ÇFARË SHPRESE FANTASTIKE! Krijuesi ynë na ka premtuar jetë pa fund, pikërisht këtu në tokë. Ama, shumë veta e kanë të vështirë ta besojnë këtë. Sipas tyre të gjithë do të vdesim një ditë, sepse kjo është pjesë e ciklit natyror të jetës dhe të vdekjes. Të tjerë mendojnë se mund të jetojmë përgjithmonë, por jo në tokë. Ata shprehen se vetëm kur të vdesim e të shkojmë në qiell do të jetojmë përgjithmonë. Po ti, si mendon?

Para se të përgjigjesh, pse të mos shqyrtosh si u përgjigjet Bibla këtyre tri pyetjeve: çfarë tregon për jetëgjatësinë e njeriut mënyra si jemi krijuar? Cili ishte qëllimi fillestar i Perëndisë për tokën dhe për njerëzit? Si hyri vdekja në familjen njerëzore?

NATYRA UNIKE E NJERIUT

Nga të gjitha format e jetës që ka krijuar Perëndia në tokë, ne njerëzit jemi veçanërisht unikë. Në ç’mënyrë? Bibla tregon se vetëm njerëzit u krijuan sipas «shëmbëlltyrës» së Perëndisë dhe në «ngjashmëri» me të. (Zanafilla 1:26, 27) Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se njerëzit janë pajisur me karakteristika dhe cilësi që pasqyrojnë ato të Perëndisë, si dashuria dhe ndjenja e drejtësisë.

Për më tepër, njerëzve iu dha aftësia për të menduar dhe për të arsyetuar. Gjithashtu iu dha aftësia për të dalluar të mirën nga e keqja si dhe dëshira për të njohur e për të zhvilluar miqësi me Perëndinë. Ja pse mund të çmojmë madhështinë e universit dhe mrekullitë e natyrës, si edhe artin figurativ, muzikën e poezinë. Mbi të gjitha kemi aftësinë unike të adhurojmë Krijuesin. Për shkak të veçorive të tilla ekziston një hendek i thellë mes njerëzve dhe të gjitha krijesave të tjera në tokë.

Mendo pak: a do të na kishte krijuar Perëndia me cilësi kaq mbresëlënëse dhe, me sa duket, me një potencial të pakufi për t’i zhvilluar e për t’i përmirësuar, nëse kishte qëllim të jetonim pak vjet? E vërteta është se Perëndia na krijoi me këto cilësi dhe aftësi unike që të gëzonim përgjithmonë jetën këtu në tokë.

QËLLIMI FILLESTAR I PERËNDISË

Megjithatë, disa thonë se Zoti s’ka pasur kurrë ndër mend të jetonim përgjithmonë në tokë. Ata pretendojnë se toka u projektua të ishte shtëpia jonë e përkohshme, një vend prove për të parë se cilët njerëz meritojnë të shkojnë në qiell e të jetojnë përgjithmonë pranë Zotit. Por, po të ishte kështu,  a s’do të ishte Perëndia përgjegjës për të gjithë ligësinë dhe të këqijat që ndodhin sot në tokë? Kjo do të binte plotësisht në kundërshtim me vetë personalitetin e Tij. Bibla thotë për Perëndinë: «Sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi. Një Perëndi i besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi. I drejtë dhe i ndershëm është ai.»​—Ligji i përtërirë 32:4.

Bibla zbulon qartë qëllimin që kishte në fillim Perëndia për tokën me këto fjalë: «Qiejt janë të Jehovait, kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.» (Psalmi 115:16) Po, Perëndia e krijoi tokën që të ishte shtëpia jonë e bukur dhe e përhershme, si edhe e pajisi me të gjitha gjërat e nevojshme që të gëzonim përgjithmonë një jetë plot kuptim.​—Zanafilla 2:8, 9.

«Qiejt janë të Jehovait, kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.»​—Psalmi 115:16

Madje, Bibla flet qartë edhe për qëllimin e Perëndisë për njerëzimin. Ai i tha çiftit të parë njerëzor ‘të mbushnin tokën e ta sundonin dhe të mbanin të nënshtruar çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë’. (Zanafilla 1:28) Ç’privilegj që kishin, të kujdeseshin për shtëpinë e tyre parajsore e të zgjeronin kufijtë e saj në mbarë tokën! Vërtet, Adami, Eva dhe pasardhësit e tyre kishin perspektivën të jetonin përgjithmonë në tokë, jo të merrnin ndonjë shpërblim në qiell.

PSE VDESIM?

Atëherë, pse vdesim? Bibla tregon se një nga krijesat qiellore të Perëndisë, i cili më vonë u identifikua si rebeli Satana Djall, u përpoq të sabotonte atë që kishte bërë Perëndia në Eden. Si?

Satanai ua mbushi mendjen prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës, të rebeloheshin edhe ata kundër Perëndisë. Kur u tha se Perëndia po u mbante diçka të mirë​—të drejtën për të vendosur vetë se çfarë ishte e drejtë dhe e gabuar—​ata u bënë palë me të dhe i kthyen shpinën Perëndisë. Rezultati? Me kalimin e kohës vdiqën, tamam siç i kishte paralajmëruar Perëndia. Kështu humbën mundësinë për të jetuar përgjithmonë në Parajsën tokësore.​—Zanafilla 2:17; 3:1-6; 5:5.

Pasojat e rebelimit të Adamit dhe të Evës po i ndiejmë të gjithë sot e kësaj dite. Fjala e Perëndisë thotë: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit.» (Romakëve 5:12) Ne vdesim sepse prindërit tanë të parë na lanë si trashëgimi mëkatin e vdekjen dhe jo sepse Perëndia kishte ndonjë «plan» të mistershëm e të paracaktuar.

TI MUND TË JETOSH PËRGJITHMONË NË TOKË

Rebelimi në Eden nuk e pengoi qëllimin fillestar të Perëndisë për njerëzit dhe për tokën. Dashuria dhe drejtësia e përsosur e Perëndisë e nxitën të siguronte një mënyrë për të na çliruar nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes që trashëguam. Apostulli Pavël shpjegoi: «Paga që paguan mëkati është vdekja, kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» (Romakëve 6:23) Me dashuri, Perëndia «dha Birin e tij të vetëmlindur [Jezu Krishtin], që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16) Duke u ofruar vullnetarisht si flijim shpërblyes, Jezui ribleu gjithë sa humbi Adami. *

Së shpejti premtimi i Perëndisë për një parajsë tokësore do të bëhet realitet. Kjo e ardhme e mrekullueshme mund të bëhet jotja nëse i kushton vëmendje këshillës së Jezuit: «Hyni nga porta e ngushtë, sepse e gjerë dhe e hapët është rruga që të çon në shkatërrim, dhe shumë hyjnë nga ajo. Por e ngushtë është porta dhe e kufizuar rruga që të çon në jetë, dhe pak e gjejnë atë.» (Mateu 7:13, 14) Po, e ke vetë në dorë të ardhmen tënde! Çfarë do të bësh?

^ par. 17 Për më shumë informacion se ç’dobi të sjell shpërblesa, shih kapitullin 5 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe që disponohet online në www.jw.org.