Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 TEMA KRYESORE | KUR TË VDES NJË NJERI I DASHUR

Të vdekurit do të kthehen në jetë!

Të vdekurit do të kthehen në jetë!

Mbase të kujtohet Gejla që e përmendëm në këtë seri. Ajo nuk e di nëse do ta marrë veten pas vdekjes së Robit. Megjithatë, mezi pret ditën kur ta shohë sërish në botën e re që premton Zoti. Ajo shprehet: «Shkrimi që më pëlqen më shumë, është Zbulesa 21:3, 4.» Aty thuhet: «Vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»

Gejla thotë: «S’ke çfarë t’i shtosh më këtij premtimi! Më pikon në zemër për ata që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, por që nuk e dinë se ekziston shpresa për t’i parë sërish.» Gejla vepron në përputhje me bindjet e saj duke bërë punë vullnetare, pasi predikon në kohë të plotë. U flet të tjerëve për premtimin e Perëndisë se një ditë «nuk do të ketë më vdekje».

Jobi ishte i sigurt se mund të jetonte sërish

«Kjo është e pabesueshme!»​—mund të thuash. Por, shqyrto rastin e një burri me emrin Job që vuante nga një sëmundje e tmerrshme. (Jobi 2:7) Megjithëse dëshironte të vdiste, ende besonte se Zoti kishte fuqi ta ringjallte në tokë. Ai tha tërë siguri: «Ah sikur të më fshihje në Sheol [ose, varr]! . . . Ti do të më thërrisje, e unë do të të përgjigjesha. Do të kishe mall për veprën e duarve të tua.» (Jobi 14:13, 15) Jobi ishte i sigurt se Perëndinë do ta merrte malli për të dhe se do të kishte dëshirë të zjarrtë ta kthente sërish në jetë.

Perëndia do ta realizojë këtë së shpejti​—për Jobin dhe për shumë e shumë e tjerë—​kur toka të kthehet në një parajsë. (Luka 23:42, 43) Bibla e konfirmon këtë te Veprat 24:15, ku thotë se ‘do të ketë ringjallje’. Jezui na siguron: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Jobi do ta shohë me sytë e vet përmbushjen e këtij premtimi. Do të ketë mundësi të rifitojë ‘gjallërinë si në ditët e rinisë’, dhe mishi i tij do të jetë përjetë «më i freskët se në rini». (Jobi 33:24, 25) Të njëjtën gjë do të përjetojnë të gjithë ata që tregojnë çmueshmëri për masën e mëshirshme të Perëndisë për të ringjallur të vdekurit në tokë.

Nëse e ke provuar se ç’do të thotë të humbësh një njeri të shtrenjtë, ndoshta informacionet që kemi shqyrtuar, mund të mos ta largojnë plotësisht pikëllimin. Por, duke medituar për premtimet e Perëndisë në Bibël, mund të gjesh shpresë të vërtetë dhe forcë për të vazhduar përpara.​—1 Selanikasve 4:13.

A dëshiron të dish më tepër se si ta përballosh pikëllimin? Ose, a ke pyetje të ngjashme, si për shembull: «Pse i lejon Perëndia ligësinë dhe vuajtjet?» Të lutemi, vizito sitin tonë, jw.org, për të parë përgjigjet ngushëlluese dhe praktike që jep Bibla.