Nëse do që ta njohësh mirë dikë, e mira do të ishte të dish çfarë ka bërë në jetë dhe vështirësitë që ka kapërcyer. Po njësoj, nëse do që ta njohësh mirë Perëndinë, duhet të dish çfarë ka bërë. Rrugës mund të mahnitesh teksa zbulon se, gjërat e shumta që Ai ka bërë në të shkuarën, na sjellin dobi sot, madje edhe në të ardhmen.

PERËNDIA KRIJOI ÇDO GJË PËR TË MIRËN TONË

Perëndia Jehova është Krijuesi i Madh dhe «cilësitë e tij të padukshme . . . shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra». (Romakëve 1:20) «Ai është Bërësi i tokës me fuqinë e tij, Ai që e ka bërë të patundshme me mençurinë e vet dhe Ai që shpalosi qiejt me kuptueshmërinë e tij.» (Jeremia 10:12) Mrekullitë e krijimit na tregojnë edhe se Zoti na ka për zemër.

Mendo pak si na e ka pasuruar jetën Jehovai, duke na krijuar «sipas shëmbëlltyrës së vet». (Zanafilla 1:27) Në këtë mënyrë ai na ka dhënë mundësinë të pasqyrojmë sadopak cilësitë e tij të pakrahasueshme. Na ka pajisur me aftësinë për të kuptuar pikëpamjen dhe normat e tij. Teksa bëjmë çmos të jetojmë në përputhje me to, jemi më të lumtur dhe jeta bëhet më domethënëse. Ç’është më e rëndësishmja, ai na krijoi me potencialin që të lidhim miqësi me të.

Kur shohim si është krijuar toka, kuptojmë ndjenjat që ka Perëndia për ne. Si tha Pavli, ai «nuk e la veten pa dëshmi, sepse bëri mirë: [na] solli shira nga qielli dhe stinë të frytshme, [na] dha ushqim me bollëk dhe [na i] mbushi zemrat plot hare.» (Veprat 14:17) Nuk siguroi vetëm nevojat minimale sa të mbanim frymën gjallë, por na dha me bollëk një larmi gjërash që ta shijojmë jetën. E gjithë kjo s’është veçse një grimë e asaj që kishte ndër mend për ne.

 Jehovai e krijoi tokën që njerëzit të mund të jetonin përgjithmonë në të. Bibla thotë se «tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve» dhe «nuk e krijoi më kot, por e formoi që të banohej». (Psalmi 115:16; Isaia 45:18) Kush do të banonte në të dhe për sa kohë? «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»​—Psalmi 37:29.

Në harmoni me këtë, Jehovai krijoi burrin dhe gruan e parë, Adamin dhe Evën, e i vuri në një parajsë tokësore ‘që ta punonin e të kujdeseshin për të’. (Zanafilla 2:8, 15) Ai u dha një caktim emocionues të dyfishtë: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.» (Zanafilla 1:28) Kështu, para Adamit dhe Evës shtrihej shpresa e jetës së pafund në tokë. Mjerisht, ata zgjodhën të mos i bindeshin Perëndisë. Prandaj humbën mundësinë për të qenë mes ‘të drejtëve’ që «do të trashëgojnë tokën». Megjithatë, siç do ta shohim, veprimet e tyre nuk e kanë ndryshuar qëllimin e Jehovait për ne dhe për tokën. Gjithsesi, në fillim le të shohim diçka tjetër që ka bërë Perëndia.

PERËNDIA SIGUROI FJALËN E TIJ TË SHKRUAR

Bibla njihet edhe si Fjala e Perëndisë. Pse Jehovai e siguroi Biblën për ne? Kryesisht që të mësojmë për të. (Proverbat 2:1-5) Është e vërtetë që Bibla nuk i përgjigjet çdo pyetjeje që mund të kemi për Zotin; asnjë libër s’e bën dot këtë. (Eklisiastiu 3:11) Prapëseprapë, çdo gjë që përmban Bibla, na ndihmon ta njohim Perëndinë. E kuptojmë kush është nga mënyra si i trajton njerëzit. Dallojmë ç’lloj njerëzish i pëlqejnë dhe nuk i pëlqejnë. (Psalmi 15:1-5) Mësojmë çfarë mendon ai për adhurimin, për moralin dhe për të mirat materiale. Gjithashtu, në Bibël gjejmë përshkrimin më të gjallë të personalitetit të Jehovait, të pasqyruar te fjalët dhe te veprimet e Birit të tij, Jezu Krishtit.​—Gjoni 14:9.

Një arsye tjetër pse Jehovai ka siguruar Fjalën e tij, Biblën, është që të dimë si të kemi një jetë të lumtur e kuptimplotë. Me anë të saj, Jehovai na tregon si të kemi familje të lumtur, si të jemi të kënaqur dhe si të përballojmë ankthin. Siç do të shpjegohet më pas në këtë revistë, Bibla jep përgjigje për pyetjet më të rëndësishme të jetës, si: pse ka kaq shumë vuajtje? Çfarë rezervon e ardhmja? Ajo shpjegon edhe se çfarë ka bërë Perëndia që qëllimi i tij fillestar të plotësohet.

Në shumë aspekte të tjera, Bibla është vërtet një libër i jashtëzakonshëm, një kryevepër hyjnore. Edhe pse e shkruan rreth 40 burra gjatë një periudhe prej 1.600 vjetësh, Bibla ka vetëm një temë kryesore pasi Autori i saj i vërtetë është Perëndia. (2 Timoteut 3:16) Ndryshe nga veprat e tjera të lashta, ajo nuk ka ndryshuar përgjatë shekujve, siç dëshmojnë mijëra dorëshkrime të hershme të Biblës. Përveç kësaj, Bibla ia ka dalë mbanë përballë përpjekjeve për të mos e përkthyer, për të mos e shpërndarë dhe për të mos e lexuar. Sot është libri më i shpërndarë dhe më i përkthyer. Fakti që Bibla ekziston, provon se «fjala e Perëndisë tonë mbetet përgjithmonë».​—Isaia 40:8.

PERËNDIA GARANTOI PLOTËSIMIN E QËLLIMIT TË TIJ

Perëndia bëri edhe diçka tjetër​—mori një masë të veçantë për të garantuar plotësimin e qëllimit të tij për ne. Siç u tha më lart, Ai kishte si qëllim që njerëzit të jetonin përgjithmonë në tokë. Megjithatë, kur Adami zgjodhi të mos i bindej dhe mëkatoi, humbi mundësinë për të jetuar përgjithmonë jo vetëm për vete, por edhe për pasardhësit e vet. «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Kështu, mosbindja e njeriut vuri në pikëpyetje qëllimin e Perëndisë. Si reagoi Jehovai?

Jehovai veproi në përputhje me personalitetin e tij. Ai i konsideroi përgjegjës Adamin dhe Evën për veprimet e tyre, ama, me dashuri mori masa për pasardhësit e tyre. Me mençuri, Jehovai vendosi si të vepronte në këtë situatë dhe menjëherë  bëri të qartë zgjidhjen. (Zanafilla 3:15) Çlirimi nga mëkati dhe nga vdekja do të sigurohej me anë të Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit. Çfarë përfshinte kjo?

Që të na çlironte nga pasojat e rebelimit të Adamit, Jehovai dërgoi në tokë Jezuin, që t’u mësonte njerëzve udhën që të çon në jetë dhe ‘të jepte shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz’. * (Mateu 20:28; Gjoni 14:6) Jezui mund të siguronte shpërblesën, sepse ishte njeri i përsosur, si Adami. Mirëpo, ndryshe nga Adami, Jezui u bind në mënyrë të përsosur, madje deri në vdekje. Meqë Jezui nuk e meritonte të vdiste, Jehovai e ringjalli për të jetuar sërish në qiell. Tani Jezui mund të bënte atë që nuk bëri Adami​—t’u jepte njerëzve të bindur shpresën për të jetuar përgjithmonë. «Ashtu si nëpërmjet mosbindjes së një njeriu të vetëm, shumë u bënë mëkatarë, po ashtu edhe nëpërmjet bindjes së një të vetmi, shumë do të bëhen të drejtë.» (Romakëve 5:19) Nëpërmjet flijimit shpërblyes të Jezuit, Zoti do të plotësojë qëllimin e tij që njerëzit të jetojnë përgjithmonë në tokë.

Mësojmë shumë për Jehovain nga mënyra si i zgjidhi problemet që shkaktoi mosbindja e Adamit. Shohim se asgjë s’e ndalon dot Jehovain të çojë deri në fund atë që kishte nisur; fjala e tij «do ta kryejë patjetër» qëllimin e saj. (Isaia 55:11) Mësojmë edhe se sa e thellë është dashuria e Jehovait për ne. «Perëndia e shfaqi dashurinë e tij ndaj nesh, duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij. Në këtë qëndron dashuria: jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi dhe dërgoi Birin e tij si një flijim pajtues për mëkatet tona.»​—1 Gjonit 4:9, 10.

Perëndia «nuk kurseu as Birin e vet, por e dorëzoi për të gjithë ne», kështu që jemi të sigurt se Ai ‘do të na japë me mirësi edhe të gjitha gjërat e tjera’ që ka premtuar. (Romakëve 8:32) Çfarë do të bëjë Perëndia për ne? Vazhdo të lexosh.

ÇFARË KA BËRË PERËNDIA? Jehovai i krijoi njerëzit që të jetojnë përgjithmonë në tokë. Ai na dha Biblën që të mësojmë për të. Me anë të Jezu Krishtit, Jehovai siguroi shpërblesën, e kështu na garantoi se qëllimi i tij do të plotësohet

^ par. 16 Për më shumë hollësi për shpërblesën, shih kapitullin 5 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe që disponohet online në www.jw.org.