Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 TEMA KRYESORE | KU MUND TË GJESH NGUSHËLLIM?

Si na ngushëllon Zoti?

Si na ngushëllon Zoti?

Apostulli Pavël e quan Jehovain * «Perëndia i çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona». (2 Korintasve 1:3, 4) Pra, Bibla na siguron se nuk ka njeri që Perëndia të mos e ndihmojë dhe nuk ka tragjedi aq të madhe, sa Ati ynë qiellor të mos na ngushëllojë dot.

Sigurisht, duhet të bëjmë diçka nëse duam që Perëndia të na ngushëllojë. A mund të na ndihmojë një mjek nëse nuk marrim takim me të? Profeti Amos pyet: «A mund të dalin bashkë dy veta, nëse nuk kanë lënë takim?» (Amosi 3:3) Ja pse Shkrimet na nxitin: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»​—Jakovi 4:8.

Si të jemi të sigurt se Zoti do të na afrohet? Së pari, ai vetë na thotë vazhdimisht se dëshiron të na ndihmojë. (Shih  kutinë shoqëruese.) Së dyti, kemi prova bindëse se Perëndia i ka ngushëlluar njerëzit​—njerëz realë, të kohëve tona dhe të lashtësisë.

Ashtu si shumë veta që kërkojnë ndihmën e Perëndisë sot, mbreti David e dinte mjaft mirë ç’do të thotë të kalosh tragjedi. Një herë iu përgjërua Jehovait: «Dëgjoji përgjërimet e mia kur të thërras për ndihmë.» A iu përgjigj ai? Po. Davidi thotë më pas: «Tek ai gjeta ndihmë, prandaj më ngazëllon zemra.»​—Psalmi 28:2, 7.

ROLI I JEZUIT PËR TË NGUSHËLLUAR ATA QË VAJTOJNË

Perëndia i caktoi Jezuit një rol kyç për të ngushëlluar njerëzit. Ndër përgjegjësitë që i dha, ishte ‘t’u lidhte plagën zemërvrarëve’ dhe ‘të ngushëllonte të gjithë ata që mbanin zi’. (Isaia 61:1, 2) Siç ishte parathënë, Jezui u kushtoi vëmendje të veçantë atyre që ‘po robtoheshin dhe që ishin të ngarkuar’.​—Mateu 11:28-30.

Jezui i ngushëlloi njerëzit duke u dhënë këshilla të mençura, duke i trajtuar me dashuri, dhe madje, në disa raste, duke i shëruar. Një ditë, një i lebrosur iu përgjërua: «Po të duash, ti mund të më pastrosh.» I shtyrë nga keqardhja, Jezui iu përgjigj: «Dua. Pastrohu.» (Marku 1:40, 41) Dhe i lebrosuri u shërua.

 Edhe pse sot Biri i Perëndisë nuk është në tokë që të na ngushëllojë personalisht, Ati i tij, Jehovai, «Perëndia i çdo ngushëllimi», vazhdon t’i ndihmojë ata në nevojë. (2 Korintasve 1:3) Shqyrto katër mënyra kryesore si na ngushëllon Perëndia.

  • Bibla. «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.»​—Romakëve 15:4.

  • Fryma e shenjtë e Perëndisë. Pak kohë pas vdekjes së Jezuit, i gjithë kongregacioni i krishterë hyri në një periudhë paqeje. Pse? Sepse «ecte në frikën e Jehovait dhe sipas ngushëllimit që jepte fryma e shenjtë». (Veprat 9:31) Fryma e shenjtë, forca aktive e Perëndisë, është tejet e fuqishme. Ai mund ta përdorë që të ngushëllojë çdokënd në çdo rrethanë.

  • Lutja. Bibla na këshillon: «Mos jini në ankth për asgjë.» Madje, thotë: «Bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja. . . . Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore.»​—Filipianëve 4:6, 7.

  • Bashkëbesimtarët mund të na sigurojnë «gardhin mbrojtës» ngushëllues të miqve të vërtetë. Apostulli Pavël i përshkroi miqtë si «ndihmë fuqizuese» «mes shtrëngimeve dhe nevojave».​—Kolosianëve 4:11; 1 Selanikasve 3:7.

Mirëpo mbase vret mendjen si bëhet në realitet e gjithë kjo. Le t’u hedhim një sy përvojave të disave që përmendëm në fillim, të cilët hasën probleme. Ashtu si ata, mund të shohësh se Zoti po e përmbush ende këtë premtim zemërdhënës: «Unë do t’ju ngushëlloj siç e ngushëllon një njeri nëna e tij.»​—Isaia 66:13.

^ par. 3 Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.