ÇFARË MËSOJMË NGA KRIJIMI

Mendo pak për një nga marrëdhëniet më të ngushta njerëzore: lidhja speciale që kanë binjakët identikë. Nensi Segali, drejtoreshë e Qendrës Studimore për Binjakët, e cila është edhe vetë binjake, thotë se disa prej tyre «dinë [madje] çfarë do të thotë të flasësh me dikë që të kupton plotësisht pa pasur nevojë për shpjegime». Një grua e përshkroi me këto fjalë lidhjen që ka me binjaken e saj identike: «Thjesht dimë çdo gjë për njëra-tjetrën.»

Pse ekziston kjo kuptueshmëri unike? Studimet tregojnë se edhe pse mjedisi dhe mënyra e rritjes ndikojnë, duket se rol kyç luan ndërtimi i ngjashëm gjenetik i binjakëve identikë.

NDALU E MENDO: Krijuesi i gjithë këtij materiali gjenetik mbresëlënës me siguri ka një kuptueshmëri unike për secilin prej nesh. Në fakt, psalmisti David deklaroi: «Ti më mbështolle në barkun e nënës. . . . Kockat e mia nuk ishin të fshehura nga ti, kur u bëra në fshehtësi. . . . Sytë e tu panë embrionin tim, dhe në librin tënd ishin shkruar tërë pjesët e tij.» (Psalmi 139:13, 15, 16) Vetëm Perëndia njeh dhe kupton tërësisht jo vetëm ndërtimin tonë gjenetik, por edhe çdo ngjarje që kemi përjetuar në jetë, që i ka dhënë formë personalitetit tonë. Njohuria unike që Perëndia ka për ne dhe për ndërtimin tonë gjenetik, na siguron se na kupton vërtet deri në detajin më të imët.

ÇFARË NA MËSON BIBLA PËR GJYKIMIN E THELLË TË PERËNDISË

Davidi u lut: «O Jehova, ti më ke hetuar fund e krye dhe më njeh. Ti e di kur ulem e kur ngrihem, shqyrton nga larg çdo mendim timin. . . . Pa e nxjerrë ende gjuha ime fjalën, ti, o Jehova, di gjithçka.» (Psalmi 139:1, 2, 4) Përveç kësaj, Jehovai njeh ndjenjat tona më të thella, e madje «dallon çdo prirje të mendimeve». (1 Kronikave 28:9; 1 Samuelit 16:6, 7) Çfarë na tregojnë këto vargje për Perëndinë?

Ndonëse mund të mos shprehim çdo mendim a ndjenjë kur i lutemi Krijuesit, ai jo vetëm sheh çfarë bëjmë, por edhe kupton pse e bëjmë. Për më tepër, kupton gjërat e mira që dëshirojmë të bëjmë, edhe kur nuk ia dalim dot për shkak të kufizimeve tona. S’ka dyshim se, meqë Perëndia na krijoi me aftësinë që të tregojmë dashuri, ai është i gatshëm​—madje mezi pret—​të vërejë e të kuptojë mendimet e motivet tona të nxitura nga dashuria.​—1 Gjonit 4:7-10.

Syve të Perëndisë nuk u shpëton absolutisht asgjë. Madje, ai i di hallet tona edhe kur të tjerët nuk i dinë ose nuk i kuptojnë plotësisht

 Shkrimet na sigurojnë se . . .

  • «Sytë e Jehovait janë mbi të drejtët dhe veshët e tij te përgjërimi i tyre.»​—1 PJETRIT 3:12.

  • Perëndia premton: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën që duhet të ndjekësh. Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.»​—PSALMI 32:8.

PERËNDIA ËSHTË SHUMË I DHEMBSHUR

A mund t’i përballojmë më lehtë vështirësitë kur dimë se Perëndia kupton situatën dhe ndjenjat tona? Shiko çfarë i ndodhi Anës nga Nigeria. Ajo tregon: «Për shkak të rrethanave tejet të vështira, pyesja veten nëse ia vlente të jetoja. Isha e ve dhe po kujdesesha për time bijë, e cila ishte shtruar në spital sepse vuante nga hidrocefali (ose uji i tepërt në tru), kur u diagnostikova me kancer gjiri e m’u desh të operohesha, të bëja kimioterapi dhe rreze. E kisha tmerrësisht të vështirë të isha në spital në të njëjtën kohë me vajzën.»

Çfarë e ndihmoi Anën të përballonte këtë situatë? Ajo thotë: «Meditova për shkrime, si Filipianëve 4:6, 7, që thotë se ‘paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore’. Sa herë më vinte ndër mend ky shkrim, ndihesha shumë afër Jehovait, duke e ditur se ai më kupton më mirë se ç’kuptoj unë veten. Gjithashtu, vëllezërit e motrat e dashur në kongregacionin e krishterë më kanë dhënë goxha zemër.

Edhe pse kam ende probleme shëndetësore, gjendja ime dhe e sime bije është përmirësuar. Kemi mësuar të mos jemi negative përballë sfidave, sepse Jehovai është në krahun tonë. Jakovi 5:11 na siguron: ‘Ne shpallim të lumtur ata që qëndruan. Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit dhe e keni parë shpërblimin që i dha Jehovai, se Jehovai është shumë i butë në përzemërsi [ose shumë i dhembshur] dhe i mëshirshëm.’» Jehovai e kuptoi me imtësi situatën e Jobit, e po njësoj mund të jemi të sigurt se kupton çdo hall tonin.