Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 TEMA KRYESORE | KUR TË VDES NJË NJERI I DASHUR

A është e gabuar të pikëllohesh?

A është e gabuar të pikëllohesh?

A ke qenë për njëfarë kohe i sëmurë? Ndoshta e ke marrë veten aq shpejt, saqë pothuajse e ke harruar fare sëmundjen. Mirëpo, pikëllimi nuk është kështu. Dr. Alan Ulfelti shkruan në librin e tij Healing a Spouse’s Grieving Heart se «nuk ekziston një shprehje e tillë, si ‘nuk jam më i pikëlluar’». Megjithatë shton: «Me kalimin e kohës dhe me mbështetjen e të tjerëve, do të ndihesh më pak i pikëlluar.»

Të marrim si shembull reagimin e patriarkut Abraham kur i vdiq gruaja. Bibla thotë se «Abrahami nisi ta vajtonte e ta qante Sarën». (Zanafilla 23:2, NWT, botimi 2013, anglisht) Shprehja «nisi ta» nënkupton se iu desh ca kohë që ta përballonte humbjen e saj. * Një shembull tjetër është Jakobi, që e bënë të besonte se të birin, Jozefin, e kishte shqyer një kafshë e egër. Ai u pikëllua për «shumë ditë» dhe familjarët e tij nuk arrinin ta ngushëllonin. Vite më vonë, ende nuk i shqitej nga mendja vdekja e Jozefit.​—Zanafilla 37:34, 35; 42:36; 45:28.

Abrahami vajtoi për humbjen e Sarës së tij të dashur

Edhe sot, kështu ndihen mjaft veta që kanë humbur një njeri shumë të afërt. Të shqyrtojmë dy shembuj.

  • «Im shoq, Roberti, vdiq më 9 korrik 2008. Mëngjesi i atij aksidenti fatal ishte si gjithë ditët e tjera. Pas mëngjesit, si zakonisht kur nisej për në punë, u puthëm, u përqafuam dhe i thamë njëri-tjetrit ‘të dua’. Kanë kaluar gjashtë vjet, por vazhdoj të ndiej dhembje në zemër. Nuk mendoj se kam për ta marrë veten ndonjëherë nga humbja e Robit.»​—Gejla, 60 vjeçe.

  • «Megjithëse jam pa gruan time të shtrenjtë prej më shumë se 18 vjetësh, ende më mungon dhe jam i pikëlluar për vdekjen e saj. Sa herë shoh në natyrë diçka të bukur, më shkon mendja tek ajo dhe mendoj sa do të kënaqej po të shihte atë që po shoh unë.»​—Etjeni, 84 vjeç.

Qartë, është plotësisht e natyrshme të provosh ndjenja të tilla të dhembshme, madje edhe për një kohë të gjatë. Njerëzit nuk pikëllohen të gjithë njësoj, dhe nuk do të ishte e mençur të gjykonim dikë për mënyrën si reagon kur i ndodh një tragjedi. Njëkohësisht s’duhet ta dënojmë veten nëse na duket se reagojmë ca si tepër kur vdes dikush. Si mund ta përballojmë pikëllimin?

^ par. 4 Edhe biri i Abrahamit, Isaku, kaloi një periudhë të gjatë pikëllimi. Siç vërejmë në një artikull tjetër të këtij numri «Imitoni besimin e tyre», Isaku ishte ende i pikëlluar për humbjen e së ëmës, Sarës, ndonëse kishte vdekur prej tre vjetësh.​—Zanafilla 24:67.