DAVIDI mblodhi forcat që të mos e merrte para turma e ushtarëve që shtyhej vrullshëm. Me sytë të shqyer nga frika, po ia mbathnin nga vija e betejës. Çfarë i trembte kaq shumë? Davidi duhet t’i ketë dëgjuar tek përsëritnin gjithë ankth emrin e një burri. Dhe ja, në shtratin e luginës pa një burrë me qëndrim sfidues që dukej më i madh se çdo burrë që kishte parë ndonjëherë. Ishte Goliadi!

Tani e kuptoi pse ia kishin frikën ushtarët; ishte i stërmadh, sa një mal. Edhe pa armaturën që të kallte frikën, ka mundësi të ketë peshuar më tepër se dy burra të mëdhenj bashkë. Mirëpo ishte i armatosur gjer në dhëmbë dhe ishte luftëtar i fortë e i regjur me luftërat. Goliadi po i sfidonte kundërshtarët me sa kishte në kokë. Imagjino zërin e tij buçitës që jehonte në faqet e kodrave ndërsa sfidonte ushtrinë e Izraelit dhe mbretin e tyre, Saulin. Ai po ftonte çdo burrë që të maste forcat me të e të luftonin, dhe ky dyluftim do të përcaktonte palën fituese.​—1 Samuelit 17:4-10.

Izraelitëve u ishte bërë gjaku ujë. Po kështu edhe mbretit Saul. Davidi dëgjoi se kjo situatë kishte zgjatur për më tepër se një muaj. Dy palët kundërshtare, filistinët dhe izraelitët, ishin në gjendje ngërçi ndërkohë që Goliadi dilte çdo ditë e sfidonte izraelitët. Davidi u dëshpërua. Sa poshtëruese që mbreti i Izraelit dhe ushtarët e tij, madje edhe tre vëllezërit e mëdhenj të Davidit, po struken nga frika! Për Davidin, Goliadi pagan nuk po turpëronte vetëm ushtrinë e Izraelit, por më keq akoma, po fyente Perëndinë e Izraelit, Jehovain. Ç’mund të bënte Davidi, që ishte veçse një çunak? Po ne sot, çfarë mësojmë nga besimi i Davidit?​—1 Samuelit 17:11-14.

«MIROSE, SEPSE KY ËSHTË!»

Le të kthehemi shumë muaj më parë. Po bie muzgu teksa Davidi ruan delet e të atit diku në kodrat afër Betlehemit. Ishte një djalosh i pashëm, ndoshta akoma në adoleshencë, faqekuq dhe me sy të bukur e të mprehtë. Në momente qetësie i binte harpës dhe shihte gjërat e bukura të krijimit të Perëndisë. Ai bëhej gjithnjë e më i aftë si muzikant tek praktikohej i kënaqur me orë të tëra. Këtë mbrëmje Davidin e thirrën të shkonte tek i ati, i cili donte të fliste menjëherë me të.​—1 Samuelit 16:12.

Kur mbërriti, e gjeti të atin, Jeseun, duke folur me një burrë shumë të moshuar. Ishte Samueli, profeti besnik. Jehovai e kishte dërguar të miroste një nga bijtë e Jeseut si mbretin e ardhshëm të Izraelit. Samueli kishte parë tashmë shtatë vëllezërit më të mëdhenj të Davidit, por Jehovai ia kishte bërë të qartë se nuk kishte zgjedhur asnjërin prej tyre. Por, kur shkoi Davidi, Jehovai i tha Samuelit: «Mirose, sepse ky është!» Para gjithë vëllezërve më të mëdhenj, Samueli hapi bririn e mbushur me vaj special dhe i derdhi pak vaj në kokë Davidit. Që nga ai moment, jeta e Davidit ndryshoi. Bibla thotë: «Që nga ajo ditë e tutje, fryma e Jehovait nisi të vepronte te Davidi.»​—1 Samuelit 16:1, 5-13.

Davidi me përulësi ia dha meritën Jehovait për fitoret mbi kafshët e egra

A ushqeu ambicie Davidi për mbretërimin e tij? Jo, ai priste me kënaqësi që fryma e Jehovait ta  drejtonte dhe t’i tregonte se kur ishte momenti të merrte më shumë përgjegjësi. Ndërkohë vazhdoi punën e përulur si barí, një punë që e bënte me përkushtim e guxim. Kopesë së të atit i ishte kanosur rreziku dy herë, një herë nga një luan dhe një herë nga një ari. Davidi nuk u përpoq t’i trembte nga larg grabitqarët. Përkundrazi, u hodh menjëherë në sulm që të mbronte delet e brishta. Të dyja bishat e egra i vrau i vetëm.​—1 Samuelit 17:34-36; Isaia 31:4.

Më vonë e thirrën përsëri. Fama e tij i kishte rënë në vesh mbretit Saul. Edhe pse ishte ende luftëtar i fuqishëm, Sauli e kishte humbur miratimin e Jehovait, sepse ishte rebeluar kundër tij, duke mos iu bindur drejtimit. Jehovai e kishte larguar frymën e tij nga Sauli, prandaj mbretin shpesh e pushtonte një frymë e keqe: shpërthente në zemërim, u bë dyshues e i dhunshëm. Kur e pushtonte fryma e keqe, një nga gjërat që mund ta qetësonte, ishte muzika. Disa nga ushtarët e Saulit kishin dëgjuar për famën e Davidit si muzikant dhe luftëtar. Prandaj thirri Davidin, i cili shpejt u bë një nga muzikantët e oborrit mbretëror dhe shqytarët e mbretit.​—1 Samuelit 15:26-29; 16:14-23.

Veçanërisht të rinjtë mund të mësojnë shumë nga besimi i Davidit. Vër re se me aktivitetet në kohën e lirë synonte të afrohej më shumë me Jehovain. Për më tepër, me durim zhvilloi cilësi praktike dhe aftësi për çdo punë. Mbi të gjitha ndiqte drejtimin e Jehovait. Ç’mësime të jashtëzakonshme për të gjithë ne!​—Eklisiastiu 12:1.

«ASNJË BURRË TË MOS E LËSHOJË ZEMRA»

Ndërsa i shërbente Saulit, Davidi kthehej shpesh në shtëpi për të ruajtur delet, ndonjëherë për periudha të gjata. Pikërisht në një nga këto periudha Jeseu dërgoi Davidin të shihte si ishin tre bijtë më të mëdhenj që shërbenin në ushtrinë e Saulit. I bindur, Davidi u furnizua plot me ushqime për vëllezërit dhe u nis për në ultësirën e Elahut. Kur mbërriti, u shtang që i gjeti të dyja ushtritë në ngërçin e përmendur në fillim të artikullit. Ishin përballë njëra-tjetrës në faqet e asaj lugine të madhe të lakuar.​—1 Samuelit 17:1-3, 15-19.

Për Davidin, situata ishte e patolerueshme. Si ka mundësi që ushtria e Perëndisë së gjallë, Jehovait, po ia mbathte e tmerruar nga një njeri i vetëm, për më tepër pagan? Davidi i konsideroi sfidat e Goliadit si fyerje e drejtpërdrejtë ndaj Jehovait. Prandaj filloi t’u fliste gjithë zell ushtarëve kundër Goliadit. Pa kaluar shumë, vëllait më të madh të Davidit, Eliabit, i zuri veshi fjalët e Davidit. Ai e qortoi ashpër vëllanë e vogël, duke e akuzuar se kishte shkuar vetëm për të parë kasaphanën e luftës. Davidi iu përgjigj: «Ç’bëra tani?! A s’thashë veçse një fjalë?!» Pastaj filloi të fliste gjithë guxim se mund ta mposhtte Goliadin, derisa dikush ia çoi fjalët e tij Saulit. Kështu mbreti dha urdhër t’i sillnin Davidin.​—1 Samuelit 17:23-31.

Davidi i tha mbretit këto fjalë inkurajuese: «Asnjë burrë të mos e lëshojë zemra.» Sauli dhe ushtarët e tij i kishte lëshuar vërtet zemra nga Goliadi. Ndoshta kishin bërë gabimin e madh njerëzor duke u krahasuar me atë gjigant, duke përfytyruar  se i vinin deri te mesi apo te kraharori. Imagjinonin se ai gjigant i armatosur do t’i hiqte qafe me një gisht. Por, Davidi nuk mendonte kështu. Siç tregon ngjarja, ai e shihte problemin nga një këndvështrim tjetër. Prandaj u ofrua të përballej vetë me Goliadin.​—1 Samuelit 17:32.

Sauli kundërshtoi: «Ti nuk je në gjendje të luftosh kundër këtij filistini, sepse ti s’je veçse një djalosh, kurse ai është luftëtar që në djalëri.» A ishte vërtet fëmijë Davidi? Jo, por gjithsesi ishte tepër i ri për të hyrë në ushtri, dhe ndoshta dukej edhe më i vogël. Megjithatë, Davidi kishte bërë emër si luftëtar trim dhe tani duhej të ishte në fund të adoleshencës.​—1 Samuelit 16:18; 17:33.

Davidi i dha siguri Saulit, duke i treguar çfarë kishte ndodhur me luanin dhe ariun. A po mburrej? Jo. Davidi e dinte si i kishte mundur. Ai tha: «Jehovai, që më çliroi nga panxha e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më çlirojë edhe nga dora e këtij filistini.» Sauli në fund dorëzohet e i thotë: «Shko, dhe Jehovai qoftë me ty!»​—1 Samuelit 17:37.

A do të doje të kishe një besim si i Davidit? Siç e sheh, besimi i Davidit nuk ishte thjesht idealizëm apo ëndrra në diell. Kishte besim te Perëndia i vet, sepse e njihte dhe e kishte parë dorën e tij. E dinte se Jehovai ishte Mbrojtës i dashur dhe Mbajtës premtimesh. Nëse duam të kemi një besim të tillë, duhet të vazhdojmë të mësojmë për Perëndinë e Biblës. Po të jetojmë në përputhje me atë që mësojmë, do të na forcohet besimi nga rezultatet e mira që do të shohim.​—Hebrenjve 11:1.

«JEHOVAI DO TË TË DORËZOJË NË DORËN TIME»

Në fillim Sauli u përpoq t’i vishte Davidit armaturën e tij. Ishte pak a shumë si e Goliadit, prej bakri dhe me shumë gjasa kishte një thurak të madh me petëza metalike të vendosura si luspa peshku. Davidi u përpoq të lëvizte ndërsa e vishte atë armaturë të stërmadhe e kabá dhe kuptoi menjëherë se nuk do t’i bënte punë. Nuk ishte stërvitur si ushtar, prandaj nuk ishte mësuar me armaturën, sidomos me armaturën që mbante Sauli, i cili ishte më i gjati në kombin e Izraelit. (1 Samuelit 9:2) Kështu, e hoqi dhe zgjodhi veshjen e bariut me të cilën ishte mësuar dhe kishte gjërat e nevojshme për të mbrojtur kopenë.​—1 Samuelit 17:38-40.

Davidi u nis me shkopin e bariut, torbën në sup dhe me hobénë. Hobeja ndoshta nuk ta mbushte shumë syrin, por në të vërtetë ishte armë e shkuar armës. Përbëhej nga dy shirita lëkure dhe një pjesë të harkuar në fund të tyre, një armë ideale për një bari. Vinte gurin në pjesën e harkuar të hobesë, e vërtiste mbi kokë me shpejtësi të madhe dhe lëshonte një nga shiritat duke e vërvitur gurin me saktësi vdekjeprurëse. Kaq e efektshme ishte kjo armë, sa ndonjëherë ushtritë kishin divizione me hobetarë.

Me këto pajisje, Davidi nxitoi të përballej me armikun. E imagjinojmë Davidin duke u lutur me zjarr teksa përkulet në shtratin e lumit të tharë të luginës për të marrë pesë gurë të vegjël, të lëmuar. Pastaj shkoi në fushën e betejës, jo me hap, po me vrap.

Çfarë mendoi Goliadi kur pa kundërshtarin? Në Bibël lexojmë: «Filloi ta përbuzte, sepse ai ishte një djalosh faqekuq e i pashëm.» Goliadi thirri: «Mos jam gjë qen që po më vjen me shkopinj?!» Me sa duket pa shkopin e Davidit, por jo hobenë. E mallkoi Davidin në emër të perëndive filistine dhe u betua se trupin e kundërshtarit të urryer do t’ua jepte si ushqim shpendëve e kafshëve të egra të fushës.​—1 Samuelit 17:41-44.

Sot e kësaj dite përgjigjja e Davidit mbetet një shprehje e fuqishme besimi. Imagjino këtë djalosh që i bërtet Goliadit: «Ti po vjen me shpatë, heshtë dhe ushtë, kurse unë po vij në emër të Jehovait të ushtrive, Perëndisë së forcave ushtarake të Izraelit, të cilin ti e ke sfiduar.» Davidi e dinte se fuqia dhe armët njerëzore nuk kishin vlerë. Goliadi kishte treguar mungesë respekti për Perëndinë Jehova, prandaj Jehovai do të ndërhynte. Siç u shpreh Davidi, «beteja i përket Jehovait».​—1 Samuelit 17:45-47.

Davidi nuk ishte i verbër, e shihte sa i madh e i armatosur ishte Goliadi. E megjithatë nuk lejoi që këto gjëra ta sprapsnin. Nuk bëri të njëjtin  gabim si Sauli dhe ushtria e tij. Davidi nuk e krahasoi Goliadin me veten, por me Jehovain. Duke qenë rreth 2,9 metra i gjatë, Goliadi binte në sy mes burrave të tjerë. Mirëpo, sa i madh ishte në krahasim me Sovranin e universit? Ashtu si çdo njeri, para tij s’ishte veçse një insekt, dhe në këtë rast një insekt që Jehovai ishte gati ta shtypte me këmbë.

Davidi u turr drejt armikut, duke nxjerrë gurin nga torba. E vuri në hobe, e vërtiti mbi kokë, sa iu dëgjua fërshëllima. Goliadi bëri përpara drejt Davidit, ndoshta duke ndenjur ngjitur pas atij që i mbante mburojën. Gjatësia e Goliadit mund të ketë qenë një minus për të, pasi mbajtësi i mburojës kishte gjatësi normale, kështu që s’mund ta ngrinte mburojën aq sa t’i mbronte kokën. Dhe pikërisht kokën mori në shënjestër Davidi.​—1 Samuelit 17:41.

Davidi e dinte se edhe gjigantët janë të papërfillshëm para Perëndisë Jehova

Davidi e lëshoi gurin. Imagjinoni heshtjen që mund të jetë krijuar në këtë moment. Pa dyshim, Jehovai u sigurua që Davidi të qëllonte në shenjë që me gjuajtjen e parë. Dhe ashtu ndodhi, guri qëlloi në shenjë, mu në ballë të Goliadit. Vigani u plandos me fytyrë përtokë. Mbajtësi i mburojës duhet t’ia ketë mbathur me të katra. Davidi iu afrua Goliadit, ia mori shpatën e i preu kokën me shpatën e vet.​—1 Samuelit 17:48-51.

Më në fund, Saulit dhe ushtarëve iu kthye guximi. Me një kushtrim të fuqishëm beteje, u turrën kundër filistinëve. Beteja përfundoi ashtu si i kishte thënë Davidi Goliadit: «Jehovai . . . do t’ju japë në dorën tonë.»​—1 Samuelit 17:47, 52, 53.

Shërbëtorët e Zotit sot nuk marrin pjesë në luftëra të mirëfillta. Ka ikur ajo kohë. (Mateu 26:52) Prapëseprapë, na duhet të imitojmë vërtet besimin e Davidit. Ashtu si ai, duhet ta shohim Jehovain si real, si të vetmin Perëndi që duhet t’i shërbejmë dhe t’i frikësohemi. Ndonjëherë mund të ndihemi të vegjël në krahasim me problemet, por problemet tona janë të vogla në krahasim me fuqinë e pakufishme të Jehovait. Nëse zgjedhim Jehovain si Perëndinë tonë dhe besojmë tek ai si Davidi, s’ka sfidë e problem që të na sprapsë. S’ka asgjë që Jehovai të mos e mposhtë dot!