Doni e Margareta * u kënaqën kur e bija bashkë me familjen u shkuan për vizitë. Si vakt të fundit para se të niseshin, Margareta, një kuzhiniere profesioniste në pension, u përgatiti makarona me djathë, ushqimi i preferuar i dy nipçeve.

Me t’u ulur të gjithë, Margareta solli ushqimin dhe e vuri në mes të tavolinës. Ngriti kapakun dhe u zhgënjye kur pa se ena kishte vetëm salcë djathi të ngrohtë. Ajo kishte harruar të hidhte përbërësin kryesor, makaronat.

Pavarësisht nga mosha a përvoja, të gjithë gabojmë. Mund të jetë një fjalë e pamenduar, një veprim në momentin e gabuar, mbase thjesht nuk i kushtojmë edhe aq vëmendje diçkaje ose na del nga mendja. Pse bëjmë gabime? Si t’i përballojmë? A mund të shmangen? Pikëpamja e duhur për to do të na ndihmojë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve.

SI I SHOHIM NE DHE SI I SHEH PERËNDIA GABIMET

Kur bëjmë mirë diçka, e pranojmë me kënaqësi lavdërimin dhe meritën që mendojmë se na takon. Po ashtu, a nuk duhet të mbajmë përgjegjësi edhe kur bëjmë ndonjë gabim, qoftë ky një gabim pa qëllim a që të tjerët s’e vënë re? Kjo kërkon përulësi.

Po të mendojmë tepër për veten, mund të përpiqemi ta minimizojmë gabimin, t’ia hedhim fajin dikujt tjetër ose madje ta mohojmë. Kjo zakonisht çon në pasoja negative. Problemi mund të mbetet i pazgjidhur dhe mund t’i fajësojmë të tjerët pa të drejtë. Edhe nëse sot arrijmë të shmangim pasojat e gabimeve, s’duhet të harrojmë se në fund «secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten».​—Romakëve 14:12.

Zoti i sheh me realizëm gabimet. Në librin e Psalmeve Ai portretizohet si «i mëshirshëm dhe hirmadh» dhe si dikush që «nuk do të gjejë të meta gjithë kohën, as do të mbajë mëri tërë jetën». Perëndia e njeh natyrën tonë të papërsosur njerëzore dhe i kupton dobësitë tona të lindura, pra «nuk harron që jemi pluhur».​—Psalmi 103:8, 9, 14.

Veç kësaj, si një atë i mëshirshëm, Zoti dëshiron që ne fëmijët e tij t’i shohim gabimet siç i sheh ai. (Psalmi 130:3) Fjala e Tij jep me dashuri plot këshilla dhe drejtim që na ndihmojnë t’i përballojmë gabimet, tonat apo të të tjerëve.

SI T’I PËRBALLOJMË GABIMET

Shpesh, kur bën ndonjë gabim, një person harxhon tërë atë kohë dhe lodhet emocionalisht duke fajësuar të tjerët a duke u justifikuar për atë që bëri ose tha. Në vend të kësaj, kur fyen dikë, pse të mos kërkosh thjesht të falur, të ndreqësh gabimin dhe të ruash të pacenuar miqësinë? A ke vepruar ndonjëherë gabim duke i hapur probleme të vogla a të mëdha vetes ose ndonjë tjetri? Në vend që të zemërohesh me veten ose të akuzosh të tjerët, pse të mos bësh më të mirën e të ndreqësh  gabimin? Po të ngulësh këmbë duke mos e pranuar fajin, është pothuajse e sigurt se tensioni i panevojshëm do të zgjatë dhe problemi do të rëndohet më tepër. Në vend të kësaj, mëso nga gabimi, ndreqe dhe vazhdo përpara.

Ama, kur gabon një tjetër, e shprehim kollaj pakënaqësinë tonë. Por është shumë më mirë të ndjekim këtë këshillë të Jezu Krishtit: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) Kur bën një gabim, qoftë edhe të papërfillshëm, me siguri të pëlqen që të tjerët të të tregojnë dhembshuri ose të mos e marrin fare parasysh. Ndaj, pse të mos përpiqesh të tregosh të njëjtën mirësi ndaj të tjerëve?​—Efesianëve 4:32.

PARIME QË NA NDIHMOJNË TË BËJMË MË PAK GABIME

Një fjalor shpjegon se gabimet vijnë nga «gjykimi i dobët, nga informacioni i pamjaftueshëm ose nga shpërqendrimi». Duhet ta pranojmë se herët a vonë çdokush shfaq një a më shumë nga këto veçori. Prapëseprapë do të gabojmë më pak po të shqyrtojmë disa parime themelore nga Shkrimet.

Një prej tyre gjendet te Proverbat 18:13, ku lexojmë: «Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë, kjo është për të marrëzi dhe poshtërim.» Vërtet, po të ndalesh pak që të dëgjosh deri në fund e të mendohesh si të përgjigjesh, me siguri do të shmangësh fjalët e nxituara ose reagimet impulsive. Gjërat që mëson kur kushton vëmendje, të ndihmojnë shumë të mos i gjykosh gjërat keq, e kështu të mos gabosh.

Një tjetër parim biblik thotë: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.» (Romakëve 12:18) Përpiqu me gjithë shpirt të nxitësh një frymë paqeje dhe bashkëpunimi. Kur punon me të tjerë, trego konsideratë e respekt dhe bëj çmos t’i lavdërosh e t’u japësh zemër. Në këtë atmosferë është e lehtë të falen ose të kapërcehen fjalët dhe veprimet e pamenduara. Gjithashtu, gabimet më serioze mund të zgjidhen a të ndreqen në mënyrë miqësore.

Mëso ta kthesh gabimin në një përvojë pozitive. Në vend që të kërkosh justifikime për atë që ke thënë ose ke bërë, konsideroje këtë si një mundësi për të zhvilluar cilësi të mira. Mos ndoshta duhet të zhvillosh më shumë durim, mirësi ose vetëkontroll? Ç’të themi për butësinë, paqen dhe dashurinë? (Galatasve 5:22, 23) Më e pakta, mund të mësosh çfarë të shmangësh herën tjetër. Mos e merr veten tepër seriozisht, por ndërkohë as mos ji i papërgjegjshëm. Ndjenja e humorit me siguri mund të shtendosë situatën.

TË NXJERRIM DOBI NGA PIKËPAMJA E DUHUR

Po të kemi pikëpamjen e duhur për gabimet, do të nxjerrim dobi prej tyre. Do të jemi më në paqe me veten dhe me të tjerët. Nëse bëjmë çmos të mësojmë nga gabimet, do të bëhemi më të mençur e më të këndshëm për të tjerët. As do të ndihemi përtokë e as do të mendojmë keq për veten. Gjithashtu, kur kuptojmë se edhe të tjerët po luftojnë me gabimet, do të afrohemi më shumë me ta. Mbi të gjitha, nxjerrim dobi kur mësojmë të imitojmë dashurinë e Perëndisë dhe gatishmërinë e tij për të falur bujarisht.​—Kolosianëve 3:13.

Ç’të themi për gabimin e Margaretës që përmendëm në fillim? A e prishi atë rast familjar? Aspak! Secili e mori me të qeshur, sidomos Margareta, dhe e shijuan vaktin, edhe pse pa makarona. Vite më vonë dy nipat ua treguan fëmijëve të tyre historinë e atij vakti të paharrueshëm familjar dhe sollën ndër mend kujtime të dashura me gjyshërit. Në fund të fundit, ishte veçse një gabim.

^ par. 2 Emrat janë ndryshuar.