Pasditen e një të diele, Keneti dhe Filomena, që jetojnë në Kurasao, shkuan të takonin një çift me të cilin po studionin Biblën.

Keneti thotë: «Kur shkuam atje, shtëpia ishte e mbyllur dhe makina nuk ishte. Por, diçka më shtyu ta merrja në telefon të zonjën e shtëpisë.»

Ajo u përgjigj dhe tha se i shoqi kishte shkuar në punë. Megjithatë, sapo e mori vesh se Keneti dhe Filomena kishin shkuar ta takonin, doli dhe i ftoi brenda.

Ata e vunë re menjëherë se ajo kishte qarë. Kur Keneti e filloi studimin e Biblës me një lutje, gruaja nisi të qante sërish. Prandaj, Keneti dhe Filomena e pyetën me mirësjellje se çfarë e shqetësonte.

Gruaja u tha se kishte menduar të vriste veten atë pasdite, dhe se, para se ta ndërpriste telefonata e Kenetit, po i linte të shoqit një shënim vetëvrasjeje. U tregoi se vuante nga depresioni, kështu që ata i lexuan disa mendime inkurajuese nga Bibla. Ky inkurajim i shpëtoi jetën!

Keneti thotë: «E falënderuam Jehovain që na lejoi ta ndihmonim këtë grua të dëshpëruar, sidomos që na shtyu ne​—ndoshta nëpërmjet një engjëlli a nëpërmjet frymës së Tij të shenjtë—​që ta merrnim në telefon.» *

A është me vend ajo që besojnë Keneti dhe Filomena, se Zoti ndërhyri me anë të një engjëlli ose me anë të frymës së shenjtë, ndryshe forca e tij aktive? Apo telefonata në kohën e duhur ishte thjesht një rastësi fatlume?

Nuk mund ta themi me siguri të plotë. Megjithatë, diçka e dimë me siguri: Zoti i përdor engjëjt për t’i ndihmuar njerëzit ta njohin Atë. Për shembull, Bibla thotë se Perëndia përdori një engjëll për të drejtuar Filipin, një ungjillëzues të krishterë, të ndihmonte një zyrtar etiopas që po kërkonte udhëheqje nga Zoti.​—Veprat 8:26-31.

Shumë fe nxitin besimin te krijesa të mbinatyrshme e të padukshme, disa prej të cilave portretizohen si krijesa mirëbërëse që përmbushin vullnetin e Perëndisë ose që veprojnë si engjëj mbrojtës. Shumë veta besojnë jo vetëm se engjëjt ekzistojnë, por edhe se ndikojnë për mirë në jetën e tyre. Gjithsesi, mjaft të tjerë nuk besojnë fare tek engjëjt.

A ekzistojnë engjëjt? Nëse po, nga e kanë origjinën? Cila është e vërteta për engjëjt? A mund të ndikojnë në jetën tënde? Le t’i shqyrtojmë provat.

^ par. 8 Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.—Psalmi 83:18.