psal. 13:2) Të kujtojmë edhe se apostullin Pavël e pushtonte «ankthi për të gjitha kongregacionet». (2 Kor. 11:28) Por ç’mund të bëjmë kur na mbyt ankthi?

2 Ati ynë i dashur qiellor u vente në ndihmë shërbëtorëve të tij në të kaluarën, e po njësoj na ndihmon edhe ne sot të gjejmë goxha lehtësim nga stresi ose ankthi. Bibla na nxit: «Hidhni gjithë ankthin tuaj [«shqetësimet; merakun», shën., NWT, botimi 2013] mbi të, sepse ai interesohet për ju.» (1 Pjet. 5:7) Por, si mund ta bësh këtë? Le të shohim katër mënyra: të lutesh me gjithë shpirt, të lexosh e të meditosh për Fjalën e Perëndisë, të përfitosh nga ndihma e frymës së shenjtë të Jehovait dhe t’i hapesh për ndjenjat e tua një miku a mikeje të besuar. Teksa shqyrtojmë këto katër mënyra, përpiqu të dallosh çfarë hapash praktikë dëshiron të bësh.

 «HIDHJA BARRËN TËNDE JEHOVAIT»

3. Si mund ‘t’ia hedhësh barrën tënde Jehovait’ me anë të lutjeve?

3 Hapi i parë që mund të bësh është t’i afrohesh Jehovait me lutje të zjarrta. Kur ndesh situata që të fusin frikë, merak ose ankth, zbrazja zemrën Atit tënd të dashur qiellor. Psalmisti David iu përgjërua Jehovait: «O Perëndi, vërja veshin lutjes sime.» Pastaj, në po atë psalm, ai tha: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.» (Psal. 55:1, 22) Pasi të kesh bërë gjithë sa mundesh për të zgjidhur një problem, pa dyshim që lutjet me gjithë shpirt do të ndihmojnë më shumë se shqetësimi. Por, si mund të të ndihmojnë lutjet që të mos të mbytin mendimet turbulluese dhe ankthi?​—Psal. 94:18, 19.

4. Pse është kaq e rëndësishme të lutemi kur jemi në ankth?

4 Lexo Filipianëve 4:6, 7. Jehovai mund t’u përgjigjet përgjërimeve tona të zjarrta, me gjithë shpirt dhe ngulmuese. Si? Duke na dhënë atë qetësi të brendshme që mund të na heqë ndjenjat trazuese nga zemra dhe nga mendja. Shumë mund të dëshmojnë për këtë nga përvoja e tyre. Në vend të ankthit, të një ndjenje alarmi që i torturonte, Perëndia i ndihmoi të fitonin një ndjesi të thellë paqeje dhe qetësie që vërtet i kapërcente mendimet njerëzore. Edhe ti mund ta përjetosh këtë. Kështu, «paqja e Perëndisë» mund të triumfojë mbi çfarëdo vështirësie që mund të hasësh. Mund të kesh besim absolut te ky premtim i dhembshur i Jehovait: «Mos i hidh sytë rreth e përqark [mos ji në ankth], se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj.»​—Isa. 41:10.

PAQE E BRENDSHME NGA FJALA E PERËNDISË

5. Si mund të na sjellë paqe të brendshme Fjala e Perëndisë?

5 Mënyra e dytë si të fitosh paqe të brendshme është duke lexuar vargje nga Bibla e duke medituar për to. Pse është e rëndësishme kjo? Brenda Biblës gjejmë udhëheqje praktike nga Perëndia që mund të të ndihmojë ta shmangësh, ta lehtësosh ose t’i bësh ballë ankthit. Mos e nënvlerëso faktin se Fjala e Perëndisë është e dobishme dhe freskuese, pasi ajo përmban fjalë mençurie nga vetë Krijuesi. Teksa bluan në mendje mendimet e Perëndisë​—ditën a natën—​dhe shqyrton si ta përdorësh sa më mirë udhëheqjen praktike të Biblës, do të marrësh shumë forcë. Jehovai e tha shkoqur se të jemi ‘të fortë e guximtarë’ dhe ‘të mos tronditemi e të mos trembemi’ ka lidhje me leximin e Fjalës së tij.​—Jos. 1:7-9.

6. Çfarë ndikimi pozitiv mund të kenë te ti fjalët e Jezuit?

6 Në Shkrime gjejmë fjalët si balsam të Jezuit. Fjalët dhe mësimet e tij ishin burim freskimi për dëgjuesit. Jezui bënte për vete turma të tëra sepse qetësonte zemrat e trazuara, forconte të dobëtit dhe ngushëllonte të dëshpëruarit. (Lexo Mateun 11:28-30.) Ai merakosej me dashuri për nevojat frymore, emocionale dhe fizike të të tjerëve. (Mar. 6:30-32) Premtimi i Jezuit për të mbështetur dishepujt e tij vlen edhe sot e kësaj dite. Ai mund të plotësohet në rastin tënd ashtu siç u plotësua për apostujt që udhëtonin me Jezuin. Nuk ka nevojë të jesh fizikisht pranë Jezuit për të nxjerrë dobi. Si Mbret qiellor, Jezui vazhdon të provojë dhe të tregojë empati. Kështu, kur je në ankth, plot mëshirë ai mund ‘të të vijë në ndihmë’ dhe ‘të të ndihmojë në kohën e duhur’. Po, Jezui mund të të ndihmojë t’u bësh ballë situatave  stresuese dhe mund të ta mbushë zemrën me shpresë e kurajë.​—Hebr. 2:17, 18; 4:16.

CILËSITË HYJNORE QË PRODHON FRYMA E PERËNDISË

7. Si do të nxjerrësh dobi kur Perëndia u përgjigjet lutjeve të tua për frymë të shenjtë?

7 Jezui premtoi se Ati ynë në qiell do t’u japë patjetër frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë. (Luka 11:10-13) Kjo gjë të jep në dorë mjetin e tretë të fuqishëm për të lehtësuar ankthin​—frytin e frymës. Këto cilësi të bukura që prodhon forca vepruese e Perëndisë pasqyrojnë personalitetin e vetë Perëndisë të plotfuqishëm. (Lexo Galatasve 5:22, 23; Kolos. 3:10) Teksa kultivon frytin e kësaj fryme, marrëdhënia jote me të tjerët do të përmirësohet. Kështu, do të vëresh se mjaft situata që mund të shkaktojnë ankth as që krijohen fare. Medito për pak çaste se si do të të ndihmojë fryti i frymës.

8-12. Si mund të të ndihmojë fryti i frymës së shenjtë të Perëndisë t’i përballosh situatat stresuese ose t’i shmangësh?

8 «Dashuria, gëzimi, paqja». Kur bën çmos t’i trajtosh të tjerët me respekt, ka shumë të ngjarë të vëresh se arrin t’i përballosh më mirë ndjenjat e tua negative. Pse e themi këtë? Sepse ndërsa tregon dashuri vëllazërore, përzemërsi të butë dhe nderim do të shmangësh situata që mund të ngjallnin ankth.​—Rom. 12:10.

9 «Shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia». Bibla thotë: «Bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht.» (Efes. 4:32) Kur i vë veshin kësaj këshille nxit marrëdhënie paqësore. Veç kësaj, u pret rrugën situatave që mund të shkaktonin ankth. Gjithashtu, mund t’i përballosh më mirë vështirësitë që lindin nga papërsosmëria njerëzore.

10 «Besimi». Sot, shpesh ankthi që ndiejmë lidhet me shqetësimin për paratë dhe për gjërat materiale. (Prov. 18:11) Ja pse besimi i fortë se Jehovai kujdeset me dashuri mund të të ndihmojë t’i bësh ballë këtij ankthi ose ta shmangësh. Në ç’mënyrë? Mund të shmangësh shumë ankthe duke i vënë veshin këshillës së frymëzuar të apostullit Pavël që të jesh ‘i kënaqur me gjërat që ke’. Pavli shton: «Sepse [Perëndia] ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’ Që të kemi shumë guxim dhe të themi: ‘Jehovai është ai që më ndihmon, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?’»​—Hebr. 13:5, 6.

11 «Butësia, vetëkontrolli». Mendo sa praktike dhe e dobishme është të shfaqësh këto cilësi. Falë kësaj, ka shumë mundësi të shmangësh veprime që mund të bëheshin burim ankthi për ty dhe të nxjerrësh dobi duke shmangur ‘vrerin shpirtlig, zemërimin, furinë, të bërtiturat dhe sharjet’.​—Efes. 4:31.

12 Kuptohet, do të kesh nevojë për përulësi që të nënshtrohesh nën «dorën e fuqishme të Perëndisë» dhe që ‘të hedhësh gjithë ankthin tënd mbi të’. (1 Pjet. 5:6, 7) Por ndërsa kultivon përulësinë, do të ecësh në një rrugë që sjell miratimin dhe mbështetjen e Perëndisë. (Mik. 6:8) E duke mbajtur këtë pikëpamje realiste për aftësitë e tua fizike, mendore dhe emocionale ka më pak të ngjarë të të pushtojë ankthi, sepse do të mbështetesh te Perëndia.

‘MOS JI KURRË NË ANKTH’

13. Ç’donte të thoshte Jezui me fjalët «mos jini kurrë në ankth»?

13 Te Mateu 6:34 (lexoje), gjejmë këtë këshillë plot domethënie të Jezuit: «Mos jini kurrë në ankth.» Por, mund të duket e vështirë ta zbatojmë këtë këshillë. Ç’donte të thoshte Jezui me fjalët «mos jini kurrë  në ankth»? Natyrisht që s’donte të thoshte se një shërbëtor i Perëndisë nuk do të provonte ndonjëherë ankth gjatë jetës; tashmë e kemi parë se çfarë thanë për këtë Davidi dhe Pavli. Megjithatë, Jezui po i ndihmonte dishepujt e tij të kuptonin se ankthi i tepërt, ose ekstrem, nuk i zgjidh problemet. Çdo ditë ka vështirësitë e veta, prandaj të krishterët s’ka pse t’u shtojnë shqetësimeve të sotme mendime të ankthshme për të kaluarën ose të ardhmen. Si mund ta zbatosh këshillën e Jezuit dhe të lehtësohesh nga ankthi rraskapitës?

14. Si mund ta përballosh ankthin për të kaluarën?

14 Njerëzit ndonjëherë kanë ankth për shkak të veprimeve ose gabimeve të së kaluarës. Mund t’i brejë ndjenja e fajit për diçka që kanë bërë në të kaluarën, madje edhe shumë vite më parë. Mbreti David kishte raste që ndihej sikur ‘fajet e tij i kalonin mbi krye si dallgë’. Ai pranoi: «Ulërij nga rënkimet e zemrës.» (Psal. 38:3, 4, 8, 18) Çfarë ishte e mençur të bënte Davidi në atë situatë? Çfarë bëri? Ai pati besim te mëshira dhe te falja e Jehovait. Plot bindje, Davidi tha: «Lum ai që i janë falur . . . mëkatet!»​—Lexo Psalmin 32:1-3, 5.

15. (a) Pse nuk duhet të jesh në ankth për të tashmen? (b) Çfarë hapash praktikë mund të bësh për të lehtësuar ankthin? (Shih kutinë « Hapa praktikë për të lehtësuar ankthin».)

15 Ka edhe raste kur mund të të zërë ankthi për të tashmen. Për shembull, kur shkroi Psalmin 55, Davidin e kishte mbërthyer frika se mos humbte jetën. (Psal. 55:2-5) Prapëseprapë nuk lejoi që ankthi t’i shkatërronte besimin te Jehovai. Davidi lutej me zjarr për problemet e tij, por njëkohësisht e kuptonte sa vlerë kishte të bënte hapa praktikë për të përballuar shkakun e ankthit. (2 Sam. 15:30-34) Secili nga ne mund të nxjerrë një mësim nga Davidi. Në vend që të lejosh të të pushtojë ankthi, bëj çfarë hapash të kesh mundësi për ta përballuar situatën dhe pastaj lëri gjërat plot besim në dorë të Jehovait.

16. Si mund të ta forcojë besimin kuptimi i emrit të Perëndisë?

16 Shpesh një i krishterë provon ankth të kotë kur torturon veten për probleme që mund të lindin në të ardhmen. Megjithatë, nuk ka pse të të gërryejë ankthi ose shqetësimi për ngjarje që nuk kanë ndodhur. Pse jo? Sepse shpesh gjërat nuk dalin aq keq sa kishim frikë ne. Veç kësaj, nuk ekziston asnjë situatë që të jetë jashtë kontrollit të Perëndisë mbi të cilin mund të hedhësh gjithë ankthin tënd. Vetë emri i tij mendohet se do të thotë «Ai shkakton të bëhet». (Dal. 3:14) Kuptimi i thellë i emrit të Perëndisë na garanton se Ai është plotësisht i aftë të kujdeset që të plotësohen qëllimet që ka për shërbëtorët e tij. Të jesh i sigurt se Perëndia mund t’i shpërblejë besnikët e tij dhe mund t’i ndihmojë t’i bëjnë ballë ankthit për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.

KOMUNIKIM NGA ZEMRA

17, 18. Si mund të të ndihmojë komunikimi i mirë të përballosh ankthin?

17 Mënyra e katërt që të ndihmon të përballosh  ankthin është komunikimi i mirë​—t’i hapesh për ndjenjat e tua një miku të besuar. Bashkëshorti, një mik i ngushtë ose një plak kongregacioni mund të jetë në gjendje të të ndihmojë ta kuptosh më qartë ankthin që ndien. «Nga ankthi i zemrës njeriu kërruset, kurse fjalët e mira e gëzojnë.» (Prov. 12:25) Komunikimi i çiltër e me zemër të hapur mund të jetë një ndihmë e madhe që t’i kuptosh e t’i përballosh shqetësimet e tua. Bibla na thotë: «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim, por përmbushen aty ku ka shumë këshilltarë.»​—Prov. 15:22.

18 Jehovai na ndihmon edhe nëpërmjet mbledhjeve të përjavshme të kongregacionit që të përballojmë ankthet. Atje mund të shoqërohesh me bashkëbesimtarë që merakosen për ty dhe që duan t’i japin zemër njëri-tjetrit. (Hebr. 10:24, 25) Ky shkëmbim ‘inkurajimi’ do të të ndihmojë të përtërish forcat frymore dhe do të ta bëjë më të lehtë të përballosh çfarëdo ankthi.​—Rom. 1:12.

BURIMI MË I MADH I FORCËS​—MARRËDHËNIA JOTE ME PERËNDINË

19. Pse mund të jesh i sigurt se marrëdhënia jote me Perëndinë do të të japë forcë?

19 Të shohim se si mësoi një plak kongregacioni në Kanada sa vlerë ka ta hedhësh ankthin mbi Jehovain. Ai ka një punë tepër stresuese si mësues e këshilltar në një shkollë, si edhe lufton me një çrregullim ankthi. Si ia ka dalë ky vëlla? Ai shpjegon: «Mbi të gjitha, kam vërejtur se kur punoj me mish e me shpirt që të forcoj marrëdhënien me Jehovain, ky është burimi më i madh i forcës për të përballuar problemet emocionale. Mbështetja e miqve të vërtetë dhe e vëllezërve është jetësore në kohë vuajtjesh. Flas hapur dhe pa doreza me gruan për ndjenjat e mia. Pleqtë e tjerë dhe mbikëqyrësi qarkor më dhanë një ndihmë të çmuar që t’i shihja gjërat me ekuilibër. Gjithashtu, kërkova ndihmë mjekësore, bëra ndryshime në mënyrën si e përdorja kohën dhe programova kohë që të çlodhesha dhe të bëja ushtrime. Dalëngadalë fillova të ndieja se i kisha gjërat më shumë nën kontroll. Kur ka gjëra që s’janë nën kontrollin tim, e lë situatën në dorë të Jehovait.»

20. (a) Si mund ta hedhim ankthin tonë mbi Perëndinë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

20 Për ta përmbledhur me dy fjalë, kemi parë sa vlerë ka ta hedhim ankthin mbi Perëndinë nëpërmjet lutjeve me gjithë shpirt dhe nëpërmjet leximit e meditimit për Fjalën e tij. Kemi shqyrtuar edhe sa e dobishme është të kultivojmë frytin e frymës, t’i hapemi për ndjenjat tona një miku a mikeje të besuar dhe të marrim forcë nga shoqëria inkurajuese me bashkëbesimtarët. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë se si na mbështet më tej Jehovai duke na dhënë shpresën se do të gëzojmë një shpërblim.​—Hebr. 11:6.