Engjëjt besnikë shfaqin interes të thellë për jetën e njerëzve dhe janë goxha të përfshirë në kryerjen e vullnetit të Jehovait. Kur Zoti krijoi tokën, engjëjt «lëshonin tok britma hareje, dhe gjithë bijtë e Perëndisë brohoritnin tërë ngazëllim». (Jobi 38:4, 7) Përgjatë gjithë historisë, engjëjt kanë pasur dëshirë ‘të ndaleshin e të shikonin’ si do të përmbusheshin në të ardhmen profecitë për tokën.​—1 Pjetrit 1:11, 12.

Bibla tregon se, që të kryhej vullneti i Perëndisë, ndonjëherë engjëjt siguruan njëfarë mbrojtjeje për adhuruesit e vërtetë. (Psalmi 34:7) Për shembull:

  • Kur Jehovai shkatërroi qytetet e liga të Sodomës e të Gomorrës, engjëjt e ndihmuan Lotin e drejtë bashkë me familjen e tij të largoheshin.​—Zanafilla 19:1, 15-26.

  • Në Babiloninë e lashtë, kur tre të rinjtë hebrenj u dënuan me vdekje në furrën e zjarrtë, Perëndia «dërgoi engjëllin e vet dhe i çliroi shërbëtorët e tij».​—Danieli 3:19-28.

  • Pasi e kaloi natën në një gropë me luanë grabitqarë, Danieli i drejtë tha se mbijetoi ngaqë «Perëndia [i tij] dërgoi engjëllin e tij dhe ua mbylli gojën luanëve».​—Danieli 6:16, 22.

Engjëjt i kanë ndihmuar njerëzit besnikë prej kohësh

ENGJËJT E MBËSHTETËN KONGREGACIONIN E HERSHËM TË KRISHTERË

Ndonjëherë lajmëtarët engjëllorë të Perëndisë u përfshinë në veprimtarinë e kongregacionit të hershëm të krishterë kur ishte e nevojshme të plotësohej qëllimi i Jehovait. Për shembull:

  • Një engjëll hapi dyert e një burgu dhe u tha apostujve të burgosur të vazhdonin të predikonin në tempull.​—Veprat 5:17-21.

  • Një engjëll e udhëzoi ungjillëzuesin Filip të shkonte në rrugën e shkretë që lidhte Jerusalemin me Gazën e t’i predikonte një etiopasi që kishte shkuar në Jerusalem për të adhuruar Perëndinë.​—Veprat 8:26-33.

  • Kur erdhi koha e caktuar nga Perëndia që jojudenjtë të bëheshin të krishterë, një engjëll iu shfaq në vegim Kornelit, centurion i një njësie ushtarake romake, dhe e udhëzoi t’i kërkonte apostullit Pjetër të shkonte në shtëpinë e tij.​—Veprat 10:3-5.

  • Kur apostulli Pjetër ishte i burgosur, iu shfaq një engjëll dhe e nxori nga burgu.​—Veprat 12:1-11.

 SI MUND TË TË NDIHMOJNË ENGJËJT?

Sot nuk ka asnjë dëshmi që tregon se Perëndia po i përdor engjëjt për t’i ndihmuar njerëzit me ndonjë nga mrekullitë që përmend Bibla. Gjithsesi, Jezui tha për ditët tona: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) A e di se dishepujt e Krishtit po e kryejnë këtë vepër nën mbikëqyrjen e engjëjve?

Engjëjt ndihmojnë në predikimin e lajmit të mirë në mbarë tokën

Libri i Zbulesës tregon se engjëjt do t’i ndihmonin gjithë zell njerëzit në mbarë botën që të mësonin për Perëndinë Jehova dhe për qëllimin që ka për njerëzimin. Apostulli Gjon shkroi: «Pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe kishte një lajm të mirë të përhershëm, që t’ua shpallte si sihariq atyre që banojnë në tokë, çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli, dhe thoshte me një zë të fortë: ‘Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi, sepse mbërriti ora e gjykimit prej tij! Adhuroni Atë që bëri qiellin, tokën, detin dhe burimet e ujërave!’» (Zbulesa 14:6, 7) Shumë përvoja sot vërtetojnë se engjëjt po e mbështetin veprën mbarëbotërore të predikimit për Mbretërinë. Vërtet, ‘engjëjt e Perëndisë gëzohen’ kur qoftë edhe një mëkatar pendohet e kthehet te Jehovai.​—Luka 15:10.

Çfarë do të ndodhë kur vepra e predikimit të përfundojë? ‘Ushtritë engjëllore në qiell’ do ta përkrahin Jezu Krishtin, Mbretin e mbretërve, në «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm» në Harmagedon. (Zbulesa 16:14-16; 19:14-16) Engjëjt e fuqishëm do të ekzekutojnë gjykimin hyjnor kur Zotëria Jezu «të sjellë hakmarrjen mbi ata . . . që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu».​—2 Selanikasve 1:7, 8.

Prandaj, ji i sigurt se engjëjt i kanë sytë mbi ty. Merakosen jashtë mase për mirëqenien e atyre që duan t’i shërbejnë Perëndisë, dhe Jehovai i ka përdorur vazhdimisht për t’i forcuar dhe për t’i mbrojtur shërbëtorët besnikë në tokë.​—Hebrenjve 1:14.

Kështu, secili prej nesh është para një vendimi tejet të rëndësishëm. A do ta dëgjojmë dhe a do t’i bindemi lajmit të mirë që po predikohet në mbarë tokën? Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde do të të ndihmojnë me kënaqësi të përfitosh nga ndihma e dashur e engjëjve të fuqishëm të Perëndisë.