Pse sot ka kaq shumë versione ose përkthime të Biblës? Të duken ndihmë apo pengesë versionet e reja të Biblës? Kur mëson se kush i ka përkthyer dhe pse, mund ta kesh më të lehtë t’i vlerësosh siç duhet.

Por si fillim, kush e shkroi Biblën e parë dhe kur?

BIBLA E PARË

Zakonisht, Bibla ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë ka 39 libra që përmbajnë «thëniet e shenjta të Perëndisë». (Romakëve 3:2) Zoti frymëzoi disa burra besnikë që t’i shkruanin këta libra gjatë një periudhe gati 1.100-vjeçare, nga viti 1513 p.e.s. deri diku pas vitit 443 p.e.s. E shkruan kryesisht në hebraisht, ndaj këtë pjesë e quajmë Shkrimet Hebraike, e njohur edhe si Dhiata e Vjetër.

Pjesa e dytë ka 27 libra që po ashtu quhen ‘fjala e Perëndisë’. (1 Selanikasve 2:13) Zoti i frymëzoi dishepujt besnikë të Jezu Krishtit t’i shkruanin këta libra në një periudhë kohe shumë më të shkurtër​—që nisi rreth vitit 41 të e.s. deri në vitin 98 të e.s., pra gati 60 vjet. Ata shkruan kryesisht në greqisht, ja pse këtë pjesë e quajmë Shkrimet e Krishtere Greke, e njohur edhe si Dhiata e Re.

Këta 66 libra të frymëzuar formojnë Biblën e plotë, mesazhin e Perëndisë për njerëzimin. Por, pse u bënë përkthime të tjera të Biblës? Ja tri arsye kryesore:

  • Që njerëzit ta lexonin Biblën në gjuhën e nënës.

  • Që të ndreqeshin gabimet e kopistëve e kështu të rivendosej teksti origjinal i Biblës.

  • Që të zëvendësohej gjuha e vjetruar.

Shqyrto dy përkthime të hershme që i përfshinë këta faktorë.

 SEPTUAGINTA GREKE

Rreth 300 vjet para kohës së Jezuit, studiuesit judenj nisën t’i përkthenin Shkrimet Hebraike në një gjuhë tjetër, në greqisht. Përkthimi u bë i njohur si Septuaginta greke. Cili ishte qëllimi i saj? Që të ndihmonte shumë judenj të cilët flitnin greqisht, jo hebraisht, t’i kuptonin, t’i zbatonin dhe t’i donin «shkrimet e shenjta».​—2 Timoteut 3:15.

Septuaginta ndihmoi edhe miliona jojudenj që flitnin greqisht, të familjarizoheshin me mësimet e Biblës. Në ç’mënyrë? Profesor W. F. Hauardi tha: «Që nga mesi i shekullit të parë, ajo u bë Bibla e Kishës së Krishterë, misionarët e së cilës shkonin nga sinagoga në sinagogë ‘duke provuar me pjesë nga shkrimet se Mesia ishte Jezui’.» (Veprat 17:3, 4; 20:20) Sipas studiuesit të Biblës F. F. Brus, kjo ishte një nga arsyet pse shumë judenj shpejt «e humbën interesin për Septuagintën».

Teksa dishepujt e Jezuit shkruanin nën frymëzim librat e Shkrimeve të Krishtere Greke, librat iu shtuan përkthimit Septuaginta të Shkrimeve Hebraike, e kështu mori formë Bibla e plotë që kemi sot në dorë.

VULGATA LATINE

Rreth 300 vjet pas përfundimit të Biblës, studiuesi fetar Jeronimi botoi një përkthim latin të saj, që në fund u quajt Vulgata latine. Por, pse duhej një përkthim i ri kur tashmë ekzistonin disa përkthime në latinisht? Jeronimi donte të korrigjonte «përkthimet e gabuara, gabimet trashanike dhe shtesat apo heqjet e panevojshme», thotë The International Standard Bible Encyclopedia.

Jeronimi ndreqi shumë prej këtyre gabimeve. Por, me kalimin e kohës, autoritetet kishtare shkaktuan dëmin më të madh në histori! E shpallën Vulgatën latine si të vetmin përkthim të miratuar të Biblës dhe këtë e bënë për shekuj me radhë. Në vend që Vulgata t’i ndihmonte njerëzit e thjeshtë të kuptonin Biblën, e ktheu atë në një libër të pakuptueshëm, pasi shumica s’merrte vesh fare nga latinishtja.

 SHTOHEN PËRKTHIMET

Ndërkohë dolën përkthime të tjera të Biblës, si përkthimi i mirënjohur Peshita siriake, i cili u përdor gjerësisht rreth shekullit të pestë të e.s. Megjithatë, vetëm në shekullin e 14-të rinisën përpjekjet për t’i përkthyer Shkrimet në gjuhët amtare të njerëzve të thjeshtë.

Në fund të shekullit të 14-të, në Angli, Xhon Uajklifi nisi ta çlironte Biblën nga kthetrat e një gjuhe të vdekur, duke e përkthyer në anglisht, gjuhë që bashkëkombësit mund ta kuptonin me lehtësi. Pak pas kësaj, metodat e shtypjes nga Johanes Gutenbergu u çelën udhën studiuesve të Biblës të botonin e të shpërndanin përkthime të reja në gjuhë që fliteshin anembanë Evropës.

Kur u shtuan përkthimet e Biblës në anglisht, kritikët ngritën dyshime nëse duheshin versione të ndryshme në të njëjtën gjuhë. Xhon Ljuisi, klerik anglez i shekullit të 18-të, shkroi: «Gjuha vjetrohet dhe bëhet e pakuptueshme, ndaj lind nevoja të rishqyrtohen përkthimet e vjetra që të përdoret një gjuhë e kuptueshme për kohën.»

Sot studiuesit e Biblës kanë më tepër mundësi se kurrë të rishikojnë përkthimet e vjetra. I kuptojnë goxha më qartë gjuhët e lashta të Biblës dhe kanë në dispozicion dorëshkrime biblike antike, me shumë vlerë, të gjetura kohët e fundit. Këto ndihmojnë të përcaktohet më saktë teksti origjinal i Biblës.

Ja pse përkthimet e reja të Biblës kanë vlerë. S’ka dyshim se duhet të jemi të kujdesshëm kur zgjedhim se cilin të përdorim. * Ama, nëse ata që kanë nxjerrë një përkthim të ri Bible, janë motivuar nga dashuria e sinqertë për Zotin, mund të nxjerrim jashtëzakonisht dobi nga puna e tyre.

 

^ par. 24 Shih artikullin «Si të zgjedhësh një version të mirë të përkthimit të Biblës?» në numrin e 1 majit 2008 të kësaj reviste.