«VAZHDOJ TË PYES: ‘KU ISHTE ZOTI?’»​—Papa Benedikti XVI gjatë vizitës në ish-kampin e përqendrimit në Aushvic, Poloni.

KUR NDODH NJË TRAGJEDI, A KE MENDUAR NDONJËHERË «KU ISHTE ZOTI?» A KE PËSUAR NDONJË NGJARJE TRONDITËSE QË TË KA BËRË TË DYSHOSH NËSE PERËNDIA INTERESOHET PËR TY PERSONALISHT?

Mbase ndihesh si Shila, që jeton në Shtetet e Bashkuara. Ndonëse u rrit në një familje të devotshme fetare, ajo tha: «Që nga fëmijëria doja t’i afrohesha Perëndisë, pasi është Krijuesi ynë. Megjithatë nuk arrija të kisha një lidhje të ngushtë me të. Besoja se më shihte, por veç nga larg. Nuk mendoja se më urrente, por as se më donte.» Pse Shila dyshonte se Perëndia e donte? Ajo shpjegon: «Familjes sime i ndodhën disa tragjedi njëra pas tjetrës dhe dukej sikur Zoti s’donte t’ia dinte për ne.»

Ashtu si Shila, mbase nuk ke pikë dyshimi se Perëndia i Plotfuqishëm ekziston. E prapëseprapë ndoshta pyet veten nëse ai interesohet vërtet për ty. Edhe Jobi i drejtë që besonte te fuqia dhe te mençuria e Krijuesit, kishte dyshime të ngjashme. (Jobi 2:3; 9:4) Pas tragjedive që i ranë njëra pas tjetrës e pa asnjë shpresë në horizont, ai pyeti Perëndinë: «Pse e fsheh fytyrën nga unë, dhe më sheh si armikun tënd?»​—Jobi 13:24.

Çfarë thotë Bibla? A duhet fajësuar Perëndia për tragjeditë që ndodhin? A ka ndonjë provë se Ai interesohet për njerëzit në përgjithësi dhe për secilin nga ne? A mund ta dimë në nivel personal nëse na vëren, na kupton, ka empati për ne ose na ndihmon për problemet tona?

Në artikujt pasues do të shqyrtojmë prova nga krijimi që tregojnë se Perëndia interesohet për ne. (Romakëve 1:20) Më pas do të analizojmë atë që na zbulon Bibla për kujdesin e Perëndisë. Sa më shumë ‘ta njohësh’ nëpërmjet krijimit dhe Fjalës së tij, aq më i sigurt do të jesh se ‘ai interesohet për ty’.​—1 Gjonit 2:3; 1 Pjetrit 5:7.