Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Si e ka emrin Perëndia?

Si e ka emrin Perëndia?

Nëse do që ta njohësh dikë, zakonisht në fillim e pyet: «Si e ke emrin?» Po të pyesje Perëndinë, si do të të përgjigjej?

«Unë jam Jehovai. Ky është emri im.»​Isaia 42:8.

Mos është hera e parë që e dëgjon këtë emër? Edhe mundet, meqë mjaft përkthyes të Biblës e përdorin emrin e Perëndisë me kursim, për të mos thënë fare. Shpesh e zëvendësojnë me titullin «Zot». Megjithatë, emri i Perëndisë gjendet diku te 7.000 herë në tekstin e Biblës në gjuhën origjinale. Ky emër përbëhet nga katër bashkëtingëllore hebraike, që korrespondojnë me YHWH ose JHVH, dhe në shqip është përkthyer prej kohësh «Jehova».

Emri i Perëndisë del shpesh në shkrimet hebraike dhe gjendet në shumë përkthime

Rrotulla e Psalmeve e Detit të Vdekur Shekulli i parë i e.s., HEBRAISHT

Përkthimi i Tindalit 1530, ANGLISHT

Përkthimi Reina-Valera 1602, SPANJISHT

Versioni i Bashkuar 1919, KINEZISHT

PSE KA RËNDËSI EMRI I PERËNDISË

Ky emër ka rëndësi për vetë Perëndinë. Zotit nuk ia vuri kush këtë emër; e zgjodhi vetë. Jehovai deklaroi: «Ky është emri im në jetë të jetëve, dhe me të do të kujtohem brez pas brezi.» (Dalja 3:15) Në Bibël, emri i Perëndisë shfaqet më tepër se çdo titull, si i Plotfuqishëm, Atë, Perëndi ose Zot dhe më shpesh se çdo emër tjetër, si Abraham, Moisi, David ose Jezu. Për më tepër, Jehovai ka dëshirë që njerëzit ta njohin emrin e tij. Bibla thotë: «Që ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.»—Psalmi 83:18.

Ky emër ka rëndësi për Jezuin. Në lutjen që njihet si Ati ynë, ose Lutja e Zotërisë, Jezui i mësoi dishepujt e tij t’i luteshin Perëndisë me fjalët: «U shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Vetë ai iu lut Perëndisë: «O Atë, jepi lavdi emrit tënd!» (Gjoni 12:28) Për Jezuin, gjëja më kryesore në jetë ishte t’i jepte lavdi emrit të Perëndisë. Ja pse u lut: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd [dishepujve] dhe do ta bëj të njohur.»—Gjoni 17:26.

Ky emër ka rëndësi për ata që e njohin Perëndinë. Populli i Perëndisë në të kaluarën e kuptonte se mbrojtja dhe shpëtimi i tyre lidheshin me emrin unik të Perëndisë. «Emri i Jehovait është një kullë e fortë. Tek ai vrapon i drejti dhe gjen mbrojtje.» (Proverbat 18:10) «Kushdo që thërret emrin e Jehovait,  do të shpëtojë.» (Joeli 2:32) Bibla tregon se ata që i shërbejnë Perëndisë, do të dallohen ngaqë përdorin emrin e tij. «Sepse të gjithë popujt do të ecin secili në emër të perëndisë së vet, kurse ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve, po, përgjithmonë.»—Mikea 4:5; Veprat 15:14.

ÇFARË TREGON KY EMËR

Ky emër unik identifikon Perëndinë. Shumë studiues kanë arritur në përfundimin se emri Jehova do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Perëndia Jehova hodhi dritë mbi kuptimin e emrit të tij kur i tha Moisiut: «Unë do të bëhem çdo gjë që dua të bëhem.» (Dalja 3:14) Kështu, emri i Perëndisë nuk tregon vetëm rolin e tij si Krijuesi që solli në jetë gjithçka. Ai tregon edhe se Perëndia ka aftësi të shkaktojë që Ai të bëhet ose që krijimi i Tij të bëhet çfarëdo të jetë e nevojshme për të përmbushur qëllimin e Vet. Titujt mund të përshkruajnë pozitën, autoritetin ose fuqinë e Perëndisë, ama, vetëm emri i tij, Jehova, përfaqëson gjithçka që ai është dhe që mund të bëhet.

Emri tregon se Perëndia na ka për zemër. Domethënia e emrit të Perëndisë nënkupton se ai interesohet gjithmonë për krijimin e Tij, ku bëjmë pjesë edhe ne. Për më tepër, vetë fakti që Perëndia na e ka zbuluar emrin e tij, tregon se ka dëshirë ta njohim. Tekefundit, Ai ka marrë iniciativën të na tregonte emrin e tij para se të ekzistonim a para se të na shkonte ndër mend se kishte një emër. Pra është e qartë se Perëndia dëshiron ta shohim jo si hyjni abstrakt e të largët, por si Person real, të cilit mund t’i afrohemi.​—Psalmi 73:28.

Kur përdorim emrin e Perëndisë, tregojmë se e kemi për zemër. Për ta ilustruar: mbase i kërkon të të thërrasë me emër dikujt që shpreson ta kesh mik. Si do të ndiheshe nëse ai këmbëngul vazhdimisht të mos e përdorë emrin tënd? Pas njëfarë kohe ndoshta mendon: «A thua i pëlqen vërtet të jemi miq?» Njësoj është edhe me Perëndinë. Jehovai na e ka treguar emrin e tij dhe na nxit ta përdorim. Kur e përdorim këtë emër, i tregojmë Jehovait se duam të bëhemi miq me të. Madje, ai i vë re «ata që mendojnë thellë për emrin e tij».​—Malakia 3:16.

Hapi i parë thelbësor për të njohur Perëndinë është të mësojmë emrin e tij. Por nuk duhet të mjaftohemi me kaq. Duhet ta njohim më mirë Personin që qëndron pas këtij emri.

SI E KA EMRIN PERËNDIA? Perëndia e ka emrin Jehova. Ky emër unik e identifikon Perëndinë si një Person që e përmbush qëllimin e tij