A MENDON SE MUND TA ZGJEDHËSH TË ARDHMEN TËNDE? Disa njerëz besojnë se jeta është e paracaktuar ose se është në dorë të fatit e nuk varet nga zgjedhjet personale. Kur nuk i arrijnë disa synime, atëherë thjesht thonë se ishte diçka e pashmangshme. Ata shprehen: «S’ishte e shkruar.»

Të tjerë zhgënjehen kur nuk shohin asnjë rrugëdalje në këtë botë shtypëse dhe të padrejtë. Kushedi sa herë mund të jenë përpjekur të përmirësojnë jetën, ama planet e tyre i kanë prishur gjëra, si luftërat, krimet, katastrofat natyrore dhe sëmundjet. Ndaj mendojnë se është e kotë të mundohen.

Është e vërtetë se disa rrethana në jetë mund të ndikojnë goxha për keq te planet e tua. (Eklisiastiu 9:11) Ama, kur vjen puna tek e ardhmja jote e përhershme, e ke ti në dorë të zgjedhësh. Në fakt, Bibla tregon se e ardhmja jote varet nga ajo çka zgjedh. Shqyrto çfarë thotë.

Kur kombi i lashtë i Izraelit ishte gati të hynte në Tokën e Premtuar, udhëheqësi i tyre, Moisiu, i tha në emër të Jehovait: «Ju kam vënë përpara jetën dhe vdekjen, bekimin dhe mallkimin. Zgjidhni jetën, që të rroni ju dhe pasardhësit tuaj, duke dashur Jehovain, Perëndinë tuaj, duke dëgjuar zërin e tij e duke qëndruar të lidhur ngushtë me të.»​Ligji i përtërirë 30:15, 19, 20.

«Ju kam vënë përpara jetën dhe vdekjen, bekimin dhe mallkimin. Zgjidhni jetën.»​—Ligji i përtërirë 30:19

Po. Perëndia i çliroi izraelitët nga skllavëria në Egjipt dhe u ofroi mundësinë të jetonin të lirë e të lumtur në Tokën e Premtuar. Mirëpo, kjo nuk do të vinte automatikisht. Që t’i merrnin këto bekime, ata duhej ‘të zgjidhnin jetën’. Si? ‘Duke dashur Perëndinë, duke dëgjuar zërin e tij dhe duke qëndruar të lidhur ngushtë me të.’

Sot edhe ti gjendesh përballë një zgjedhjeje të tillë dhe e ardhmja jote varet nga ajo që do të zgjedhësh. Nëse zgjedh të duash Perëndinë, të dëgjosh zërin e tij dhe të qëndrosh i lidhur ngushtë me të, në të vërtetë po zgjedh jetën​—jetën e përhershme në një tokë parajsore. Por, çfarë përfshin secili nga këta hapa?

ZGJIDH TË DUASH PERËNDINË

Dashuria është cilësia kryesore e Perëndisë. Apostulli Gjon shkroi nën frymëzim: «Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:8) Ja pse, kur e pyetën se cili ishte urdhërimi më i madh, Jezui tha: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:37) Miqësia e vërtetë me Perëndinë Jehova duhet ta ketë themelin te dashuria, jo te frika a te bindja e verbër. Atëherë, pse duhet të zgjedhim ta duam?

Dashuria e Jehovait për njerëzimin është si ajo e prindërve të dashur për fëmijët e vet. Megjithëse të papërsosur, prindërit e dashur i mësojnë, u japin zemër, i mbështetin dhe i disiplinojnë fëmijët, sepse duan t’i shohin të lumtur e të suksesshëm. Çfarë dëshirojnë prindërit në këmbim? Dëshirojnë që fëmijët t’i duan dhe t’i marrin për zemër gjërat që u thonë për të mirën e tyre. A nuk është e arsyeshme që Ati ynë i përsosur qiellor pret t’i tregojmë çmueshmëri plot dashuri për gjithë sa ka bërë për ne?

 DËGJOJE ZËRIN E TIJ

Në gjuhën origjinale të Biblës, fjala «dëgjo» shpesh ka kuptimin «bindu». A nuk kemi këtë ndër mend kur i themi një fëmije: «Dëgjoji prindërit!» Kështu që, të dëgjosh zërin e Perëndisë, përfshin të mësosh prej tij dhe t’i bindesh. Edhe pse zërin e Perëndisë nuk e dëgjojmë dot në kuptimin e mirëfilltë, mund ta dëgjojmë duke lexuar e duke zbatuar Biblën, Fjalën e tij.​—1 Gjonit 5:3.

Për të treguar sa rëndësi ka të dëgjojmë zërin e Perëndisë, Jezui tha në një rast: «Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.» (Mateu 4:4) Ndonëse për ne si njerëz ushqimi fizik është i rëndësishëm, njohuria për Perëndinë është edhe më e rëndësishme. Pse? Mbreti i mençur Solomon shpjegoi: «Mençuria është mbrojtje njëlloj siç është edhe paraja, por përparësia e njohurisë është se bashkë me mençurinë i ruan gjallë ata që e zotërojnë.» (Eklisiastiu 7:12) Njohuria dhe mençuria nga Perëndia na mbrojnë sot dhe na ndihmojnë të bëjmë zgjedhjen e mençur që, në të ardhmen, të fitojmë jetën e përhershme.

DUKE QËNDRUAR I LIDHUR NGUSHTË ME TË

Sill ndër mend ilustrimin e Jezuit në artikullin e kaluar, ku tha: «E ngushtë është porta dhe e kufizuar rruga që të çon në jetë, dhe pak e gjejnë atë.» (Mateu 7:13, 14) Që të ecim në një rrugë të tillë, s’ka diskutim se do të përfitonim shumë po të kishim një udhërrëfyes të aftë e të qëndronim pranë tij, nëse duam të arrijmë në destinacion​—jeta e përhershme. Ndaj ka arsye të forta pse duhet të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Perëndinë. (Psalmi 16:8) Por, si mund ta bëjmë këtë?

Çdo ditë kemi plot gjëra që duhet të bëjmë dhe shumë të tjera që do të na pëlqente të bënim. Këto mund të na shpërqendrojnë a të na mbajnë kaq të zënë, sa na mbetet pak ose aspak kohë që të mendojmë për atë çfarë kërkon Perëndia prej nesh. Ja pse Bibla na kujton: «Vazhdoni të shikoni me kujdes që mënyra se si ecni, të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj, sepse ditët janë të liga.» (Efesianëve 5:15, 16) Qëndrojmë të lidhur ngushtë me Perëndinë kur marrëdhënien me të e konsiderojmë gjënë më të rëndësishme në jetë.​—Mateu 6:33.

ZGJEDHJA TË PËRKET TY!

Edhe pse s’e ndryshon dot të shkuarën, e ke në dorë të zgjedhësh një të ardhme të bukur për veten dhe për njerëzit e tu të dashur. Bibla tregon se Ati ynë qiellor, Perëndia Jehova, na do shumë dhe na ka treguar se çfarë dëshiron të bëjmë. Vër re fjalët e profetit Mikea:

«Ai të ka thënë, o njeri, se çfarë është e mirë. Çfarë kërkon në këmbim Jehovai nga ti, veçse të tregosh drejtësi, të duash mirëdashjen dhe të jesh modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd?»​Mikea 6:8.

A do ta pranosh ftesën e Jehovait që të ecësh me të dhe të fitosh bekimet e përhershme që ka rezervuar për ata që veprojnë kështu? Zgjedhja të përket ty!