A mund të jemi vërtet të sigurt se të gjitha premtimet e Zotit do të bëhen realitet? Jezui ishte i bindur se po, madje ndihmoi edhe dëgjuesit e tij të kishin besim. Shqyrto ilustrimin që bëri në Predikimin në Mal, që gjendet te Mateu 5:18: «Vërtet po ju them se më shpejt do të zhdukej qielli dhe toka, sesa të zhdukej shkronja më e vogël ose një pjesëz e një shkronje nga Ligji, pa ndodhur më parë gjithë këto gjëra.»

Shkronja më vogël e alfabetit hebraik është י (jodh), shkronja e parë e Tetragramit, emrit të shenjtë të Perëndisë, Jehova. * Përveç fjalëve dhe shkronjave në Ligjin e Perëndisë, skribët dhe farisenjtë e shihnin çdo ‘pjesëz shkronje’ si jashtëzakonisht të rëndësishme.

Jezui po thoshte se kishte më shumë mundësi të zhdukeshin qielli dhe toka, sesa të mbetej pa u përmbushur hollësia më e vogël e Ligjit. Megjithatë, Shkrimet na sigurojnë se qiejt dhe toka e mirëfilltë do të mbeten në jetë të jetëve. (Psalmi 78:69) Kështu, ky pohim mbresëlënës tregoi se Ligji do të plotësohej deri në detajin më të vogël.

A i interesojnë hollësirat Perëndisë Jehova? Pa diskutim që po. Ja një rast: izraelitët e lashtë nuk duhej t’i thyenin qengjit të Pashkës asnjë eshtër. (Dalja 12:46) Mbase është detaj i vockël. Mirëpo, a e kuptuan izraelitët pse nuk duhej t’i thyenin asnjë eshtër? Ndoshta jo. Gjithsesi, Perëndia Jehova e dinte se ky detaj lidhej me profecinë për Mesinë, të cilit nuk do t’i thyhej asnjë eshtër kur të vdiste në shtyllën e torturës.​—Psalmi 34:20; Gjoni 19:31-33, 36.

Ç’mësojmë nga fjalët e Jezuit? Edhe ne mund të jemi absolutisht të sigurt se të gjitha premtimet e Perëndisë Jehova do të plotësohen, deri në detajin më të vogël. Ç’garanci e fuqishme nga shkronja më e vockël hebraike!

^ par. 3 Shkronja më e vogël e alfabetit grek është jóta dhe me sa duket është e ngjashme me shkronjën hebraike י (jodh). Meqë fillimisht Ligji i Moisiut u shkrua dhe u transmetua në hebraisht, ka të ngjarë që Jezui po fliste për shkronjën hebraike.