Kështu u ndie një 13-vjeçare kur i dhuruan një qenush. Një biznesmene e suksesshme tha se kompjuteri që i kishte dhuruar i ati në shkollën e mesme, i ndryshoi jetën. Ndërsa një burrë i sapomartuar tha se dhurata më e mirë që kishte marrë ndonjëherë ishte kartolina që e kishte bërë vetë e shoqja për përvjetorin e parë.

Çdo vit shumë njerëz shpenzojnë kohë dhe energji në kërkim të dhuratës «më të mirë» për një mik a të afërm që ka ndonjë rast të veçantë. Kuptohet që pjesës më të madhe do t’i pëlqente të dëgjonin shprehje vlerësimi si më lart. Po ty, të pëlqen të japësh a të marrësh dhurata vërtet të çmuara?

Kjo mund të jetë goxha tërheqëse, jo vetëm për efektin që dhurata mund të ketë te marrësi, por edhe për ndjenjat që mund të përjetojë dhuruesi. Tekefundit, Bibla thotë: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) S’ka dyshim se lumturia që vjen kur japim, shtohet nëse marrësi e vlerëson me gjithë zemër dhuratën.

Atëherë, ç’mund të bësh që dhuratat që jep, të të sjellin kënaqësi të vërtetë ty dhe marrësit? Dhe, nëse nuk mund të gjesh dhuratën «më të mirë», si të dhurosh diçka që të tjerët do ta çmojnë vërtet?